Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Mandati i tretë do jetë një mandat i unitetit kombëtar

Të reja

Mandati i tretë do jetë një mandat i unitetit kombëtar

08 Apr 2021    

Këndi i fjalës Dropull– Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

 Më lejoni të shpreh kënaqësinë që më jepet mundësia të rikthehem në Dropull dhe për më tepër, në këtë platformë të mrekullueshme të natyrës, me këtë xhevahir të trashëgimisë sonë kulturore në sfond që është një nga ato thesare të trashëguara dhe për shumë vite të rrezikuara nga braktisja e injorancës në Tiranë.

Jam shumë krenar që me gjithë vështirësitë e jashtëzakonshme dhe shtrëngesat e mëdha të imponuara nga një trashëgimi shumë e rëndë e keqqeverisjes, sidoqoftë arritëm të bëjmë për trashëgiminë tonë kulturore me shumë sesa të gjithë paraardhësit dhe të gjitha qeveritë të mbledhura sëbashku. Mirela meriton një falënderim të veçantë për përkushtimin, për profesionalizimin dhe mbi të gjithë, për kokëfortësinë me të cilën ka ndjekur një punë jo të lehtë, sepse kur plagët e të shkuarës janë të mëdha e kur e tashmja është e përqendruar te kurimi i atyre plagëve, gjithmonë, kultura, arti dhe trashëgimia kulturore mund të mbeten në harresë.

Ne nuk i lamë në harresë këto xhevahire. Përkundrazi bëmë çmos dhe vazhdojmë të bëjmë çmos që t’i shpëtojmë, t’u kthejmë shkëlqimin e humbur dhe t’i vëmë në dispozicion të popullit, jo thjesht si inventar të së shkuarës, por edhe si instrumente zhvillimi ekonomik pasi sot, kjo kishë është një arsye për të ardhur këtu. Si kjo kishë ka plot të tjera rreth e rrotull në këtë qark, si dhe në gjithë Shqipërinë. E kështu ka plot arsye për të vizituar Gjirokastrës, Përmetin, të gjitha pjesët e këtij qarku duke dhënë kështu mundësi të reja për njerëzit që të ofrojnë mikpritje e të ngrenë infrastruktura të mikpritjes, të ngrenë bujtina, të fitojnë të ardhura çdo vit e më të  konsiderueshme falë pikërisht krijimit të këtij mjedisi mikpritës, që nuk ka vetëm trashëgiminë kulturore, por infrastrukturën e shërbimet esenciale.

Më vjen shumë mirë që edhe këtu si në plot pika të tjera, ne kthehemi dhe i gjejmë njerëzit me 24 orë ujë në shtëpitë e tyre në një pjesë të konsiderueshme të bashkive.

Nuk mund të them që s’kanë të drejtë ata që thonë që “akoma flitet për ujin në shekullin e 21-të, në vitin 2021 në mes të Europës”. Por ja që kjo shprehje legjitime duhet për shërbejë për të kuptuar dhe kujtuar se kush na qeverisi për dekada të tëra. Nuk ishte dhe nuk është përgjegjësia jonë që ne trashëguam në të katërta anët një shtet të bërë copa e çika, një shtet që nuk furnizonte dot njerëzit e vet me energji elektrike dhe me ujë.

 Nëse kjo e energjisë elektrike ishte një plagë e hapur nga një keqqeverisje barbare, kjo e ujit ishte një plagë e trashëguar nga dekada të tjera më parë, sepse uji 24 orë këtu dhe në plot zona të Shqipërisë nuk ka patur as përpara se të ndryshonte regjimi. Ne na është dashur të ngremë një sistem të tërë, por për të ngritur një sistem të tërë duhet kohë, sepse shumë njerëz shikojnë sot që shkojmë të vizitojmë kantieret e ujit dhe thonë “a u kujtuat tani, për fushatë”.

Ato që janë sot kantiere janë projekte të bëra me kohë dhe përpara sesa projektet të bëheshin, u desh të bëhej një inventar i situatës, të bëheshin analiza si do të dilnim nga ajo situatë. U desh të behej një reformë e gjithë sistemit të furnizimit me ujë, u desh të sistemohej gjithë administrimi i ujësjellësve, bashkë me strukturën e re administrative të vendit dhe me bashkimin e komunave në bashki. E pas projekteve është dashur të gjendet financimi dhe pasi u gjend financimi, është dashur të bëhen garat, të nënshkruhen kontratat dhe vetëm atëherë fillon puna.

Sot, ne kemi rreth 120 kantiere në gjithë Shqipërinë që vazhdojnë shtrirjen e linjave të reja të ujësjellësit dhe brenda vitit të ardhshëm, përfundimisht, uji i pijshëm 24 orë në të gjitha zonat urbane të Shqipërisë, pra, bashkitë dhe ato pjesë rurale me banim intensiv do të jetë një histori e të shkuarës si temë diskutimi dhe debati politik.

Nuk është pak, por megjithatë nuk është mjaft për të thënë që tani ulemi për të ngrenë llokume.

Këtu, ne kemi investuar edhe në infrastrukturë e do vazhdojmë të investojmë. Po të shohim sot Dropullin, ashtu sikundër gjithë Shqipërinë është një pamje shumë e qartë, një pamje shumë me shpresëdhënëse se para 6-7 vitesh, por një pamje e paplotë në raport me atë që duam të jetë. Është në ndërtim e sipër Shqipëria që Duam, është në ndërtim  e sipër shtëpia e të ardhmes së fëmijëve tanë, është në ndërtim e sipër çdo infrastrukturë e çdo sektori në Shqipëri, që nga arsimi tek shëndetësia, energjia e uji, bujqësia e me radhë çdo sektor.

Sot, ne kemi mundësi të themi që Shqipërinë do ta bëjmë kampione të turizmit në Ballkan brenda kësaj dekade. Në vizionin tonë të 2030-së, Shqipëria është një vend kampion i turizmit në Ballkan.

Kjo është plotësisht e mundur!

Jo më si një dëshirë e madhe, as si një vegim, por si një vizion i bazuar në gjithë themelet që kemi ngritur dhe në të gjitha rrugët e reja të perspektivës që kemi hapur me investime të mëdha, si asnjëherë më parë, në turizëm; investime të huaja  dhe investime të brendshme.

Tani një shtëpi gjirokastrite që ishte totalisht e rrënuar dhe me ndërhyrjet e Rilindjes Urbane, të gjithë infrastrukturën e zemrës së qytetit nxiti investimin e një çifti, e një gjirokastriti me një vajzë nga ana tjetër e kufirit, e cila bashkë me të shoqin vendosi të vijë dhe të jetojë në Gjirokastër. Të dy bashkë kanë bërë një infrastrukturë mikpritjeje fantastike, me 5 yje, një hotel butik që do të mund të gjendej në çdo zonë turistike ekselence në Francë, Itali, Zvicër apo kudo qoftë.

E si mund të bëhej kjo disa vite më parë, kur këtu kishte vetëm një inerci të rrënimit dhe të braktisjes!

Nuk mund të bëhej dot!

Por kjo nuk është një arsye për të thënë se tani kjo punë mbaroi. Kjo është një arsye vetëm për të thënë që sa më shumë mund të bëjmë akoma, sa shumë ka akoma potencial dhe kjo është rruga. Është një rrugë e përpjetë e ne jemi duke u ngjitur. Ngjitja është e vështirë. Sa më shumë ngjitesh, aq më shumë ndjen lodhje, aq më shumë je i tunduar të ulesh, të ndalosh e të thuash isha shumë poshtë e arrita këtu, s’po vazhdoj.

Ne nuk kemi rrugë tjetër, do të vazhdojmë të ngjitemi sepse duam ta çojmë Shqipërinë në atë majë që i takon të shkojë me forcat e kësaj gjenerate. Pastaj, gjenerata të tjera ta marrin e ta çojnë në maja të tjera.

Duhet me patjetër ta bëjmë Shqipërinë kampione në Ballkan për eksportet bujqësore. Kjo është plotësisht e mundur. E kemi trashëguar me rreth 100 milionë dollarë eksporte bujqësore, sot jemi në 400. Jemi të bindur që me Planin e Veprimit 2021-2025 mund ta çojmë në mbi 1 miliardë eksporte.

Shikoni çfarë po ndodh me peshkimin që ishte një sektor totalisht i degraduar e sot është kthyer në një forcë të eksportit. Por mundësia është për shumë më tepër. Ishte rreth 18-20 milionë, sot është mbi 100 milionë dhe është absolutisht e mundur të dyfishohet.

Të gjitha këto kërkojnë kohën e tyre, kërkojnë mund dhe durim, këmbëngulje dhe besim.

Nuk bëhet Shqipëria me receta magjike dhe me programe elektorale të shkruara për qejfin e të gjithëve, “kap çfarë të kapësh” e shihemi prapë pas 4 vitesh.

Shqipëria dhe shqiptarët e kanë pësuar disa herë në histori duke rendur pas berihait. Që nga koha kur rendte pas Haxhi Qamilit dhe deri në kohët më moderne kur rendte pas Sudes, Vebiut dhe Xhaferit. Iluzionet e ofruara nga këta lloj magjistarësh kanë vetëm një fund, buzën e greminës ose komplet, largqoftë, në greminë.

Shikojeni çfarë ndodhi jo më larg se dje. U bllokua aeroporti i vendit. U bllokua edhe ardhja e vaksinave dje dhe e gjithë nata ka qenë një natë pa gjumë, për të luftuar që ta mbanim sasinë e vaksinave që priste aty për të ardhur sepse menjëherë mund të shkonte në një shtet tjetër. Nuk është një pazar ku t’i shkon dhe i thua ma mbaj mallin se unë po shkoj të bëj një xhiro e do kthehem nesër. Luftë për të mbajtur sasinë që të vinte në Shqipëri dhe të mos shkonte diku tjetër dhe pastaj do humbisnim 1 javë, 10 ditë, duke pritur ribërjen gati të porosisë. 1 javë, 10 ditë pa vaksina. Sepse Ilir Meta dhe Sali Berisha janë aty, mbrapa derës, gati për t’u rifutur në shtëpinë e secilit dhe për ta ribërë rrumpallë nga e para. E për t’u rifutur në shtëpinë e secilit janë gati të bëjnë atë që bënë. Një sulm çmendurak, i organizuar për të kthyer kaosin dhe fantazmën e rrëmujës në Shqipëri, duke marrë peng aeroportin, duke bllokuar një aktivitet jetik të vendit, duke ndaluar mijëra shqiptarë që donin të niseshin dje dhe mijëra të tjerë që donin të vinin dje, duke ndaluar edhe të vdekurit që të vijnë e të varrosen këtu, duke ndaluar lëvizjen e parasë sepse nga aeroporti vjen dhe paraja për bankat, duke ndaluar edhe të sëmurët.

Unë kam pas dje mesazhe dhe një mesazh nga një qytetar nga Vlora, të cilit nuk po ja përmend emrin se s’kam autorizim, i cili më thoshte “kam gruan me tumor, jam në aeroport. Kam nesër në mëngjes takimin e radhës me mjekët dhe po humba takimin më duhet të pres një muaj”. Sepse kanë jetuar në Itali. A e kuptoni se çfarë janë në gjendje të bëjnë këta!

Një plan i ndërtuar me ditë, duke menduar se ne do kapeshim gafil dhe duke pasur parasysh që kontrollorët e ajrit janë një strukturë shumë e posaçme në të gjithë botën, që nuk zëvendësohen dot kollaj e duhet shumë kohë. Duke zgjedhur pikërisht këtë moment, që deri në 25 prill të mos vaksinohej asnjë njeri, këtu të shpërthente një revoltë dëshpërimi.

E kuptoni sa afër, sa pak e ndan këtë vend nga rikthimi mbrapsht në të shkuarën, që duket sikur është e shkuar dhe e harruar, për sa kohë janë këta njerëz që nuk lënë dy gurë bashkë për ta rimarrë peng vendin, për të rimarrë peng drejtësinë, për të rimarrë peng shtetin dhe për të shkatërruar të gjitha ato që kemi ndërtuar, njësoj siç ka ndodhur në historinë tonë. Si një mallkim që vazhdon! Po të shohësh historinë e shqiptarëve, në momente të caktuara është shfaqur një forcë, e cila i ka rimarrë peng me lloj-lloj teknikash iluzive.

Nuk duhet, nuk mund e nuk do ta lejmë këtë. Dhe siç e patë, nuk na kapën gafil. Kanë gjetur qeverinë dhe  kryeministrin më të gabuar për të bërë sfida të tilla.

Ne nuk jemi absolutisht më të mirët, s’jemi të rënë nga qielli dhe s’jemi pa të meta. Kemi bërë gabime plot në gjithë këtë periudhë qeverisjeje. Me siguri kemi bërë më shumë sesa ato që dimë ne si gabime. Por një gjë është e sigurt, ne kemi treguar se jemi e vetmja force karakteri në politikët shqiptare dhe jemi e vetmja forcë karakteri në përfaqësimin e shqiptarëve.

Ne kemi pasur një mandat qeverisës dhe një luftë që vazhdon akoma. I dyti nuk ka qenë një mandat qeverisës, po një periudhë luftë në kuptimin më të vërtetë të fjalës. Një luftë me pasojat e një tërmeti katastrofik dhe një luftë të një tërmeti botëror si pandemia, që gjunjëzoi shtete shumë të zhvilluare se ne.

Imagjinojeni sikur të na kishte gjetur me spitalet e tyre, ku nuk kishte batanije e çarçafë, ku s'kishte ngrohje e ku njerëzit ngroheshin me furnela që i merrnin nga shtëpia dhe i bënin sustat e krevateve furnela për t’u ngrohur, ku uji rridhte nga banjat nëpër korridore. Pa folur për ilaçe, aparatura e respiratorë. Madje, edhe pa uniforma për të gjithë trupën e infermierëve nëpër spitale, ku hyje dhe nuk merrej vesh kush ishte mjeku, kush ishte infermieri, kush ishte pacienti e kush familjare apo kalimtari që hynte në spital për të blerë qepë e për të blerë të brendshme. Pazare të gjësë së gjallë e pazare të tregjeve bujqësore, të rrobave të përdorura e të gjyzlykëve kineze.

 E flasin këta për shëndetësi e për Shqipërinë. Një çetë honxhobonxho.

Ajo që ka ndodhur është një kambanë alarmi për të gjithë, për të kuptuar atë që unë po e përsëris, Lulzim Basha  është një kukull. Çfarë mendon ai për bllokimin e këtij aktiviteti jetik, çfarë mendon ai për pengmarrjen e kullës së kontrollit ajror të Shqipërisë, vetëm pak javë përpara stërvitjes më të madhe ushtarake, të bërë ndonjëherë këtu në gjithë rajonin tonë, me NATO-n dhe forcat e Shteteve të Bashkuara? Si mund të bëhet Shqipëria lolo?

Ku duan t'ia dinë. Ata kanë kaq vite që për këtë angazhohen dhe sikur të ishin angazhuar aq shumë për të punuar dhe jo për të baltosur të gjithë Shqipërinë, lloj-lloj balte nga lloj lloj-llumrash ku do ishim me ata.

Kjo është e vërteta, Lulzim Basha është një kukull që i ofrohet njerëzve me një fytyrë të buzëqeshur, me një shpresë se njerëzit do harrojnë se sa herë ka prekur një punë, ka bërë vetëm dëm dhe kur ju dha një punë, ka fjetur vetëm gjumë. As nuk e përmend që ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës, sikur nuk e përmend kur njerëzve ju mbeti ora e Tiranës pa lëvizur dhe hesht e vazhdon takimet nëpër vatrat e infektimeve që krijon, duke dhënë premtime, do japim kaq mijë euro për çiftet e reja, kaq mijë euro për pensionistët, kaq mijë euro për invalidët, kaq mijë euro për të papunë, e kaq mijë euro për këta e ata. Një xhaferr me një kostum nusërie.

Nuk votohet Lulzim Basha, votohet Saliu, Iliri, Monika. Ta kenë shumë të qartë shqiptarët këtë.

Kjo që ndodhi në aeroport është filozofia, vizioni, qasja ndaj një shteti si plaçkë që duhet sulmuar kur nuk e kanë për vete. Logjikë çetash, piratësh. Sulm siç sulmuan në të gjithë Shqipërinë, mësues, infermierë, nëpunës, duke i trajtuar si mish për top, duke i hedhur jashtë vendit të punës, duke i zëvendësuar me njerëz pa arsim. Sa mijëra mësues pa arsimin përkatës dhe jashtë profilit gjetëm kur erdhëm, sa dhjetëra e mijëra nxënës të lënë në kthetrat e atyre injorantëve!

E i sollën këta. Sulm kudo, plaçkitje dhe pengmarrje. Merr peng shtetin që ta kthesh pushtetin në një mjet plaçkitje. Kujtoni ju se ka ndryshuar ndonjë gjë?

Asgjë nuk ka ndryshuar, e thonë vetë, e thotë edhe Luli. “Tetë vite përpara ndodhi një aksident”, domethënë, ju dhe i gjithë populli që ju dha dërrmën atyre lajthitët. E tani duhet të vini në vend fajin e madh që bëtë që i nxorët jashtë dhe t’i sillni prapë, që ta trajtojnë Shqipërinë si Aeroportin e Tiranës, të vetmin aeroport ndërkombëtar të Shqipërisë, me humore vulgare. Presidenti thotë do bëj konferencë shtypi në Vlorë “është gati aeroporti i Vlorës”. Ç’president është ky!

Prandaj është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë. Dua ta bëj shumë të qartë që nuk është çështje socialistësh e demokratësh, përplasje mes njerëzve, por çështje e nevojës për të qenë të bashkuar në çështjet e mëdha.

Si mund të jemi të ndarë kur bie tërmet!

Si mund të jemi të ndarë kur duhet të ndalojmë hemorragjinë që sjell humbje jetësh dhe plagë!

Si mund të jemi të ndarë kur bie një virus!

Si mundet që ata që e përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të popullit shqiptarë, ta yshtin drejt përçarjes, hakmarrjes e revanshit, duke u bërë aleat me tërmetin, me virusin, me përmbytjen, me çdo të keqe që i bie vendit, që ne nuk e zgjedhim, por ne e përballojmë!

Sot, Shqipëria po vaksinon me ritme shumë të larta. Jemi ngjitur në fashën më të lartë të tabelës së vaksinimit për ritmin e vaksinimeve. Këta janë tërbuar, nuk duan të dinë se vaksinat bëhen për socialistë e demokratë, të majtë e për të djathtë, për veriorë e jugorë. Nuk duan t’ia dinë farë e janë gati të lënë njerëzit e tyre pa vaksina. Ashtu siç janë gati t’i mbledhin në turma dhe të infektohen. Të mbarojnë zgjedhjet njëherë, pastaj le ta hajë kush ta hajë. Për ata, ndjekësit e tyre janë mish për top. Ndjekësit e tyre ju duhen të verbër, të shurdhër, të inatosur, të vrerosur, të helmatisur, në mënyrë që t’i hedhin në zjarr e në çfarë zjarri? Në zjarrin e pandemisë. Dhe thonë se njerëzit janë gati të vdesin për të rrëzuar regjimin. Regjimin e kujt? Regjimin e ligjshmërisë, rregullit, përpjekjes për të bërë shtet këtu e për ta bërë Shqipërinë vendin e oportuniteteve, për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, për ta bërë Shqipërinë një vend të përbashkët, ku fëmijët tanë mos të jenë krenarë vetëm për historinë, bukurinë e natyrës, apo traditën familjare, por të jenë krenar për kushtet në të cilat jetojnë.

Ne na duhen edhe disa vjet, na duhet mandati i tretë për ta bërë Shqipërinë eksportues neto te energjisë elektrike. E kuptoni, çfarë transformimi është ky, mbasi kemi vënë ligjshmërinë në bazën e sistemit tonë të prodhimit e shpërndarjes së energjisë!

Duam ta kalojmë Shqipërinë në një nivel tjetër, duke ndërtuar Skavicën, duke ndërtuar edhe sistemin e gazit të lëngshëm në TEC-in e Vlorës, të dyja këto bashkë në marrëveshje me qeverinë e SHBA-së. Me ndërtimin e këtyre dy  hallkave strategjike të sistemit, si dhe me ndërtimin e dy parqeve të mëdha fotovoltaike, - njëri ka filluar në Karavasta, për tjetrin ka dalë fituesi, kompania e madhe franceze Voltalia dhe po negociohet kontrata, - ne nuk do importojmë më energji elektrike, domethënë, janë dhjetëra miliona euro që do qëndrojnë këtu, por do eksportojmë. Eksportues neto. Kjo do të thotë një shtëpi shumë më e fortë, shumë më e sigurt, një shtëpi me më shumë te ardhura, ku ka më shumë për të gjithë.

E di që pagat janë ende larg së qëni paga që mund t’i mbajmë këtu njerëzit, të rinjtë sidomos. Nëse pagat rriten sipas dëshirës, menjëherë hija e Sudes e rimerr prapë vendin teposhtë. Pagat rriten duke rritur mundësitë, mundësitë rriten duke rritur investimet, duke forcuar ligjshmërinë, duke forcuar drejtësinë dhe duke bërë sistemin të funksionojë në mënyre që sa më shumë investime të vijnë, në mënyrë që sa më shumë vende pune me paga më të larta të hapen, në mënyrë që zinxhiri ekonomik të kalojë në një nivel tjetër. Si rriten pagat? Si me ata dje? Marrim peng jetën e vendit, se i kemi pagat 2400 dollarë dhe jemi të stresuar, nuk punojmë dot.

Çfarë duhet të thonë e bëjnë mjekët dhe infermierët e pavijonit COVID të Shqipërisë, do të lëmë punën sot dhe dalin tek oborri spitalit? Apo të thonë le te vdesin të gjithë, ne jemi të stresuar dhe i duam pagat aq e kaq.  I meritojnë ata pagat, edhe më të larta, megjithëse ne ua kemi rritur, u japim edhe 1 mijë euro çdo muaj plus. I meritojnë, sepse ai është një stres i jashtëzakonshëm.

Çfarë duhet të thonë uniformat blu që shërbejnë në të gjithë rrugët e Shqipërisë, ditën dhe natën? Të thonë jemi stresuar, nuk rrimë dot më në rrugë, mes erës, shiut e nën diell, duam rroga më të larta, ose e lëmë fare, ikim.

Çfarë duhet të thotë mësuesit e mësueset, sado që ne ua kemi rritur pagën? Të thonë jemi të stresuar, se mund të marrim COVID-in, ndaj nuk japim më mësim?

E kështu me radhë të gjithë, po të nisemi nga shembulli i këtyre. Po nuk ndodh kështu. Po të ishte mundur, atëherë do ishte bërë dhe në vendet e tjera. Edhe në Francë ankohen për pagat. Franca është gjithë ai shtet, pse nuk i ngre pagat? Apo në Gjermani. Por jo,  ato rriten sipas mundësive.

Nëse ti tallesh me popullin tënd, nëse ti pastaj e përdor popullin tënd si mish për top, i thua “do të ulim sigurimet shoqërore, do ju rrisim pensionin”, domethënë, do ta ulim prodhimin e qumështit, do rrisim prodhimin e djathit, do ulim prodhimin e grurit, do rrisim prodhimin e bukës së grurit, do ulim prodhimin e domateve, ama do rrisim prodhimin e salcës së domateve.

Këto janë shprehje tipike të një mënyre të të bërit politikë pa din e pa iman. E kur t’i i thuash, ta dhashë votën, tani dua më shumë djathë, të jep sapunin për djathë dhe të thotë të të bëjë mirë, shko prit tramvajin e Tiranës se do të të çojë në Peshkopi.

Miqtë e mi!

Për ne, minoriteti është një thesar njësoj si këto vlera të mëdha të trashëguara nga e shkuara jonë e përbashkët. Mbase ne nuk i kemi bërë dot të gjitha ato qe kemi dashur e me siguri s’i kemi bërë. Kemi bërë aq sa kemi mundur, do bëjmë edhe më shumë, po të jeni të bindur që askush tjetër nuk mund të bëjë dot as për ju, as për vendin, sa mund të bëjmë ne. Mbase kjo është pak, po mos e dyshoni këtë. Mos e dyshoni sepse vizioni i tyre është ai i pengmarjes së aeroportit. Është vizion ai, nuk është ngjarje pa kuptim. Karakteri i tyre është ai i pengmarjes së aeroportit. Ai është karakteri. Thikë mbas shpine. Gjithë kohës. Ku të munden. Puna e tyre është kap ça të kapësh, bëj ça të bësh, po në fund mos i lër në asnjë mënyrë të buzëqeshin kur marrin vaksinën, kallu ankthin e tregoju që o duhet të hapin rrugë, ose këta vetëm do vuajnë. Njësoj siç bëjnë pengmarësit. E janë shumë këmbëngulës në atë punë, në atë drejtim.

Ndërkohë që vizioni ynë është komplet tjetër.

Karakteri ynë është komplet tjetër.

Puna jonë është komplet tjetër.

Vendosmëria jonë është komplet tjetër. Më e fortë se e tyrja, që është një vendosmëri jo e pakët për të bërë gjëra të këqija dhe për të bërë çdo gjë me zor dhe me atë këmbënguljen që hajde t’ua u marrim prapë frymën këtyre.

Durimi ynë është i jashtëzakonshëm. Ne jemi sprovuar në këto dy luftëra të mëdha, që do t’i fitojmë më çdo kusht. Nëse ne dalim fitues në këto dy luftra rë mëdha, me tërmetin dhe me COVID-in, çfarë tjetër mund të na bëjë ne që të mos fitojmë? Cila sfidë mund të na ndalë ne, për të shkuar drejt fundit të kësaj dekade dhe për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë?

Nuk ka!

Këto kanë qenë dy teste të karakterit dhe unë jam shumë krenar që qeveria jonë, shumica jonë e ka mishëruar karakterin shqiptar në anën e vet më të mirë. Pas këtyre dy testeve të mëdha, ne jemi shumë më të vetëdijshëm për fuqinë, por edhe për çfarë ne duhet të përmirësojmë, çfarë duhet të korrigjojmë, çfarë duhet të rishikojmë tek vetja. Ne jemi shumë më të vetëdijshëm për mundësitë që kemi duke krijuar unitet, siç krijuam në përballimin e fazës së parë të pandemisë, duke i lënë mënjanë këto gërmëret.

Mandati i tretë duhet dhe do të jetë një mandat i unitetit kombëtar. Një mandat i bashkimit dhe i përqendrimit në gjërat e mëdha. Shqipëria nuk ka kohë për të humbur dhe këta honxhobonxho në 25 prill duhet të marrin një mesazh shumë të qartë e shumë të fortë nga të gjithë shqiptarët, pa dallim, që Shqipëria ka nevojë për punë, Shqipëria ka nevojë për këmbëngulje e vendosmëri. Shqipëria ka nevojë për durim, dhe mbi të gjitha, Shqipëria ka nevojë për karakter. 

Shumë faleminderit dhe mirë se t’ju gjej pas 25 prillit prapë!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm