Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Liri, konkurrencë e meritë për Rilindjen e Arsimit

Të reja

Liri, konkurrencë e meritë për Rilindjen e Arsimit

22 Nov 2012    

Prezantimi dhe diskutimi i programit të Partisë Socialiste për arsimin ka vijuar sot pasdite në një tryezë të zgjeruar ku merrnin pjesë deputetë, drejtues dhe pedagogë të universiteteve publike në vend, specialistë të fushës dhe ku është diskutuar pikërisht për situatën në të cilën ndodhen universitetet publike në vend dhe domosdoshmërinë për një reformim të thellë të këtyre institucioneve arsimore që funksionojnë mbi bazën e financimeve publike.
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në fjalën  e tij ka theksuar mungesën e plotë të lirisë nga e cila vuan arsimi publik në vend. Sipas tij universitetet publike, por edhe institucionet e arsimit parauniversitar janë tërësisht të izoluara për opozitën, e cila nuk komunikon dot normalisht me botën arsimore dhe me botën akademike universitare. “Dhe aty ku mungon liria është pastaj  e natyrshme që të ndeshesh me deformime dhe me sëmundje nga më të ndryshmet dhe nga më të rëndat”, ka theksuar Rama. Kreu i opozitës nuk i ka kursyer kritikat për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi arsimor publik, i cili nuk është i gatshëm t’u përgjigjet sfidave të zhvillimit në asnjë formë. Përveç lirisë në këto institucione arsimore mungon plotësisht edhe konkurrenca.
“Sot ne gjendemi përballë një furtune masivizimi, e cila praktikisht ka rrafshuar standardet e një arsimi universitar që zhvillohet si qenie në mes të Europës dhe nga ana tjetër ka lindur nevoja e një kaste, e cila sot e sundon universitetin, një kastë më shumë e korruptuar se sa e ditur që i merr frymën sistemit, i merr frymën trupës pedagogjike, i merr frymën gjithë asaj pjese të studentëve që janë aty realisht për të studiuar dhe jo për të kaluar pesë vjet me paratë publike apo të familjes në pritje të përballjes me papunësinë 5 vjet më vonë”, është shprehur kryesocialisti. Sipas Ramës për të ndryshuar këtë situatë duhet bërë menjëherë akreditimi dhe akreditimi pa dallim publik apo privat.


 


Më poshtë mund të lexoni të plotë fjalën e Kryetarit të PS Edi Rama:


 


Përpara disa ditësh unë isha në Preshevë. Zhvilluam një aktivitet, i cili nuk është tërësisht i ligjshëm për shtetin ku ndodhet Presheva, që është Serbia, në një shkollë publike. Arritëm ta bëjmë aktivitetin pa asnjë pengesë. Në hollin e shkollës, ekspozuam historikun e Flamurit Shqiptar. Dhe e përsëris është një subjekt shumë provokativ në atë shtet ku shqiptarët që jetojnë në territoret e tyre nuk e kanë të drejtën e plotë për ta përdorur flamurin qoftë edhe në shtëpi. E megjithatë, asgjë nuk ndodhi. Ndërkohë që në Shqipëri opozita nuk komunikon dot normalisht me botën arsimore dhe me botën akademike universitare. Është e pamundur të të besojnë kur tregon se si në shkollat tona edhe në universitet nuk ka liri deri në pikën që mësuesit apo pedagogët e kanë të pamundur të marrin pjesë pa stres në një aktivitet ku diskutohen çështje të arsimit me opozitën. Nuk të besojnë në Kosovë, nuk të besojnë në Maqedoni, lëre më pastaj të të besojnë në Europë. Duket e pamundur. Unë besoj që më shumë se sa për paratë, më shumë se sa për mjediset, më shumë se sa për shumë reforma të tjera, shumë të rëndësishme, arsimi shqiptar ka nevojë për liri. Shkolla shqiptare ka nevojë për liri. Universiteti ka nevojë për liri. Në Universitetin publik shqiptar, sidomos, mungon liria. Aty ku mungon liria është pastaj  e natyrshme që të ndeshesh me deformime dhe me sëmundje nga më të ndryshmet dhe nga më të rëndat.
Qëllimi kryesor i arsimit, thotë një mendje e ndritur, është të krijojë njerëz të gatshëm për të bërë gjëra të reja, jo për të përsëritur ato çka kanë bërë gjeneratat e mëparshme. Ndërkohë ne sot kemi një sistem arsimor që nuk është i gatshëm t’i përgjigjet kësaj sfide në asnjë formë, që nga arsimi i detyruar e deri te arsimi i lartë. Nga ana tjetër unë jam plotësisht dakord me konstatimin e deformimeve që ka sot sistemi universitar privat, por besoj se jo vetëm këto deformime nuk e lehtësojnë sistemin universitar publik, por përkundrazi gjenden ende më rëndë në sistemin universitar publik. Nëse ka një fenomen, që është lehtësisht i lexueshëm si piramidë që thith investimet e prindërve në funksion të një diplome pa vlerë, pjesa më e madhe e kësaj piramide është në sistemin publik. Ndryshimi i vetëm është që sistemi privat në atë pjesë që i bashkëngjitet kësaj piramide i merr paratë drejtpërdrejtë nga prindi me qëllim fitimi, ndërsa sistemi publik i merr paratë nga publiku në funksion të korrupsionit. Kjo është e vërteta miqtë e mi, shumë e hidhur, mbase aspak politikisht korrekte për mua, por unë besoj që nuk ka absolutisht asnjë lloj rruge tjetër për të rilindur këtë vend, përtej ose jashtë rrugës që kalon nga rilindja e arsimit dhe nga rivendosja në binarët e etikës të gjithë sistemin arsimor shqiptar. Të lirisë dhe etikës.
Le të jemi shumë të drejtpërdrejtë dhe të qartë. Sot qeveria, për një periudhë kohe tanimë shumëvjeçare, është pozicionuar në qoshen më të rehatshme në raport me arsimin në Shqipëri dhe me arsimin e lartë. Ka vendosur të blejë qetësi në karrige me paratë e taksapaguesve dhe me paratë e prindërve që investojnë drejtpërdrejtë për fëmijët, duke ju shmangur përballjes themelore, që është përballja me papunësinë rinore. Në vend që të përballet me papunësinë, u thotë gjithë të rinjve: ‘Ja ku i keni dyert e universiteteve’. Për këtë arsye i ka bërë çdo universiteti katër dyert, jo një. Në të katër anët mund të hyjnë të gjithë dhe kush të mundet. Po ashtu e ka lëshuar dorën duke dhënë licenca për universitetet private pa asnjë kriter dhe pa asnjë karar. Kështu ka vendosur ta shtyjë për më tutje, sigurisht jo pafundësisht, përballjen qeverisë me papunësinë. E, ndërkohë u jep nxënësve pasi mbarojnë arsimin parauniversitar vetëm një variant: një diplomë. Një rrugë dhe një punë: Futu në universitet, rri 5 vjet dhe kap diplomën dhe pastaj bashkohu me rreshtin e stërgjatë të të papunëve. Ajo që duam të bëjmë ne është të japim dy rrugë me dy stacione. Kush dëshiron, por dhe e përballon dot, sfidën e arsimimit të lartë përmes një sistemi konkurrence dhe merite, sigurisht që mund ta ndërmarrë këtë rrugë dhe të marrë në fund një diplomë. Ndërsa kush, për shumë arsye nuk ndjehet në pozitën për të hyrë në këtë rrugë, apo ka prioritete të tjera duhet të ketë mundësinë të marrë një zanat. Të marrë dije me të cilat të bëjë para dhe me ato para të fituara nga dija e vet të ndërtojë dhe mirëqenien.
Sot përveç lirisë që mungon plotësisht, në universitetin publik mungon plotësisht edhe konkurrenca. S’ka konkurrencë sistemi publik. Kjo është e vërteta. S’ka konkurrencë as në raport me qëllimin e brendshëm që është nxitja e dijes përmes vlerësimit të meritës dhe as raport me botën akademike ku çdo universitet normalisht duhet të ishte një konkurrent në një trekëndësh ku përfshihet tregu i punës dhe aktorët e tregut, ku universiteti fare mirë mund dhe duhet të ofrojë ekspertizë me një interes reciprok. Interesi i tregut ose i aktorëve të tregut për ta marrë këtë ekspertizë, nga një universitet që është konkurrent me ekspertizën që është në treg dhe interesi i universitetit për të përfshirë në këtë proces ekspertize vetveten: a) duke siguruar të ardhura; b) duke rritur kapacitetet e trupës së vet pedagogjike dhe studentore në pikëpamje shkencore dhe në perspektivën e vet të tregut.
Sot ne gjendemi përballë një furtune masivizimi, e cila praktikisht ka rrafshuar standardet e një arsimi universitar që zhvillohet si qenie në mes të Europës. Nga ana tjetër ka lindur nevoja e një kaste, e cila sot e sundon universitetin, një kastë më shumë e korruptuar se sa e ditur që i merr frymën sistemit, i merr frymën trupës pedagogjike, i merr frymën gjithë asaj pjese të studentëve që janë aty realisht për të studiuar dhe jo për të kaluar pesë vjet me paratë publike apo të familjes në pritje të përballjes me papunësinë 5 vjet më vonë. Në këtë aspekt unë besoj që ne kemi shumë gjëra për të bërë, duke filluar nga liria sigurisht, ku rikthehem përsëri sepse pa lirinë si parakusht i të jetuarit në mjediset e shkollës dhe të universitetit nuk e di çfarë gjenerate përgatisim për të nesërmen. Eksperienca ime personale nuk është eksperienca e një njeriu që ka bërë shkollën në kushte lirie. Por ama është eksperienca e një njeriu që në kushte diktature ka përjetuar bashkë me shumë të tjerë në shkollë nevojën për liri dhe bashkë me shumë të tjerë në shkollë përmes atyre hapësirave lirie që arrinim të krijonim shkonim përpara. Sot është shumë e rrallë të gjesh në botën universitare oaze lirie, që janë më shumë rezultat i një dekani apo i një rektori, që nuk e cenon lirinë dhe nuk është pjesë e kastës, ndërkohë që është plotësisht e mundur që në çdo hap të ndeshesh me kastën, me mediokritetin, me vulgaritetin, me cenimin e lirisë deri në gjërat më minimale dhe me korrupsionin që e thashë në takimin e mëparshëm me përfaqësuesit e arsimit privat dhe po e përsëris këtu.
Kush do ta shohë mund ta shohë duke bërë krahasimin mes dyshemeve në korridoret e fakulteteve publike dhe në korridoret e fakulteteve private. Nëqoftëse merr rrugën në një fakultet publik me katër kate ke shtatë, tetë, nëntë lloje pllakash sipas tenderëve dhe sipas epokave, sikur je në një zonë arkeologjike. Ndërkohë që aty ku burimet financiare menaxhohen nga privati dhe që nuk ka tenderë për të zhvilluar, dyshemeja është nga fillimi në fund njësoj. Këtu unë do t’i jepja të drejtë profesor Sulos që tha duhet pak më shumë privat tek publiku dhe pak më shumë publik tek privati. Por, kur flasim për privat tek publiku unë besoj që duhet të kemi parasysh një decentralizim buxhetesh drejt njësive bazë; Drejt fakulteteve, drejt departamenteve dhe një çlirim të energjive duke i dhënë mundësi shumë më tepër njerëzve që të kenë diçka në dorë, sesa një grusht njerëzish që i kanë të gjitha në dorë dhe janë grushti i partisë në pushtet. Nuk flasim për partinë në pushtet sot, këtu flasim për çdo parti në pushtet.
Liria në universitet besoj unë është një nga komponentët që duhet garantuar nëqoftëse duam t’i garantojmë vendit një të ardhme me shumë më tepër liri nesër kur gjenerata e sotme brenda sistemit do dalë në jetë.
Ne sot me mësues të trembur deri në palcë nga kopshti deri në master po krijojmë një gjeneratë të trembur në tru, jo më në shpirt. Të trembur për të menduar.
Ne besojmë dhe unë e ndaj këtë bindje me të gjithë ata që besojnë se duhet të vendosim meritën në fazën e jetës sonë arsimore, për të mundur dalëngadalë ta vendosim meritën edhe në bazën e jetës sonë shoqërore. Pa konkurrencë dhe pa meritë nuk kemi gjasë të ndërtojmë dot asgjë të shëndetshme, përkundrazi vetëm stimulojmë sëmundje nga më të ndryshmet në trupin e shoqërisë.
Do t’i japim universitetit mundësinë që jo vetëm përmes ligjit të ofrojë shërbime ndaj të tretëve, por edhe përmes binjakëzimit me sektorin privat të mund të zhvillojë një ofertë të vetën, ashtu sikundër dhe të mund të vetë organizohet jo vetëm për të dhënë diploma, po edhe për stazhe, për kërkime shkencore, për punë laboratorike dhe me radhë. Megjithatë, përsëri, e përsëri, e përsëri kthehemi tek liria dhe tek nevoja që qoftë pedagogun, qoftë studentin ta çlirojmë. Që pedagogu të mos jetë një statujë në katedër dhe studenti të mos jetë një numëror topi në auditorin që ka më shumë njerëz sesa ç’mund të mbajë.
10 mijë studentë për 140 pedagogë në fakultetin ekonomik shpjegon nga njëra anë pse ne kemi kaq shumë ekonomisë për kilometër katrorë, dhe nga ana tjetër pse e kemi kaq mirë ekonominë. Të dyja këto shpjegohen thjeshtësisht nga burimi nga ku na vijnë ekspertët e ekonomisë. Sigurisht që edhe krijimi kushteve për të ngritur universitete në qytete të tjera jashtë Tiranës mund të jetë një gjë e mirë, por mund të rezultojë edhe një gjë e dëmshme. Mund të jetë një gjë shumë e mirë nëqoftëse këtyre universiteteve ne u japim tipare të posaçme dhe unikalitet që do të thotë që nuk ka pse për shembull në universitetin e Peshkopisë të ketë degë filozofie, fjala vjen. Për filozofët mund të mjaftojë një fakultet i vetëm këtu në Tiranë dhe të gjithë të vijnë dhe të filozofojnë duke marrë një diplomë.
Por ndërkohë në zona të ndryshme mund të stimulohen profile të ndryshme. Fare mirë në Peshkopi mund të ketë një profil drejt zhvillimit rural dhe turizmit rural. Fare mirë në Fier mund të ketë një profil drejt industrisë së naftës. Sepse sot ne kemi një situatë ku tregu kërkon teknikë dhe inxhinierë nafte dhe kanadezët i marrin teknikët me vete nga Kanadaja, ndërkohë që inxhinierët shqiptarë të naftës kanë përfunduar të gjithë në Kanada. Ashtu sikundër sot janë dhënë koncesione disa qindra për HEC-e por kur vjen puna për teknikë dhe për inxhinerë hidro vetë koncesionarët e huaj detyrohen të hapin një shkollë që paralelisht me hedhjen e betonit të fillojnë të formësojnë edhe njerëzit që duhen për punë. Besoj që ka shumë arsye që ne ta adresojmë nevojën e tregut duke u fokusuar në profilizimin e universiteteve dhe të fakulteteve. Mbase mund ta keni dëgjuar, por nuk besoj se është e paarsyeshme ta përsëris. Para ca ditësh unë isha 20 km larg Tiranës. Është në fakt si 200 vjet larg Tiranës, në një zonë ku qindra familje jetojnë një gjendje realisht mesjetare dhe ku fëmijët për të ardhur në shkollë bëjnë akrobacira në kuptimin e vërtetë të fjalës, në mungesë të rrugës e në mungesë të transportit. Por ku prindërit e fëmijë, duke shprehur se çfarë do kërkonin nga një qeveri në shërbim të tyre nesër, nuk thoshin që prioritet është rruga, megjithëse rruga ishte dukshëm prioritet. Nuk thoshin që prioritet është transporti, megjithëse mungesa e transportit ishte dukshëm problem. Nuk thoshim prioritet është energjia elektrike, megjithëse nuk kishin drita. Nuk thoshin as që prioritet është që të na lehtësoni kostot e prodhimit se nuk po ja dalim dot më megjithëse varfëria ishte rrënqethëse, por thoshin duam mësues anglishteje. Duam mësues anglishteje në mënyrë të përsëritur njëzëri. Ishte sa emocionuese dhe frymëzuese aq edhe domethënëse. Sepse këta fëmijë dhe këto familje të braktisura në një humbëtirë kuptonin atë që qeveria nuk e kupton, që anglishtja është një instrument. Është një instrument për të përballuar të nesërmen kur s’ke rrugë dhe kur s’ke miq.
Sot çfarë rrezikojmë ne. Rrezikojmë që pas disa vitesh të gjendemi në një situatë jo vetëm pa mësues anglishteje dhe jo vetëm për ata që janë nëpër zonë të vështira, por edhe për ata që janë në mes të qyteteve, por edhe pa mësues matematike dhe pa mësues fizike dhe pa mësues kimie. Pra, pa mësues për të gjitha lëndët që nuk janë profesione të cilat tregu i shpërblen me dëshirë të madhe këtu në këtë vend. Kush do t’i formojë dhe si do të arrijnë që të mos mungojnë këta mësues. Ndërkohë që ju të gjithë në këtë tavolinë e dini më mirë se unë se në matematikë sot shkojnë ata që mbeten në fund fare dhe që nuk shkojnë dot asgjëkundi tjetër. Ashtu si dhe në kimi apo në fizikë. Shkojnë në një numër shumë të vogël. Në rast se tek ekonomiku për shembull janë 10 mijë ekonomistë potencial për 140 pedagogë, tek matematika mund të jetë një raport komplet i ndryshëm. Mund të jenë tek e tek pedagogët me studentët dhe shpesh herë ju qëllon ta fillojnë nga drejtshkrimi i gjuhës shqipe. Ne besojmë që në këtë aspekt duhet ndërtuar një politikë krejt e re për të stimuluar cilësinë në këto fakultete dhe për të stimuluar vajtjen e këtyre studentëve pasi marrin diplomën në detyrën e mësuesit. Por kjo është temë tjetër.
Do doja të thosha shumë shkurt çfarë mendojmë ne konkretisht edhe nga pikëpamja teknike. Së pari besoj se është koha për t’i bërë një verifikim të vërtetë, transparent dhe të pa kompromentueshëm të cilësisë, kushteve dhe burimeve njerëzore në të gjitha universitetet shqiptare publike apo private. Janë publike, janë private kjo është një çështje që hyn në diskutim kur flasim për çka do të bëjë shteti në raport me njërën apo me tjetrën. Por po flasim për cilësinë, për kushtet, për burimet njerëzore, qofshin publike, qofshin private duhet t’i kenë optimale. Së dyti duhet bërë menjëherë akreditimi dhe akreditimi pa dallim publik apo privat. Të qenit publik nuk e justifikon as kastën, as mediokritetin, as korrupsionin. Ashtu sikundër të qenit privat nuk justifikon fitimin, fitimin dhe fitimin me çdo mjet që justifikon qëllimin. Të dyja palët duhet të akreditohen. Universitetet publike dhe private pastaj duhet të rankohen sipas cilësisë dhe rezultateve të studentëve dhe të pedagogëve. Është një fillim i dhimbshëm, por më mirë dhimbja në fillim sesa agonia për vite e për vite të tëra në fund. Sot pyetja nuk është çfarë të mirash po sjell ky sistem, pyetja është deri ku i shkon dëmi këtij sistemi.
Sot pyetja nuk është çfarë po përfiton shoqëria nga ky sistem, sot pyetja është deri në ç’fazë e ka goditur qelizën e shoqërisë ky sistem. Padyshim të tria këto procese, verifikimi, akreditimi dhe rankimi kërkojnë transparencë me publikun dhe me çdo prind që investon për fëmijët e vet, qoftë te publiku qoftë te privati. Jam shumë dakord me atë pedagogen nga Durrësi, për domosdoshmërinë e një fleksibiliteti në sistem lidhur me 3+2 ose me 2-shin pa treshin. Që do të thotë, në qoftë se duam që t’i pajisim njerëzit me dije dhe jo domosdoshmërisht t’i bëjmë të gjithë ekonomistë dhe juristë, atëherë si pjesë e përpjekjes për të nxitur dhe konsoliduar arsimin profesional duhet të  jetë dhe kjo, që institucionet e arsimit të lartë të transformohen në institucione të pajisjes së drejtpërdrejtë me dije në dyvjeçar.
Nuk po hyj tek diskutimi i sistemit të kërkimit shkencor dhe kritereve të përzgjedhjes për tituj, sepse pastaj do duhet të diskutonim për një pjesë shumë të rëndë dhe shumë qesharake që ka sistemi, por jam i bindur që sot në sistemin tonë universitar ka më shumë tituj sesa libra. Në qoftë se do mblidhnim gjithë titujt e masterat, e doktoraturat do krijonim një bibliotekë disa herë më të madhe sesa ç’mund të jetë biblioteka e gjithë universitetit me libra. Ky është fakt.
Besoj që konkurrenca duhet të jetë dhe midis publikut dhe privatit për aksesin në fondet publike mbi bazën e projekteve. Tjetër gjë është financimi bazë, ku unë jam i bindur që arsimi publik duhet të ketë prioritet, pa asnjë dyshim, por projekte të rëndësisë publike për qeverinë apo për sektorin publik mund të financohen nga qeveria dhe t’i fitojë kush është më i zoti, qoftë publik, qoftë privat. Në këtë kuptim besoj që stimulojmë konkurrencën dhe besoj që stimulojmë edhe cilësinë.
Më erdhi keq që ky takim filloi me një ngjarje që tanimë është bërë publike dhe e dinë të gjithë, bllokimin e zgjedhjeve në Universitetin e Sporteve. Ndërkohë që një tjetër ngjarje e të njëjtës natyrë ndodhi vetëm para pak ditësh në Universitetin e Durrësit, ku zgjedhjet u bënë si prapashtesë e zgjedhjeve në Tiranë një vit e gjysmë më parë, të shohim si do vendosi Sashenka në fund. Por ajo që është e sigurt është që qeveria prej thuajse 8 vjetësh tanimë nuk e ka rritur me një lek rrogën e pedagogëve dhe unë nuk kam dëgjuar asnjë njeri deri tani të flasë.
Qeveria ka vendosur t’i heqë dyert e universiteteve dhe madje përveç derës ekzistuese të hapi dhe tre të tjera, në tre anët, si dhe të vendosë dhe kuotat e pranimit dhe unë s’kam dëgjuar deri tani asnjë njeri që të flasë.
Qeveria ka thuajse tetë vjet që nuk jep asnjë lek për investime në universitetin publik dhe madje edhe nga të ardhurat e vetë universiteteve qeveria kërkon pjesë që i merr, pastaj ca i jep mbrapsht ca s’i jep fare dhe prapë askush nuk flet. Me radhë një sërë gjërash të tjera që lidhen me mungesën e lirisë dhe me mungesën e besimit se gjërat mund të bëhen më mirë.
Unë do t’ju ftoja që këtë diskutim ne mos ta ndalnim me kaq sa do diskutojmë sot, por secili prej jush dhe besoj edhe me shumë kolegë të tjerë që do donin të ishin këtu, por e kanë pasur të pamundur të vijnë këtu për shkak të frikës që ta themi hapur, të mund të na jepnit opinione dhe mendime për ta detajuar programin. Është shumë e rëndësishme që program ynë të bëhet një dokument ku të kemi bashkautorësinë e pedagogëve të sistemit publik dhe atij privat, të studentëve tek publiku dhe tek privati dhe të prindërve padyshim. Ashtu sikundër edhe në fusha të tjera, bashkautorësinë e atyre që prek drejtpërdrejtë ajo pjesë e programit, sepse besoj që programi duhet të jetë një instrument për nesër jo një listë dëshirash bazuar mbi konstatime të hidhura thjeshtë për zgjedhje. Ne duam ta ndryshojmë rrënjësisht universitetin.
Jam dakord me profesor Sulon, që megjithatë sfida fillon nga parauniversitari. Por sidoqoftë duhet marrë në front kjo punë dhe duhet trajtuar çështja nga A-ja deri tek ZH-ja horizontalisht dhe frontalisht. Ajo çka mund të ndodh në qoftë se nuk ndërhyjmë sot është një katastrofë e pallogaritshme nesër. Asnjë vend në Europë, as në rajon nuk gjendet përballë kërcënimit të të ardhmes siç gjendet Shqipëria për shkak të sistemit tërësisht të kapur prej frikës dhe prej vulgaritetit në botën universitare. Shumë pedagogë të vlefshëm nuk arrijnë dot të japin atë që munden, shumë studentë të vlefshëm nuk arrijnë dot të marrin atë që duhet. I gjithë universiteti është i mbërthyer shumë keq nga frika dhe nga mungesa e konkurrencës dhe e meritës. Gjithë këto janë komponentë të falimentimit. Nga falimentimi nuk vjen absolutisht asgjë e mirë dhe nga mbajtja në këmbë e një ndërmarrje të falimentuar pastaj vijnë vetëm plagë të pakurueshme dhe kronike më pas.
 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm