Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Kemi bërë shumë, kemi ende shumë për të bërë për Tropojën dhe gjithë Shqipërinë

Të reja

Kemi bërë shumë, kemi ende shumë për të bërë për Tropojën dhe gjithë Shqipërinë

18 Apr 2021    

Takim me qytetarët e Tropojës - Rruga drejt 25 prillit -

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Shumë faleminderit për mikpritjen dhe realisht jam shumë mirënjohës, por edhe, nuk e fsheh dot, i surprizuar sepse më kujtohet kur kemi ardhur sëbashku me Safetin për një takim elektoral këtu në Tropojë, në fushatën e 2013-ës. Sollëm miq e shokë edhe nga përtej Bashkisë Tropojë, ndërkohë që miqtë e shokët nuk erdhën këtë herë, sepse ishin tek aeroporti i Kukësit, bashkë me shumë të tjerë. Dhe këtu unë iu gjej sot, më të shumtë sesa ishim atëherë, bashkë me miqtë dhe shokët që kishin ardhur.

Shumë faleminderit për këtë dhe jam i bindur se prezenca juaj kaq e madhe nuk është e lidhur thjesht me ardhjen time, por me siguri është e lidhur me faktin që në këtë zgjedhje, Partia Socialiste ju ka sjellë dikë që është nder ta kesh shok dhe është ndër ta kesh përfaqësuesin tënd.

Unë e kam njohur Petritin shumë vite më pare. Kemi qenë bashkëstudentë në Institutin e Artëve. Petriti ka qenë gjithmonë një djalë që e donin të gjithë. Kur të duan të gjithë, mund të jesh vërtetë shumë i mirë, ose je dikush që të duan se iu vjen keq. Në rastin e Petritit e donin të gjithë sepse të gjithë thonin qysh atëherë, që në atë kohë, edhe unë, edhe Petriti i kishim të gjitha flokët, Petriti i ishte të verdha, unë i kisha të zeza e megjithëse nuk i kishim këto shtesat e pjekurisë, për Petritin të gjithë thonin “ai është burrë”.

Ka qenë këmbëngulja e disa shokëve këtu që unë të flisja me Petritin, sepse unë nuk doja që t’ia bëja këtë kërkesë, pasi unë e di shumë mirë që Petriti është në një pozicion të rëndësishëm prej vitesh. Nga ana tjetër e di shumë mirë që këtu është një ndeshje shumë e fortë dhe nuk doja ta shqetësoja me propozimin për të marrë përsipër këtë sfidë. Insistimi i shumë njerëzve këtu, por edhe nga të gjithë anketimet, sondazhet që ne bëmë në Qarkun e Kukësit më bindën që duhet t’ia bëja Petritit këtë kërkesë. Ishte qartësisht njeriu më i mbështetur nga ata qytetarë që u pyetën për një sërë emrash. E thirra Petritin dhe i thashë se kjo është një sfidë e madhe e natyrisht, nuk po shkon atje i fituar, por, nëse e ndjen që është diçka që ti mund ta bësh, unë do isha shumë mirënjohës dhe Partia Socialiste do ishte shumë e nderuar.

Petriti tha vetë një fjalë, “Kryeministër” - se tani më thotë “Zoti Kryeministër”, ndërkohë që për mua ka qenë dhe do mbetet Petriti, një shok dhe një njeri me vlera dhe nuk është se e nderoj po i thashë Zoti Petrit, më duket më i largët, - unë nuk kam çfarë të mendohem, mendohu ti”. Sepse unë jam i gatshëm të shkoj  dhe nuk e kam problemin tim bëhem apo jo deputet, sepse nuk jam këtu duke të dhënë përgjigje se dua të bëhem deputet, por jam këtu duke të dhënë përgjigje që dua të jem i dobishëm për ata njerëz atje, sepse ata janë njerëzit e mi. E për njerëzit e mi jam i gatshëm të shkoj, ta bëj fushatën, t’i takoj derë më derë, ky që jam dhe me mundësitë që kam. Por duhet të mendohesh ti sepse unë nuk dua të jem thjesht Petrit Malaj që po shkon po merr votat, por nesër dua të jem për ta, njeriu që nuk ua ktheu kurrizin pasi i mori votat, apo që ata të mendojnë që unë nuk po ua bëj atë që ata kërkojnë prej meje për shkakun tënd. Duhet të më japësh fjalën që, nëse unë do të jem në Kuvend si përfaqësuesi i tropojanëve të mi - këtë shprehje përdori - dhe i Qarkut të Kukësit, atëherë ti do bësh edhe më shumë për Tropojën dhe Kukësin.

Unë i thashë se për Tropojën e kam pasur nder të bëj edhe kur këtu ishte kryetar bashkie një demokrat, Besnik më duket se quhej. Besniku ishte një person që ndryshe nga shumë ata kryetarë bashkie, pasi më dëgjojnë të them që ata nuk vijnë as të më takojnë se kanë frikë, erdhi më takoi dhe më tha se kishte disa projekte për Tropojën. Unë i kam thënë, “unë e kam për nder të bëj gjithshka mundem, kështu hajde t’i bëjmë projektet”. Nuk vura asnjëlloj kufiri mes meje dhe tij, meqë ai ishte me PD-në.

PD-ja nuk është një shpellë e mbushur me kundërshtarë dhe njerëz që i përkasin një bote tjetër. Në PD ka plot njerëz të mire, por problemi i PD-së është koka. Ishte koka kur kishte kokë, tani që është pa kokë, imagjino se çfarë problemi është koka në PD.

Ne bëmë për Tropojën dhe më falni, por nuk është bërë ndonjë gjë për të thënë sa shumë kemi bërë ne dhe ju tropojanë dilni rrugëve e na duartrokisni, por që për Tropojën, unë dhe Partia Socialiste, në këto vite e në këto vite kur na hyri në mes edhe një tragjedi e madhe me dy akte, tërmeti dhe pandemia, kam bërë vallaj, disa herë më shumë se Sali Berisha dhe PD-ja. Këtë nuk mund të ma diskutojë asnjë tropojan që i mban gishtat lart edhe kur fle gjumë. Ose të vijë e të ma tregojë se çfarë bëri Sali Berisha në Tropojë. Vetëm mos më thotë që solli demokracinë se aty pastaj nuk kam ç’të them fare. Po më thatë na solli Saliu demokracinë, vazhdojmë bëjmë ndonjë muhabet tjetër.

Kur kemi ardhur në Tropojë, për mua ishte një rikthim sepse unë në Bajram Curri kam qenë shumë vite më pare. Kur kam qenë student në Institutin e Arteve, kemi ardhur të bëjmë praktikën dhe e kemi shëtitur të gjithë Tropojën, falë edhe miqësisë së ngushtë që kisha me një tropojan që e kam pasur shumë xhan dhe e respektoj shumë, Nazmi Hoxhën, piktorin. Jam shokuar kur u riktheva. Ka qenë kur u zgjodha kryetar i Partisë Socialiste. Ishte 2005-2006, thuajse 20 vjet pasi kisha qenë këtu. U shokova sepse Bajram Curri ishte shumë më keq seç e kisha parë unë para 20 vitesh. Gropa, pluhur, plehra, dëshpërim asgjë dhe realisht u trondita.

Megjithate mendova Saliu do bëjë ndonjë gjë tani se në fund të fundit, nëse ka një vend ku ai ka borxh është Tropoja. Vija për ato arsye që më sillnin këtu, zero, asgjë.  I bëri një gjë Saliu në fakt, Tropojës, i dha 11 leje për 11 diga hidrocentralesh në Valbonë. Këtë i bëri dhe e bukura ishte se pastaj digat e Saliut më ngelën mua. Nga të cilat me shumë vështirësi, sepse ishin të gjitha lejë të dhëna. Anuluam 9, 2 të tjerat ishin në kantier dhe ishte absolutisht e pamundur nga pikëpamja ligjore. Vetëm këtë i ka bërë Sali Berisha Tropojës. Nga pikëpamja e dreqnive nuk po hyj, nuk merrem me atë punë, sepse nuk dua të merrem shumë me të shkuarën.

Por sot, unë kam një pyetje për tropojanët që e kanë kërthizën të lidhur me Saliun. Deri te Saliu, me vështirësi të madhe po hajde, po Luli?

Luli që thotë “ju tropojsa, ju tropojse”. Ai nuk e di si quheni. Ai thotë po shkoj tek kushërinjt e babës e po ngre këmbët përpjetë e ç’rëndësi ç’menojnë për mua. Luli, këtu në Tropojë erdhi si ai Koçi i Teto Ollgës.

Imagjinoj ata që me ndjekin në keto zona gjithë inat, tu i nejt televizorit me dy gishta. Tropojsa e tropojse, do dilni të votoni Lulin?

Jo, s’keni për çfarë votoni Lulin se nuk keni lujt mendsh. Problemi është i atyre që kanë 30 vjet, se njeriu vë në hipotekë shtëpinë, pronën, garanci makinën etj, por mendjen ta lërë në hipotekë, siç e lënë 30 vjet në SHQUP, nuk e di. Edhe në Shkodër, por ata vazhdojnë luftën kundër komunizmit, kurse këtu është më e kuptueshme, ështe një lidhje e fortë shpirtërore, krahinore e forte. Mirëpo tani që Saliu nuk është më aty, do thoni ju që aty është, e di unë që aty është, por ai nuk vinte në Tropojë edhe kur ishte, jo më tani që nuk ështe fare. Tani është vetëm në formë tigri tek barku i Lulit. Mirëpo si ka mundësi që dhëndri Saliut të vijë këtu e të thotë tropojsa e tropojse.

Ndërkohë, kur po vija për këtu, pashë që kishin bërë një deklaratë, “aeroporti i Kukësit, një tjetër premtim i pambajtur”. E pse është premtim i pambajtur?

Se nuk erdhën direkt nga Londra, po ndaluan njëherë në Tiranë. Shpjegoji sa të duash që duhën 50-60 ditë, mbasi një aeroport bëhet operacional, që të bëhet procesi i publikimit dhe të miratohet si aeroport ndërkombëtar. Fillon operacional si aeroport i brendshëm, sepse kompanitë e fluturimit bëjnë kontratat me aeroportin e ri, bëjnë verifikimet e tyre, se nuk e marrin derr në thes marrëveshjen, do vijnë ta shohin nusen. Vetem këtu ndodh ta marrin derr në thes dhëndrrin se ia çoi Saliu. E meqë e solli Saliu po e marrim, le të thotë ai tropojsa. Dhe nuk është lapsus i thjeshtë, më besoni, por ai nuk e ka mendjen fare.

I falet se me thënë të drejtën, dje bëri atë garën me makina dhe e deklaruan, brenda ditës do shkojmë nga Saranda në Tropojë. Shoqata e automobilistëve të Shqipërisë! Ndaj i falet, me gjithë atë rrugë që ka bërë i shkreti. Ai vjen nga Durrësi në Tiranë dhe fle tek kryqëzimi, jo më të niset nga Saranda e të vijë në Tropojë e të mbajë mend si quheni ju, a jeni tropojsa, a jeni kaubojsa. Shyqyr që nuk tha kaubojsa dhe kaubojse se po i duket vetja dhe si këta kalorësit kaubojs.

Pavarësisht çfarë bëjnë këta, mendoj që është në nderin e tropojaneve dhe tropojanëve që ta mendojnë njëherë këtë punë, se ngelët duke çuar rryla në Tiranë. Mendoni njëherë të çoni një burrë që kur të çohet të flasin në emër të Tropojës, të jeni krenarë.

Dakord, me Saliun nuk po merremi më, ishte si ishte, unë nuk e vë dot në diskutim, që Saliu Berisha është lider kjo nuk diskutohet. I mbrapsht sa të duash, por lider. Po ky tjetri, ç’lider është?

E kanë nxjerrë atje si kukull që kurdiset. E kurdis për Batman, ky bëhet Batman dhe hidhet nëpër mure, bashkë me ata të tjerët. Do kacavirremi në muret e kështjellës, do ta marrim pushtetin.

E kurdis për Barbie, ky bëhet Barbie.

Si ta kurdisësh!

Kështu që për Saliun nuk po e zgjas, është e vërtetë, tropojanët u identifikuan me një figurë që është një figurë lideri. Tani me kë do identifikohen demokratët e çfarë do t’ju bëjë PD-ja? Kur nuk bëri PD-ja asgjë, zero, nuk e vuri një tullë këtu me Saliun, a e imagjinoni që të zgjohet Luli e të niset për Tropojë më? Lere që ka për t’i ngelur në mend udhëtimi për Tropojë dhe tani do ta mbajë mend e do t’i duket sikur Tropoja është të shkosh në Australi.

Sido që të jetë puna, Tropoja për mua nuk është një bashki, nuk është një zonë ku vizioni dhe investimet varen nga kush votohet. Sepse për mua Tropoja është një thesar. Një nga ato thesare akoma të pazbuluara, jo plotësisht, por as pjesërisht, që i ka të gjitha ato që i duhen që ky popull këtu, por edhe ata që janë larguar, ta kenë këtë vend motorin e ekonomisë së tyre familjare.

Shikoni çfarë ka ndodhur vetëm me rrugën e Valbonës, se çfarë investimesh janë bërë. Shumë akoma do bëhen, ky është vetëm fillimi i çeljes së embrionëve të një fushe ku ne kemi mbjellë nga të katërt anët. Shikoni çështjen e pronave. Gështenjat, kush i zgjidhi? Ishte një çështje dhjetëra vjeçare. Sot, të gjithë at atropojanë që janë zotër këtu, janë në procesin e marrjes së certifikatë së pronësisë. I gjithë pylli i gështenjave, e gjithë ekonomia aty, sot me marrjen e pronës do të hyjë në një fazë të re zhvillimi.

I gjithë pylli i gështënjave, e gjithë ekonomia aty, sot me marrjen e pronës do të hyjë në një fazë të re zhvillimi sepse marrja e pronës dhe zotërimi i titujve të pronësisë do t’i japë mundësi atyre që duan ta zgjerojnë sipërmarrjen, të ndërtojnë pika grumbullimi, të ndërtojnë pika përpunimi që të mund të kenë akses në financë. 

Nuk mund t’i ndihmonte sistemi financiar kur nuk kishin pronën. Nuk është vetëm gështenja, është natyra e jashtëzakonshme. Tropoja është një nga ato zona ku agroturizmi do të lulëzojë në vitet e ardhshme, ku njerëzit thjesht dhe vetëm duke hapur derën e shtëpisë së gjyshit, e babës duke bërë një bujtinë e duke ofruar aty gjithë traditën e mikpritjes edhe traditën e ushqimit, përmes futjes së një zinxhiri me të gjithë produktet e zonës do të fitojnë nga ajo punë shumë më tepër se çfarë fitojnë nga puna në emigracion për të tjerët.

Ne do t’i japim çdo emigranti që do të vendosë të investojë kursimet e veta te shtëpia e babës për të bërë një bujtinë, 5 mijë euro grant, jo kredi dhe do t’i bëjmë amnistinë fiskale për të gjitha kursimet që ka, pavarësisht se i ka në bankë apo poshtë krevatit , mjafton të mos jenë para droge dhe krimi, por para të fituara me djersë në emigracion që ata nuk i kanë deklaruar nuk I kanë çuar në bankë, ne do tua amnistojmë, do t’i sjellin këtu dhe mund t’i investojnë.

 Aeroporti, në 17 qershor hyn në sistemin e fluturimeve ndërkombëtare.  Deri në 17 qershor marrëveshjet për shumë drejtime do të jenë lidhur.

 Janë disa kompani edhe me fluturime me kosto të ulët sepse që kur është krijuar është krijuar si një aeroport për të patur kryesisht fluturime me kosto të ulët. Janë sot disa kompani që do të kenë fluturime në drejtim të Anglisë, Gjermanisë edhe Zvicrës edhe në qytete që nuk shkohet nga Tirana, Londra nuk do evitohet se çunat e Londrës nuk mund t’i lëmë prapë të presin avionin dhe kjo do të bëjë që jo vetëm njerëzit që jetojnë këtu në këtë zonë apo matanë në Malësinë e Gjakovës në Kosovë, por shumë turistë vizitorë do të vijnë. Për turistët është jashtëzakonisht e vështirë që të mendojnë se mund të humbasin një ditë për të ardhur në Tiranë e për t’u nisur për të ardhur këtej, kështu që shkurtimi i distancës do të në sjellë shumë mbështetje për fuqizimin e turizmit. 

Unë e kam thënë që ditën e parë që Tropoja do të jetë një nga zonat më të bukura turistike të Shqipërisë. Patjetër që, nga e thëna në të bërë është në mes deti, por ju lutem kini parasysh diçka. Ne nuk jemi sot këtu përpara njeri-tjterit mbasi kemi pasur një periudhë qeverisje të lehtë.

 E të kërkosh sot, që gjërat të ishin bërë të gjitha siç mund të bëheshin pa hyrë në mes tërmeti, pa hyrë në mes pandemia është njësoj si ta kesh babën larg qoftë sëmurë dy vjet dhe në momentin kur baba fillon ngrihet nga krevati t’i thuash pse ti nuk mi bërë gjithë ato gjëra që do të bëje?

Ose sikur ta kesh djalin larg qoftë edhe të ketë një problem shëndetësor dhe t’i kërkosh llogari pse ti nuk shkove në shkollë, pse nuk ishe në klasë gjithë këtë periudhë. Ai ishte i sëmurë në shtëpi. 

Kështu ishte edhe Shqipëria. Imagjinoni se çfarë kryevepre është të thuash sot ishte ndërkohë që rreth e rrotull nesh problemi i pandemisë jo vetëm është, por është shumë i rëndë. Shikoni çfarë ndodh. Shqipëria sot e vogël, aspak e pasur, aspak e zhvilluar si disa të tjerë, është lart fare bashkë me më të mirët. Por ka të tjerë shumë më të mirë që i ka mbrapa në tabelën e klasifikimit europian për vaksinimin masiv. Si u bë kjo? 

Kjo u bë me forvën e karakterit, kjo u bë me forcën e vendosmërisë, durimit dhe me forcën e shpirtit për të thënë “jo, nuk ka fare mundësi që ne të mbetemi këtu të izoluar dhe të mbetetmi pa vaksina”. Në fund të botës do t’i gjejmë vaksinat dhe do t’i sjellim këtu dhe ne do të bëjmë atë që të tjerët mund të mos e bëjnë dot dhe e bëmë. Siç e bëmë për tërmetin. Unë e kuptoj që njerezit kur nuk kanë shtëpi  padurimi është i madh por ama askënd përveç atyre disa qindra familjeve që vetë duan të rrinë në çadër se rrinë afër tokës, por sidoqoftë edhe në çadër e marrin bonusin e qerasë, të gjitha familjet e tjera janë me qera në shtëpi, nuk janë jashtë, nuk janë nëpër kapanone. 

Ndrëkohë në Itali ka familje qërrinë akoma nëpër rrulota dhe presin shtëpinë pas 10 vjetësh-12 vjetësh që ka rënë tërmeti. Për më tepër programi ynë i rindërtimit është krejt ndryshe edhe nga programi i Turqisë. Nuk të jep njëri shtëpi edhe kur të ka shembur shtëpinë tërmeti, komplet falas. Gjithmonë të japin një kredi të butë, jo për 20 vjet e jo për 30 vjet. Ne nuk i kemi lënë asnjë stres në kokë atyre familjeve, të gjithën falas.

 Ne nuk jemi banka e Zvicrës, ne jemi Shqipëria. Për t’u marrë me rindërtimin, për t’u marrë me pandeminë sigurisht që na është dashur që shumë gjëra të tjera t’i lëmë mënjanë për momentin. Unë e di shumë mirë që në Tropojë ka nevojë të rindërtojmë akoma shkolla, kopshte siç ka edhe në vende të tjera. Sidoqoftë shkollat dhe kopshtet këtu ose në vende të tjera janë dhe ekzistojnë, ne nuk mund t’i lëmë fëmijët e gjithë atij perimetri pa shkolla fare që ua rrafshoi tërmeti shkollën.

Për këtë arsye shumë projekte janë shtyrë, por ama ne nuk kemi ndenjur, por kemi punuar shumë fort për ta bërë gati kapërcimin e madh përtej tunelit të pandemisë, duke investuar për hapjen e katër portave nga qielli, dhe katër portave nga deti për njerëzit dhe dy portave nga deti për mallrat. 

 Janë investime të mëdha.

 Kemi dëgjuar që thonë “ore çfarë bëni, ne duam bukë, populli do bukë,  ti bën aeroporte’. Aeroportet janë fabrikat më të mëdha të bukës për një vend si Shqipëria që Zoti  unë them e ka bërë ditën e djelë që ka qenë pushim, ska pasur asnjë punë tjetër, është ulur dhe ka qëndisur që nga Tropoja deri në Konispol. 

Nuk ka vend tjetër që në një hapësirë kaq të vogël t’i ketë të gjitha komplet të mbledhura. Kjo dhuratë e Zotit është për ne potenciali më i jashtëzakosnhëm që një popull i vogël si i yni mund të ketë për të bërë ekonomi të fortë për të gjitha familjet, duke shfrytëzuar pikërisht bukuritë e këtij vendi për të sjellë shumë turistë, shumë më tepër sesa cc’janë sot. 

Nga do vijë këta apo do marrin me qera ato makinat e shoqatës së automobilisteve që erdhën mbrëmë këtu. Do vijnë nga qielli, do vijnë nga deti. Kroacia që ka 4 milionë banorë, - s’është më e madhe se ne, se edhe ne të regjistruar kemi 4.2, pavarësisht se një pjesë janë jashtë, - ka 9 aeroporte. Fuqia e shtatë në botë për turizmin. Nëse sot midish nesh dhe Kroacisë ka një hendek, ai hendek është krijuar 90 % nga fakti që ata kanë 7 motorrë më të fortë sesa ne në turizëm. 

7, 17, 70, sa të doni vëreni, po janë shumë më tepër kuaj fuqi në turizëm. Ne duhet t’i krijojmë këto kuaj fuqi dhe investimet janë gati, janë miliarda. Po jo miliarda si ato të Lulit. Që vjen dhe të thotë xhaxha e ke pensionin të ulët., voto 9-ën dhe pensioni... Ti je në punë, po paguan shumë sigurime shoqërore, tek 9-ta dhe sigurimet shoqërore që janë për të paguar pensionet do t’i uli dhe pensionet do t’i ngrejë. D.m.th, do uli prodhimin e gështenjave dhe do rrisi prodhimin e reçelit të gështenjës. Për të qenë më konkretë, do uli prodhimin e qumështit, do rrisi prodhimin e djathit.  D.m.th, sapunin për djathë ta hajë kush ta hajë, pastaj shihemi. Pse pak herë e kanë ngrënë sapunin për djathë? Sapun për djathë kanë 30 vjet!

Apo sheh një çift e ju thotë, martohuni se ju jap unë lekë. Lekë për ata që martohen, lekë për ata që ndahen. Këtyre që martohen do ju japi një shpi, këtyre që ndahen do ju japi nga një shpi secilit se s’vijnë pastaj të japin votën. Ky është ai që shkonte, kur bënim zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, te furra e bukës, - kandidat për kryetar bashkie i Tiranës dhe seç punë kishte me furrën e bukës, - dhe i thoshte furrxhiut, më shih në sy, ti do ta shesësh bukën më lirë dhe do fitosh më shumë. Dhe atij që blinte i thoshte, më shih se unë do vij prapë, ti do e blesh bukën më lirë e do hash më shumë bukë. D.m.th. edhe ai që do e shiste më lirë do fitonte më shumë, edhe ky që do ta blinte më lirë do hante më shumë. Në fund të gjithë fitojnë Noc Rrokun!

Më tregoni një vend këtu në Tropojë, - unë se kam parë gjithë Tropojën - e më thotë në filan vend këtë kemi fitu. Më tregoni një shkollë, një kopësht, një çerdhe. Më thoni këtë çerdhe e fituam 30 vjet! Se s’po ju them rrugë e të tjera. Asnjë gjë!

Dhe përsëritet historia njësoj. Njësoj siç është përsërit historia e shqiptarëve, sa herë që ju kanë dalë këta lloj prestigjatorësh dhe ju kanë thënë, jeni të lodh, të mërzit, të pakënaq... Ja ku më keni mua!

S’duan me ditë fare se ka qenë pandemi, ka ranë tërmet. Por vetëm më keni mua, ç’problem ka. Si Rrapush Xhaferi. Apo Haxhi Qamili përpara. “Dum babën”, u nisën mbas babës e përfunduan në humnerë. Rrapushi si këta me makina. Rrapushi s’kishte ato dy gishtat, por e prisnin me këngë e me valle dhe i shtroshin rrugën me sheqer. Dilte gjenerali u thoshte njerëzve mos punoni, shkoni në kafe, mjafton më jepni mu 100 lekë, unë ju jap 200 javën tjetër. U çmend njerëzia! Jep 200, merr 400. Jep 400, merr 800. Edhe Saliu thoshte vazhdoni se janë të pastra. Demokracia i sjell lekët nga qielli e në fund, mbasi i kishin dhënë e dhënë, shitën bagëti, shitën shtëpi, i lanë të gjitha, morën ato dy gishtat mu në bebe të syrit. E u qorruan komplet, u bënë si pula qorre që hudheshin përpjetë mes zjarrit që e ndezën vetë. Dhe Shqipërisë ju deshën 10 vjet për të ngritur kokën prapë.

Sot e kemi ngritur kokën mbas dy goditjesh të tmerrshme. Në 25 prill është provë karakteri midis atyre që padashje do shkojnë mbas berihait, me idenë të japim 1 e të marrim 2 dhe atyre që do të mendojnë mirë që koka e ngritur e Shqipërisë nuk mund të ulet më. Duhet të vazhdojmë të ngjitemi!

Të kalosh tërmetin, të kalosh pandeminë e të biesh në dorë të Lulit është tërmet e pandemi, por e një forme tjetër. Është çmenduri. T’ia bësh këtë kalamajve të tu, t’ia bësh vetes tënde është çudi e madhe. Aty tek ato dyqanet te bulevardi e di që ka plot nga ata të sapunit. Ata e kanë taksën 0 sot. 0 taksë, 0 TVSH deri në 2029-ën, me PS-në. Si mund të votosh që taksa 0 të të rritet, për të çuar Lulin të flejë te Kryeministria!

Ah, ka hall se s’ka ku fle Luli? Silleni këtu tek gështenja. Le që deri te gështenja ai ka gjet 2000 vende me fjet.

Përtej shakasë që është më shumë se gjysma e të vërtetës, e vërteta është që nuk bëhet ky eksperiment më. I kemi bërë në historinë tonë eksperimentet dhe i kemi parë si dalin. Rrugët e shkurtra të nxjerrin gjatë thotë, populli.

Tani na duket e gjatë kjo rrugë. Po, nuk është e shkurtër, por është vetëm kështu që ne mund të arrijmë majën. Në atë majë që Shqipëria meriton të jetë nga kjo gjeneratë. Pastaj do vijë gjenerata e atyre që janë më të vegjël e do e çojnë në majë tjetër. U bë ky vend si me qenë pallat me 4 kate. Ngjitu deri në kat të 3, zbrit poshtë. Ngjitu deri në kat të 3, zbrit poshtë. Prandaj vonesa është shumë e madhe. Ne sot kemi mundësi ta çojmë Shqipërinë në një nivel tjetër. Kemi përpara disa vite që realisht janë vite vendimtare për ekonominë. E jo për ekonominë e madhe vetëm, po për ekonominë e çdo familjeje që beson te puna dhe me punë është gati të shkojë përpara.

A ju kanë bërë përshtypje makinat që erdhën në Tropojë? A ju ka bërë përshtypje sa të shtrenjta janë ato makina? Këta janë ata që vënë kujën për çmimin e naftës, por ç’po i bëjnë naftës këta dhe s’po ankohen për çmimin fare. Si shpjegohet kjo?

Ua them unë se kush është brenda në ato makina. Brenda në ato makina janë ata që janë turrur për të përsëritur të njëjtën gjë. Brenda në ato makina janë ata që menaxhonin bastet, deri dje. Që nga drejtori i basteve dhe një grup tjetër që janë bashkë me ata të basteve, që duan me çdokusht ta rrëzojnë këtë qeveri, që të fillojnë të hapin në gjithë Shqipërinë e në gjithë katundet ato pikat e basteve, për të filluar prapë nga e para të jap 1 e merr 2. Në ato makina janë ata që i bënë doganat dhe tatimet e Shqipërisë përshesh. I duan prapë!

Aty janë ata shefa policie e njerëz të stërkorruptuar, nga ata shefat e policisë që policët i linin të udhëkryqi të hanin fara kungulli. E mbani mend si rrinin policët nëpër udhëkryqe duke ngrënë fara dhe kur të vinin të hapnin xhamin, njëri me fara e tjetri të thoshte lekët në dorë. Ata janë aty brenda! Doni t’i nxirrni nga makinat e t’i fusni në shtet?

Sa prindër, familje demokrate këtu kanë fëmijë fantastikë? Edhe në fshatrat më të largët kanë fëmijë që mësojë, marrin dhjeta, duan të bëhen mjekë, të shkojnë në Fakultetin e Mjekësisë. 

Sot, prej disa vitesh, fëmija që vjen nga një fshat i Tropojës, me ato nota shkon në Tiranë, ulet në fakultet Mjekësie dhe nuk ka shans që fëmija i një ministri, i një deputeti, i një politikani t’ia zëri vendin. Votojini këta dhe do shihni, a ka më vend për ata fëmijë në fakultetin e mjekësisë. Harrojeni!

Mësuesit e Shqipërisë sot... (ja doli, e prisja, thash si nuk po më thotë njëri. Është njëri atje matanë murit, "Rama ik". Ku të iki unë? Unë do iki po ti ku do shkosh ? Se unë për Tiranë jam. Dhe më e bukura është që thonë Rama ik dhe ikin vetë me vrap. E nuk i takoj dot t'i them ore si është puna.)

Pra mësuesit, e njëjta gjë. Këtu nuk ka një mësuese që ta ketë marrë drejtori e t'i ketë thënë, "ose aty ti se vjen kryeministri, ose nesër ti nuk je në punë". Apo jo? Nuk ka. 

Nuk ka një infermiere që t'i thuhet, "ose aty ti, ose nesër gjilpërat do ti bëjë veterineri, por ti do ikësh nga puna". Kështu ka qenë deri para ca vitesh.

 Tani unë nuk po them që këtu drejtorët tanë duhet ti merrni për kafe e ti thoni "shumë faleminderit se na keni shërbyer mirë", nuk ua them dot. 

Nuk i kemi shumë prej tyre në lartësinë e duhur, prandaj na duhet që të vazhdojmë punën që ta fusim në gjithë shtetin në telefonin tuaj, ta fusim gjithë shtetin në kompjuterin më të afërt, që çdo shërbim, ti nuk ka nevojë fare të shkosh tek hipoteka, askund, ti futesh aty dhe vjen shërbimi.

 95% e shërbimeve sot janë futur, por nuk janë të gjitha me cikël të mbyllur. Pra, ti aplikon për hipotekën në telefon, por duhet të shkosh tek hipoteka dhe unë e di shumë mirë çfarë hiqni ju nëpër hipoteka, jam shumë i qartë  por po erdhën ata, pastaj harrojeni që ne mund të ngjitemi më lartë, prapë do shkojmë dhe një herë poshtë, pastaj prapë do ngjitemi lart e do na iki edhe një dhjetë vjeçar tjetër. 

Në 25 prill nuk është çështja çfarë do ndodhi për katër vjet. Është çështja çfarë do ndodhi në këtë dekadë. Çfarë do bëhet me ata që sot janë 5 vjeç dhe 10 vjeç dhe prandaj njerëzit sot që votojnë, sidomos prindërit e sidomos gratë, sepse gratë e dinë më mirë se burrat në këtë vend, e ka thënë Çajupi, por është e qartë. E dinë më mirë se burrat çfarë do të thotë të bësh 7, 8, 10, 12, 20, 30 punë në ditë dhe duhet shkuar atje tek votimet e duhet thënë çfarë i duhet fëmijës tim? Cili është ai që edhe mund të mos e shoh me sy, se unë nuk po them që duhet të më shohin me sy mua, por që bën punën, që përpiqet ta bëjë punën. 

Cili është ai që nuk e zë gjumi që ta bëjë më mirë punën e bën ndonjëherë edhe keq, por prap përpiqet. Si mund të shkohet e të votohet për fëmijën tënd, për një kryeministër që fle gjumë gjithë ditën e gjithë natën e që ka arritur në atë lartësi të artit që fle në këmbë dhe flet dhe ti nuk e kupton që është duke fjetur. Nuk mundet. 

Kur kam ardhur këtu në 2013 ju kam thënë që do bëjmë për Tropojën më shumë se sa është bërë në të gjitha vitet e marra sëbashku. Tani, po ju them sot që çfarë kemi bërë nuk është ajo që unë mendoj se mjafton për të qenë krenar, jo, fare, por çfarë kemi bërë mjafton si provë. Shalqiri merret me provë, ju e dini, ajo është prova e shalqirit tonë. 

Nëse doni sallatë kastraveci blini shalqirin tjetër dhe jeni në rregull. Doni të bëni supë me kungull? Atë shalqi, ai. Por po deshët që ta çojmë Tropojën në një majë tjetër keni vetëm një mundësi sot për sot, Partinë Socialiste dhe Petritin, pastaj të tjerat, sapun, djathë me sapun, e keni provuar vetë. 

Si ta keni, ne do vazhdojmë të punojmë për Tropojën, unë do vazhdoj të punoj për Tropojën pavarësisht kësaj, por sigurisht që nëse Tropoja në 25 prill thotë dakord, për dhëndër do marrim Lulin, për gomar për dru do mbajmë Edi Ramën, kaq dua unë. 

Nuk dua unë të më marrin për dhëndër demokratët. Unë thjesht i them, doni gomar për dru, ja ku më keni. Doni ndonjërin që të thani nga i ftohti se nuk ka dru për të ndezur zjarrin? Atë mbajeni, thahuni dhe gëzohuni me njëri tjetrin. Shumë faleminderit! 

Tani, po të ishte Luli do thoshte Petrit jam i shqetësuar, janë shumë pak këto, ne do bëjmë shumë më tepër. Unë nuk di të premtoj pa i parë tamam si janë e të tjera e të tjera, por unë ju them një gjë. Nëse ju thashë më parë që sidoqoftë, edhe sikur prap këtu të vazhdojë kërkesa për sapun për djathë, unë do vazhdoj të bëj pa diskutim sepse Tropoja nuk është Tropoja, por është një nga ato pjesë të Shqipërisë që janë një potencial i madh, janë një motor për ekonominë tonë, por sigurisht, ajo që mund t’ju them sot është që për të gjitha këto që tha Petriti, nëse ju do ta sillini Petritin në Parlament, unë të parën vizitë si Kryeministër pas 25 prillit do ta bëj këtu në Tropojë dhe natyrisht, jo për të mbajtur fjalime, por për tu ulur e për të thënë çfarë do bëjmë, si do e bëjmë dhe kur do e bëjmë, dakord? Kështu që jam gati të vi sapo të dali rezultati. E pash aty në rezultat që Petriti është deputet, mua më keni këtu. 

Tek këto numrat, mos e harroni, 9 po u përmbys është 6. 6 po u përmbys është 9. Monika dhe Luli janë 69, numri i djallit do ta çoni për djall këtë punë.

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm