Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Kemi arritur shumë, por për të arritur edhe më shumë, duhet te bashkohemi për mandatin e tretë

Të reja

Kemi arritur shumë, por për të arritur edhe më shumë, duhet te bashkohemi për mandatin e tretë

12 Apr 2021    

Këndi i fjalës Gramsh – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Është një kënaqësi e posaçme që fillojmë këtë takim në këtë platformë kaq të bukur, pranë këtij liqeni kaq tërheqës dhe duke ardhur për këtu, përmes kësaj rruge kaq të mirë dhe kaq shpejt. Mua më kujtohet jo shumë vite më parë, por përpara disa vitesh, për të ardhur në Gramsh ishte një torturë e vërtetë.

Ja ku jemi sot! Gramshi është shumë më afër Elbasanit dhe Elbasani është shumë më afër Tiranës dhe ne jemi shumë më larg të shkuarës dhe shumë më afër të ardhmes. Por mos e harroni për asnjë moment sesa më lart të ngjitesh, aq më e vështirë bëhet ngjitja, aq më shumë sprovohet karakteri, durimi, vendosmëria, kurajo dhe mbi të gjitha, besimi.

Thonë se kur nisesh drejt një maje, sa më afër majës, aq më e largët duket maja. Sepse këmbët fillojnë edhe japin shenja lodhjeje, sepse zemra rreh më fort, sepse mendja fillon të thotë “ndalu”, “ulu”, “pusho”, “kthehu mbrapa”, “mjaft deri këtu”, ose më keq akoma, të thotë “shiko mos ka ndonjë rrugë tjetër, a një mundësi për t’i rënë më shkurt”. Në këto momente, njeriu, komuniteti, populli, një komb i  tërë sprovohet për të fituar apo për të humbur, për t’ia dalë apo për të dështuar.

Në historinë tonë ka ndodhur disa herë që pikërisht kur era është bërë më e fortë, atëherë kemi zgjedhur që t’i shmangemi përballjes me sfidat më të mëdha e t’i biem shkurt. E na ka rënë aq gjatë dhe e kemi paguar aq shtrenjtë shmangien nga përballja me sfidat e mëdha që kemi pasur përballë, saqë koha e humbur në historinë tonë është një kohë shumë e gjatë, nëse i lidh gjithë fazat e saj. Shqiptarët në një moment të caktuar rendën pas Haxhi Qamilit, për t’i rënë shkurt dhe e paguan shumë shtrenjtë. Në një moment tjetër, - për të mos u zgjatur në të gjithë zinxhirin e historisë, - shqiptarët rendën pas Vebiut, pas Sudes, pas Xhaferrit dhe e paguan shumë shtrenjtë.

Ne kemi zgjedhur të përballemi sy më sy me të gjitha ato sfidat e mbartura me vite e vite të tëra, të cilave për shkak të udhëheqjes së gabuar, Shqipëria i është shmangur. I është shmangur sfidës për t’u përballur me padrejtësinë duke e reformuar rrënjësish sistemin e drejtësisë. I është shmangur sfidës për t’u përballur me varfërinë duke shkuar tek rrënjët e problemit, duke i dhënë fund vjedhjes së energjisë, vjedhjes së ujit, duke i dhënë fund grabitjes së pronave të njëri-tjetrit, duke i dhënë fund zaptimeve.

Sot, Shqipëria nuk ka asnjë krahasim me atë që ishte përpara 6-7 vitesh, por nuk diskutohet që është larg qeni të asaj që duhet të jetë për të gjithë fëmijët e këtij vendi, për të gjithë vajzat e djemtë e këtij vendi. Zgjedhja është shumë e qartë; Do të vazhdojmë të ngjitemi prapë për Shqipërinë të ardhmen tonë, apo do të ndalemi, të pushojmë dhe pastaj, duke tentuar t’i biem shkurt, do t’i biem përsëri aq gjatë, sa do kemi humbur vite e vite të tjera?

Nuk ka asnjë dyshim që pikërisht Shqipëria që punon, Shqipëria që prodhon, Shqipëria që eksporton produkte bujqësore shumë më tepër se vite më parë, Shqipëria që ndërton të ardhmen e vet në turizëm, sot me shumë më tepër struktura mikpritjeje se disa vite më parë, Shqipëria që shkon përpara përmes punës dhe që e di se përmes punës mund të shkohet përpara dhe vetëm puna të shpërblen në fund fare, është me Partinë Socialiste. Është me bindjen për të vazhduar për t’u ngjitur. Është me besimin se vetëm duke u përballur sy më sy me sfidat, ato mund të fitohen. Jo duke u shmangur, jo duke ndaluar, jo duke pushuar, jo duke fjetur gjumë, jo duke u ankuar e stërankuar në pritje që gjërat të zgjidhen, por duke luftuar për t’i zgjidhur ato.

Sot jemi në një moment kur i kemi para syve, akoma të freskëta, pasojat e tmerrshme të tërmetit. I kemi përpara syve mijëra e mijëra familje që e humbën çatinë brenda pak sekondash dhe mbetën në rrugë. I kemi para syve akoma përpjekjet e jashtëzakonshme që bëmë, të gjithë sëbashku, për t’ju dhënë atyre familjeve menjëherë një strehë e ushqim të ngrohtë, bashkë më fëmijët, të moshuarit. Njëkohësisht, për të filluar trokitjen nëpër dyert e botës, për të mbledhur të gjitha atë mbështetje që mblodhëm në mënyrë që të nisnim rindërtimin.

E në ndërkohë, pa i lënë ato familje të prisnin nëpër çadra deri kur shtëpia të rindërtohet, deri kur lagjja e re të rindërtohet, deri kur apartamenti i ri të bëhet gati, por duke u dhënë të gjithëve mundësinë që të strehohen siç janë sot e gjithë ditën një pjesë e madhe e tyre, që ende s’janë kthyer në shtëpi, sepse janë kryesisht ata që do të shkojnë në lagjet e reja që duan pak më shumë kohë, mundësinë të jetojnë në një apartament si gjithë të tjerët. E në ndërkohë, një nga një po kthehen në shtëpi, një nga një lagjet e reja kanë filluar të marrin formë, tërësisht të transformuara, një nga një shkollat e reja nuk kanë asnjë krahasim me shkollat që ishin përpara se të binte tërmeti.

E pra, me atë kujtim të freskët dhe me faktet përpara syve, kushdo që ka sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, e sheh dhe e dëgjon që ne po dalim më të fortë e më të mirë pas asaj goditje.

Nuk ka pikë dyshimi se nuk po dalim më të fortë ne socialistët, por po dalim më të fortë ne shqiptarët. Nuk po del më e fortë PS-ja, por po del më e fortë Shqipëria, sepse ne nuk i kemi ndarë familjet e goditura në majtas e djathtas. Ne nuk kemi shikuar sesi të çojmë në shtëpi socialistët, duke lënë demokratët nëpër tenda. Por ne i kemi parë të gjithë sy më sy, me dorë në zemër si shqiptarë dhe si shqiptarë me shqiptarët, ne jemi bërë një, bashkë me ta.

Ashtu sikundër është jo një kujtim i freskët, është një e përditshme që në ndërkohë që ne u goditëm aq rëndë nga një fatkeqësi aq e madhe sa tërmeti, fatkeqësi që ka sprovuar vende shumë më të mëdha, shtete shumë më të zhvilluara e në ndërkohë që ne arritëm që të bashkojmë energjitë, të bashkojmë burimet financiare, të bashkojmë shumë talente, shumë dije, qindra kompani, mijëra punëtorë për të rindërtuar, na erdhi goditja tjetër, na erdhi tërmeti që tronditi gjithë botën, tërmeti i armikut të padukshëm. Tërmeti i një pandemie që ndodh njëherë në 100 vjet, na qëlloi  neve, i qëlloi kësaj kohe dhe i qëlloi gjeneratave të kësaj kohe. Ne përsëri nuk u dorëzuam edhe pse ai tërmet sprovoi edhe sistemet shëndetësore më të zhvilluara të botës dhe ia dolëm ta përballojmë.

Ne ia dolëm të sigurojmë vaksinimin masiv të të gjithë popullit, në një lagje këtu në mes të Europës, pasi Bashkimi Europian la jashtë furnizimit me vaksina, të gjithë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi një nga 2 vendet që sot po vaksinon masivisht këtu në Ballkan. Sot, Shqipëria është në fashën më të lartë të klasifikimit për vaksinim, për jetë të shpëtuara, për plagë të shmangura, për numrin e gjysheve dhe gjyshërve, të cilëve i është rikthyer buzëqeshja. Ne nuk i pamë cilët janë gjyshërit e gjyshet e socialistëve, e kush janë të demokratëve, ne i pamë të gjithë dhe i shohim për ditë si gjyshen dhe gjyshin tonë, të secilit prej nesh.

Sot ne po ja dalim aty ku pakkush e besonte, sië pothuaj askush nuk e besonte, ju kujtohet kur më thoshin e ku do i gjesh t’i lekët për të bërë ato që duhet që të gjithë këto familje të rikthehen në shtëpi, e unë i thoja që “do i nxjerr nga fundi i dheut”. E po kështu mendonin se vaksinat nuk do i siguronim dot, por ne i siguruam vaksinat dhe falë përpjekjes së madhe, falë përballjes në sy me sfidën, falë vullnetit të madh dhe këmbënguljes për të vazhduar të ngjitemi, do të jemi nga të parat vende që do ta lëmë pas tunelin pandemisë.

Por lufta nuk ka mbaruar, ne jemi në mes të luftës. Ndërkohë që respektojmë këtë detyrim të madh të demokracisë, që është një fushatë elektorale, ne nuk mund të harrojmë që shëndetin e njerëzve, ne nuk mund të harrojmë se ndërkohë që vaksinojmë duhet të vazhdojmë të respektojmë rregullat, të ruajmë distancimin, që të mos e sabotojmë me duart tona një proces ku tanimë ne kemi hyrë fuqishëm.

Tanimë unë ju bëj thirrje të gjithëve mos ta harrojnë se këtë luftë po e bën, dhe këtë luftë po e fiton, dhe këtë luftë mund ta fitojë vetëm kjo shumicë  qeverisëse.

Harrojeni se me ata të tjerët do të vazhdojnë gjërat siç po vazhdojnë në të dyja frontet.

Harrojeni se me ata të tjerët rindërtimi do të kryhet ashtu siç po kryhet dhe si ne do ta kryejmë deri në fund.

Harrojeni se me ata të tjerët vaksinimi do të kryhet siç po e kryejmë e do ta kryejmë ne, deri në fund.

Harrojeni se Shqipëria që ne po ndërtojmë me shumë mund, shumë punë, jo gjithmonë duke arritur të ngjitemi aq shumë sa duam, herë-herë dhe duke u rrëzuar, nganjëherë edhe duke gabuar, mund të ndërtohet nga një tjetër forcë. Nuk ka forca të tjera këtu që mund ta bëjnë Shqipërinë të ardhmen tonë përveçse bashkimi i të gjithë shqiptarëve që besojnë tek puna, jo tek llafet, që besojnë tek mundi, jo tek rruga e shkurtër, nuk ka asnjë shans tjetër, çdo gjë tjetër është e provuar, çdo gjë tjetër është përsëritur aq shumë herë në histori, edhe në historinë e afërt sa të kujton atë shprehjen e popullit: “ Të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të besosh se mund të kesh një rezultat tjetër, do të thotë të jesh budalla”.

Në ndërkohë sot ne jemi në kushtet që mund ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm, mund ta bëjmë kampione të Ballkanit në agroturizëm, mund ta bëjmë kampione të Ballkanit për përfshirjen masive të fëmijëve të sotëm, të vajzave dhe djemve që janë e ardhmja në botën e teknologjisë, në botën digjitale, duke i mbështetur  të rinjtë, duke mbështetur të rejat, të gjithë ata që janë nxënës e student që duan të rrinë këtu dhe duan të kenë paga më të larta që të marrin trajnime intensive të rrjetit, të qendrave të informacionit, që ne kemi filluar të ndërtojmë nga Tirana në Korçë e më pas do të vazhdojmë me Vlorën, me Shkodrën, me Kukësin, e do të vazhdojmë kështu me radhë, për t’ju dhënë të gjithëve një perspektivë që nesër Shqipëria të jetë e ardhmja e gjithsecilit dhe ju të jeni krenarë, jo thjeshtë për faktin se ne kemi një histori për të cilën krenohemi, as thjeshtë për faktin se kemi bukuri për të cilat krenohemi, as thjeshtë për faktin se familja e secilit prej jush ka një traditë për të cilën krenohen, por të jeni krenar për kushtet e kësaj shtëpie të përbashkët ku jetojnë shqiptarët. Pastaj cilido që do të largohet për të marrë një eksperiencë tjetër, do ta bëjë dhe i vaftë mbarë, por jo të largohet se nuk bën këtu dot, atë që do, por secili të ketë mundësinë, shansin që të bëjë këtu atë që do, atë që do me punë, me mund, me djersë, me sakrificë, me forcën e karakterit.

Kjo është një sprovë karakteri, jo thjeshtë për Partinë Socialiste.

25 prilli është një sprovë karakteri për të gjithë ne, për bashkësinë tonë, për shqiptarët, është një sprovë karakteri për të vendosur do të vazhdojmë të ngjitemi me mund, me sakrifica, duke pranuar se edhe do të gabojmë, do të pengohemi, do të rrëzohemi, por përsëri do të ringjitemi, apo do t’i  biem shkurt, duke rendur përsëri pas sirenave joshëse të recetave çudibërëse, të parave që do të shpërndahen lumë, kaq mijë euro për një student, kaq mijë euro për një çift të ri, akoma më shumë mijë euro për një sipërmarrës, edhe akoma më shumë mijë euro për një çift më të vjetër, mijëra euro për çdo pensionist, këto i kemi dëgjuar. Atëherë keni qenë të vegjël, por pyesni prindërit tuaj, i kanë dëgjuar nga Sudja, i kanë dëgjuar nga Vebiu, i kanë dëgjuar nga Xhaferri, e nëse këto receta do të funksiononin do t’i kishim parë në vende të tjera, do i  kishin bërë të tjerët, nuk kemi dalë ne më të zgjuar se të tjerët, por ndërkohë nëse shohim vendet e tjera, nëse shohim Gjermaninë, Francën, Anglinë, Italinë, edhe Greqinë po të doni, prej ku të gjithë ata që shkojnë në emigracion shkruajnë, duke bërë krahasime, atëherë arrijmë të kuptojnë se ato vende kanë arritur këtu ku janë, vetëm duke u ngjitur me forcën e karakterit, me punë, me durim dhe duke i fituar çdo ditë ato betejat e vogla dhe të bezdisshme të cilat ne shqiptarët shpeshherë nuk i kemi marrë seriozisht, duke ëndërruar për diçka të madhe që do të na vijë sot, do të na bie nga qielli. Asgjë nuk bie nga qielli përveç shiut, asgjë nuk ngrihet nga toka përveçse me djersë, përveçse me punë, me sakrifica. Nuk ka fermerë në të gjithë Shqipërinë sot, nuk gjendet një, që të thotë se prodhimet bien nga qielli, nuk gjen një që të të thotë se kur punon tokën gjithçka shkon vaj, nuk gjen një që mos të tregojë se një breshër i shkatërroi prodhimet e një viti dhe ai u ringrit përsëri e përsëri, nuk ka në asnjë sektor të jetës sonë njerëz që besojnë tek puna, tek suksesi përmes punë, që mund të tregojë se gjërat bien nga qielli edhe ta bën jetën fushore.

Jo! Jeta është një malore dhe kjo botë është e guximtarëve.

Kjo botë është e njerëzve të vendosur.

Kjo botë është e atyre që nuk tallen me të tjerët dhe që nuk ua bëjnë të tjerëve suksesin si gjënë më të lehtë. Nuk ka sukses të lehtë.

Ne kemi arritur shumë, por për të  arritur edhe më shumë, ashtu sikurse të gjithë duam, duhet të punojmë edhe më shumë, duhet te bashkohemi edhe me shumë. Ne nuk jemi më sot, në kohën kur kemi luksin te përçahemi përsëri. Ikin ca e vijnë ca dhe vazhdon historia si më parë. Ne sot duhet të bashkohemi. Ne sot duhet që të ndajmë shumë qartë rrugët mes rezistencës, punës, durimit, vendosmërisë, kurajos, sakrificës me vetëdije se të gjitha gjërat duan kohën e tyre. Pastaj, asaj që kemi parë në të shkuarën, qokave, klientelizmit, tanët dhe të atyre, ndarë në dysh e tresh, është një histori, të cilës ia kemi parë sherrin gjithnjë.

Nda është shumë e rëndësishme në këto dy javë që kanë mbetur, bashkëmoshatarëve tuaj t’i flisni shumë hapur, t’ia bëni shumë të qartë, që vota në 25 prill është një vendim shumë i rëndësishëm, për të ndarë nëse do vazhdojmë punën apo do ndalemi. Do vazhdojmë të ngjitemi apo do rizbresim poshtë përsëri. Do vazhdojmë të bindur  se e ardhmja është e jona, por të ardhmen vetëm ne mund ta ndërtojmë, apo do shkojmë pas berihait duke menduar se e ardhmja vjen vetë, mjafton që t’i japësh votën atyre që të premtojnë fushën me lule përpara.

Nuk ka fushë me lule përpara, por një rrugë e përpjetë që ne duhet ta ngjisim mese s’bënë, sepse na takon ne të bëjmë atë që e shmangën në të gjithë historinë tonë të tjerët, duke i rënë shkurt, duke parë vetëm interesin e tyre, duke parë vetëm familjen e tyre, vetëm klanin e tyre, pushtetin e tyre.

Ne nuk e duam pushtetin për vete, unë nuk e dua pushtetin për veten  time. Nëse dikush do të thoshte “Ç’do ti më? Ke qenë ministër, kryetar bashkie, je kryeministër…”. Nga pikëpamja personale, unë kam arritur t’i shoh të gjitha këto maja dhe nëse unë qëndroj këtu, qëndroj këtu sepse mua këtu nga emigracioni më ka sjellë një tjetër ëndërr, një tjetër qëllim. Nga emigracioni  më ka sjellë maja që kam parë për Shqipërinë, maja që kam parë për të gjithë shqiptarët dhe për sa kohë shqiptarët, shumica e tyre duan të ngjiten ne atë majë, unë e di, ne mund të ngjitemi në atë majë dhe unë këtu jam për të dhënë mishin e shpirtin që ta kapim atë majë.

Asgjë nuk është e lehtë, asgjë nuk shkon vaj. Ne kemi bërë gabime, , kemi bërë më shumë gabime sa dimë. Ne nuk jemi të rënë nga qielli. Nga qielli vetëm shiu, breshëri dhe bora bie. Ne jemi shqiptarë si gjithë shqiptarët, me të mirat dhe të metat tona. Por ka një dallim shumë të madh mes nesh dhe atyre. Ne jemi ajo forcë e karakterit, që është forca e karakterit të gjithë njerëzve të punës, e karakterit të ë gjithë atyre që nuk e kanë mëngjesin një rrugë nga shtëpia në kafe, për të filluar të ankohen për gjërat që nuk shkojnë. E karakterit të atyre që mendojnë çfarë do të nxjerrin për familjen e tyre atë ditë me punën e tyre dhe si familja e tyre, fëmijët e tyre do të jetojnë më mirë nesër. Në çdo shtëpi ka probleme, në çdo shtëpi jo gjithmonë gjërat ecin mirë, por asnjëherë nuk vihet ne pikëpyetje, uniteti. Uniteti i brendshëm për të vazhduar për t’u ngjitur, duke i dhënë dorën njëri-tjetrit, duke mbështetur njëri-tjetrin, duke kuptuar njëri-tjetrin, duke mirëkuptuar nënën e babën që bëjnë gjithçka, edhe pse nuk arrijnë dot të të japin gjithçka që ti do dhe duke u munduar t’i ndihmosh, t’i mbështesësh që ata të bëjnë më shumë dhe që ti të kesh më shumë. E që ti pastaj duke pasur më shumë, të bësh më shumë për fëmijët e t’u nesër.

Drejtimi i një vendi dhe puna për një vend, aq më tepër për një vend i vogël si i yni, është njësoj si puna në shtëpi. Cila shtëpi është ndërtuar sa hap e mbyll sytë? Cila shtëpi është ndërtuar pa djersë, pa gjak, pa sakrifica? Cilët prej prindërve ju kanë sjellë çfarë keni dashur sa hap e mbyll sytë? Cilët prej prindërve tuaj nuk kanë akoma sot mundësinë t’ju japin gjithçka që doni?

Por, ama, nëse ju sot jeni më mirë se dje, vjen falë punës së prindërve tuaj, sepse prindërit tuaj kanë sakrifikuar dhe sakrifikojnë çdo ditë dhe vazhdojnë ngjiten çdo ditë, pa u lodhur.

Nuk ka receta çudibërëse. Të vetmen çudi që përmban ndryshimi e sjell puna. Puna dhe vetëm puna. E sjell puna dhe pasioni për t’ia dalë. E në këtë pikë nga unë ju flas, unë them që shtysa që mua më nxjerr përditë nga shtëpia është të bëj gjithçka mundem që Shqipëria të jetë më e mirë nesër dhe secili nga shqiptarët, pavarësisht se çfarë voton e çfarë mendon, të ndjehet më mirë nesër.

Mos harroni t’ju thoni bashkëmoshatarëve tuaj se, kur ata i thonë “s’merrem me politikë”, “të gjithë janë njësoj”, “si voton, si nuk voton, asgjë nuk ndryshon”, që kjo nuk është e vërtetë. Po të ishim të gjithë njësoj, do ishim njësoj si para ca vitesh. Po të ishim të gjithë njësoj, ajo rruga bashkë me atë urën nuk do të ekzistonin. Do vazhdonim t’i binim rrotull e rrotull kodrave për të arritur deri këtu. Po të ishim të gjithë njësoj, edhe Gramshi do ishte njësoj, siç ishte para ca vitesh. Kështu gjithçka do ishte njësoj, po të ishim të gjithë njësoj. Jo vetëm nuk jemi të gjithë njësoj, por ajo që është akoma më e rëndësishme për njeriun që thirret për të votuar dhe thotë “s’dua se janë të gjithë njësoj”, është se gabon duke menduar që po i ktheu shpinën politikës dhe kutisë së votimit është jashtë mundësive që politika të merret me të prapa shpine.

Sa më pak njerëz të zakonshëm të merren me politikën, aq më shumë është e mundur që politika të bjeri në duart e këqija dhe aq më shumë, njerëz të zakonshëm vuajnë prej vendimmarrjeve të këqija. Sa më shumë njerëz të zakonshëm të merren me politikën, në radhë të parë, duke vendosur me votën e tyre së çfarë duan, aq më shumë mundësi ka që politika të bjerë në duar të mira dhe vendimmarrjet të jenë të mira për shumicën dërrmuese të njerëzve. Nuk merresh ti me politikën, merret politika me ty. Edhe ndërtimi i shtëpive bëhet nga politika, nuk vjen nga qielli. Edhe lufta me armikun e padukshëm bëhet nga politika. Po të mos ishte politika, nuk siguroheshin vaksinat. Po të mos ishte politika, nuk siguroheshin fondet për rindërtimin. E kështu me radhë. Politika ka bërë shumë gjëra të këqija në historinë e njerëzimit. Politika ka pjellë edhe nazizmin, edhe fashizmin, edhe diktaturën komuniste dhe shumë të tjera. Por pa politikën, kurrë, njerëzimi s’do kishte arritur këtu ku ka arritur. Pa politikën, kurrë, vajzat dhe gratë nuk do të kishin të drejtën e votës. Pa politikën sot, njerëzit do vazhdonin të jetonin në zinxhirin e skllavërisë. Pa politikën nuk do të kishte BE dhe SHBA. Pa politikën, Shqipëria nuk mund të bëhet e ardhmja jonë.

Varet nga njerëzit, sa më shumë, ata marrin pjesë, aq më e mirë është politika për ta. Sa më shumë e braktisin politikën, aq më shumë janë të dënuar të vuajnë vendimet e duart e këqija të politikës.

Përpara 8 vitesh, në fushatën e parë fituese kam ardhur në Gramsh e kam thënë se do bëjmë në 4 vitet e ardhshme, më shumë më sesa bënë të gjithë të tjerët për Gramshin në të gjitha vitet bashkë. Dhe e mbajta fjalën.

Kam ardhur në 2027-ën e kam thënë se do bëjmë edhe më shumë. Sot po ju them juve e gjithë shqiptarëve, ky mandat i tretë nuk është për mua. Duke u nisur nga bazat që kemi hedhur, nga ngrehina që kemi lartësuar në gjithë sektorët, është mandati që ne do të bëjmë më shumë për Shqipërinë, shqiptarët e për Gramshin sesa në të gjitha vitet e tjera të marra sëbashku, përfshirë edhe dy mandatet tona që nuk kanë qenë dy mandate, por një mandat e pak dhe një luftë që vazhdon sot akoma e që të jeni të bindur, ne do ta fitojmë, qoftë me plagën e tërmetit, qoftë me armikun e padukshëm.                

 

 

Fjala e Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan, Taulant Balla

Shumë faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen. Ju lutem të gjithëve mbani maskat sepse na rrofshin votat nëse ne nuk jemi shembulli kuptimplotë i respektimit të masave që ka vendosur Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Në fakt, ajo që na diferencon me të gjithë kundërshtarët tanë është se për ne fushata më e rëndësishme mbetet fitorja e luftës me armikun e padukshëm.

Unë jam shumë krenar t’u them sot se Elbasani është Qarku me nivelin më të lartë të vaksinimit deri tani.

Sapo kemi qenë bashkë me kryeministrin në një prej qendrave të vaksinimit ku numri i personave që vaksinohen rritet çdo ditë.

Ne do ta fitojmë këtë betejë sikurse kryeministri ynë, kryeministri i katër viteve të ardhshme, Edi Rama tha që prej ditës së parë.

Ne do ta fitojmë këtë luftë e do dalim me ballin lart.

Ne po bëhemi gati që në fund të majit, në fillim të qershorit të hapim tërësisht ekonominë dhe turizmin.

Nuk duhet të harrojmë se deri në vitin 2013 Gramshi ishte një xhep i harruar. Nuk vinte askush në Gramsh.

Ndërkohë që sot, falë Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, Gramshi po shndërrohet një nyje e rëndësishme e lidhjes mes Perëndimit dhe Lindjes së Shqipërisë.

Përfitimi është i dyfishtë sepse do kalosh në një peizazh të pakrahasueshëm që ka Gramshi. Këtë peizazh të pakrahasueshëm, këtë natyrë kaq mikpritëse të Gramshit e bashkëshoqëron mikrpitja e popullit të nderuar të Gramshit. Të dyja këto duhet ti shndërrojmë në një magnet për vizitorët për të ardhur këtu.

Ne kemi vendosur në programin tonë një sërë pikash që vënë theksin te agro-turizmi. Kjo krijon mundësinë e shndërrimit të shumë shtëpive në zona të ndryshme të Gramshit si Holtë, Sotirë në mundësi zhvillimi.

Prandaj, çdo djali të ri të Gramshit, çdo burri, çdo gruaje që jeton në emigracion dua ti them: bëhu gati sepse duhet të rikthehesh në Gramsh sepse shtëpinë tënde mund ta shndërrosh në një bujtinë.

Ne do të japim një financim prej 5 mijë eurosh çdo emigranti që kthehet për ta shndërruar shtëpinë e tij në një bujtinë.

Ne do ta shndërrojmë Gramshin në një destinacion të rëndësishëm.

Punësimi mbetet një prej sfidave tona kryesore. Deri para pak kohësh në Gramsh nuk kishim asnjë njësi prodhimi. Që nga viti 1991 gjithçka u bë zero. Ne kemi filluar dhe ‘dallëndyshet’ e para të punësimit kanë mbërritur tashmë në Gramsh.

Kemi një njësi të re prodhimi me 250 punonjës. Bashkë me Besin dhe Enverin ne do vazhdojmë të lobojmë për të sjellë edhe njësi të tjera prodhimi sepse krahu i punës në Gramsh është gati dhe pret që të kemi sa më shumë mundësi punësimi.

Sa i përket të rinjve, padyshim, ky transformim i Gramshit efektin e drejtpërdrejtë e ka pasur të ju.

Ne do vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën e Gramshit.

Të rinjve dua t’u kujtoj diçka që është shumë e rëndësishme. Unë e di që ju sot jeni 18-vjeç dhe para 8 viteve ishit 10 vjeç dhe e kuptoj që nuk bëni dot krahasimin si ishte dhe si është Shqipëria sot.

Unë dua t’ju kujtoj vetëm një element: mos harroni kurrë se Saliu dhe Iliri janë aty për të na rikthyer aty ku ishim, tek Universitetet fantazëm që jepnin diploma pa vlerë.

Saliu dhe Iliri janë prap aty sepse Luli është një dordolec në duart e tyre. Iliri dhe Saliu janë aty për të na rikthyer përsëri të diplomat që shiteshin të Rruga e Kavajës.

Prandaj të rinj dhe të reja të Gramshit dhe të gjithë Elbasanit duhet të bëhemi të gjithë si barrikadë bashkë me Edi Ramën për të mbrojtur gjithçka kemi arritur deri tani.

Mos ta harrojë asnjë i ri apo e re që Edi Rama është pengesa e fundit e Ilirit dhe Saliut për të zhbërë  gjithçka është arritur deri tani ku më e rëndësishmja është reforma në drejtësi.

Besoj se të rinjtë dhe të rejat dinë ta bëjnë dallimin më shumë dhe më mirë se kushdo tjetër. Drejtësia është e vetmja forcë me të cilën ne mund të ecim përpara në rrugën tonë drejt integrimit europian.

Unë kam nderin të ftoj përpara jush kryeministrin tonë, Edi Ramën.            

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm