Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Jemi të vendosur të vazhdojmë përpara për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë

Të reja

Jemi të vendosur të vazhdojmë përpara për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë

31 Mar 2021    

Rruga drejt 25 Prillit –  Shkodër

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Shumë kënaqësi që jemi këtu, në këtë oaz që realisht të bën të ndihesh si jashtë shtetit. Nuk është dhe aq e vështirë sepse mjafton të shikosh pasuritë që Shkodra ka, dhuruar nga Zoti apo nga natyra për ata që janë ateistë, për të kuptuar që është njësoj si kudo jashtë shtetit.

Ndryshimi dramatik fillon kur hyn në atë pjesë ku nuk është më dora e Zotit, por dora e robit që ka patur fjalën e vet dhe që këtu në Shkodër ka qenë një dorë, fatkeqësisht, shumë e mbrapshtë në shumë vite. Ka bërë që Shkodra të jetë më e prapambetura, për hir të së vërtetës, krahasuar sot me të gjithë qytetet e tjera, ku përmes Rilindjes Urbane dhe bashkëpunimit të ngushtë me bashkitë, jo vetëm me bashkitë e majta, por dhe të djathta, përshembull, në Tropojë, ne kemi bërë punë goxha të bukura, të filluara me kryetarin e bashkisë së PD-së e të vazhduara me kryetarin e bashkisë së PS-ë. E jo vetëm në Tropojë, por dhe në vende të tjera.

Në Shkodër, për fat të keq na ka ngecur sharra në gozhdë, sepse këtu, gozhda është një lloji që nuk ka çekiç e nuk ka sharrë që i bën derman. Është një lloj gozhde e ngulur prej 30 vjetësh në tru dhe që prej 30 vitesh ndryshket e ndryshket dhe e than trurin e njeriut, të kthyer në tifoz pa lidhje të politikës e të partive, në rastin konkret të PD-së, duke i dhënë besim pa kushte, pavarësisht se hendeku i prapambetjes thellohet në krahasim me të tjerët.

Në Malësinë e Madhe realisht ndryshimi është i prekshëm jo vetëm për ata që e vizitojnë, por edhe për njerëzit e saj, të cilët kanë filluar të investojnë kursimet e tyre të emigracionit në ndërtimin e pikave turistike dhe po vazhdojnë të paraqesin projekte e të kërkojnë gjithmonë e më shumë të investojnë atje. Ata investojnë atje sepse ka ndryshuar mjedisi, kanë ndryshuar kushtet dhe krejt marrëdhënia me një territor që deri dje ishte i braktisur në mëshirë të fatit. Ndërkohë, sot, hap pas hapi ripërtërihet dhe hap pas hapi krijon perspektivë për njerëzit që realisht kanë forcë imagjinate dhe kanë kurajë t’i shkojnë mbrapa imagjinatës së tyre, duke u bërë pionerë të një ndryshimi që do të vazhdojë me hapa gjithmonë e më të shpejtë, jam i bindur.

Pa shkuar te Malësia e Madhe, se ndoshta nga pikëpamja e territorit dhe nga pikëpamja e fuqisë mbase është e madhe në krahasim me të tjerët, por shikoni Pukën.

Puka ishte një grop e zezë dhe sot e ka lënë Shkodrën mbrapa në aspektin e zhvillimit, të transformimit e të kapacitetit për të ndërtuar rrugën e vet të së ardhmes. Pavarësisht se është një realitet i vogël, është një vend shumë më i thellë se Malësia e Madhe, Puka po bëhet një atraksion turistik pa e patur Kalanë e Rozafës, pa e pasur këtë liqen fantastik, pa pasur atë thesar historie e tradite të Shkodrës. Ndërkohë që Shkodra vazhdon e vegjeton, e mbetur në një stanjacion që duket si një mallkim.

Në fakt, është një automallkim që i bëhet nga vetvetja, nga tifozllëku, nga verbëria, nga marrëzia politike, nga idiotësia e komunizmi - antikomunizmi që janë histori jo vetëm të së shkuarës, por histori që, po t’i shikosh me sy të kthjellët objektiv, kupton që në fakt është krejt ndryshe qasja edhe ndaj asaj historie e të dy palëve. Njëra palë bërtet, ulërin, ngre dy gishtat, tund flamujt, mallkon, shan, përbetohet, bën rrëmujë, por, në fakt, në aspektin e filozofisë programatike e qeverisëse, pala që është antikomunsite dhe antifashiste është Partia Socialiste, në sensin antitotalitare dhe antidogmave dhe anti asaj pjese të këtyre trashgëmive që është e papranueshme për botën ku jetojmë.

Po këto nuk ju interesojnë qorrave që i kanë të dy sytë në ballë, shurdhëve që i kanë të dy veshët në vend, por që e kanë mendjen tap, të dehur 30 vjet, me dokrra, me dëngla e të zhytur e mbytur në pluhurin e prapambetjes.

Ky është fakti.

Unë nuk dua absolutisht të shfaqësojë veten dhe të them që ne nuk kemi asnjë borxh, përkundrazi, ne kemi borxhe ndaj Shkodrës. Kemi borxhe sepse Shkodra nuk është thjesht e një shumice këtu, që ka diktuar vazhdimisht një kurs degradimi. Shkodra është shumë më tepër se kaq. Është pjesë e pandashme e gravitetit të historisë sonë, të traditës e të kulturës sonë, është pjesë e pandshme e jona si shqiptarë.  Përtej kësaj, Shkodra është një potencial i jashtëzakonshëm. Nuk kanë më shumë sesa Shkodra, ato qytete që sot janë në një proces tranformimi të pakthyeshëm. Madje, përkundrazi, Shkodra ka më shumë se ato.

Ҫfarë ishte këtu ku jemi sot? Nuk ishte ndonjë vend me ndonjë karakteristikë kaq të veçantë nga vendet e tjera, por shikoni se çfarë atmosfere, çfarë transformimi, çfarë energjie kemi krijuar për njerëzit që jetojnë këtu, për bizneset këtu e për të gjithë ata që vijnë këtu. Është tamam si një copë e një vendi buzë liqenit në Itali, Zvicër. Dhe është e mundshme të bëhet kështu në shumë pjesë të tjera, sepse Shkodra i ka të gjitha të dhënat nga Zoti apo nga natyra.

Por e pengon të bëhet verbëria dhe shurdhëria e qorrave dhe e shurdhëve të marrosur ndaj tifozllikut partiak, që nuk duan t’ia dinë fare për vetën e tyre, familjen, të ardhmen e përditshmërinë e tyre, por shkojnë qorrazi dhe japin votën pas britmave, pas dy gishtave, pas ulërimave, mallkimeve, pas sharjeve, hakërrimeve e degradimit.

Ky është fakt. Ju pëlqen apo nuk ju pëlqen.

Sidoqoftë, ne nuk jemi pa borxhe ndaj Shkodrës. Unë jam këtu, për t’i thënë edhe një herë herë tjetër, pa u lodhur shkodranëve, nëse doni që të na e jepni mundësinë që të shlyejmë borxhet ndaj Shkodrës, tonat dhe të atyre, sepse në fund të fundit, qeveria është e të gjithëve, jo vetëm e një pale, na jepni mbështjen. Siç e kemi bërë këtu, mund ta bëjmë në shumë pjesë të tjera Shkodrën.

Për të mbështetur Shkodrën, ne kemi ardhur vërdall kufijve të vendosur nga një bashki qorre, që është shembulli më drithërues i injorancës, i prapambetjes, i inercisë, duke shkuar qorrazi drejt së ardhmes.

I kemi ardhur rrotull dhe faktikisht kemi ndërtuar rrugën Shkodër-Velipojë, një rrugë turistike që ishte një premtim dembabadem i të gjitha herëve që Partia Demokratike ka ardhur për të marrë votën e që nuk e ndërtuan kurrë. E ndërtuam ne dhe mundëm ta ndërtonim sepse s’kishim nevojë të merrnim leje në bashki.

I kemi ardhur rrotull për të ndërtuar stadiumin, sepse s’kishim nevojë të merrnim leje në bashki. E vetmja gjë bashkia duhet të bënte tek stadiumi ishte të hiqte ato garazhet e shëmtuara mu tek hyrja e tribunës, që janë akoma aty. Një turp që tregon një dallim shumë të madh mes nesh dhe atyre.

Ata duan ta mbajnë Shkodrën në këtë gjendje, sepse në këtë gjendje mbretërojnë pa problem. Mbretërojnë mbi prapambetjen duke ushqyer përçarjen, duke nxitur urrejtjen, duke thelluar dasinë dhe duke mos lënë rast pa shfrytëzuar, për të thyer xhama, për të hedhur molotov e për të thirrur “poshtë komunizmi”.

Komunizmi i një politike të sëmurë, që i thërret një imagjinate të sëmurë. Komunizmi ka vdekur dhe është varrosur. Nuk kthehet më. Dhe i vdekur mban peng vetëm një vend në Shqipëri, Shkodrën. E mban peng nëpërmjet këtyre gjoja antikomunistëve që e perdorin komunizmin për të marrë peng gjithë miletin. Për të marr peng të gjithë ata që harrojnë se nuk është puna siç është me Vllazninë. Për Vllazinë se është kampione, se është në kategori të dytë, shkon në kategori të tretë, a shkrihet fare, kush është tifoz i Vllaznisë mbetet i tillë dhe pret ditën kur do rikthehet.

Por Vllaznia është për ditën e djelë, për ditën e pushimit, ndërkohë që qeveria, bashkia, shteti është për çdo ditë. Nuk mundet të shkosh të votosh, si të shkosh për të bërtitur në stadium ditën e dielë, sepse të hënën jeta vazhdon. Kur ti ia jep votën një idioti, ti je peng  i tij dhe Shkodra ka mbetur peng i idiotësive 30 vjet. Idiotësi pas idiotësie, me idenë se po i rezistojmë komunizmit që ka vdekur, është i varrosur e s’ka asnjë shans të ringjallet. E që rri gjallë në formën e një fantazme këtu në Shkodër dhe e mbajnë gjallë këta që bëjnë sikur e luftojnë. Kanë shpikur një luftë imagjinare dhe i mbajnë njerëzit të tensionuar e të përçarë në emër të kësaj lufte. Luftojnë me mullinjtë e erës. Ata shohin interesat e tyre, luftën e bëjnë njerëzit mbrapa tyre.

Si prishet fare terezia kryetares së bashkisë se çfarë ndodh me plehrat e qytetit. Është qyteti më i pistë i Shqipërisë, ku nuk mblidhen plehrat. Tipike, nuk mblidhen plehrat. Qyteti më me shumë gropa në Shqipëri. Qyteti ku ti vjen dhe nuk sheh asnjë ndryshim. Kudo ku shkon, sheh ndryshime, diku më pak, diku më shumë, por këtu është qyteti ku ka mbetur ora.

Punët e veta, edhe kryetarja e bashkisë, edhe ata të shpurës së Partisë Demokratike, që vejnë e vijnë sa këtu e sa në Tiranë për të bërë deputetin e Shkodrës, edhe ata të Tiranës që vijnë këtu për të ngritur dy gishtat, për të bërtitur e për të kërkuar sherr këtu, e kanë në terezi. Edhe lufta që bëjnë sot është prap për punët e tyre, jo për punët e Shqipërisë.

Ne jemi të vetëdijshëm që nuk kemi qenë në lartësinë e pritshmërive të atyre shkodranëve që duan ta ndryshojnë Shkodrën. Nuk kemi arritur dot të japim një ofertë që të jetë e pakundërshtueshme. Besoj se këtë herë, ne kemi sjellë në Shkodër njerëzit e duhur, në kohën e duhur, për të bërë punët e duhura. Natyrisht, ne kemi për borxh t’i përzgjedhim dhe t’i mbështesim këtu, pastaj i takon Shkodrës të thotë i do apo nuk i do.

Do Edona Bilalin, e cila vjen jashtë Partisë Socialiste, vjen nga jeta në shoqërinë civile të Shkodrës, nga një rrugë individuale në mbështetje të sipërmarrjeve të vogla në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare, apo do t’i japin mbështetjen - nuk po i marr me emra se merr njërin përplase mbas tjetrit, se ata janë të gjithë njësoj, po që janë po ata.

Kemi sjell ketu Benet Becin, pa të cilin, kjo këtu që shikoni nuk do të ishte bërë. Është njeriu i jo qindra, por mijëra projekteve, të cilat i ka bërë edhe në kohën e mëparshme, kur qeveriste Partia Demokratike, edhe më pas.

Meqë ra fjala, Beneti është sot një socialist që zemrën e ka djathtas, po të shkosh t’i vesh stetoskopin i rreh nga krahu i djathtë, por me ne e bashkon vizioni, e bashkon puna dhe në këtë skuadër e bashkon qëllimi si t’i japim Shkodrës, një mundësi për të zgjidhur një ngërç.

Unë, shkodranëve u them se ne do ta fitojmë më 25 prill këtë ndeshje, ju zgjidhni, doni të jeni me fituesit apo të vazhdoni me humbësit. Kjo është zgjedhja e juaj.

Por mos harroni disa gjëra shumë të thjeshta. Nëse Shkodra ka një, - ka shumë, por po themi një, - gur të çmur krenaria shkodrane dhe kombëtare për të gjithë shqiptarët ka Dinastinë Marubi dhe Dinastinë Marubi, ne e kemi nxjerrë nga plehërat, literalisht, jo në mënyrë metaforike. Nëpër thasë plasmasi mes plehrave. Sot, thesari i Dinastisë Marubi është i shpëtuar dhe ka një muze kombëtar të fotografisë këtu në Shkodër, që është një nga arsyet për të ardhur në Shkodër dhe është një atraksion i madh turistik. Koleksioni i atij muzeu, sot kërkohet nëpër muze të tjerë të botës për t’u ekspozuar.

Këtë e bëmë ne komunistët, që pika që s’u bie këtyre llo antikomunistëve, që janë në fakt, viktimat e fundit të mentalitetit komunist në Shqipëri!

Shkodra ka edhe Teatrin e famshëm Migjeni, që ishte një burim rreziqesh për jetën. Sot është i rindërtuar falë nesh.

Edhe ura që u shpëtua dhe u riparua, është ndërhyrje pa leje, që e bëmë si ilegalë Benat Beci dhe unë, se nuk kishte zot që bashkëpunonte me kryetaren e bashkisë. E bëmë si ilegalë për ta shpëtuar falë alarmit që vuri një shoqatë e të rinjve në Shkodër. Ata më alarmuan mua, unë Benetin dhe Beneti erdhi duke punuar natën. Se natën këta flenë. Flenë herët, zgjohen vonë dhe shyqyr, kur u zgjua Voltana, ishte bërë ura. Si në filmin italian “Ҫatia”.

Ja kështu u katandisëm këtu në Shkodër.

Pa vënë në diskutim Ilir Beqaj që botërisht, kush e njeh, e di që është një mendje që punon, di shumë dhe mbi të gjitha është njeri i përkushtuar ndaj punës, pavarësisht se ka marrë baltë pafund. Po baltën pafund këtu e marrin ata që punojnë pa fund. Nuk e marrin të tjerët.

Kemi edhe të tjerë vajza e djem të rinj, Jona që është bashkuar me skuadrën tone. Jona ka një kohë më të gjatë që është pjesë e Partisë Socialiste, por nuk ka qenë pjesë konformiste e Partisë Socialiste, ka qenë pjesa e pakënaqur në PS, por jo e pakënaqur për të marrë një gjë, por sepse ka kërkuar vazhdimisht që Partia Socialiste të kuptojë më mirë Shkodrën dhe të bëjë një përpjekje më të madhe për të qenë dinjitoze në ofertën që i bën Shkodrës.

Sot ishim në një vizitë në qendrat e vaksinimit në Malësinë e Madhe. Jemi vonuar gjysëm ore, sepse kishin shkuar 3 përfaqësues të Patisë Demokratike dhe donin të nxirrnin jashtë të moshuarit që vaksinoheshin se medemek, këta ishin perfaqësues të Komisionit Zonal Zgjedhor dhe donin të merrnin qendrën e numërimit sot. Palestrën që është caktuar për të qenë qendër numërimi, këta donin ta merrnin sot se thonin e kemi ne, do ta zotërojmë ne se ne jemi KZAZ-ja. Donin t’i nxirrnin jashtë të moshuarit që vaksinoheshin.

A e kuptoni se me çfarë lloj talebanësh kemi të bëjmë ne?

Këtë duhet ta kuptojnë ato shkodranët e vjetër, sidomos ata që bëjnë sikur shohin djallin vetë, kur shohin Partinë Socialiste dhe më shohin si komunist mua, nipin e Zef Kolombit, e të Veronika Kolombit e të gjithë asaj familjeje. Mua që gjyshja ime shkodrane më bëri katolik. I kam shumë merak këta, se çfarë kërkojnë.

Unë e kuptoj që këta thonë që ne nuk duam të merremi fare me askënd se ne jemi aristokracia e lartë, por kur thua që ne jemi me PD-në,  që është rrafshi moral, rrafshi mendor, rrafshi në çdo aspekt e që sot është katandisur në një lloj qënie që s’ka as karakter, se të paktën, pavarësisht se Saliu nuk diskutohet që i ka të gjitha ato që i ka, po në mbrapështinë e vet ishte një lider me karakter, karakter i mbrapshtë, por karakter. Po të jesh me Partinë Demokratike të Lulit, Fatmir Mediut, të Dash Shehit, të Gon Dukës, të Shpëtim Idrizit, të Vangjel Dules, të Monika Kryemadhit, të Ilir Metës dhe të pretendosh që po mbron aristokracinë shkodrane, ky është kulmi. Ky është fundi, s’ke më çfarë flet. Kjo është të ulesh në gjunjë dhe t’i kërkosh ndjesë në varr të gjithë atyre që e kanë bërë Shkodrën dhe që rrotullohen në varr, me shpejtësi të madhe, sa herë që dëgjojnë një nga këto emra. Jo të gjithë bashkë, por një nga këto emra.

Çfarë t’i thuash këtyre, që sot, në kulmin e një lufte për jetën e njerëzve, ku ne për fat të mirë ja kemi dalë të hyjmë në procesin e vaksinimit masiv, këta vazhdojnë si në ’90-ën, me makina, bori e flamuj, me dy gishta e me ulërima nëpër rrugë, duke u mbledhur me njëri-tjetrin dhe duke puthur në buzë COVID-in. Ndërkohë që lideri i tyre rri mbi makinë.

Kjo është e pabesueshme, infektim masiv. Uroj me gjithë zemër që këta të mos përfundojnë nëpër spitale mbas 2-3 javësh, se aq i duhet COVID-it të vijë të të kapë fytin këtu dhe të të marrë frymën. Por llogaria që kanë bërë ata që i mbledhin, është punë e madhe shumë se për 2-3 javë kanë mbaruar zgjedhjet.

Nuk kanë kufi në boshllëk të lidershipit, të përgjegjshmërisë, të njerëzores. Janë bosh! Nuk duan t’ia dinë fare.

Unë i mirëkuptoj shumë njerëz kur thonë, ç’ke që ankohesh, shteti duhet të veprojë, këta duhet të ndëshkohen, policia duhet të ndërhyjë kur qytetari i thjeshtë shkel rregullat. I kuptoj shumë mirë, por njerëzit duhet të kuptojnë që policia ka të drejtë. Unë kam pyetur disa herë si e sheh policia këtë punë dhe ata kanë të drejtë kur thonë se, nëse reagojmë ne ndaj kësaj që bëhet, ata e kanë treguar se mund të bëjnë shumë më keq. Policia nuk mund të futet në luftë me një tufë të papërgjegjshmish që kanë dalë rrugëve të Shqipërisë dhe duan të marrin drejtimin e vendit. Kur nuk janë në gjendje të tregojnë as minimumin e respektit për ligjin, por as për shëndetin e njerëzve të vet. Njerëzit e vet më besnikë, të verbërit më të verbër. I mbledhin dhe del gjoja Luli mbi makina dhe bën aty një dasëm spontane në mes të rrugës. I mungon vetëm darja mbi makinë. Ka dalë, kërkon nuse dhe ja kanë nxjerrë në fakt. Nusja është Shqipëria. Për plaçkë, siç ka ndodh gjthmonë. Luli është vetëm Gjinua i asaj përrallës. Shkesët e vërtetë janë Ilir Meta, Monika dhe kuptohet, Saliu. Kthehet më tani, Shqipëria, në duart e atyre prapë nga e para?

 

Po u kthye Shqipëria në duart e tyre, ata do të bëjnë po atë që kanë bërë gjithmonë. Nuk kanë dhënë asnjë shenjë që atë që kanë bërë, e shohin me sy kritik. Përkundrazi, pa pikë turpi thonë, para 8 vjetësh ndodhi një aksident, pra, populli që votoi para 8 vjetësh ia futi kot. Normalisht, sipas tyre duhet të kishte vazhduar të mbante këta në qafë.

               

Ndërkohë që gogoli i Lalëzit, gogoli digjital, në mënyrën më monstruoze bën propagandë për të futur panik për vaksinat, që qenkan vdekjeprurëse, që Kina paska çuar letër e na paska thënë që mos i përdorni se do vdesin njerëz, që paskan ardhur nga Serbia e që paskan afat skadimi që ka kaluar.

 Një pisllëk nga fillimi deri në fund!

 Ndërkohë që Kina ka filluar të vaksinojë edhe më të moshuarit. Kina ndoqi një strategji tjetër, filloi nga më të rinjtë, puna e tyre. Gjithë Turqia vaksinohet me këto vaksina që po bëjnë të moshuarit tanë dhe plot shtet të tjera të botës vaksinohen kështu. Gjithë oborret mbretërore të Lindjes së Mesme marrin këtë vaksinë.

Si mundet këtyre njerëzve t’u jepet prapë mundësia që të kenë gjë në dorë?

 Do bëjnë po ato gjëra.

 Ajo që unë nuk kuptoj është pyetja e thjeshtë për këdo që merret me një biznes të vogël që është me PD-në e që sot e ka taksën zero, e ka TVSH-në zero, çfarë do nga Luli dhe nga PD-ja?

Ata do vënë taksën e sheshtë. Taksa e sheshtë është krijuar që ata që fitojë më shumë, të paguajnë më pak e sa më poshtë zbret fasha, aq më shumë paguan ai që është poshtë. Është taksë e krijuar nga të pasurit për veten e tyre.

Ne kemi taksën e ndershme progresive që shkon nga poshtë lart. Sa më shumë fiton, aq më shumë paguan. Biznesi i vogël e kanë zero. A ia vlen kjo dashuri e madhe për Partinë Demokratike që të votosh që të të vijë taksa e sheshtë, ndërkohë që e ke zero?

 Nëse nuk e do Edi Ramën, është shumë e thjeshtë, ndrysho kanal për një të dhjetën e sekondit dhe Edi Rama nuk ekziston. E do Lulin? Merri resmen, vëre në kornizë në dyqan apo në shtëpi.

Po votën pse ta japësh, që të paguash më shumë ti?

Ia vlen Luli dhe PD-ja me shpurën këtu, që çdo muaj të fillosh të paguash më shumë nga xhepi yt dhe nga lekët e shtëpisë tënde për ta?

Unë nuk besoj.

 Ashtu sikundër, 63% e njerëzve që punojnë në shtet ose në privat kanë një rrogë deri në 400 mijë lekë. Për rrogën deri në 400 mijë lekë tatimi mbi të ardhurat personale bëhet 0. Ata do e bëjnë 9% me taksën e sheshtë. Por 9% i 400 mijë lekëshit është shumë më i rëndë për familjen sesa 9% i 40 milionë. Ai 9% i 400 mijë lekëshit ndikon tek shpenzimet e përditshme. Ndërsa 9% i 40 milionëve nuk të prish gjumin për sesi do paguash dritat.

 Ta votosh Lulin dhe të hash një taksë për dashurinë. Këtu nuk është çështja të bëhesh me PS-në, as të duash Edi Ramën. Këtu çështja është të jesh me veten tënde, me familjen tënde dhe mundësisht, edhe me qytetin ku jeton, se Shqipëria mbase është fjalë shumë e madhe. Nëse je me këto, nuk duhet në asnjë mënyrë të ndryshosh rrugë tani, sepse të kushton, të vjen direkt mbrapa taksa. Nëse je gati të sakrifikosh të gjitha këto se patjetër do të përmbysësh komunizmin, atëherë je i pashërueshëm, vazhdo, edhe pse nuk ke për t’ia dalë.

Për të gjitha ata që sot janë mësues, infermierë, punonjës policie, të gjithë që janë në punë, duan ta kthejnë përmbys këtë punë që të fillojë prapë historia “miku, shoku, leku”, tani që është stabilizuar kjo gjë?

Po prindërit që do të çojnë në universitet fëmijët, duan prapë të kthehet koha kur në universitet nuk nuk e fusje dot fëmijën tek dega që meritonte sepse aty donin të futeshin fëmijët e ministrave, të biznesmenëve dhe e parakalonin fëmijën tënd që e kishte mbiemrin të panjohur, ndërkohë që nuk kishte mundësi të paguaje. Sot nuk ka një ankesë të vetme kur bëhen hyrjet në universitet, sepse hyrja në universitet sot është sipas meritës. Fëmija i çobanit në mal, me rezultatet që ka, del i pari dhe shkon në fakultetin më të kërkuar e nuk e parakalon dot. Asnjë lloj ndërhyrjeje nuk ia heq dot atij vendin, sepse janë të gjitha dixhitale, të gjitha transparente dhe çdo gjë lë gjurmë e nuk futesh dot në sistem. Ata duan ta kthejnë këtë gjë.

Sot ishim në Vaun e Dejës dhe më në fund, pas 100 vjetësh, Vau i Dejës, njëra pjesë e tij ka sot që flasim 24 orë ujë. Pjesa tjetër do të ketë për pak kohë 24 orë uji. Kështu programi Ujë 24 orë po shkon drejt përfundimit, brenda vitit 2022, në të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë. Doni të kthehet prapë historia me lodrat, me tubat dhe me partinë? Apo doni të kthehet prapë historia e fashave?

 Është e pabesueshme, po ata e kanë në program vënien e fashave për energjinë elektrike. Ju kujtohen fashat që vendosnin, që biznesi fshihej si familje dhe familjet e hanin si biznes, kur ju vinte fatura e energjisë. Duan t’i kthejnë prapë, nuk kanë nxjerrë asnjë mësim. Janë të paaftë komplet.

 Kush voton këta, një gjë kanë të sigurt, merr tramvajin e Tiranës. I dhe votën këtyre, ke tramvajin tek dera që të çon ku të duash ti. Nuk të erdhi tramvaji, nuk të jep njeri llogari. Ka një defekt teknik, do vijë nesër. 

Është shumë e rëndësishme që ne ta fitojmë këtë luftë të madhe botërore kundër këtij armiku të padukshëm e të dalim nga kjo histori me sukses e me faqe të bardhë dhe ta lëmë pas këtë tunel. Vaksinimi masiv na e jep këtë mundësi, por duhet ta çojmë deri në fund.

Kush do e çojë deri në fund? Si ndodhi që Shqipëria është i vetmi nga dy vendet e vetme në Ballkan që siguroi vaksinat për të filluar vaksinimin masiv, ndërkohë që të tjerët janë akoma tek dozat simbolike? Erdhën nga qielli dhe ranë në Shqipëri me parashutë?

 Jo, ishte këmbëngulja, durimi dhe puna ditë – natë që ne kemi bërë nga të katërt anët.

 Kujtoni se po erdhën këta, vazhdon kjo njësoj?

Harrojeni. Këta nuk dinë t’i bëjnë këto gjëra. Po të kishin ditur, do t’i kishin bërë. Ka 30 vjet që drejtojnë Shkodrën. Më më çoni në një shkollë që kanë ndërtuar e më thoni ja ku  ke, si shkollat që po ndërtohen sot pas tërmetit. Më tregoni një shkollë, jo dhjetë. Më tregoni një qendër shëndetësore që ndërtuan këta, një spital, jo dhjetë.

Asgjë! Thjesht nuk dinë!

Është mbledhur paaftësia dhe indiferenca ndaj njerëzve bashkë atje. Ata dinë vetëm një gjë, dy gishtat dhe “Rama ik”. Kur thonë “Rama ik”, nuk kanë faj, sepse e dinë që ndryshe nuk ia dalin dot. Ne nuk fitojmë dot, ik ti. Ne nuk të mundim dot, ik ti. Ku të iki dhe për çfarë arsye? Që të kthehemi e të përsërisim po atë histori. E gjithë ajo përpjekje e madhe, - se kjo është pika mbi i, - që ne kemi bërë, gjithë këto vite, për të vënë baza që më në fund ky vend të ketë drejtësi e të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, të iki kot. Ta marri lumi i Bunës të gjithën.

 Për hallin e Ilirit e për hallin e Saliut duhet të kthehet Shqipëria edhe një herë përmbys dhe drejtësia duhet të kthehet edhe një herë përmbys. Sapo ka filluar tani të çeli embrioni, këta duan ta shkelin me këmbë dhe për këtë, kulmi i kulmit është kur kërkojnë vota që të marrin mbështetje nga njerëzit e zakonshëm që janë më të interesuarit që gjykatat të jenë gjykata, prokuroria të jetë prokuroi e të mos jenë më tregje.

 Sistemet e drejtësisë që sot i shohim me admirim në vende shumë të përparuar kanë shekuj e dekada të tëra. Nuk ndërtohet një sistem drejtësie kaq kollaj, aq më tepër në një vend kaq të molepsur e të ngatërruar e të shkatërruar siç ishte Shqipëria që ne gjetëm edhe në këtë pikë. Tani që janë vënë bazat, thonë ikni ju se do vijmë ne dhe do e rregullojmë këtë punë, do e kthejmë prapë përmbys.

 Asnjë arsye nuk ka për të votuar këta. Ka shumë arsye për të qenë të pakënaqur me ne. Ka shumë arsye për të qenë të mërzitur sepse njerëzit kanë shumë vite që presin dhe duan më shumë, duan më shpejt. Të gjitha këto janë të vërteta. Ne nuk jemi të përsosur, përkundrazi, kemi gabimet tona, kemi të metat tona, pa diskutim. Por një gjë është pak, por e sigurt. Mandati ynë i tretë nuk është për mua personalisht, por është që të gjitha këto baza që janë vendosur dhe të gjitha këto punë e këto beteja që janë duke u zhvilluar të mos ndërpriten, por të shkojnë drejt fundit me sukses. Shqipëria të shkojë në një nivel tjetër e pastaj të vazhdojë në nivele të tjera.

Mandati i tretë sot për ne është vendim i popullit për të mos u kthyer mbrapa përsëri, siç kemi bërë në historinë tonë herë pas here, si guri i Sizifit, ngjitej dhe pastaj shko deri në fund e fillo prapë. Është mandat për të afirmuar kthesën që tanimë po merr dhe për të mos lejuar që të shkojë prapë rrokapjekthi puna mbrapsht.

 Që ta bëjmë Shqipërinë një vend ku e ardhmja të jetë këtu për ata që lindin dhe rriten këtu, duhet shumë punë, duhet shumë vendosmëri, duhet shumë durim. Sa herë që kemi provuar në historinë tonë që gjërat e mëdha t’i bëjmë sa hap e mbyll sytë, kemi rënë pingul me kokë në humnerë, siç ramë me Piramidat, sa hap e mbyll sytë bëhemi të pasur dhe ikën të gjithë.

 Nuk fitohen luftërat e mëdha po nuk fitove çdo ditë ato betejat e vogla dhe po nuk pate durim.

Unë jam shumë i vendosur për të vazhduar në këtë rrugë, me shumë punë, me shumë durim. Nëse shumica është e gatshme të vazhdojë këtë rrugë me shumë punë, me shumë durim, ne do ia dalim ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë.

 Ndërsa triumfi i këtyre idiotësive që përsëriten do të ishte kthim mbrapa në të shkuarën. Jam i bindur që ne nuk do ta lejojmë kthimin mbrapa dhe jam i siguritë që Shqipëria në 25 prill do të vendosë vazhdimin e punëve dhe çuarjen deri në fund të betejave. Do të vendosë që të fitojmë në radhë të pare, dy luftat e mëdha, me plagët e tërmetit që deri në pranverën e ardhshme do të zhduken plotësisht dhe me këtë mallkim, pandeminë që ne po e zmbrapsim hap pas hapi e që më shumë sesa shumë të tjerë do ta heqim nga jetët tona e do të kemi mundësi të kthehemi në jetën tonë të dëshiruar.

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm