Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ftoj të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e nismës së re të Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë!

Të reja

Ftoj të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e nismës së re të Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë!

20 Jan 2022    

Komunikimi i Kryeministrit, njëherësh Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama pas mbledhjes së Kryesisë:

Pyetje: Z. kryeministër i caktuat emrat për gjashtë Bashkitë?

Përgjigje: Jo, nuk kemi caktuar emra sepse vendimi është shumë i freskët.

Kemi bërë një takim për këtë çështje dhe për çështjen e Këshillimit Kombëtar e cila qysh dje është iniciuar publikisht, zyrtarisht. Kanë filluar të mbërrijnë pyetësorët nëpër shtëpi. Do shkojnë në të gjitha familjet.  Njëkohësisht edhe nëpërmjet kanalit digjital, smartphone, kompiuter, ku do të mund të marrin pjesë në këtë Këshillim.
I ftoj të gjithë ta bëjnë. është diçka krejtësisht e lirë, krejtësisht e thjeshtë dhe krejtësisht miqësore. është një këshillim për disa çështje.

Unë e kam thënë që në fillim se ne nuk është se na mungojnë kartonat, por na duhet të marrim një opinion qytetarësh përtej partive, llogoreve dhe gjithë hapësirës së përbaltur të politikës lidhur me çështjet që prekin drejtëpërdrejt familjet shqiptare, prekin drejtpërdrejt aspekte të ekonomisë, të drejtësisë, të sigurisë dhe aspekte të rëndësishme strategjike të politikës së jashtme.

Pyetje: Nëse qytetarët thonë 'jo' për 'Open Balkan' do tërhiqeni nga nisma?

Përgjigje: Do ta shikojmë. Patjetër me shumë vëmendje. E përsëris, është nevoja jonë për ta marrë këtë opinion. Nuk është një nevojë taktike por një nevojë reale për ta marrë këtë opinion dhe pasur një ide të qartë se çfarë mendojnë njerëzit pavarësisht partive, pavarësisht ndasive të përditshme.

Ndërkohë, përsa i përket çështjes së dytë, vendimit për të bërë zgjedhjet në gjashtë Bashki, kemi folur për të filluar menjëherë organizimin. është një proces ku ne do të jemi pjesë duke respektuar afatet dhe paraqitur kandidatët.

Pyetje:  A do të jenë kryesisht gra dhe pse jo nga lista e deputëve?

Përgjigje:  Nuk mendoj që do të kemi deputetë në këtë garë sepse deputetët janë zgjedhur për të bërë deputetin. Ky është mendimi i të gjithë Kryesisë.
Përsa i përket grave, ju e dini shumë mirë që mes një gruaje dhe dhjetë burrave unë zgjedh gruan dhe burrat.

Pyetje: A do të ketë një filtër të shtuar nga ana e partisë në mënyrë që të mos preken nga dekriminalizimi apo ekziston mundësia për t'u dhënë një shans të dytë atyre që janë prekur nga dekriminalizimi por pretendojnë se janë të pastër tashmë?

Përgjigje: Shanset e dyta jepen në marrëdhëniet individuale. Shanse të dyta mund ti japim njëri-tjetrit kur jemi miq dhe kur për një arsye apo një tjetër miqësia lëndohet. Shanset e dyta i jep  zoti. Partia Socialiste nuk i jep shans të dytë askujt që e ka vënë në pozitë të vështirë në sytë e njerëzve duke gënjyer lidhur me një aspekt kaq të rëndësishëm të jetës sonë publike.

Kështu që, nuk ka shanse të dyta për askënd që bën deklaratë të rreme lidhur me jetën, veprimtarinë dhe gjithë ato aspekte që kanë të bëjnë me ligjin e pastërtisë së figurës.

Pyetje: Ka pasur një kërkesë nga Presidenti Erdogan gjatë vizitës në Shqipëri që qeveria shqiptare të marrë masa për strukturën e  'FETO-s' në vendin tonë. A do ta përmbushni këtë kërkesë të Presidentit turk, duke iu referuar edhe borxheve që ne i kemi pas gjërave që ka bërë në Shqipëri?

Përgjigje: Ne nuk i kemi asnjë borxh Presidentit të Republikës së Turqisë apo Republikës së Turqisë sikundër Presidenti i Turqisë nuk na ka ne asnjë borxh sepse mes miqsh dhe në një miqësi vëllazërore nuk ka borxhe. 

Pyetje: Do me thënë nuk do të merrni masë ndaj 'Gylenistëve' në Shqipëri?

Përgjigje: Problemi yt është që ti kërkon edhe pyetjen edhe përgjigjen siç i do ti. Pyetja është e jotja ndërsa përgjigja është e imja.

Pyetje: Z. Kryeministër, në Kuç të Vlorës, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare për numrin e deputetëve që do të merrni. A mund të bëni një parashikim për Bashkitë që do të fitoni?

Përgjigje: Ne jemi Partia Socialiste! Ne jemi kampionët që  gjithmonë hyjnë për të fituar dhe që nuk kanë asgjë tjetër veç fitores si opsion. Aq më tepër që në politikë përgjithësisht nuk ka barazim. Në këtë rast këto janë zgjedhje vendore, janë zgjedhje për komunitetet. Ne nuk do të bëjmë një luftë për jetë a vdekje, në kuptimin e një beteje që do të mbulojë ekranet nga mëngjesi në darkë.

Unë dhe partia do të fokusohemi te Këshillimi Kombëtar. Sigurisht do ti bëjmë të gjithë hyzmetin e nevojshëm këtyre zgjedhjeve. Do të bëjmë detyrat tona sipas kalendarit të organizimit për të qenë të pranishëm në këto komunitete. 

Nuk jemi në kushtet kur është e nevojshme të bëjmë parashikime të asaj natyre.  Ata parashikime ishin të bazuara në analiza shumë të thella shkencore që ne bëjmë.

Ne kemi një makineri të tërë që bëjnë analiza dhe këtë nuk kuptojnë analistët që flasin për cënimin e votës së lirë në Shqipëri. 

Pyetje: A do kërkojë Partia Socialiste aleanca në Bashki të caktuara me synim fitoren e tyre? Rasti i Shkodrës për shembull.

Përgjigje: Dihet botërisht që ne jemi në aleancë me qytetarët. Këshillimi Kombëtar është një hap tjetër për të shtrirë këtë aleancë në funksion të njerëzve dhe vendit, pavarësisht votës. Kjo do të thotë se në Këshillimin Kombëtar i ftoj të gjithë të marrin pjesë pavarësisht sesi kanë votuar apo do votojnë. 

Këshillimi Kombëtar nuk është një proces regjistrimi në Partinë Socialiste apo atashimi pranë qeverisë. Këshillimi Kombëtar është një proces ndërveprimi mes një qeverie dhe meje që duam të jemi në këtë mandat të tretë sa më shumë pranë të gjithëve pa dallim dhe qytetarëve që i drejtohen qeverisë së tyre pavarësisht nëse e kanë votuar apo jo. Në këtë kuptim ne do shkojmë në këto zgjedhje të pjesshme me të njëjtën frymë. Dmth do kërkojmë votat nga qytetarët. Qytetarët do vendosin. Nuk është për ne një luftë për jetë a vdekje.

Pyetje: Z. Rama, dukeni të shqetësuar më shumë për Këshillimin Kombëtar sesa për zgjedhjet e pjesshme apo doni ti lini fushë të lirë opozitës në këto gjashtë Bashki?

Përgjigje: Kjo është tërësisht e vërtetë. Dmth e kam mendjen më shumë të Këshillimi Kombëtar sepse është hera e parë që ndodh. është një nismë që unë dëshiroj të kthehet në një traditë të qeverisë që çdo vit ti drejtohet popullit me pyetje që kërkojnë përgjigje prej saj. 

Në këtë aspekt kjo është një nismë që ka edhe emocionin e nismës së herës së parë. Si për çdo gjë që bëhet për herë të parë nuk e dimë sesi do shkojë. Sigurisht duam edhe të mësojmë nga kjo. Edhe atyre që kanë paragjykime, të cilët i mirëkuptoj, u them të marrin pjesë dhe të mos e paragjykojmë nsimën por ta gjykojmë mbi bazën e produktit që jep. Secili më pas do e ndjejë nëse kjo është gjëja e duhur për të rimarrë pjesë më tutje.

Ndërsa përsa i përket zgjedhjeve të pjesshme, ua thashë, ne jemi Partia Socialiste. Ne jemi njishat. Njëshi nuk hyn kurrë në garë për t'u bërë dysh sepse i bie që të përkulet pastaj. Këto janë zgjedhje që kanë rëndësinë e tyre. Patjetër, nga ana jonë kanë si objektiv fitoren.

Përsa i përket opozitës unë nuk do të doja të merresha me opozitën. I kam thënë ato që kam pasur për të thënë. Opozita është në një proces agonie me dy kufoma m'u në mes të mexhelisit që s'di ç'ti bëjë, ti mbajë, ti qajë, ti heqë apo ti tërheqë. është për të qarë hallin.


Pyetje: A keni një koment për dhunën që ka ushtruar Policia e Shtetit dje duke  nxjerrë zvarrë banorët e '5 Majit' nga shtëpitë e tyre? Duket sikur janë pamje të përsëritura. Sa herë që ka aksione Policia ndërhyn dhunshëm.

Përgjigje: Ato do jenë pamje të përsëritura sa herë që në emër të mbrojtjes së një të drejte individuale do të shkelet e drejta e përbashkët dhe ligji. Unë di që të gjithë banorëve u është dhënë qartësisht drejtim. Qartësisht të gjithë banorët kanë mundësi të përfitojnë të drejta që u takojnë. Asnjë banor nuk  hidhet në rrugë.
Zhvillimi  i këtij vendi dhe e mira e përbashkët nuk mund të merret peng nga askush.

Kështu që sa herë do të ketë banorë që bëjnë këtë aq herë do të shikoni Policinë që do bëjë detyrën e vet. 

Nuk është dhunë por është ushtrimi i forcës së ligjit për të gjithë ata që i dalin përpara shtetit dhe njerëzve me forcë. 

Pyetje: Përse nuk kërkoni opinionin e banorëve të '5 Majit'?

Përgjigje: Opinioni i të gjithë banorëve është dëgjuar me dhjetëra herë. Ajo që duhet t'u interesojë juve është të verifikoni këtë që po them unë: A janë këta banorë të hedhur në rrugë të madhe apo këta banorë janë secili me një mundësi tjetër sikurse u takon? Këtë duhet të verifikoni ju. Unë po ua them që është kjo e dyta.

Ne do rindërtojmë të gjitha apartamentet për të pastrehët. Do bëjmë një program kombëtar strehimi shumë më të madh që shkon përtej tërmetit. Do u japim të gjithëve atë që u takon.

Askush nuk mund ti imponohet një komuniteti dhe një shteti për të mbajtur atë që nuk i takon sepse bëhet fjalë për ndërtime të paligjshme dhe pavarësisht kësaj atyre u është ofruar kompensim. Çfarë mund të bëjmë më shumë se kaq ne?

Në demokraci të gjithë duhet të kenë të drejtën për t'u dëgjuar por nëse dëgjohen të gjithë atëherë nuk marrin kurrë asnjë vendim.
Faleminderit!

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm