Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Fokusi i Kongresit të Partisë Socialiste do jetë te vizioni “Shqipëria 2030” dhe programi qeverisës i mandatit tonë të tretë

Të reja

Fokusi i Kongresit të Partisë Socialiste do jetë te vizioni “Shqipëria 2030” dhe programi qeverisës i mandatit tonë të tretë

11 Jun 2021    

Deklarata për mediat e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Nesër Partia Socialiste feston 30- vjetorin e saj, mirëpo urimet nuk bëhen dot sot. Ky është një moment historik në rrugëtimin e Partisë Socialiste, e cila gjatë gjithë këtyre 30 viteve ka një kontribut të veçantë në jetën politike të vendit. Është e vetmja forcë politike që gjatë këtij rrugëtimi nuk i ka bërë asnjëherë dëm interesave të vendit. Partia Socialiste ka kontribuuar në mënyrë të vazhdueshme në forcimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe çuarjen përpara të atyre reformave, që na kanë afruar më shumë se kurrë me Bashkimin Europian.

Pjesa e parë e Kongresit që do të mbahet nesër do ti dedikohet rrugëtimit 30-vjeçar të Partisë Socialiste. Do risjellim në vëmendje gjithë kontributin e vyer të të gjithë progresistëve që kanë kontribuar për Partinë Socialiste dhe për një Shqipëri europiane.

Në pjesën e dytë të Kongresit do të jetë prezantimi i vizionit tonë “Shqipëria 2030”.  Në këtë kontekst do të bëhet edhe një prezantim i përmbledhur i objektivave, programit tonë për mandatin e ri qeverisës, që do të jetë boshti i qeverisë “Rama 3”.

Do të kemi edhe një pjesë tjetër që përfshin procesin e një analize të thellë  dhe ri-organizimit të plotë të strukturave të Partisë Socialiste në të gjithë territorin dhe në të gjitha nivelet.

Dua ta nënvizoj, në mënyrë që të jetë shumë e qartë për të gjithë strukturat e Partisë Socialiste, se ndoshta në dy zgjedhjet e kaluara qendrore ne nuk kemi bërë një analizë të duhur dhe të thellë për të kuptuar se në cilat pjesë të organizimit tonë strukturor ne nuk kemi funksionuar si duhet.

Në këtë këndvështrim ne po i japim vetes shumë kohë, procesi fillon më 15 qershor dhe përfundon më 15 janar 2022. Kështu, në pranverën e vitit 2022 e gjithë struktura organizative e Partisë Socialiste ti përgjigjet pritshmërive të Kryetarit Edi Rama dhe gjithë kolegëve të tjerë në përgatitjen e zgjedhjeve vendore 2023.

Besoj se një leksion e kanë marrë të gjithë, edhe fituesit edhe humbësit e SHQUP-it, që nëse do të fitosh një palë zgjedhje përgatitja fillon direkt pas përfundimit të zgjedhjeve paraardhëse.

Pyetje: Z. Balla do ketë emra të Kryesisë në Kongres? Nëse nuk do ketë nesër, kur do zgjidhet Kryesia e re e Partisë Socialiste?

Përgjigje: Nesër unë do t’ju vendos në dispozicion të gjithë dokumentacionin që do të miratojë Kongresi për të qenë transparent me ju dhe publikun.

Partia Socialiste e Shqipërisë është një parti me shumë rregulla dhe respektimi i këtyre rregullave na bën të kuptojmë sesi po ecën ky subjekt. Pra, nesër mblidhet organizmi më i rëndësishëm i Partisë Socialiste sikurse është Kongresi që do të miratojë procesin e analizës dhe ri-organizimit në të gjitha nivelet. Fillojmë nga niveli i organizatave, këshillave socialiste në nivel njësie, të asambleve në nivel bashkie, këshillave koordinues të qarkut, Asambleja Kombëtare dhe në fund tek Kryesia e Partisë.

Çdo anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste është delegat i Kongresit.

Pjesa e parë të Kongresit do i jetë dedikuar të gjithë atyre vlerave që kontribuuan në krijimin e kësaj force politike. Partia Socialiste është e vetmja forcë politike në këtë vend që në 30 vite  në asnjë moment nuk ka dhënë kontribut negativ, veçse kontribute pozitive  në rrugëtimin e Shqipërisë Europiane.

Pyetje: Z. Balla, cilat do të jenë mesazhet pozitive që do të përcillen në Kongresin që do mbahet nesër?

Përgjigje: Unë nuk besoj se ju keni ardhur sot këtu që unë t’ju zbardh pjesën themelore të mesazheve politike, që ne do japim nesër si forca me e madhe politike në të gjitha trojet shqiptare.

E ri-nënvizoj se ka një rëndësi të veçantë në këtë 30-vjetor fjala e Kryetarit Rama që lidhet me vizionin tonë “Shqipëria 2030” dhe programin qeverisës të mandatit tonë të tretë. Prej sot fillon përgatitja jonë për të fituar mandatin e katërt në vitin 2025.

Një parti politike si Partia Socialiste hyn në çdo palë zgjedhje për ti fituar ato. Në këtë këndvështrim është shumë e rëndësishme që fokusi ynë të jetë te programi qeverisës, reformat e rëndësishme që duhet të çojmë përpara dhe ri-shprehja e vullnetit tonë të palëkundur për një frymë të re politike në vend. Bashkë me opozitën, që është Partia Demokratike, duhet të krijojmë një mundësi bashkëpunimi në dobi të interesave të vendit.

2021-shi është një vit tepër i rëndësishëm për Shqipërinë. Brenda këtij viti do të mbahet Konferenca e parë ndërqeveritare Shqipëri – BE që do të konkludojë me  hapjen ceremoniale e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Ky proces i fundit që çon në anëtarësimin e Shqipërisë në BE, kërkon më shumë përgjegjësi nga të gjitha palët.

Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Kryeministri Edi Rama ka shprehur shumë qartë gadishmërinë për të krijuar një frymë të re dhe komunikim të ri me opozitën, e cila duhet të gjejë veten për të dhënë kontributin e saj në  këtë proces historik.

Në legjislaturën e re të Kuvendit do të na ofrohet mundësia për të krijuar një dialog politik në funksion të disa reformave të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Unë mendoj se ne i kemi të gjitha mundësitë të identifikojmë çështjet për të cilat do të kemi dakordësi me Partinë Demokratike.

Pyetje: Partia Demokratike thotë se nuk do të bashkëpunojë me ju, sepse ju akuzon për një masakër elektorale. Arsyeja përse po e shtrini kaq shumë dorën e bashkëpunimit a lidhet me faktin që nuk do keni më një shumicë të cilësuar? Nëse do të kishit 84 vota në Parlament a do ta kërkonit kaq shumë bashkëpunimin e me opozitën?

Përgjigje: Ju e dini se shpesh herë unë kërkoj edhe 94 vota në Kuvend.

Me opozitën e re nuk i keni këto vota!

Deputetët në sallën e Kuvendit të Shqipërisë prej 26 shkurtit 2019 janë deputetë të ardhur nga listat e PD dhe LSI. Ne duhet të jemi korrektë. Partitë politike kur propozojnë kandidatët për deputetë janë përgjegjës për secilin prej tyre.

Në Kushtetutën e Republikës është e shpjeguar shumë qartë që deputeti është përgjegjës për të gjitha veprimet që merr.

Unë besoj se në këto 30 vite çdo parti politike ka mësuar se kundërshtari nuk zgjidhet. Duhet të pranosh për kundërshtarë atë që ke përpara. Në këtë fushë institucionale sikurse është Kuvendi, përballë Partisë Demokratike është Partia Socialiste.

Ne kemi gjithë dëshirën për të krijuar ura komunikimi. Është në dorën e Partisë Demokratike nëse dëshiron ose jo të bashkëpunojë. Rruga e bojkotit, rruga e mos-komunikimit, mungesa e dialogut nuk e ka çuar asgjëkundi Partinë Demokratike.

Pas “etheve” të së dielës që lidhen me procesin zgjedhor brenda PD-së, unë mendoj se z. Basha do kuptojë se kundërshtari politik i PD është PS-ja. Është e rëndësishme të ngremë një komunikim të ri që ti përgjigjet pritshmërive të shqiptarëve në një vit kur Shqipëria ka filluar negociatat për anëtarësim në BE. Në këtë këndëvshtrim besoj se z. Basha do pranojë bashkëpunimin.

 

Pyetje: Z. Balla, si e komentoni përfshirjen e Shqipërisë në listën e sanksioneve nga SHBA lidhur me personat që kanë kontribuuar në destabilizimin e vendit dhe janë përfshirë në korrupsion?

Përgjigje: Unë e përshëndes. Besoj se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë në atë listë. Një rritje e vëmendjes së institucioneve të SHBA, me asistencën e tyre, përkundrejt një lufte të përbashkët kundër korrupsionit është një akt i mirëpritur. Më është dukur shumë qesharak reagimi i atyre që janë shpallur zyrtarisht si persona të identifikuar nga SHBA që kanë një kontribut negativ në forcimin e shtetit të së drejtës dhe dobësimin e luftës kundër korrupsionit. Do t’u sugjeroja që të heshtin.

Dua të përshëndes SHBA për të gjithë mbështetjen që i jep Shqipërisë sidomos në çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi dhe për aleancën strategjike që ne kemi në kuadrin NATO-s dhe atë bilateral. Stërvitja e përbashkët “Defender 21” ishte një moment krenarie.

******                                        *******                                    ******

Sot ju gazetarët keni një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit. Me aq sa unë jam informuar, dua t’ju sqaroj se nuk ka pasur asnjë qëllim negativ nga ana e Kuvendit të Shqipërisë karshi jush.

Natyrshëm ka pasur një përpjekje për t’u përafruar me eksperiencat më të mira të Parlamenteve Europiane që brenda atyre sallave të vogla të Komisioneve Parlamentare, mbulimi me pamje dhe zë të veprimtarisë parlamentare të jetë sipas standardeve më të mira.

Unë do ju sugjeroja të vazhdoni dialogun dhe të gjeni një zgjidhje që ruan një standard që ka çdo parlament tjetër. Unë kam parë me vëmendje shpesh herë Parlamentin Europian, Bundestagun gjerman që ka një vend të caktuar për të gjithë gazetarët që ndjekin mbledhjet dhe marrin të gjithë informacionin e nevojshëm.

Madje ne duhet ta rrisim kapacitetin e njerëzve që punojnë në Kuvendin e Shqipërisë për t’u vënë gazetarëve në dispozicion transkriptet.

Në këtë këndështrim besoj se do gjeni një zgjidhje që i kënaq të gjithë. Ju siguroj që transparenca e vendimmarrjes nuk do mungojë kurrë.

Pyetje: Z. Balla, keni komunikuar me Partinë Demokratike për të vijuar punën për Reformën Zgjedhore?

Përgjigje: Reforma Zgjedhore kryhet nga Kuvendi i Shqipërisë. Sapo të fillojmë punën në 9 shtator një ndër vendimet e para që Kuvendi do marrë është ngritja e një Komisioni të Posaçëm për një Reformë të thellë zgjedhore dhe veprimtarive të partive politike.

Kemi disa ligje që rregullojnë funksionimin dhe transparencën e partive politike.

Unë ju sugjeroj të mos shpreheni përpara, sepse rregullat e lojës duhen përgatitur në kohë.

Të mos harrojmë se zgjedhjet vendore janë pas 2 vitesh. Kemi përfshirë në Kodin e Reformës Zgjedhore edhe dispozita tranzitore që do bëjnë të mundur të kemi një palë zgjedhje ku partitë politike të mos kenë asnjë lidhje me komisionerët e vëzhguesit.

Do ti lutesha z. Basha që deklarimet në kuadër të fushatës së brendshme në PD, të mos i përfshijë në një kuadër më të gjerë të dialogut dhe nevojës për të ngritur në kohë Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Ju ftoj nesër të vini të gjithë në Kongresin e Partisë Socialiste. Gjithësecili prej jush do ketë aksesin e plotë në zhvillimet e këtij Kongresi.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm