Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Fjala ne Kuvend e deputetit Fatmir Xhafaj

Të reja

Fjala ne Kuvend e deputetit Fatmir Xhafaj

17 Jul 2008    
Raporti i paraqitur nga Prokuroria e Përgjithshme, në vlerësimin tonë, është një raport realist dhe pasqyrues i realitetit në organin e akuzës dhe veprimtarinë e tij një vjeçare. Ky raport nëpërmjet treguesve voluminozë të prezantuar shpreh punën dhe angazhimin e dhjetëra punonjësve të këtij institucioni, shumica dërmuese e të cilëve prokurorë seriozë e profesionistë, që në kushte shpesh të papërshtatshme, ndeshen në emër të shtetit me krimin.

Me këtë rast, e ndjej detyrim si deputet, por dhe si koleg i tyre t'ju shpreh prokurorëve e oficerëve të policisë gjyqësore pranë tyre, vlerësimin tonë për angazhimin e treguar në veprimtarinë e tyre në emër të shtetit dhe njëherësh mbështetjen e nxitjen për më shumë profesionalizëm e përgjegjshmëri në veprimtarinë e tyre në mbrojtje të ligjit dhe në respektim të lirive e të drejtave të njeriut.

Ky raport megjithatë, ka një veçanti, ai pasqyron punën e këtij institucioni në dy kohë të ndryshme. E para kur ai drejtohej nga ish Prokurori i Përgjithshëm z. Theodhori Sollaku dhe e dyta, kur drejtohet për rreth 7-8 muaj nga znj. Ina Rama. Por çfarë ndodh ? Cilido që e ka lexuar këtë raport konstaton lehtësisht se treguesit e punës së vitit 2007 të prezantuar aty, në shumë aspekte janë tregues pozitiv krahasuar me vitin 2006. Për të gjitha ato çfarë ju akuzuat me një mllef të paparë politik prokurorinë në fundin e vitit 2007 dalin krejt të pavërteta nga treguesit e punës së paraqitur nga ky raport, i prezantuar këtu. Po marr vetëm njërin prej tyre.

Ju në këtë sallë dhe në një sërë konferencash për shtyp, duke përdorur zellin politik të Ministrit të Drejtësisë, një zell i shprehur dukshëm, tipik prej një ushtari të bindur të repartit partiak, pretenduat rreth 8 muaj më parë se raportet mjekësore për rreth 27 të dënuar të liruar nga gjykata ishin false dhe se kjo provonte papërgjegjshmërinë e veprimin korruptiv të prokurorëve se kishin lejuar që kriminelët e rrezikshëm të dilnin rrugëve të vendit. U angazhuat solemnisht edhe se kjo do të shërbente si shkak për të kërkuar rishikimin e vendimit të lirimit të tyre, se ata prokurorë e gjyqtarë që ishin pjesëmarrës në këto vendime do të ndëshkoheshin penalisht etj. Raporti provon krejt të kundërtën e asaj ç'ka deklaruat. Asnjë vendim rishikimi s'kemi. Të 27 të liruarit, sipas jush pa të drejtë, vazhdojnë të ecin rrugëve bashkë me ju. Asnjë masë disiplinore për gjyqtarë e prokurorë nuk ka pasur e s'ka si të ketë. S'ka se si të ketë, sepse e gjithë akuza juaj kishte në themel të pavërtetën, ishte si përherë e motivuar politikisht.

Të njëjtën gjë provon raporti dhe deklarimet e Prokurores së Përgjithshme lidhur me ekstradimet, pafajësitë e dhëna, çështjet për korrupsionin etj etj. Të gjitha ato akuza gjejnë përgjigje pikërisht në këtë raport, në drejtim të përkundërt me mënyrën që u shqiptuan dje.

Ky raport që kemi para nesh vërteton se mali i akuzave ndaj prokurorisë dhe ish drejtuesit të saj ka qenë tërësisht i motivuar politikisht, i frymëzuar politikisht dhe me një prapavijë krejt të qartë gjithashtu politike. Ky raport ndihmon gjithashtu për të provuar edhe vërtetësinë e Vendimit Nr.12, datë 20 maj 2008 të dhënë nga Gjykata Kushtetuese për të tretën herë për të njëjtin objekt shqyrtimi. Ky vendim i GJK ka deklaruar antikushtetues objektin dhe veprimtarinë e Komisionit hetimor, komisionit blic më qesharak të bërë në ndonjë vend të këtij planeti. Ky vendim e ka konsideruar antikushtetues, të pambështetur në ligj, hetimin tuaj parlamentar për shkarkimin e ish prokurorit të përgjithshëm. Ky raport gjithashtu e konfirmon tërësisht një gjë të tillë.

Duke thënë këtë, PS rithekson dhe njëherë se duke u ngritur në mbrojtje të kauzës së organit të akuzës, ne nuk kemi mbrojtur kurrsesi thjesht e vetëm ish-drejtuesin e saj, por parasëgjithash institucionin e prokurorisë, nuk kemi mbrojtur thjesht individin, por parimet, nuk kemi mbrojtur një emër konkret, por parimin kushtetues të pavarësisë së institucioneve kushtetuese të sistemit të drejtësisë.

Do të ishte në nderin tuaj, veçanërisht të disa prej kolegëve të mi të djathtë që unë mendoj se kanë mundësinë për ta bërë një gjë të tillë, që më së paku të kërkoni ndjesë për ç'farë ka ndodhur në këtë sallë dhe kryesorja të reflektoni për një sjellje ndryshe ndaj sistemit të drejtësisë në tërësi dhe gjyqësorit e prokurorisë ne veçanti. Do të ishte një hap i parë i mbarë që të tregonte se ju besoni në kushtetutë e në ligj, se ju besoni te parimet e shenjta të shtetit të së drejtës, se ju pranoni që në këtë vend pushtetet janë të ndara dhe duhen respektuar si të tillë.

Kjo ka pak gjasa të ndodhë. Sepse kjo nuk është filozofia e kryeministrit tuaj që në këto 18 vjet, shpifjen, përbaltjen e fyerjen deri edhe për jetën private të njerëzve, e ka pasur dhe e ka tiparin dallues të politikës së tij, të politikës së tij të vjetër që ka mbajtur e mban peng demokracinë e brishtë të këtij vendi. Kjo s'është ajo që mendoni jo pak prej jush, por është ajo për të cilën vetëflijohen politikisht me shumë dëshirë disa nga ju që shndërrohen në gjyle për top duke sulmuar symbyllurazi institucionet kushtetuese dhe cilindo që kryeministri juaj e sheh të panënshtruar nën pushtetin e tij.

Ka pak gjasa të ndodhë edhe sepse faktet më të fundit provojnë se politika juaj në këtë aspekt mbetet e njëjta, e pandryshuar, peng i filozofisë së konfliktualitetit dhe përpjekjes për nënshtrim të institucioneve të pavarura. Në një sërë deklarimesh publike nga Kryeministri juaj, por dhe jo pak deputetët të djathtë në këtë sallë kanë artikuluar sulme të ashpra ndaj prokurorisë dhe prokurorëve të pa identifikuar, pra në një goditje për përgjegjësi kolektive, për lidhje me krimin, shitje te krimi, marrje ryshfetesh etj të tilla. Në këta muaj kemi parë një skenë tjetër të dhimbshme. Kemi parë se si shteti dhunon haptas institucionin e prokurorisë në mbrojtje të një nënpunësi të akuzuar për një krim tejet të rëndë, kemi parë se si një nënpunës shteti si drejtori i tatimeve shoqërohet me 3 truproja me makinë zyrtare të tipit të fundit dhe se si një prokuror i krimeve të rënda del po nga e njëjta derë me dosjet e shtetit në dorë dhe me makinë private !!! Ky është kontrasti i hidhur i krijuar nga antishteti, nga antiligji, ky është respekti i pushtetit arrogant ndaj njerëzve të ligjit dhe vetë ligjit.

Këto ditë kemi parë ministrin e drejtësisë në detyrë, që me shumë zell partiak ka nisur të flasë për shkarkime prokurorësh e gjyqtarësh deri edhe për një fushatë ndjekjesh penale ndër ta. Kjo fushatë inkuzicioniste e ministrit synon të japë goditje në disa aspekte. Një ndër objektivat kryesore është padyshim vet kryeprokurorja dhe ekipi i saj. Po nxitohet ti vihen në tavolinë një sërë dosjesh, një pjesë e të cilave në vlerësimin tim, janë akuza tërësisht abuzive, me qëllimin e vetëm për ta vënë përpara presionit publik për mosveprim. Synimi është tërësisht politik. Kërkohet të nënshtrohet dhe të bashkëpunoj me klanin në pushtet ose në rastin më të keq të paktën të heshtë lidhur me proceset që shkojnë gjithnjë e më shumë edhe drejt përgjegjësisë ligjore të kryeministrit. Një skenar tërësisht ogurzi i organizuar mjeshtërisht nga shefi juaj, por i ekzekutuar keq nga kamikazët e skalionit të dytë politik.

Në këta pak muaj nga ardhja e saj në krye të prokurorisë, edhe vetë znj.Rama është vënë si me telekomandë nën një sulm të telekomanduar. E gjitha kjo vetëm e vetëm si një presion i hapur për shkak të hetimeve specifike që po kryen prokuroria lidhur me dy nga skandalet më të mëdha të kësaj qeverisjeje skandaloze : megavjedhjen nga fondet publike dhe të borxhit publik në rrugën Durrës - Kukës dhe krimin shtetëror me pasojë ngjarjen tragjike të Gërdecit. Tani “Silvia Konti dyshohet dhe nuk pëlqehet më sepse, të paktën deri më tani, nuk duket të ketë përmbushur kërkesën e kësaj maxhorance dhe kreut të saj për të qenë një kukull gjithashtu e telekomanduar edhe e partisë në pushtet.

Ne dëshirojmë të inkurajojmë hetimin e këtyre dy skandaleve të rëndë, më të rëndëve në këto vite pluralizëm, sepse nëpërmjet tyre, ashtu siç ka dalë deri më tani nga hetimi publik i opozitës, i vetë opinionit, por dhe nga hetimet ndërkombëtare që janë duke u kryer gjenden të përfshirë maja e piramidës shtetërore. Hetimi profesional, i paanshëm dhe në respektim të kushtetutës e ligjit në këto dy çështje - janë kufiri dhe guri i provës për vet znj.Rama në funksionin shumë të rëndësishëm që ajo vetë ka marrë përsipër t'a mbajë në shpatullat e saj, është çertifikata që do të marrë vetë institucioni i prokurorisë për pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e tij në ushtrimin e detyrës. Në të kundërt, humbja do të ishte e madhe, sigurisht edhe për individin, por para së gjithash për institucionin, për drejtësinë, për shtetin e së drejtës dhe besimin e qytetarit tek drejtësia.

Të gjithëve ne na mbetet të presim, të inkurajojmë shpejtësi e paanshmëri në hetime, ndërsa qeverisë së vënë nën akuzë i takon edhe diçka më shumë se kaq. Të mbylli gojën, të heshti në detyrim të ligjit dhe të ndërpresë çdo lloj sulmi ndaj prokurorisë, t'i japë asaj edhe për këtë shkak, gjithë mbështetjen e nevojshme përfshi këtu mbështetjen me fonde buxhetore, mbrojtjen e jetës së prokurorëve dhe kryesorja të respektojë ligjin për të thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

Të nderuar deputetë,

Nga një vështrim konkret i shifrave vihet re se krimi në disa nga zërat e tij vlerësohet në rritje. Një tregues tjetër ky që dëshmon se realiteti konkret shqiptar është krejtësisht larg deklaratave të sheqerosura që jepen nga zyra e qeverisë që në rastin më pak të keq dëshmojnë mosnjohjen e problemit nga ana e saj dhe në rastin akoma më të keq, gënjeshtrën e saj publike. Raporti i Prokurores së përgjithshme ndër të tjera provon, por edhe shifrat zyrtare të publikuara nga gjykata e krimeve të rënda provojnë gjithashtu se për vitin 2007 janë në proçes hetimi e gjykimi rreth 31 çështje penale me rreth 101 të pandehur, prej të cilëve rreth 25 janë dënuar dhe 51 janë në proces gjykimi. Ndërkohë që kryeministri në fushatat e tij publike raporton për rreth 500 grupe kriminale të goditura nga qeveria e tij. Nuk dua të them me këtë se edhe këto shifra tregojnë qarte se kryeministri ynë mashtron se kjo është një gjë që dihet tashmë. Nuk e kam me merak se pse gënjeu edhe kësaj rradhe në mes të ditës, sepse përditë bën të njëjtën gjë. Kur mashtron për bukën e gojës, për pensionet, për rrugët, energjinë e ujin, për lekun e shpallur në kërkim nga miliona njerëz në këtë vend ç'problem e ka kryeministri ynë të dhjetëfishojë disa shifra për kriminelët. Fundja ka një gjë që ja vlen “të krenohet ky vend dhe njerëzit e tij të dërrmuar në shpresën e tyre. Vërtet është shpallur leku në kërkim, nuk ka punë, bukë, pensione, paga e rrugë, drita e ujë, por ama jemi para të gjithëve, para edhe Europës e Amerikës për numrin e kriminelëve, e jo të çdo lloj krimineli, por ata shumë të rrezikshëm, “të kapur nga qeveria e kryesherifi ynë. Edhe kjo provon gjithashtu se fatkeqësisht ende tek ne nuk funksionon shteti i së drejtës, institucionet e saj, por përkundrazi kërkohet të flas vec qeveria ... dhe të hesht drejtësia...!!!

Në diskutimin tim dua të prek dhe një moment tjetër. Gjatë inkuizicionit të pashembullt që ju ndërmorën për gati dy vjet rresht deri në dimrin e kaluar kundër institucionit, një nga kryefjalët që kishit ëndje t'a përdornit ishte nevoja për reformë urgjente në këtë institucion dhe biles duke përdorur termin “reforma thelbësore. Por që atëherë ka vetëm një ndryshim kushtetues që kufizon mandatin e prokurorit të përgjithshëm dhe asnjë sinjal tjetër se po përgatitet ndonjë reformë, asnjë debat publik për përmasat dhe thellësinë e kësaj reforme. Ende nuk keni prodhuar asnjë dokument publik për të treguar vizionin tuaj, për të përmbushur në fund të fundit detyrën tuaj ligjbërëse. Një provë më tepër kjo, që ju donit lëvizje emrash dhe jo shkundje të institucionit që “flinte mbi dosje dhe që tani e doni vërtet me sy të mbyllur përballë mëkateve dhe paudhësive tuaja.

Kur flas për reforma nuk kam parasysh kurrsesi makiazhin e radhës të ligjit ekzistues për ta barazuar me reformën dhe në funksion të qëllimit justifikues për efekt të raportimeve ndërkombëtare. Përkundrazi. Një reformë reale duhet të synojë pikërisht demokratizimin e Prokurorisë, garantimin e statusit të prokurorit dhe veçanërisht mbrojtjen e institucionit nga ndikimet e politikës që do të thotë të garantojë që askush, edhe vet zgjedhja politike e prokurorit të përgjithshëm të mos ndikojë dot politikisht ushtrimin e ndjekjes penale dhe garancinë e qëndrimit në detyrë të prokurorëve. Kjo do të kërkojë ndër të tjera një sistem të ri vlerësimi, karriere e procedimi të prokurorëve gjë që do të thotë gjithashtu një ridimensionim të rolit e funksionit të Këshillit të Prokurorisë si një institucion të pavarur, me kompetenca vendim-marrëse. Një model i tillë, njëherësh, do të demokratizonte Prokurorinë, do t'a mbronte atë nga ndikimet politike dhe do të garantonte statusin e prokurorit nga procedimet dhe masat disiplinore arbitrare. Nëse do të kishim një sistem të tillë nuk do të bëhej e mundur që me një të rënë të lapsit presidencial të transferoheshin pa asnjë kriter, motivacion e proces të rregullt ligjor jo pak, por 14 prokurorë dhe e gjitha kjo në emër të ristrukturimit që në vlerësimin tim të bërë publik ishin dhe mbetën lëvizje të pamotivuara, me frymëzim politik e klientelist në shumicën e tyre, të urdhëruar ndoshta dhe jashtë vullnetit të Kryeprokurores. Ashtu sikundër më duhet të vlerësoj pozitivish disa prej emërimeve në prokuroritë e shkallës së parë.

Partia Socialiste, ashtu siç e ka deklaruar shpesh herë publikisht, është e gatshme të bëhet pjesë e kësaj reforme, të japë kontributin e saj dhe të plotësojë atë paaftësi ngjethëse dhe atë qasje të dyshimtë që ju keni ndaj këtij institucioni. Jemi të hapur për bashkëpunim jo si një varkë shpëtimi për ju, por sepse jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij institucioni. Nesër ne do ta bëjmë me përgjegjshmërinë që meriton një reformë reale, sepse do t'a bëjmë për qytetarin shqiptar që përditë e më shumë ndjehet i zhgënjyer nga pritshmëria për drejtësinë e munguar, ndjehet i etur për më shumë cilësi në dhënien e drejtësisë.

Ju faleminderit !

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm