Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Fino per raportin e punes se Prokurorise se Pergjithshme per vitin 2007

Të reja

Fino per raportin e punes se Prokurorise se Pergjithshme per vitin 2007

17 Jul 2008    
Më së fundi, pas tre vitesh shikojmë në këtë sallë të parlamentit shqiptar drejtuesin e institucionit kushtetues, që na raporton për gjendjen e kriminalitetit në vend, na jepet edhe ne mundësia për të diskutuar. Në dhunim të hapur të dispozitës kushtetuese, neni 149, pika 4 të saj, Prokurori i Përgjithshëm nuk është lejuar të informojë në këtë sallë dhe nëpërmjet kësaj salle gjithë opinioni publik për situatën e kriminalitet në vend. Arsyeja ka qenë e thjeshtë:

Të mos i jepet opinionit publik situata reale e kriminalitetit dhe e shkaqeve të tij. Gjatë këtyre tre viteve ne kemi dëgjuar vetëm kryeministrin e vendit të fliste për shifrat e goditjes së kriminalitetit, për shkatërrimin e qindra grupeve kriminale për goditjen e qindra zyrtarëve për korrupsion etj etj.

Por ja që sot, ne, nga goja e institucionit përgjegjës kushtetues, dëgjojmë realitet tjetër. Mësojmë se ato çfarë kryeministri ja ka servirur opinionit publik janë vetëm, mashtrime. E vërteta vonon, por nuk mungon thotë një fjalë e urtë e popullit.

Jemi në segmentin e fundit të mandatit të kësaj qeverie dhe për të gjithë është mëse e qartë se nuk mund të gënjehemi më nga kryeministri, prandaj bëra edhe pyetje në komisionin e ligjeve për grupet kriminale. Kush ka të drejtë kryeministri ynë që s'gënjen kurrë apo Prokurorja e Përgjithshme e re.

Kryeministri ynë ka folur për 500 grupe kriminalë (këto ditët e fundit e ka zbritur në 200), ndërkohë shifrat zyrtare që Prokurorja e Përgjithshme raportoi, tregoi se janë 31 të tilla gjatë viteve 2006- 2007. Kryeministri flet për qindra zyrtarë të akuzuar për korrupsion, ndërsa shifrat e prokurorisë flasin për situatë të njëjtë goditje si vite më parë, nuk janë më shumë se 50 zyrtarë të nivele të ulëta që janë proceduar.

Në këtë sallë të Kuvendit për gati dy vite më radhë jemi marrë me Prokurorin e Përgjithshëm, që gjoja nuk kishte arrestuar 220 kriminelë që i kërkonte Interpoli kudo në botë, se treguesit e punës së Prokurorisë në vitin 2007 ishin më të dobëta se në vitin 2006, se nuk ishin rifilluar çështje që kishin marrë pafajësinë me vendime gjyqësore të formës së prerë dhe se Prokurori i Përgjithshëm nuk kishte kthyer në burg shumë nga të burgosurit, që ishin liruar si gjoja të sëmurë e se nuk kishte ndjekur penalisht asnjë gjyqtar e prokuror, që kishte marrë pjesë në këto gjykime. Këto ishin akuzat për të cilat u shkarkua Prokurori i Përgjithshëm dhe që u mor për 2 ditë komisioni i famshëm “Xhaferraj, rezultatet e të cilit ju të maxhorancës i miratuat në këtë sallë.

Në Komisionin e Ligjeve, por edhe sot, ne dëgjuam nga goja e Prokurores së Përgjithshme se asnjë nga ato akuza nuk kanë pasur bazë ligjore dhe kushtetuese, çka vërteton qëndrimin e drejtë të opozitës në çështjen ndaj institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm. Ne dëgjuam dhe mësuam sot nga Prokurorja e Përgjithshme se Shqipëria edhe sot nuk ka bazën e nevojshme ligjore dhe kushtetuese për të ekstraduar jashtë shtetit shtetasit e vet (përjashto me SHBA), se treguesit punës janë më të mirë në vitin 2007 se në vitin 2006, se vendimet gjyqësore që kanë liruar disa të burgosur për shkak sëmundjeje janë të ligjshme, se vendimet gjyqësore që kanë marrë formë të prerë nuk mund të rifillohen nga prokurori.

Argumenteve të prokurores për inekzistencën e shkaqeve, çështjeve që shërbyen për shkarkimin e paraardhësit të saj, po t'i shtojmë edhe argumentet e dhënë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese numër 12, të datës 20 Maj 2008, në të cilin u ritheksua që Kuvendi nuk kishte të drejtë të merrej fare më ato çështje, që i përkasin prokurorisë, arrijmë në përfundimin se kjo maxhorancë ka pasur dhe ka objektiv të saj shkatërrimin e institucioneve të pavarura dhe jo forcimin e tyre.

Zonja Prokurore, fillimi i punës tuaj duket se është i mbarë. Prokuroria po vazhdon në të njëjtën linjë si në kohën e paraardhësit tuaj. Ju keni fatin që sulmet e paprincipta që ju bënë paraardhësit tuaj të mos përsëriten në kurrizin tuaj, për më tepër që jeni dhe femër, packa se kur merr inat Saliu nuk pyet as për ligj, as për moral dhe as për Kanun.

Por ju duhet të tregoheni e vendosur, e pavarur dhe e përgjegjshme, në përmbushje të asaj përgjegjësie që Kushtetuta u jep. Mbani larg si influencat e Saliut, ashtu edhe ato të Bamirit. E përmenda këtë të fundit jo paqëllim. Kam dëgjuar presidentin në mbledhjen e fundit të Prokurorëve, se bashkëpunimin me ju e ka pasur dhe e ka shumë të mirë. Ju lutem mos pranoni bashkëpunim të tillë në ushtrimin e përgjegjësive, sepse përgjegjësia është vetëm e juaja në çështje penale. Besoj e dini që presidentin me kryeprokurorin e lidhin vetëm problemet e kuadrit dhe se bashkëpunimi me presidentin për çështje konkrete është i dëmshëm, antikushtetues, komprometues.

Prandaj sa më pak bisedo me presidentin e kryeministrin për çështje konkrete. Kjo është e rëndësishme sepse pas një vitit Saliu ikën nga politika dhe nuk duam, që një politikan i nderuar si Bamiri të na bëhet si Saliu pa e kuptuar edhe ai vetë.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm