Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Falenderojmë Misionin e OSBE/ODIHR për profesionalizmin dhe angazhimin e pandërprerë në përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri

Të reja

Falenderojmë Misionin e OSBE/ODIHR për profesionalizmin dhe angazhimin e pandërprerë në përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri

27 Jul 2021    

Deklarata për media e Sekretarit Organizativ të Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi:

Në raportin përfundimtar të publikuar ditën e djeshme, nga institucioni i gjithëpranuar ndërkombëtar për çertifikimin e standardeve të zgjedhjeve, ODIHR duke rikonfirmuar gjetjet e raportit paraprak, vlerëson se:

 “Në zgjedhjet e 25 prillit, zgjedhësit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve, të cilët mundën të bënin fushatë në mënyrë të lirë dhe në kushtet e një kuadri ligjor që respekton liritë themelore. Pas një marrëveshjeje të re që i dha fund një ngërçi politik, aktorët kryesorë patën besim të mjaftueshëm për të marrë pjesë në zgjedhje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), tashmë i reformuar, iu përkushtua mbikqyrjes së procesit zgjedhor në mënyrë të organizuar dhe transparente, pavarësisht detyrimeve të reja të konsiderueshme, duke përfshirë edhe zbatimin e teknologjive të reja.”

Është i qartë dhe pa asnjë ekuivok vlerësimi më pozitiv i dhënë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri nga ODIHR.

Merita e padiskutueshme u takon qytetarëve shqiptarë që shprehën vendosmërinë e tyre për të ushtruar të drejtën e votës në përputhje me rregullat dhe standardet në fushën e zgjedhjeve.

Më lejoni të citoj disa argumenta në mbështetje të këtij kontatimi:

1.   Për sa i përket administrimit të procesit zgjedhor, në raport përshkruhet pozitivisht puna e KQZ së re ku sipas ODIHR:

“Zgjedhjet parlamentare u organizuan përgjithësisht mirë nga administrata zgjedhore. Komisioni i sapoformuar Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u përball me detyrime të reja të zgjeruara pas ndryshimeve të fundit ligjore. Pavarësisht vonesave, duke përfshirë vonesat në miratimin e rregulloreve kyçe dhe në fillimin e fushatës për edukimin e zgjedhësve, si dhe në trajnimin e stafit të qendrave të votimit, KQZ- ja arriti t’i përmbushë si duhet pjesën më të madhe të detyrimeve të saj. Ajo operoi me transparencë dhe mbajti seanca të hapura për publikun, të transmetuara në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të hapura për pjesëmarrjen e aktorëve. Administrimi zgjedhor në të gjitha nivelet gëzoi përgjithësisht besimin e aktorëve.” (fq. 2) “Kodi Zgjedhor parashikon një kuadër ligjor gjithëpërfshirës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore. Si Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ashtu edhe Kolegji Zgjedhor në Gjykatën e Apelit në Tiranë shqyrtuan mosmarrëveshjet zgjedhore...()

2.   Ndërsa përsa i përket përdorimit të teknologjisë në zgjedhje, Misioni shprehet seNë përputhje me praktikat e mira zgjedhore, KQZ-ja pilotoi teknologji të reja votimi dhe numërimi në 32 qendra votimi në Tiranë nga 5,199 qendra votimi në të gjithë vendin.” 

3.   Siç me të drejtë theksohet në raport, e drejta për të bërë fushatë lirisht ka prevaluar mbi kufizimet e vendosura kundër COVID-19. Një zgjedhje e vullnetshme e institucioneve ligjzbatuese për të mos kufizuar asnjë subjekt politik për të shpalosur ofertën politike, edhe pse të vetëdijshëm që në raportin e OSBE/ODIHR do të përballeshim me kritika.

“U respektua liria themelore e organizimit dhe subjektet zgjedhore patën mundësi të bënin fushatë lirisht, pavarësisht kufizimeve të vendosura për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe zbatimit në mënyrë jokonsistente të gjobave për shkelje të rregullave.” (fq 2)

4.   Raporti i referohet edhe fenomenit të vjetër të shitblerjes së votës, duke nënvizuar se: kishte pretendime për blerje votash dhe se në këto zgjedhje në dallim nga zgjedhjet e mëparshme hetimet filluan zyrtarisht në shumë raste. Këto pretendime nuk u kufizuan në vetëm një subjekt politik. Raporti vlerëson se rreth “30 investigime penale të blerjes së votës janë në proces dhe rreth 50 çështje penale për parregullsi të tjera u iniciuan në lidhje me zgjedhjet e 2021.” 

5.   Me rëndësi  të veçantë  në Raport janë rekomandimet e dhëna Nga Misioni i OSBE/ODIHR përmirësimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor në vendin tonë.

Duhet të theksojmë se angazhimi ynë si forca më e madhe politike, por me padiskutim edhe i opozitës në proceset zgjedhore, është adresimi i rekomandimeve dhe më specifikisht OSBE/ODIHR në raport shkruan:

Ndërsa një numër rekomandimesh të ODIHR dhe Komisionit të Venecias u adresuan në ndryshimet legjislative, rekomandime të tjera mbeten të paadresuar, duke përfshirë ato që lidhen me de-politizimin e komisioneve zgjedhore të nivelit më të ulët, të drejtën e votimit të personave me aftësi të kufizuara, përgjegjësinë penale për shpifje etj”.

Dëshirojmë të shprehim gatishmërinë tonë për të punuar ngushtë me OSBE/ODIHR si dhe për të vazhduar përpjekjet me aktorët politikë në vend për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR në frymë dhe në letër.

Gjithashtu ne i mbetemi angazhimit tonë për garantimin e votës dhe pjesëmarrjen në votime të cdo shqiptari me të drejtë vote, kudo që ata jetojnë në çdo cep të globit.

Në përfundim, ne e falenderojmë Misionin e OSBE/ODIHR për profesionalizmin dhe angazhimin e pandërprerë në përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm