Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Drejtësi për 21 janarin

Të reja

Drejtësi për 21 janarin

22 Jan 2023    

Konferenca për mediat e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Mirëdita,

Më 21 Mars 2011, ne deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, patëm depozituar një kallëzim penal me të akuzuar të gjithë personat e përfshirë në zinxhirin komandues të vrasjeve shtetërore të dy muajve më parë, të datës 21 Janar 2011, ku u qëllua mbi qytetarët protestues, ditën për diell, me armët e pushtetit të kohës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Më 22 Prill 2011 jam paraqitur përsëri pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ku kam depozituar prova të reja shkresore dhe filmike, lidhur me kallëzimin tonë të mëparshëm lidhur me vrasjen e katër protestuesve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.

Lidhur me këtë kallzim dhe këto prova shkresore edhe filmike, asnjëherë nuk kemi marrë asnjë përgjigje apo të jemi thirrur për të dhënë shpjegime si palë akuzuese apo palë e dëmtuar, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme. 

Sikurse i gjithë opinioni publik është i informuar, dosja penale për tre nga katër vrasjet si dhe vendimet e gjykatave janë një nga turpet e mëdha në atë që quhej drejtësi në këtë vend, deri pak vite më parë. Mjafton t’iu përmend një prej dhjetëra përfundimeve ulëritëse të drejtësisë së vjetër. Edhe pse u vërtetua se “bereta” e Gardës së Republikës PZ52778 ka qëlluar, vrasja e Faik Myrtajt u cilësua nga gjykatat "pa autor". 

E vetmja dosje e pagjykuar është dosja e dëshmorit tjetër, Aleks Nika, e cila është një dosje penale për vrasje pa autor. 
Në këtë kontekst ne nuk kemi ndenjur të heshtur e as indiferentë, por duke qenë edhe forcë qeverisëse jemi përpjekur gjithnjë të ruajmë kufirin e pavarësisë së pushteteve; edhe pse me pushtetin gjyqësor në këtë vend janë bërë shpërdorimet më ulëritëse të detyrës. 
Gjithnjë kemi qenë dhe jemi qartësisht në anën e drejtësisë me besimin e palëkundur se i takon vetëm drejtësisë të bëjë drejtesinë e munguar për 21 Janarin. 
Ne jemi në anën e drejtësisë dhe presim drejtësi! 
Më 20 Janar 2021 Policia e Shtetit, sikurse është bërë publike, i ka kërkuar Prokurorisë së Tiranës, urdhërin e Prokurorit për kryerjen ri-ekspertizës së vrasjes së protestuesve Aleks Nika dhe Hekuran Deda, por edhe të plagosjes së gazetarit Fatos Mahmutaj.
Më 26 Maj 2021 jam informuar se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë se janë rihapur hetimet përsa më lart, madje edhe për persona të tjerë të plagosur më 21 Janar 2011.

Më 24 Maj 2022 gjatë raportimit në Kuvend, i kam paraqitur kërkesën publike si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Drejtuesit të SPAK për tërheqjen e kësaj dosje nga Prokuroria e Tiranës dhe hetimin prej kësaj Strukture të Posaçme të kësaj dosje penale.

Më 27 Korrik 2022, në konsultim edhe me familjarët dhe përmes avokatit, si pjesë e palës së dëmtuar, kemi hartuar dhe i është dërguar një kërkesë tjetër Prokurorisë së Tiranës, ku bazuar edhe në ndryshimet e reja të Kodit të Procedurës Penale, mbi juridiksionin e organeve të Prokurorisë, ku kemi kërkuar shpalljen e moskompetencës së Prokurorisë së Tiranës për dosjen e vrasjes së Aleks Nikës dhe kalimin e kësaj dosje tek Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Më 20 Janar 2023, ndërsa Sali Berisha vazhdoi ironinë haptazi me drejtësinë, duke “ri-rrahur përsëri gjoksin” me mburrje dhe duke ri-deklaruar me zë dhe me figurë se vetë shteti i kishte vrarë, se Garda e Republikës qëlloi në trupa shqiptarësh dhe se ai do ta ribënte përsëri këtë, gazetari Artan Hoxha ka publikuar një provë të re materiale që mbështet deklarimet e Sali Berishës dhe provon katërcipërisht se kush janë urdhëruesit dhe autorët e vërtetë të këtyre vrasjeve, që u morën jetën 4 më të mirëve ndër ne dhe që vranë shpirtin e protestës qytetare në vend.

Prova e re materiale flet vetë. Ajo është një audio e rregjistruar nga komunikimi përmes radiove të Gardës së Republikës më 21 janar 2011. 
Ajo që dëgjohet nga rregjistrimi i radiove, provon tërësisht se komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, ka urdhëruar vrasjet, madje ai ka zgjedhur dhe kush duhet të qëllonte duke i’u drejtuar me emër dy gardistëve dhe madje është shumë e qartë se vetë Ndrea Prendi është urdhërues i urdhëruar. Fakti që Sali Berisha zhduku serverin e kamerave të Kryeministrisë më 21 janar nuk e fshehu dot krimin. Pas 12 vitesh më në fund ka dalë në publik edhe prova më e re dhe më e rëndë që janë komunikimet me radio. 

Për sa më sipër kjo dosje nuk duhet të vazhdojë të mbetet peng në Prokurorinë e Tiranës. Me lojën e vjetër të transferimit nga një prokuror në një prokuror tjetër që bien me radhë nga Vettingu dhe i’a pasojnë atyre që janë ende aty. Nën dritën e kësaj prove të re materiale dhe të të tjerave që do të dalin në dritë nga hetimi i gjithanshëm dhe objektiv do të duhet që kjo dosje, edhe pse duhet të ishte transferuar, tashmë të transferohet tek Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Madje për vetë ngarkesën e madhe publike që ka, duhet të kishte shkuar me kohë në SPAK.
Prej 27 korrikut ka në fakt edhe një kërkesë proceduriale nga pala e dëmtuar që kërkon kalimin e kësaj dosjeje në SPAK. 
Me besimin tek drejtësia, ne konsiderojmë si një test të rëndësishëm për integritetin e kësaj Strukture të Posaçme që ka ngjalluar shpresat e shqiptarëve, tek drejtësia e re për t’u hetuar si krim shtetëror dhe për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj kujtdo pavarësisht nga pozita zyrtare që ai mban apo ka akoma, që ka qenë i përfshirë në urdhërat dhe ekzekutimet e 21 janarit. Nën dritën e fakteve të reja si palë e dëmtuar, sepse ata që u vranë më 21 janar ishin pjesë e familjes sonë, ekspertët juristë të së Drejtës Penale të Partisë Socialiste kanë filluar punën prej ditës së djeshme për hartimin e një kallëzimi penal tjetër drejtuar Prokurorisë së  Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 21 janari kërkon që drejtësia e re të bëjë detyrën vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe me Ligjin.

Pyetje: Z. Balla kam tre pyetje, një proceduriale dhe dy janë politike. Së pari, e keni dëgjuar ju këtë provë të re, keni marrë vetëm transkriptet, të cilat herë pas here disa individë të interesuar për këtë çështje, i kanë me dyshim?
Pse keni kaq shumë vëmendje këtë vit për 21 janarin? Nuk është 21 janari i parë për drejtësinë! Dy vite pas ngjarjes me njeriun për të cilin e thirrët Aleks Nikën në shesh ju e thirrët dhe arritët të merrni qeverinë, e bëtë Kryetar Kuvendi dhe pastaj President. E kam fjalën për Ilir Metën. 
Njëkohësisht familjarët ju akuzojnë ju se nuk reflektuat, por përkundrazi një gardist të 21 janarit e bëtë kryetar bashkie apo siç thotë Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, ju promovuat policë, të cilët kanë marrë pjesë në fshehjen e provave.

Përgjigje: Po e nis nga e treta për të shkuar tek e para. E vërteta është se gardisti në fjalë Agron Malaj nuk ka nxjerrë asnjë fishek. Ndërkohë është po aq e vërtetë se Agron Malajn si kryetar bashkie, sot e vlerëson një popull i tërë i Matit. Brenda pyetjes suaj ka diçka që duhet sqaruar. Këtu nuk bëhet fjalë se kush punonte në Gardën e Republikës në atë kohë dhe çfarë funksioni mbante. Çështja penale në atë që ne po mundohemi të themi prej ditës së parë është se kush e futi në luftë Gardën e Republikës si institucion me një protestë njerëzish të paarmatosur, të cilët jemi të gjithë dëshmitarë, as kaluan gardhin dhe në kushtet që po shpërndaheshin. Mendoj kjo është çështja dhe vetë Agron Malaj e ka sqaruar qartësisht këtë çështje. 
Përsa i përket çështjes tjetër, asaj që ne e kemi thënë dhe e kemi stërthënë. 21 janari si protestë u thirr për të gjithë korrupsionin galopant, për vjedhjen e votës, vjedhjen e zgjedhjeve, vjedhjen e Shqipërisë nga Sali Berisha brenda së cilit asokohe si sot gjendej Ilir Meta. Kemi bërë një aleancë në 2013-ën me Ilir Metën për të rrëzuar Sali Berishën dhe ja kemi arritur të rrëzojmë Sali Berishën. Ajo që presim nga drejtësia është që Sali Berisha të hetohet.
Sot ju jeni dëshmitarë sesi nga Prokuroria përmes atij nenit 248 të shpërdorimit të detyrës, dënohesh edhe për një arkë me peshk. A ka shpërdorim detyre në këtë vrasje shtetërore? Mjafton ky nen për të thënë që fakti se zotëria në fjalë e rreh gjoksin dita – ditës në çdo studio televizive apo komunikim publik dhe thotë “po” e kam bërë unë. 
Shpesh herë në komunikimet me ju kam dhënë rastin e Rumanisë për protestat e vitit 1990 kur presidenti në detyrë i Rumanisë, Ion Iliescu, është marrë i pandehur dhe dënuar në një nga shkallët e gjyqësorit plot 31 vite më pas. Ne nuk duam që drejtësia të ndikohet nga askush, por ne presim që drejtësia të bëjë vetë drejtësi për 21 janarin. Ju të gjithë e dini që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
 Për të shkuar tek pyetja juaj e parë, mesa e patë unë bëra një përmbledhje shumë të shkurtuar, sepse disa herë në vit Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste që nga momenti i parë, 21 marsi 2011, me një grup ekspertësh penalistë kemi hartuar akuzat e zinxhirit drejtues. Më pas jemi paraqitur përsëri më 22 prill 2011 për të paraqitur dosjen e plotë. 
Nuk ka asnjë moment që Partia Socialiste e Shqipërisë, përmes përfaqësuesve të saj, të mos ketë bërë kërkesë për 21 janarin. Unë kam qenë madje dhe në seancat gjyqësore të atyre gjykatave të turpit kur kanë marrë këto vendimet që vërtetonin se arma është e Gardës së Republikës, vërtetohej që me atë armë është vrarë njëri prej katër dëshmorëve dhe më pas vendimi i gjykatës ishte që vrasja e Faik Myrtajt është pa autor. 

Për të shkuar tek pyetja juaj lidhur me provat e reja, natyrshëm ne nuk jemi institucioni i Prokurorisë. Ai regjistrim për ne, përfaqëson një provë. Vlerësimin nëse është provë apo jo, e bën Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Arsyeja përse jam sot para jush është për ti dhënë zë përsëri një kërkese të kahershme. 
Unë nuk di sesa herë jam gjendur para jush duke kërkuar përmes mikrofonave tuaj që kërkesa jonë publike ti shkojë kësaj Strukture të Posaçme që të marrë këtë dosje nga Prokuroria e Tiranës. 

Njëlloj si ju edhe unë nga mediat jam njohur me materialin. Mendoj se ajo është një provë autentike. Unë di,ashtu sikurse edhe ju, se që në mbasditen e 22 janarit 2023 institucionet përkatëse të ngarkuara me ligj të Prokurorisë duhet urgjentisht të merrnin nën administrim atë provë.

Besoj se si çdo qytetar shqiptar edhe ne kemi të drejtën të besojmë për vërtetësinë e asaj prove. Natyrshëm kemi të drejtën të besojmë seka plot prova të tjera që nëse hetohet dosja penale pa autor e Aleks Nikës nga Prokuroria e Posaçme do të ketë dhe plot prova të tjera të reja. 
Sikurse ju njoftova në pjesën e parë të komunikimit me ju, ne do të kemi një dokument të plotë kallëzimi shoqëruar me elementët e provës për të çuar përpara hetimin e kësaj dosje penale në SPAK.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm