Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Drejt marrëveshjes me konsensus politik dhe dinjitet institucional

Të reja

Drejt marrëveshjes me konsensus politik dhe dinjitet institucional

02 Jul 2020    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:

Unë besoj që për sa më takon dhe për sa na takon, jemi përpjekur gjatë gjithë kësaj kohe që ta shprehim respektin për nevojën e konsensusit duke mos ndarë ata që janë jashtë nga ju që jeni këtu brenda, duke mos i konsideruar ata që janë jashtë si zotërues të monopolit të opozitës dhe duke mos ju konsideruar ju që jeni brenda si një mbetje e përkohshme në këtë Parlament, por si deputetë legjitim të këtij Parlamenti dhe si opozita që, sot, ky Parlament ka.

Nuk do të ishte mbase e udhës që të shpjegoj se kjo qasje e jona nuk lidhet thjesht me faktin që ne nuk i kemi votat. Pasi për të miratuar Kodin Zgjedhor kërkohet një shumicë e cilësuar, të cilën ne nuk e kemi në këtë Kuvend. E sjell këtu këtë fakt për të nënvizuar atë që besoj ka qenë e qartë në vijën tonë të sjelljes, jo vetëm në fjalët tona.

Ne nuk do të kërkojmë rrugën e diversionit, as aq më pak rrugën e aritmetikës sikundër për fat të keq edhe ju, jo sot por më parë, edhe kolegu juaj dhe zëdhënësi i fuqishëm i këtij ndryshimi që ju kërkoni, por dhe ndonjë tjetër, na kanë akuzuar se duam ta mbyllim këtë lojë apo këtë pazar, duke blerë vota.

Sot konsensusi nuk është dot produkt i shëndetshëm, nëse shihet si rezultat i një marrëveshjeje mes vetëm dy palëve, ndërkohë që në politikën shqiptare në këtë fazë janë 3 palë, faktikisht. Pavarësisht, se ju e keni firmosur vetë marrëveshjen mbi të cilën është ngritur pastaj puna e detajuar për atë që është sot në mos gabohem formalisht në tryezën e Komisionit të Ligjeve, si produkt për t’u miratuar në Kodin Zgjedhor dhe besoj që ne na takon si forca më e madhe politike, por edhe si një forcë që ka përgjegjësinë të shohë përtej interesave të saj, që të përpiqemi deri në fund të krijojmë një konsensus ku mbase çdo palë do duhet të pajtohet me faktin që nuk mund të marrë gjithçka. Dhe ku dua ta kujtoj, t’ja kujtoj juve tani, - se ata të tjerët nuk janë këtu dhe çuditërisht kanë një vetëndjerje të habitshme që dërgojnë edhe ultimatume nga jashtë për çfarë duhet të bëjë Kuvendi, - që edhe Partia Socialiste ka të drejtën të thotë diçka, apo jo?

Jeni një pakicë e ndarë në dy pakica dhe vini dhe vetëm kërkoni, vini dhe vetëm i “bini këmbës” kur i thonë, për të marrë sipas jush atë që i duhet popullit, se në emër të popullit flisni të dyja palët, ndërkohë që vullnetin e popullit në këtë Parlament e përfaqësojmë ne si vullnet qeverisës dhe si vullnet udhëheqës i këtij vendi. Nuk e përfaqësoni as ju, as ata!

Me këtë dua të them që nuk është nevoja për të vazhduar me provokime, qoftë nga jashtë, qoftë nga brenda. Atyre që janë jashtë u them, nuk keni asnjë tagër t’i jepni urdhra këtij Kuvendi dhe meqë jemi këtu sot, kryetari i Kuvendit, të cilit pashë se i është drejtuar një urdhër nga as më shumë e as më pak por sekretari i përgjithshëm i forcave çlirimtare që janë jashtë parlamentit, por dhe unë jemi të zhgënjyer nga fjalia e fundit që dhe ju zonja Hajdari keni firmosur së bashku me Damian Gjiknurin dhe me dy përfaqësuesit e tjerë, ku thuhet që Kuvendi duhet ta votojë atë marrëveshje pa asnjë ndryshim dhe pa kushte.

Unë nuk di që të ekzistojë në historinë e këtij planeti, në të gjithë jetën demokratike ndonjë institucion tjetër përveç Gjykatës Kushtetuese që mund t’i diktojë Kuvendit një gjë apo një gjë tjetër. Tani mblidheni ju atje katër veta, në një vend shumë të nderuar patjetër, në një shtëpi të përbashkët për shqiptarët, në atë që është tokë amerikane faktikisht dhe juridikisht dhe fusni një firmë atje. Kuvendi ta marrë këtë letrën tani dhe ta thjesht votojë?! Ta thjesht votojë!

Ne sot jemi në një proces dhe mendoj që ju zonja Hajdari, patjetër kolegut tuaj Myslymit dhe gjithë të tjerëve këtu ju takon që një reflektim ta bëni për faktin që ne e kemi respektuar jo vetëm me fjalë, por edhe me të gjitha rregullat e zakonet e këtij Kuvendi nismën tuaj. Do thoni ju që nuk kishit mundësi të bënit ndryshe. Mbase. Mbase sepse nuk i kemi votat, por nga ana tjetër duhet të reflektoni edhe për faktin që ky është një proces nga ku konsensusi duhet të prodhojë një rezultat të qendrueshëm për shqiptarët dhe për Shqipërinë dhe ku çdo palë duhet të bëjë koncesionet e veta.

Ne jemi pala që, jo se na takon në fakt, por e kemi në vetëdijen tonë që të bëjmë më shumë koncesione sesa të tjerët, ju e dini këtë, se prandaj edhe më akuzoni për koncensione sa herë merrni fjalën, - në këtë rast koncensione politike, jo koncensione për vepra publike, - por të vazhdojmë qetësisht dhe të diskutojmë hapur. Ju e dini mendimin tim publik lidhur me listat e hapura. Unë nuk besoj në efektin e tyre çudibërës ashtu sikundër unë mendoj që listat e hapura e ndërlikojnë në mënyrë të qenësishme procesin e adminstrimit të votës, sepse jeni të gjithë të vetëdijshëm, jeni të gjithë dëshmitarë, kush më shumë e kush më pak, që në procesin e administrimit të votës, sidomos në procesin e numërimit të të gjithë atyre vagonëve të trenave të koalicioneve, më e pakta që mund të thuhet është: nuk është e lehtë. Tani po të llogarisim ato trena dhe bashkë brenda në çdo vagon lista të hapura dhe po t’i kthehemi pak kohës dhe të shohim sa zgjat numërimi, sot, me lista të mbyllura nuk e di se si dhe kur ne mund të mbarojmë një numërim të pakontestueshëm.

Megjitatë, unë jam dakord me ju në një pikë. Është e vërtetë ajo që ju thatë, ju i’u referuat një burimi, unë mund t’i referohem burimeve tona të anketimit që është e vërtetë, opinioni publik sot ka një bindje të përgjithshme që listat e hapura janë një zgjidhje e madhe për demokratizimin e përfaqësimit. Është shumë e vërtetë, shifrat pak a shumë janë të njëjtat, që listat e mbyllura sot shihen si kasaforta të mistereve, të sekreteve dhe të të gjithë të këqijave të pazbuluara apo të pathëna, ashtu sikundër besohet gabimisht që po u hapën listat partitë s’do kenë kryetarë, kryetarët do jenë thjesht noterë. Nuk është kështu! Por e vërteta është që, po, publiku e ka këtë ndjeshmëri shumë të lartë. Jo për t’u provuar ju dhe askujt tjetër që unë e shoh veten time si kryetari i partisë më të madhe të lidhur pazgjidhshmërisht me listat e mbyllura, apo për më tepër që nuk i druhem listave të hapura, besoj që në këtë fazë na takon ta bëjmë një diskutim. A arrijmë, apo nuk arrijmë të merremi vesh këtë do ta shohim në proces, por sigurisht që procesi është me një risk shumë të lartë, për faktin se po nuk u morëm vesh nuk kalojmë dot asgjë, as lista të hapura, as numërimin partiak me të cilin ju duhet të bini dakord, sepse ndryshe i bie pastaj që ne t’u themi atyre që janë jashtë çfarë bëmë me ju nuk vlen më, se tani do e bëjmë me këta. Ne nuk jemi në kushtet kur kemi bërë ndonjë martesë, që ta dish se ti (Murrizit) e vuan shumë idenë e martesës time me Lulin, nuk ka ndodhur, por një krushqi e kemi në këtë rast, është e vërtetë, por kemi një krushqi të dyfishtë, edhe me ata, edhe me ju që duhet ta bëjmë për të nxjerrë rezultatin nga salla, përndryshe ngelemi pa asgjë dhe na bie e gjithë ajo për të cilën të gjithë jemi të interesuar, që ka të bëjë me përmbushjen e një kushti, i cili nuk nënkupton konsensus në sensin e vjetër të fjalës, por nënkupton produkt me standarde dhe një produkt që mundësisht të krijojë një klimë më të madhe besimi mes palëve. Kështu që, nëse ju më thoni që, ne duam listat e hapura, ne duam heqjen e koalicioneve dhe ne duam edhe që në komisione PD dhe Lulzim Basha mos kenë njerëz, atëherë po më thoni që ta tmerrojmë Lulin nga e para dhe që të mos kemi mundësi të bëjmë asgjë për ta kthyer atë lepurin e madh në formë luani në një mace që është aty, por që nuk është aq agresive sa ta detyrojë të mendojë se nuk hyn në zgjedhje, se ky është problemi, apo jo? Ju e dini.

Sot, në Shqipërinë e vitit 2020, të thuash që, administrimi më i sigurt zgjedhor, është me parti politike, është skandal. Ne do ishim gati, përsëri e padrejtë, është diskriminim, por ne do ishim gati të thonim: Dakord, të gjithë mësuesit e Republikës së Shqipërisë që janë në punë para vitit 2013, të gjthë nëpunësit e Republikës së Shqipërisë që janë në punë para vitit 2013 etj., etj., që të mos thonë …. Jo, nuk funksionon.

Ne jemi këtu për të dalë me dinjitet institucional nga kjo histori. Patjetër edhe për të dalë me një frymë konsensusi politik të mirëkuptuar nga populli shqiptar, në radhë të parë. Nuk jemi këtu as për të marrë urdhra nga PD, as për të marrë urdhra nga ju, sa për dijeni. Jemi këtu për të bërë tonën, maksimalisht, në mënyrë që produkti të mos jetë një produkt i njëanshëm, ka shumë njëanshmëri produkti aktual. Unë e pranoj, sepse, të thuash në këto kushte, kur faktikisht opozita është e fragmentuar - dhe kur faktikisht, unë nuk e di, ndoshta ju përsëri bëni një këshill të madh pajtimi, përfshiheni përsëri në listat e PD-së, se nuk është se keni hyrë dhe nuk keni dalë shpeshherë, por kjo nuk ka rëndësi, - administrimi politik, dy këndej, dy andej është shumë i njëanshëm në raport me ju edhe në raport me të tjerë, edhe me shumë të rinj që do donin të hynin, të krijonin thurje dhe ndërthurje politike në proces, kështu që le ta bëjmë këtë proces me dinjitet. Mos ki merak zonja Hajdari! Unë nuk hyj tek ata, - ti e ke thënë vetë, unë jam “sulltan”, - nuk hyj tek ata që marr urdhra nga jeniçerët e Lulit, por një gjë është e sigurt; ju duhet të përgatiteni të bëni lëshime dhe jo të shantazhoni Kuvendin, që, ndryshe ne ikim edhe këtu ngelemi vetëm me deputetët bio të Taulant Ballës, dmth me grupin parlamentar socialist, pa vota. Ky do ishte dështim shumë i madh për të gjithë dhe do ishte diçka që nuk do mund ta kapërcenim dot në raport me njerëzit dhe në raport me Europën ku duam të integrohemi, por jo se është e mirë se na e kërkon Europa, por se është e mirë se na duhet ne.

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi    Artikulli i mëparshëm