Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Dialogu ne fshatrat e Qarkut Lezhe, Rama: Bashke ne emer te familjes, tokes e fshatit

Të reja

Dialogu ne fshatrat e Qarkut Lezhe, Rama: Bashke ne emer te familjes, tokes e fshatit

27 Jun 2008    
Ne mund ta bëjmë ndryshimin e shumëpritur dhe asnjëherë të arritur në rast se i japim fund dasive, në rast se i japim fund konflikteve dhe sherreve, të jetuarit mes hendekut si socialistë dhe demokratë. Në rast se i japim jetë një force e cila duhet të përfaqësojë interesat e tokës, të familjes, fshatit. Kjo forcë duhet të jetë forca e njerëzve që duhet të jetojnë ndryshe, që janë gati të bëjnë detyrën e tyre karshi tokës, familjes, që janë të vetdijshëm se nuk kemi asgjë më pak se fqinjët tanë dhe në rast se sot jetojmë më keq se ata, kjo vjen për shkak se jemi të gjithë së bashku peng i politikës së vjetër, që duhet t'i lërë vendin politikës së re.

Dialogu me Shqipërinë i Kryetarit të PSSH, Edi Rama ka vazhduar në fshatra të qarkut Lezhë. Gjatë pasdites së djeshme Rama ka bashkëbiseduar me banorë të fshatrave Zejmen, Trashan, Dajç e Ishull Lezhë. Gjatë dialogimeve banorët e këtyre zonave që jetojnë më shumë me të ardhurat që sjellin emigrantët i kanë pohuar kryetarit të PSSH probleme të shumta për të bërë të mundur punën dhe mirëqenien me tokën që kanë në pronësi, pasi çmimi i punës së tokës është shumë i lartë. Duke marrë si shembull çmimin e naftës Rama u shpreh se çmimi i saj është më i lartë se të gjithë vendet e rajonit tone.

Pjesë nga fjala e Kryetarit të PSSH Edi Rama në fshatin Dajç:

“Dua të flas posacërisht për gjendjen e atyre njerëzve që jetojnë në fshat. Gjendja me të vërtetë është e vajtueshme, ku bujqërit dhe fermerët shqiptarë, janë të vetmit në botë, që jetojnë pa asnjë vëmendjen, pa asnjë mbështetje nga shteti. Që jetojnë vetëm me frymën e tyre, me forcat e familjes së tyre dhe pa dyshim në një xhungël vështirësish të pamundura. Kjo është një situatë që do të shkojë duke u përkeqësuar, nëse ne nuk nuk do të jemi në gjendje që përmes një bashkimi të ri, t'i japim forcë interesave të familjeve shqiptare, që jetojnë në fshat, t'i japim forcë interesave të fermerëve dhe bujqërve shqiptar, t'i japim forcë të rejave dhe të rinjve, që duhet të qëndrojnë për të punuar tokat e të parëve të tyre dhe të mos marrin arratinë për të punuar në tokat e huaja. Kjo është e mundur në rast se ne jemi të vetëdishëm se gjendja e fshatit dhe familjeve shqiptare, nuk është vepër e Zotit, por e njeriut.

Ne mund ta bëjmë ndryshimin e shumëpritur dhe asnjëherë të arritur në rast se i japim fund dasive, në rast se i japim fund konflikteve dhe sherreve, të jetuarit mes hendekut si socialist dhe demokrat, si tanët dhe të atyre, dhe në rast se i japim jetë një force e cila duhet të përfaqësojë interesat e tokës, të familjes, fshatit. Një forcë e cila do të përfaqësojë interesat e bujqërve dhe fermerëve, të rinjve, të rejat, më të moshuarve këtu në fshat, që e kanë të pamundur të marrin një ndihmë të shpejtë mjekësore. Kjo forcë duhet të shkojë përtej paragjykimeve të së shkuarës, përtej partive, përtej flamujve dhe udhëheqësve. Kjo forcë duhet të jetë forca e njerëzve që duhet të jetojnë ndryshe, që janë gati të bëjnë detyrën e tyre karshi tokës, familjes, që janë të vetdijshëm se nuk kemi asgjë më pak se fqinjët tanë dhe në rast se sot jetojmë më keq se ata, kjo vjen për shkak se jemi të gjithë së bashku peng i politikës së vjetër, që duhet t'i lërë vendin politikës së re. Kjo është politika e bashkimit, interesave të përbashkëta, ndryshimit, e bazuar në një program i shkruar së bashku. Dialogu me shqipërinë, ka këtë qëllim, që ne të flasim dhe të dëgjojmë, që duke dëgjuar, kuptojmë hallet dhe se si mund ta ndryshojmë jetën tonë në cdo qytet dhe në cdo fshat.

Vetëm duke dëgjuar mund të mësojmë atë që nuk e dijmë dhe duke qënë të vëmendshëm ndaj atyre që thonë njerëzit, mund t'ia gjejmë tokës ilacin, në kushtet kur duhet të ndërtojmë një kapitalizëm funksional edhe në fshat, duke e filluar nga ndryshimi i fshatit. Nuk mund të ketë një Shqipëri që i ushqen ashtu si duhet fëmijët e saj, pa një fshat që arrin të prodhojë ushqimet. Nuk mund të ketë një Shqipëri që sheh përpara, me një fshat që shkon gjithnjë e më mbrapa. Nga ndryshimi i fshatit, do të ndryshojë shumë gjëra dhe nga ndryshimi i vështrimit të të rejave dhe të rinjve, që rriten në fshat dhe që duhet të kthejnë kokën nga tokat e të parëve, do të ndryshojnë shumë gjëra. Ne, jemi në gjendje ta bëjmë këtë, të gjithë së bashku. Askush nuk e bën për ne, nëse ne nuk e bëjmë vet. Është koha që të mos votohet më me symbyllur, është koha që të mos shkohet më symbyllur pas partive për shkak të gjyshit, sepse atë ma kanë pushkatuar, apo e kam patur partizan. Duhet të shkojmë syhapur në emër të amanetit të të parëve tanë, sepse nëse historia i vendosi në barrikada të ndryshme, ishte për shkak të idealizmit të tyre. Ne jemi në radhë të parë shqiptarë, jemi qytetarë e qytetare, jemi prindër, jemi të reja e të rinj, jemi të moshuar, jemi njerëz që meritojmë të jetojmë me dinjitet. Më pas jemi socialist dhe demokrat. Por mos harroni se uji mungon si në shtëpitë e socialistëve ashtu edhe te demokratët, se cmimet rriten kudo njësoj, kurse kushtet në shkolla shkojnë duke u rënduar, në cdo fshat dhe ky është një hall i përbashkët i tyre dhe duhet zgjidhur së bashku, duke e refuzuar politikën e vjetër.

Në takimin në Zejmen Kryesocialisti Rama bëri apel për bashkimin e shqiptarëve të ndershëm që kanë një hall të përbashkët përtej paragjykimeve partiake:

Sot në Shqipëri gjithkush mund të thotë çfarë të dojë, por shumë pak janë ata që kanë të drejtën të dëgjohen. Mendoj se misioni i Partisë Socialiste është t'u japë të gjithë njerëzve të drejtën të dëgjohen dhe që të jetë një forcë politike e së resë, e së ardhmes, e shpresave dhe e prespektivave të reja të njerëzve, në rradhë të parë duke manifestuar vullnetin për të dëgjuar shqiptarët dhe shqiptarët në qytet dhe fshat, veri e jug, qendra dhe periferi të thella. Për të dëgjuar njerëzit që sot mezi arrijnë fundin e muajit dhe që sot nuk arrijnë të përballojnë rritjen e çmimeve, që nuk arrijnë të shohin prespektivë në qytetin dhe fshatin e tyre dhe që të vetmen zgjidhje shikojnë tek arratia nga atdheu për të punaur si skllevër në toka të huaja, vetëm e vëtem që të mbajnë gjallë frymën e tyre dhe të familjes së tyre. Duke dëgjuar njerëzit dhe duke i dhënë politikës sy për të parë realitetin ku jetojnë njerëzit, ne mund të bëjmë në Shqipëri, atë që kanë bërë fqinjët tanë në vendet e tyre.

Por mes nesh dhe fqinjëve tanë, Shqipëria është i vetmi vend në këtë pellg që ka naftë, megjithatë nafta në Shqipëri kushton me shtrenjtë se në të gjitha këto vende. Pra, përveç rritjes së përbotshme të çmimit të naftës ka dhe një rritje tjetër, që është rritja që vjen prej papërgjegjshmërisë, paaftësisë korrupsionit që ka mbërthyer Shqipërinë nëpërmjet politikës së vjetër, që ka mbërthyer Shqipërinë nëpërmjet politikanëve që kanë vetëm një zanat, të gënjejnë dhe të rrëmbëjnë.

E pra ne duhet të jemi në gjendje që t'i japim jetë një force të madhe solidariteti dhe bashkimi përtej kufijve të partive, t'i japim jetë një force të madhe prindërish që nuk duan t'i lënë fëmijët në këto kushte, t'i japim jetë një force të madhe pensionistëve dhe pensionestesh që meritojnë shumë më tepër respekt, t' japim jetë një force të madhe të rinjsh dhe të rejash që pavarësisht bindjeve që janë ushqyer në familjet e tyre janë në gjendje të kuptojnë se e ardhmja e tyre dhe e vendit tonë është përtej të majtës dhe të djathtës, është përtej paragjykimeve të shkuarës, përtej kufijve dhe flamujve të partive përtej interesave të politikanëve.

Kësaj force duhet t'i japim jetën nëse duam me gjithë zemër t'i japim jetë një atdheu të ri, një atdheu të ri energjik, të gatshëm për të prodhuar mirëqënie dhe për t'u dhënë të gjithë atë që meritojnë. Një atdheu të ri dhe të gatshëm për tu dhënë mundësi njerëzve që të jetojnë me punë të ndershme dhe për t'u dhënë mundësi të ndiehen zotër në vendin e tyre dhe jo jetim. E pra këto janë arsye të mjaftueshme ta shohim njëri tjetrin me dashamirësi, pa mllef, ta shohim njëri-tjetrin si një forcë më shumë në këtë përpjekje.

Në takimin e zhvilluar në Ishull Shëngjin ndër të tjera shefi i selisë rozë u shpreh:

“Jeta e përditshme e juaja, ashtu si e gjithë shqiptarëve, mjafton për të kuptuar keqqeverisjen, sepse është një jetë që flet vetë, me çmimet që rriten përditë, me pamundësitë për të arrritur fundin e muajit pa stresin e tavolinës së bukës që duhet shtruar. Gjendja është e tillë në të gjithë Shqipërinë, ku vecanërisht në fshat, ka një degradim të madh. Përmbysja e kësaj gjendje nuk mund të vijë në mënyrë të thjeshtë, duke kujtuar se mjafton të ndryshojmë qeverinë, por mund të vijnë vetëm nëse arrijmë të kuptojmë së bashku se cilat janë nevojat dhe më pas të shkruajmë një program, ndryshe nga si është menduar më parë, për të fituar votën e për t'i marrë votën njerëzve, pa menduar se cdo të bëjnë të nesërmen e fitores. Kjo ka bërë që të dalin tërësisht zbuluar, sepse nuk kanë mekanizmat, aftësitë dhe njerëzit për ta bërë dicka. Është një vetëdije, që ne na ka shtyrë 2 vjet përpara, të përgatitemi duke e shkruar programin pasi kemi dëgjuar njerëzit. Nuk mund të ndryshojë situata në fshatin shqiptar, në rast se politika nuk dëgjon, nuk shikon dhe nuk mund të jetë problemi i njerëzve. Nuk mund të ketë një vend të mirëqenë dhe të qetë, që nuk ka një fshat të zhvilluar, që nuk ka një bujqësi që nuk funksionon, që nuk ka tokë që prodhon dhe që nuk ka familje që jeton me tokën, me prodhimin dhe që garantojnë ushqimin. Jetojmë sot në kushtet e një degjenerimi total të qeverisjes, e një degjenerimi që e ka bazën tek fakti që politika i shërben interesave të një grushti njerëzish, që politika lind nga premtime për të marrë vota dhe për të marrë pushtetin, si qëllim në vetvete. Pushteti nuk është qëllimi ynë, por duhet të jetë instrumenti për të realizuar qëllimet e përbashkëta, si të mundim varfërinë, papunësinë, korrupsionin e dhunën. Këto të gjitha mund t'i mundim, në rast se ndërtojmë një politikë të re, ku secili të marr pjesë aktivisht, për të mos lejuar që vota të jetë një akt që zhvillohet sy mbylluri, në emër të flamujve të partive.

Për sa kohë do ta lëmë fatin tonë në duart e 5 gjelave në Tiranë, pulat tona këtu nuk do të bëjnë asnjë vezë. Ndërkohë që në rast se ju do t'i jepni një mësim politikanëve, duke thënë jo, ne nuk ndahemi, sepse doni ju të na ndani, ne do të biem në një mendje për programin më të mirë dhe do të mbështetim atë, duke e parë se si do të realizohet ky program. Do të bashkohemi, që më në fund të bëjmë një punë të përbashkët, për interesat e tokës dhe fshatit, larg interesave të politikanëve, që nuk mund të jenë më si skuadra futbolli, se nuk luhet me top, por me fatin tonë. Ne nuk mund ta lyejmë fytyrën ca të kuqe e ca blu, duke u kthyer në tifoz dhe duke u përleshur. Në fund, kushdo që fiton, vazhdon historinë në kutinë e televizorit. Ne duhet të arrijmë në një program të thjeshtë, ku do të premtojmë atë që do të bëjmë dhe që mund të bëjmë. Nuk do të premtojmë gjëra që nuk bëjmë dot dhe më pas u takon votuesve nëse duan të gënjehen apo të kënaqen një muaj dhe të zhgënjehen katër vjet. Kjo është ndarja jonë me politikën e vjetër, të premtimeve pafund, që kthehen në zhgënjime pafund, sepse janë premtime për të marrë votën dhe jo për të ndryshuar jetën e njerëzve. Në mënyrë që zgjedhësit të mos mbeten viktima të të votës dhe zgjedhjes së tyre, kurse të zjgedhurit shohin vetëm punën e tyre.

Pjesë nga fjala në bashkëbisedimin e Kryetarit të PS, Rama në fshatin Trashan:

Nuk janë njerëzit që nuk kanë dashur apo nuk duan të kenë jetë më të mirë dhe të punojnë për të. Është politika e cila nuk ua ka dhënë njerëzve mundësinë për të jetuar me punë të ndershme dhe për të krijuar mirëqenie përmes punës së njerëzve. Në rast se duam ta arrijmë këtë ditë, ne duam t'i japim një shpresë, t'i japim një rrugë, një perspektivë Shqipërisë, qyteteve, fshatrave tona, ne duhet të ndryshojmë politikën, duke ndryshuar qëndrimin tonë ndaj saj. Bindja ime është se të gjithë jemi në një hall të përbashkët, por për këtë arsye të gjithë duhet të merremi me politikë, por kjo s'do të thotë që të bëhesh politikan, deputet apo drejtor, as ushtar partie, por që së bashku me qytetarët apo fshatarët ku jetojnë, të dialogojnë për t'i dhënë drejtim punëve të përbashkëta. Për t'i dhënë jetë një force, për të kapërcyer kufijtë në emër të besnikërisë për flamurin dhe idealet e partisë dhe për të dalë nga këto kufi, në emër të hallit dhe dëshirës së përbashkët.

Nëse nuk e kapërcejmë këtë gjendje, do të mbetemi peng të partive, peng të flamujve, apo udhëheqësve. Nuk ka rëndësi për ju se çfarë bëjnë politikanët në Tiranë, por se si ju doni të sillet politika me ju. Kjo bëhet duke i bërë të gjithë të vetdijshëm, duke i dhënë fund epokës së votave symbyllur. Qëllimi ynë nuk është të zbresim nga kali ca ministra të kampit kundërshtar dhe të hipim ca ministra të kampit tonë, duke kalëruar pushtetin. Kjo që kemi rreth e rrotull, është rezultat i 17 viteve, por në 3 vitet e fundit ka arritur kulmi, që me paaftësi, papërgjegjshmëri dhe korrupsion.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm