Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Bordi i Dialogut me Shoqerine krijohet edhe ne qytetin e Elbasanit

Të reja

Bordi i Dialogut me Shoqerine krijohet edhe ne qytetin e Elbasanit

16 Jul 2008    
Një grup profesionistësh dhe intelektualësh të rinj kanë krijuar në qytetin e Elbasanit, Bordin e Dialogut të Partisë Socialiste me Shoqërinë. Ky është një bord qytetarësh pa parti. Ky bord është i konceptuar si një urë lidhëse mes PSSH dhe komunitetit për të sjellë në forcën më të madhe të opozitës shqetësimet e qytetarëve dhe idetë e tyre , për të përçuar në mjedisin shoqëror frymën e politikës së re përtej të majtës e të djathtës është Shqipëria me problemet e saj që kërkojnë zgjidhje prej 17 vitesh.

Anila Batalli, një juriste e njohur në qytetin e Elbasanit dhe njëherësh një nga organizatoret e Bordit të Dialogut me Shoqërinë në Elbasan, duke parë pjesëmarrjen e intelektualëve të këtij qyteti, e cila ishte e konsiderueshme, Bacolla përvec falenderimeve u shpreh më tej:

“Në këto 17 vjet, takimet e bisedat tona me politikanët kanë ndodhur vetëm përgjatë fushatave elektorale, vetëm atëherë kur politikanët kishin nevojë për vota, por jo ide. Dhe sigurisht, me përfundimin e zgjedhjeve, përfundonin edhe takimet, deri në zgjedhjet e rradhës.

E gjithë kjo mënyrë e politikbërjes ka lënë shenja negative në shoqërinë shqiptare. Besimi ndaj politikës ka arritur nivele të ulëta dhe ndjesia e keqpërdorjes nga politika është bërë gjithmonë e më e pranishme mes shqiptarëve. Kjo politikë e 17 viteve tranzicion i ka bërë shqiptarët skeptikë, e ndoshta dhe më keq akoma, u ka hequr shpresën për të ëndërruar një të ardhme më të mirë.

Pjesë nga fjala e Kryetarit të PSSH Edi Rama në këtë bord:

“Bordi i Dialogut me Shoqërinë, është një strukturë tërësisht e re, jo vetëm për Partinë Socialiste, por është tërësisht e re për politikën shqiptare. Është një strukturë, që i njeh të gjithë qytetarëve, pavarësisht nëse janë ose jo anëtarë partie, të drejtën dhe mundësinë për të kontribuar, duke u organizuar së bashku, në funksion të promovimit ideve të tyre dhe njëkohësisht të mbështetjes së një projekti politik që i integron këto ide.

Mendoj, që një nga arsyet themelore, aspak të këndshme ku ndodhemi të gjithë, nga pikëpamja shoqërore, është se u kemi deleguar politikanëve dhe partive politike fatin tonë dhe kemi hequr dorë në një mënyrë aspak të përshtatshme për ne, nga pjesëmarrja në vendimmarrjen politike, në radhë të parë, sepse Shqipëria është peng i politikës së keqe. Politika në Shqipëri nuk ka magnet për t'i tërhequr qytetaret dhe qytetarët, por përkundrazi, ka të gjitha ato cilësi të këqija, që mjaftojnë për t'i qëndruar asaj larg. Nga ana tjetër, duke i qëndruar asaj larg, jemi viktima të saj, pasi në fund të fundit, çdo gjë që ka të bëj me jetën tonë ekonomike dhe shoqërore, shkon e lidhet tek cilësia e politikës. Një politikë e keqe nuk mund të prodhojë një cilësi të mirë në jetë dhe këtu nuk kam parasysh ndarjet brenda politikës së keqe, por atë në tërësi. Duke qenë se partitë kanë marrë këtë ekskluzivitet të pamerituar mbi jetën tonë, ato vetvetiu shkojnë duke u larguar gjithnjë e më shumë nga njerëzit dhe duke u tkurrur gjithnjë e më shumë, e duke u degjeneruar në struktura që administrohen nga zanatçinjtë e politikës së keqe, ku është e pamundur të kesh vesh për të dëgjuar, sy që të shohin jetën e përditshme, për të mos folur për zemra për të ndier hallet e njerëzve. Mirëpo, nuk ka asnjë mundësi reale për ta përmirësuar procesin politik dhe për ta ndryshuar përbërjen e politikës së keqe, duke rritur cilësinë dhe shtuar energjitë pozitive të saj, nëse nuk nxisim qytetarët që nuk janë të angazhuar brenda partive politike, që të merren me politikë, nëse nuk ju tregojmë se të merresh me politikë, nuk do të thotë të jesh politikan, as të bëhesh politikan, dhe as të rreshtohesh patjetër në një parti. Të merresh me politikë, do të thotë, që jeta jote ekonomike dhe shoqërore, të jetë në dorën e të tjerëve. Por, të kërkosh së bashku me plot të tjerë si ty, që duart që vendosin, të varen sa më shumë nga trupi i një shoqërie që jeton jashtë partive politike, që jeton jashtë interesave të drejtpërdrejta që lidhen me mënyrën e të funksionarit të gjithë infrastrukturës politike në Shqipëri dhe që nuk marrin dot frymë lirisht, për shkak të politikës së keqe, që është rezultat i mospjesëmarrjes.

Në këtë mënyrë, duke u dhënë mundësinë njerëzve që të organizohen së bashku, pa qenë të detyruar të rreshtohen dhe të bëhen pjesë integrale e jetës partiake, që me të drejtë jo të gjithëve ju intereson. Ne krijojmë kushtet që të ndërtojmë për qytetarët e Elbasanit, një urë komunikimi me Partinë Socialiste, e cila nga ana tjetër, përmes kësaj ure komunikimi, i ka të gjitha mundësitë, jo vetëm të dëgjoj, por edhe të kuptoj; Se është aty, për ta kthyer tërësisht veten me sytë nga njerëzit dhe për ta vënë veten në dispozicion të njerëzve.

Kështu një rrjet solidariteti qytetar, që nuk është rrjeti i përhershëm i organizimit partiak, por është një rrjet, që lind për të çuar përpara deri në realizimin e tij një projekt dhe pastaj ndërtohet dhe rindërtohet sipas vendeve. Ky është një organizim, që i jep mundësi qytetarëve të Elbasanit, të Shkodrës apo të cilido qytet ku do të ngrihet, që të marrë pjesë aktivisht, për të shprehur një dëshirë, bindje apo vullnet, duke mos qenë njëkohësisht i detyruar të bëjë një zgjedhje të përhershme. Pra, me një shembull konkret, t'i tregojmë njerëzve se çfarë është të merresh me politik, pa qenë politikan dhe pa patur interesa, ku në një moment të caktuar, të zgjedhësh projektin më të mirë për shoqërinë. Që besoj, se sot, ky është projekti ynë, për të ndërtuar një bashkim të ri, përtej kufijve të partisë. Duke i ftuar edhe të tjerët të dalin nga kufijtë ku i mbajnë partitë e tyre, duke patur si gravitet të kësaj vetëdije, pikërisht shoqërinë që ju përfaqësoni, pa qenë anëtarë partie, por me vetëdijen se kjo shoqëri mund të përmirësohet dhe merita e secilit të vlerësohet në këtë shoqëri. Duke treguar konkretisht se sot ky është projekti më i mirë dhe sot ne kërkojmë mbështetjen e të tjerëve.

Kjo nisëm që ne kemi ndërmarrë, do të hapë një kapitull të ri në jetën e shqiptarëve, sepse edhe më vonë të tjerët do të bëjnë të njëjtën gjë, ndërkohë që edhe qytetarët do të organizohen, në çështje madhore, që kanë të bëjnë me zgjedhjet e përgjithshme apo lokale, që kanë të bëjnë me mjedisin, shkollën apo spitalin, ne organizohemi dhe promovojmë në qytet bindjen tonë.

Krijimi i Bordit të qytetarëve të Elbasanit pason Bordin e Dialogut me Shoqërinë i krijuar në Shkodër.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm