Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Baza sukseseve të Partisë Socialiste janë: fryma, organizmi dhe lidershipi

Të reja

Baza sukseseve të Partisë Socialiste janë: fryma, organizmi dhe lidershipi

12 Jun 2021    

Fjala e z. Gramoz Ruçi në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste:

Ta marr fjalën pas atyre që tha Megi sigurisht që është e vështirë.

Për të nderuar jetën dhe kontributin e mikut tonë të ngushtë Bashkim Fino do të ftoja të gjithë të pranishmit për të nderuar, meqë kemi 30-vjetorin e Partisë, jo pak por 25 ish-deputetë të këtyre 30 vjetëve që janë ndarë nga ne. Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.

U prehshin të qetë dhe mirënjohje pafund për të gjithë kontributin që ata kanë dhënë për familjen tonë politike.

Miqtë e mi unë nuk jam person që emocionohem kollaj, por me këto që pashë në dokumentarin e përgatitur bashkë me fjalën e Megit të them të drejtën jam shumë i emocionuar.

Nuk jam këtu për të mbajtur fjalim. Nuk jam këtu as për të folur për historikun 30-vjeçar të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Për efekt komunikimi 30-vjetorin e Partisë Socialiste do ta ndaja në dy periudha: periudha e parë 1991-2005 dhe periudha e dytë 2005 – 2021.

Nuk do të them asgjë për ato tre netë e tre ditë sesi u ideua, miratua dhe themelua familja jonë politike.

Dua të them, se menjëherë pas krijimit, gjatë kësaj periudhe të parë 1991 -2005 ne u identifikuam si forca politike e sistemit që lajmë pas.

E dyta, megjithëse, siç thoshte Dritëroi jonë i madh, i gjithë spektri politik shqiptar doli nga mitra e përgjakur e Partisë së Punës, ne u anatemuam si gjithë kohës si të ishim vetë Partia e Punës.

Të ishe socialist nuk ishte e modës. Flitej për liri fjale, por vetëm liri fjale nuk kishte për socialistët. Flitej për shtet ligjor por vetëm ligj nuk kishte për socialistët. Flitej për ekonomi tregu por vetëm ekonomi tregu nuk kishte. Flitej për shtet të së drejtës por vetëm të drejta nuk kishte për socialistët.

Rrahje, persekutime, barbarizma, ndëshkime dhe arrestime që kulmuan me burgosjen e liderit tonë të asaj kohe, Fatos Nano.

Kanë qenë ditë dhe vite tepër të vështira.

Meqë jam ende aktiv në jetën politike dua të përshëndes 15 anëtarët e parë të Kryesisë së Partisë Socialiste. Përshëndes me mirënjohje 3 nënkryetarët e parë të Partisë Socialiste: Servet Pëllumbin, Ismail Lleshin dhe Spiro Deden.

Përshëndes shumë figura të spikatura akademike të cilat në katër vjeçarin e parë që prej themelimit janë marrë me programin e Partisë Socialiste. Duke filluar me Shkëlqim Canin, Ermelinda Meksin, Sabit Brokaj, Anastas Angjeli, Maqo Lakrori, Et’hem Ruka, Xhevat Lloshi, Fatri Sinani e Vasillaq Kureta, që nën drejtimin e Servet Pëllumbit rinovuan programin e Partisë Socialiste për të sjellë një program vërtet social-demokrat.

Përshëndes katër të rinjtë e parë që trokitën në derën e Partisë Socialiste: Ilir Zelën, Ndre Legisin, Pandeli Majkon dhe Ilir Metën.

Unë kam jetuar me 8 grupe Parlamentare deri tani. Por unë dua të përshëndes 28 deputetët e grupit të parë Parlamentar të Partisë Socialiste me në krye Namik Doklen. Memoria nuk më ka lënë, kanë qenë 36, por 8 prej tyre nuk janë më.

Ky Grup Parlamentar ka qenë Grupi më i mirë Parlamentar që ne kemi pasur në tetë mandate parlamentare.

Së fundmi, kam edhe një përshëndetje për Fatos Nanon.

I dashur Fatos, ne jemi krenar për ty për shumë gjëra.

Shumëkush nga ne apo kundërshtarët e tu i thonë vetes politikanë, por askush nga ne dhe kundërshtarët e tu nuk thotë dot që ti Fatos Nano nuk je politikan.

I dashur Fatos, ne jemi krenarë që të kemi pasur kryetar për 14 vjet.

Kushdo nga ne dhe kundërshtarët e tu i thotë vetes intelektual, por askush nga ne dhe kundërshtarët e tu nuk thotë dot që ti Fatos Nano nuk je intelektual.

I dashur Fatos, shumë socialistë nga viti 1991 deri në vitin 1997 u persekutuan, por katër vjet burg i bëre vetëm ti i dashur, për të vetmin faj sepse ishe kryetari jonë. Mirënjohje, mirënjohje, mirënjohje Fatos Nano.

Në vitin 1997 ne morëm pushtetin, por çe do, shteti kishte rënë. Brenda dy mandatesh ne ngritëm shtetin, vumë në binarë ekonominë e tregut, shtetin e së drejtës, shtetin ligjor. Anëtarësuam Partinë Socialiste të Shqipërisë në Internacionale Socialiste, e mbi të gjitha përballuam luftën e Kosovës që sot ajo gëzon statusin Republika e Kosovës.

Mbi të gjitha, për herë të parë në mënyrë krejt të civilizuar në vitin 2005 u pranua humbja dhe u dha dorëheqja e Fatos Nanos. Këtë e bën vetëm një lidership dhe parti e civilizuar.

Për të ardhur në periudhën e dytë, 2005 deri sot.

I dashur Edi, të kujtohet viti 2003 kur shprehe dëshirën dhe ambicien për t’u bërë kryetari jonë?

Shumë dyer degësh të Partisë Socialiste t’u mbyllën. Shumë delegatë dhe anëtarë të Komitetit të Përgjthshëm Drejtues nuk jepnin firmën për të mbështetur kandidaturën për konkurimin tënd. Megjithatë ti qëndrove stoik sepse ti e dije mirë që të bëhesh drejtues dhe lider i një partie politike nuk mjafton vetëm ambicia dhe dëshira jote por duhet patjetër edhe dëshira e dashuria e atyre për të cilët ti pate dëshirën për të qenë kryetari i tyre.

Ajo erdhi fare natyrshëm në vitin 2005.

Ja ku jemi sot, kaq krenar si asnjë parti e majtë në të gjithë Europën Lindore me tre mandate rresht të fituara.

Për të përfunduar pa dashur t’ju mbaj gjatë për të gjitha arritjet. Po përmend vendimin e djeshëm që për herë të parë Shqipëria jo vetëm që nuk është importuese sigurie, por eksportuese e saj dhe ulet në Këshillin e Sigurimit mes pesë më të mëdhenjve të botës.

Natyrshëm ne jemi krenarë për të gjitha këto. Baza e këtij sukesesi është kjo familje e madhe politike.

Kjo familje e madhe politike që në këtë periudhë jo vetëm që nuk u vyshk, jo vetëm që nuk u rrudh por u rrit, u shtua, u emancipua.

Sot kemi jo pak por 112 mijë anëtarë.

Kur them që u emancipua unë sjell vetëm 2-3 tregues. 

Një shoqe kishim në vitin 1991 në Kryesinë e parë të Partisë Socialiste, 35% e Kryesisë së sotme janë shoqe.

Një shoqe kemi pasur në Grupin e parë Socialist, 37% e Grupit të sotëm Socialist janë shoqe. Dy shoqe kemi pasur në vitin 1997 anëtare të kabinetit qeverituar, 53% e kabinetit actual qeverituar janë shoqe.

Vetëm në vitet e qeverisjes së Partisë Socialiste, organizatat e Organizatë së Kombeve të Bashkuara e kanë renditur Shqipërinë në 10 vendet më të mira të botës përsa i përket barazisë gjinore. Ky është një sukses tjetër.

Baza e këtyre sukseseve tona janë: fryma, organizmi dhe lidershipi.

Kur flasim për liderin baza e suksesit tonë ka qenë të Edi Rama.

Kur flasim për organizimin, kjo përsosmëri e jona i tërbon kundërshtarët tanë që sulmojnë me aq shumë patos të ashtuquajturit patronazhistë që si në formë dhe përmbajtje.

Kur flasim për lidershipin ne jemi me fat që kemi një lider me vizion dhe ambicie.

Jemi me fat që kemi një lider me energji. Ne jemi me fat që kemi një lider këmbëngulës, të vendosur, të përkushtuar dhe të maturar.

Prandaj, tre mesazhe kam: ta ruajmë vëllezër dhe motra këtë frymë, ta konsolidojmë këtë organizim si forcë dhe familje politike dhe të mbështesim pa kursim lidershipin e kryetarit tonë, Edi Rama.

Së fundi, kur unë nisa rrugëtimin tim të kësaj maratone të gjatë prej tre dekadash politike, 30 vjeçarët që janë në këtë Kongres nuk kishin lindur Akoma. Kur unë nisa këtë rrugëtim, 5-vjeçarët e 1991-shit, sot janë 35-vjeç. Kur unë nisa këtë rrugëtim, 10-vjeçarët e 1991-shit sot janë 40 vjeç dhe janë shumë mes nesh këtu. Kur unë nisa rrugëtimin tim, adoleshentët 15-vjeçarë sot janë 45-vjeç, dhe ata janë bërthama e Partisë Socialiste.

Gjatë këtij mandati që po përfundojmë me mua ka bashkëjetuar një pyetje: kur dhe ku unë Gramoz Ruçi do deklaroj fundin e kësaj maratone timen politike.

Prandaj, miqtë e mi, unë kam zgjedhur sot në 30-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, sot që ne kemi fituar mandatin e tretë qeverisës, pas disa muajsh unë kam 70-vjetorin e lindjes, deklaroj këtu para jush se në 9 shtator kur fillon legjislatura e re, nuk do të ushtroj më mandatin që më ka dhënë Partia Socialiste dhe socialistët të Qarkut të Fierit.  Gjithashtu, nuk do kem ambicien për qenë pjesë e ndonjë organi ekzekutiv të familjes sime politike që më ka dhënë kaq shumë në këto 30-vjet.

Prandaj për ta mbyllur më lejoni të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi që kam pasur fatin të bashkëpunoj në këto 30 vjet. Dua të falenderoj edhe një herë Edi Ramën dhe Fatos Nanon. E kam pasur privilegj të jem bashkëpunëtor i tyre.

Falenderoj me gjithë zemër çdo socialist nga Velipoja deri në Konispol sepse ata kanë qenë mbështetja e vërtetë për mua.

Njëherësh i kërkoj ndjesë kujtdo që mendon se unë gjatë këtyre 30-vjetëve nuk kam plotësuar pritshmëritë që ka pasur ndaj meje.

Falenderoj për herë të parë dhe të fundit, bashkëshorten time, vajzën dhe djalin tim, të cilëve u kam krijuar shumë shqetësime në këto 30 vjet të jetës sime politike.

Ju garantoj të gjithëve se aq sa t’më punojë mendja dhe zemra do jem dhe mbetem një socialist i denjë, dhe gjysh i përkryer.

Rrofshin socialistët shqiptarë!

Gëzuar 30-vjetorin socialistë shqiptarë në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Rroftë Shqipëria.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm