Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Bashkë çojmë deri në fund vizionin për Shqipërinë e së ardhmes

Të reja

Bashkë çojmë deri në fund vizionin për Shqipërinë e së ardhmes

15 Apr 2021    

Fjala përmbyllëse në Lezhë - Rruga drejt 25 prillit -

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Përshendetje të gjithëve!

Në radhë të pare, shumë faleminderit për jo vetëm praninë, por edhe seriozitetin me të cilin të gjithë ju jeni këtu, duke qenë këtu sëbashku, por duke dhënë së bashku edhe shembullin se nuk është koha për mitingje ngjitur e ngjitur me njeri-tjetrin, nuk është koha për t’u kthyer në turma me borie e me zhurmë por është koha për të çuar përpara të gjithë detyrimet tona, është koha për të çuar përpara rrugën tonë nga njëra anë, duke vazhduar të jemi një vend që edhe pse nuk jemi ndër më të zhvilluarit, edhe pse nuk kemi ndër më të pasurit, përkundrazi jemi sot lart në tabelën e klasifikimit të vendeve europiane për ritmin e vaksinimit, për ritmin e shpejtësisë për daljen përfundimtare nga tuneli i pandemisë. Nga ana tjetër, jemi po ashtu të vetëdijshëm se deri në fund duhet të jemi të vëmendshëm që të respektojmë sa të mundemi distancat në mënyrë që vaksinimi të ketë sukses të plotë dhe nga ana tjetër për të mos e lejuar në asnjë mënyrë që për arsyen e madhe që na ka mbledhur, sado e madhe qoftë ne të bëhemi shkaktarë të qoftë dhe një infektimi të vetëm, të bëhemi shkaktarë të qoftë dhe të një zinxhiri të ri infektimesh. Prandaj shumë mirënjohje, shumë respekt, shumë faleminderit.

Motra dhe vëllezër,

Ne jemi sot në një situatë ku po shohim sesi drita në fund të tunelit të gjatë 16-17 muajsh po zmadhohet, po shikojmë sesi jeta po rikthehet përsëri, ku po shohim se si çka deri dje ishte e mjegullt e sot po kthjellohet. Jemi sot në një situatë ku në radhë të parë, ne shqiptarët, si shqiptarë, jo si socialistë e jo si demokratë, e pastaj patjetër edhe ne si socialistë dhe progresistë duhet të ndihemi krenare për provën e fortë të karakterit në këtë përballje që ka nisur tanimë kohë më pare, në momentin kur na ra fatkeqësia e parë e madhe dhe kur mijëra e mijëra familje shqiptare si ne, mbetën në pak sekonda pa shtëpi, në qiell të hapur, humbën gjithçka. E pastaj menjëherë kur fatkeqësia e dytë e madhe, tërmeti që tronditi e uli në gjunjë shtete më të mëdha e më të zhvilluara të botës, na goditi fort dhe përsëri ne qëndruam, ne rezistuam ne thamë që “do t’ia dalim” dhe shikoni sot që ne po ia dalim. Po ia dalim të kthejmë në shtëpi çdo javë familje, që jo vetëm kthehen në një çati të re por kthehen në një shtëpi  që është shumë më e mire, shumë më bukur, shumë më e fortë se ajo që kishim përpara tërmetit.

Ne po ia dalim që të kthejmë në shkolla fëmijë dhe mësues në shkolla shumë më të bukura, shumë më të mëdha në kushte fantastike që nuk i kishin para tërmetit.

Ne po ia dalim të ngrihemi nga kjo goditje e madhe shumë më të fortë e shumë  më të vetëdijshëm për fuqinë tonë, për të vërtetën e thjeshtë se shqiptarët kur vendosin t’i çojnë gjerat deri në fund, nuk ka asgjë që i ndal, kur shqiptarët vendosin të jenë të bashkuar dhe të arrijnë objektivin nuk ka asgjë që i pengon, kur shqiptarët vendosin të jenë ata që në të vërtetë janë, nëse nuk humbim drejtimin, atëherë është e padiskutueshme që s’ka asgjë që i ndalon dhe i pengon që të mbërrijnë.

E nga ana tjetër, si ne nuk mundet dot t’ia dalim për të realizuar ambicien, aspirata idetë tona tanimë që dielli po shkëlqen përsëri, tanimë që jeta po rikthehet përsëri, tanimë që ne u provuam, u sprovuam, u sfiduam edhe nga një tërmet si pandemia dhe ne ia dolëm. Kur ia dolëm kundër tërmetit, kur  ia dolëm kundër armikut të padukshëm, ne do t’ja dalim pa diskutim edhe kundër tundimit për t’u kthyer mbrapa, kundër tundimit për të ndaluar, kundër tundimit për tu ulur, për të pushuar, kundër tundimit për të gjetur një rrugë të shkurtër, tundim që e ka goditur këtë popull e këtë vend hera herës në histori, tundim që shqiptarët e kanë paguar shumë shtrenjtë gjithmonë kur kanë re pre e ti. Si kur ranë pre e thirrjeve të Haxhi Qamilit për t’i rënë shkurt, për ta bërë jetën rrafsh duke u rënë shkurt, ashtu skundër kur ranë pre për të mos shkuar larg, në historinë e dikujt që quhej Rrapush Xhaferi.

Këtu  të gjithë ata që nuk janë 20 vjeç, por janë më të rritur e dinë shumë mirë, por këto janë ditët për ta kujtuar më së miri dhe për të mos e harruar në asnjë mënyrë se çfarë ndodhi kur Rrapush Xhaferri u shfaq në jetën tonë së bashku me Vehbiun e Suden, natyrisht me bekimin e Saliut.

Çfarë ndodhi kur ky gjenerali, ky shpëtimtari, ky profeti me makina nga pas autokolonë ndalonte qytet më qytet e pritej me kënge e me valle, madje i shtronin edhe sheqer kur hynte diku siç i shtruan edhe Lulit kur erdhi në Lezhë, sheqer.

Iu thoshte shqiptarëve “ça keni ju, unë jam këtu, më çoi Zoti t’i zgjidh përfundimisht hallet tuaja ju s’keni pse shkoni në punë, ju s’keni pse lodheni të punoni token, ju s’keni pse lodheni të kullosni bagëtitë. Ju s’keni pse lodheni. Ju rrini në kafe bëni jetën tuaj qejf e muhabet, mjafton që ju të më jepi 1 dhe unë iu jap 2. Ju më jepni 5 mijë lekë sot, pas 1 javë unë i u jap 10 mijë, ju më jepni 10 mijë pas një javë dhe unë iu jap 20 mijë javën tjetër”. Kështu shqiptarët shkuan pas berihait, dëgjuan dhe Saliun që iu tha “shkoni erdhi dita, erdhi dita, ndryshimi i madh” trokiti, “shikoni janë lekë të pastra”. Shitën bagëtitë, shitën shtëpitë, shitën gjithçka kishin sepse jepnin një e merrnin dy e filluan të ëndërrojnë vila, makina, luksoze, një jetë tamam si ato në përralla. E fundi kush ishte që me jep një e të jap dy u bënë dy gishta mu në sy që qorruan një popull të tërë dhe Shqipëria e gjitha u gjend në mes të një zjarri që u ndez nga kjo marrëzi dhe pastaj sa vite u deshën për të marrë veten, sa vite u deshën për të marrë veten nga kjo marrëzi e për t’u ringritur? Sa vite u deshën për ti bërë prapë tufat e deleve, sa vite u deshën për të bërë lekët e për të rimarrë prapë shtëpinë?

Sa vite u deshën për t’i ribërë prapë lekët për të marrë mbrapsht shtëpinë? Sa vite u deshën për të ribërë prapë ekonominë tonë?

Gjithë ato vite.

Si mund t’i besohet përsëri një lloj Rapushi të ri, një Rapush i veshur e i zbukuruar si dhëndër, që ka dalë për nuse me një tabor krushqish! Ndërkohë që shkesët njëri duket, tjetri s’duket. Saliu dhe Iliri, ata janë shkesat që kërkojnë me çdo kusht t’i tërheqin shqiptarët pas këtij dhëndri të ri që ju thotë do t’ju jap lekë. Je një nënë me fëmijë të vegjël, do t’ju jap lekë për fëmijët. Jeni 2 të rinj të dashuruar, martohuni se ju jap lekët unë. Jeni fermerë, pa problem, do t’ju jap lekë. Lekë pafund!

Jeni sipërmarrës të vegjël, biznes i vogël, do t’ju jap nga 1 mijë euro në muaj. Lekë, lekë, lekë!

Ne nuk jemi në këtë garë se kush jep më shumë lekë. Lekë që në fakt s’do jepen kurrë dhe s’do merren kurrë. Ne jemi në këtë garë për të bërë një dallim shumë të madh, për të bërë një zgjedhje shumë të qartë.

Ne duam të mbërrijmë në atë majë ku Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të mbërrijë, sepse Zoti ja ka fal të gjitha si asnjë vendi tjetër, ndoshta, në një hapësire kaq të vogël. Edhe detin, edhe malet, edhe lumenjtë, edhe ujin e pafund, edhe pasuritë natyrore. Ka qenë robi që nuk e ka lënë të ngjitet në majë, gjithmonë duke përfituar nga momentet kur shqiptarët janë lodhur, kur shqiptarët janë ndjerë të mërzitur, kur shqiptarët janë bërë të pakënaqur e kanë thënë nuk ja vlen. Pikërisht në ato momente sprovohet karakteri, ashtu siç sprovohet karakteri i babës fermer, që punon tokën, i babës që del në ora 4 të mëngjesit dhe kthehet natën. I babës që e lë fëmijën në gjumë dhe e gjen në gjumë për të sjellë në shtëpi ushqimin, për të sjellë në shtëpi fitimin nga djersa e ballit. I babës që një ditë të bukur del nga shtëpia dhe e gjen rrafsh të gjithë prodhimin, sepse një breshër i madh ja ka marrë të gjitha. I babës që të nesërmen nuk thotë varja, por i babës që të nesërmen rikthehet, rimbjell, rikultivon, rimbledh dhe ringrihet.

Karakteri i të gjitha nënave tona, grave, nuseve që i rrinë në kokës shtëpisë, që i rrinë në kokë familjes, fëmijëve, që nuk thonë u lodha, u mërzita, nuk thonë varja. Karakteri i të gjithë atyre shqiptarëve që në jetën e tyre të përditshme besojnë tek puna, besojnë tek djersa e ballit të tyre, besojnë tek fuqia e ambicies së tyre dhe nuk dorëzohen.

E pra, kjo është sprova e karakterit shqiptar, në 25 prill, për të vazhduar të ngjitemi edhe pse sot, natyrshëm, kush nuk është i stresuar, kush nuk është i mërzitur, kush nuk është edhe i lodhur pas gjithë kësaj periudhe të tmerrshme, ku bota u mbyll, ku udhëtimet u penguan, ku lëvizja u kufizua, ku ekonomia u shtrëngua. Askush! Ama ka 2 mënyra për t’ju qasur kësaj ndjesie lodhjeje, mërzie e pakënaqësie. Njëra është për të shkuar pas berihait, për të shkuar pas taborëve të krushqve për një dasmë që nuk do të ndodhë kurrë, por që do të kthehet në një tjetër fatkeqësi, në një tjetër zhgënjim të thellë, në një tjetër kohë të humbur. Ose për t’i thënë vetes të vazhdojmë të ngjitemi, ta çojmë këtë vend në atë majë për të cilën ky vend është krijuar. Në atë majë ku pa diskutim, të bashkuar dhe të vendosur me një qëllim, punën, ne do ta arrijmë me se s’bën.

Shikojeni Lezhën sot, Kurbinin, Mirditën. A ka të krahasuar me 6-7 vjet më parë? As që bëhet fjalë. Por as nuk ka krahasim me atë që duhet të jetë, për të bërë që fëmijët që lindin në këtë zonë të bekuar nesër të jenë krenar, jo thjesht e vetëm për historinë e lavdishme, as për këngët e as për heroizmat, as për kulturën e as për trashëgiminë. Por edhe për kushtet e kësaj shtëpie që quhet Shqipëri dhe që duhet dhe do ta bëjmë të ardhmen e çdo fëmije që lind këtu. Pastaj le të jenë vajzat e djemtë e këtij vendi që vendosin duan të rrinë këtu a duan të shkojnë diku tjetër.

Ne do ta bëjmë këtë jo me “lekë, lekë, lekë”, por me “punë, punë, punë”. Punë që do ta krijojmë me shumë vendosmëri dhe që sot është plotësisht e mundur. Në këto vite ne kemi bërë shumë gjëra, po kemi bërë edhe një përgatitje për shumë të tjera. Sepse në këto vite, ne e ndaluam për një moment, që pastaj u bë 1 vit, u bë 17 muaj deri sot. Na frenoi, na ngadalësoi, na pengoi, na lodhi, na stresoi, por ne jemi gati që tani, që tuneli i pandemisë po mbaron dhe që dielli po shkëlqen përsëri, ta bëjmë diellin e Shqipërisë të mrekullueshëm jo vetëm për ata që vijnë e jo vetëm për ata që kanë mundësi, por për çdo shtëpi shqiptare kudo ku të jetë. Është e mundur!

Prandaj sot dëshiroj t’ju tregoj vetëm një pjesë shumë të rëndësishme, më të rëndësishmen e gjithë planit tonë, që nuk është një program elektoral, nuk është një plan në letër, nuk është as një plan thjesht me fotografi e 3D. Por është një plan sipërmarrjesh, investimesh të huaja, investimesh të brendshme, investimesh private e publike, që do ta çojnë Shqipërinë në vitet që vijnë në një nivel tjetër, që do të bëjnë që Shqipëria e kësaj dekade të jetë kampione e turizmit në Ballkan, të jetë kampione e agroturizmit në Ballkan, të jetë kampione në Ballkan për energjinë, të jetë kampione në Ballkan edhe për shoqërinë digjitale.

Shqipëria jonë të jetë vendi ku të krijohet punë, por ku puna të paguhet shumë më mirë. Sot, këto nuk janë thjesht dhe vetëm dëshira. Këto janë ambicie të vendosura mbi një bazë që ne kemi ngritur.

Shqipëria kampione e Ballkanit në bujqësi është plotësisht e mundur. Ne e nisëm me rreth 100 milionë dollarë eksporte, sot jemi 400 milionë. Sot, Shqipëria punon dyfishin e tokës në bujqësi. Ne e nisëm me 1 eksport 7 import, sot jemi 1 eksport 3 import. Mund të shkojmë në mbi 1 miliard eksporte në këto katër vite, por jo vetëm kaq. Mund të shkojmë edhe më lart, mund të bëhemi realisht të parët në këtë rajon, sepse kemi kushtet, kemi njerëzit, po edhe sepse kemi një politikë sot, krejt ndryshe nga ajo që ishte. 

Çfarë na duhet plus? Na duhet forca e karakterit për të besuar, për të duruar, për të mos u lodhur dhe për të vazhduar edhe më tej.

Tani është koha që mund ta them pa asnjë frikë, sepse deri tani pandemia na ka penguar, bllokuar dhe vonuar, por duke dalë nga tuneli i pandemisë, do jemi në gjendje t’ia shtojnë Shqipërisë portat hyrëse, nga qielli dhe nga deti. Ta bëjmë Shqipërinë me 4 aeroporte. Aeroporti i Kukësit sapo ka përfunduar. Aeroporti i Tiranës do të riinvestohet për t’u bërë një aeroport me dy terminale dhe me një pistë që të na mundësoj ambicien që Air Albania ta çojmë edhe në New York dhe që shqiptarët nga New York të vijnë drejtpërdrejtë në Tiranë. Një aeroport në Vlorë, i cili tanimë është në kontraktim, me Behxhet Pacollin dhe me një konsorcium të rëndësishëm dhe një aeroport tjetër në Sarandë.

Dikush thotë që Shqipëria është e vogël, çfarë i duhet 4 aeroporte.

Kroacia është 4milionë banorë, ka 9 aeroporte dhe është e 7-ta në botë në turizëm. Kroacia është ajo që është pikërisht sepse ka ditur ta transformojë të gjithë bekimin e Zotit, të gjithë pozicionin e vet gjeografik dhe çfarë i ka dhënë natyra, në një burim të ardhurash që është baza kryesore e mirëqenies në Kroaci.

Ne kemi shumë më tepër mundësi. Ne na duhet vetëm që këtë vizion ta çojmë deri në fund dhe ta kthejmë në punë dhe projekte të realizuara konkretisht. Bashkë me aeroportet dhe portet turistike.

Lezhës i duhen sot shumë më tepër turistë. Dhe do të vijnë pikërisht duke hapur këto porta, por dhe duke e kthyer portin ekzistues të Lezhës, i vjetër e i lodhur, në një nga 4 portet e reja turistike të Shqipërisë. Një porte turistike që sjell turistë të një niveli tjetër, me shumë lekë, që kanë nevojë për shumë shërbime këtu dhe të cilët konsumojnë shumë. Kjo kategori turisti do të afrohet në Shqipëri dhe është hapur rruga, sepse ne do të nisim portin e ri turistik më të madhin e vendit tonë, një ndër më të mëdhenjtë në Mesdhe, pavarësisht se kompania  e madhe që do ta bëjë, ajo që ka portin e Dubait, thotë që do jetë më i madhi në Mesdhe. Unë them një nga më të mëdhenjtë, i cili do të sjellë shumë më tepër turistë, por përveç turistëve do të hapë një nam shumë të madh tek shumëkush që Shqipërinë deri më sot e di që është akoma në Mesjetë, vend që vjen e të ndodhin gjëra të këqija.

Është porti tjetër turistik i Vlorës dhe porti turistik i Sarandës për të cilin kemi nisur nga puna.

Të gjitha këto janë investime që do krijojnë shumë punë për shumë njerëz, që do krijojë një zinxhir të tërë shërbimesh që do kërkojnë përsëri njerëz për shumë lloje punësh dhe punë të paguara shumë mirë. Volumi i këtyre investimeve tejkalon me herë volumin e investimeve që Shqipëria ka pasur gjithë këto vite. Një paketë investimesh që do injektojë në ekonominë tonë, në totalin e vet, 10 miliardë duke nisur nga ky vit e duke vazhduar për 5 e 6 vite.

Në këtë paketë përfshihen dhe investimet në infrastrukturë. Ne e bëmë garën për Milot-Fier dhe u detyruam ta anulojmë negociatën me kompaninë fituese, sepse nuk ishte ajo që donim në aspektin e interesit të publikut dhe kostos. Do ta rihapim menjëherë dhe do ta bëjmë atë pjesë strategjike për turizmin tonë dhe për turizmin në rajon përmes këtij boshti, që është boshti i Korridorit Blu, nga Muriqani në Milot, nga Miloti në Fier e nga Fieri në Vlorë, autostradë shpejtësie. Ndërkohë që rrugët që janë do mbeten për të gjithë ata që duan të shkojnë më avash. Është një investim i madh. E ndërkohë, bashkë me këtë, ne patëm thënë dhe është në kantier Shëngjin –Velipojë. Ka nisur puna dhe është një rrugë panoramike që hap një front të tërë zhvillimi të qëndrueshëm dhe të mençur, për të krijuar në gjithë atë brez një tjetër front pune dhe punësimi përmes një turizmi që të sjellë këtu gjithmonë e më shumë njerëz, që vijnë e qëndrojnë e shpenzojnë në Shqipëri dhe shqiptarët të kalojnë në një nivel tjetër ekonomikisht. Është shumë e bukur për ta thënë, por duhet punë për ta bërë. Ne jemi gati ta bëjmë këtë punë.

Unë besoj që në 25 prill, shqiptarët do duan me patjetër të japin mbështetje për ta bërë këtë punë. Vetëm me rindërtimin, ne kemi punësuar 25mijë punëtorë. Çfarë është rindërtimi si volum financimi, krahasuar me gjithë këto kantiere? Çfarë është rindërtimi, krahasuar me kantieret e energjisë?

Ne e nisëm punën kur Shqipëria ishte në prag kolapsi energjetik dhe financiar, kur gjysma paguante drita dhe gjysma tjetër jo. Sot, ne kemi ende shumë për të investuar që të mos ndodhë askund që ato telat e korrentit t’i marrë era dhe të ikin dritat. Mos harrojmë që kemi investuar në të gjithë sistemin e shpërndarjes me shumë se të gjitha vitet e marra sëbashku, qysh nga koha e elektrifikimit se atje, tek koha e elektrifikimit ngeci dhe mbaroi investimi në sistemin e shpërndarjes. Sot, me dy projekte të kësaj pakete, me Skavicës në veri, me TEC-in e Vlorës në jug, që në bazë të marrëveshjes me dy kompanitë e mëdha amerikane që janë angazhuar do të hyjnë në sistemin tonë, si dhe dy parqet me energji diellore, njëri më i madhi në Ballkan ka filluar, në Karavasta, tjetri fillon së shpejti në Spitallë të Durrësit, Shqipëria do bëhet eksportues neto i energjisë. Ne nuk do harxhojmë më asnjë lek për të blerë energji, por ne do shesim energji dhe ndërkohë do kemi garantuar sovranitetin tonë energjetik duke prodhuar këtu, për Shqipërinë e shqiptarët, të gjithë energjinë që na duhet.

Kjo nuk është një ëndërr e parë në gjumë, ëndrrat që shihen në gjumë nuk duhen besuar. Ëndrrat që shihen me sy hapur i dallojnë njerëzit që bëjnë sukses nga ata që dorëzohen. Çdokush që sheh ëndërr me sy hapur sheh diçka që me siguri mund ta arrijë, por për të arritur ëndrrat që sheh me sy hapur, duhet të kesh vendosmërinë të përballosh sfidën e jashtëzakonshme dhe të kapërcesh të gjitha pengesat që të dalin rrugës, të mos lodhësh, të mos dorëzohesh, të besosh, durosh, të rrëzohesh e të ringrihesh, të ecësh pa ndaluar.

Unë e kam parë me sy hapur ëndrrën e Shqipërisë në majë, kampione në këtë rajon, në këtë lagje ku ne jeni vende të Ballkanit në mes të Europës Pikërisht se e kam parë me sy hapur këtë ëndërr, jam kthyer nga emigracioni dhe ajo ëndërr më ka mbajtur dhe më mban akoma këtu, për të mundur që nesër,  Zaho dhe fëmijët e të gjithë shqiptarëve të mos ndjehen  siç ndjehen sot ata që janë 30 vjeç, ata që lindën kur ra komunizmi. Në 30 vjet, sa shumë vite e kohë kemi humbur dhe sot çuditërisht vijnë na i kërkojnë ne llogaritë për të gjitha ato që nuk i bënë, vijnë e na i kërkojnë ne faturat e të gjitha atyre kostove që na krijuan. 

E pra, unë dua që Zaho dhe bashkëmoshatarët e tij nesër të jenë krenarë për të gjithë ne sot, të jenë krenarë për ata që duke më mbështetur mua, duke mbështetur PS bënë që ëndrra të bëhet realitet, për të gjithë ata që nuk thanë “nuk ia vlen, të gjithë janë njësoj”.

Po të ishin të gjithë njësoj, edhe Lezha këtu do ishte njësoj si dje. Edhe ky shesh këtu nuk do ishte ky shesh i bukur i  një qyteti të vogël mesdhetar, por do ishte akoma ai parkingu i tmerrshëm që gjetëm, me gropa e me baltë.

Po të ishin të gjithë njësoj, edhe plazhi i Shëngjinit do ishte i mbushur me plehra gjatë sezonit veror, por pikërisht se nuk janë të gjithë njësoj, më në fund, njerëzit vijnë në plazh dhe thonë, çfarë pastërtie!

Po të ishin të gjithë njësoj, sot nuk do ishteduke u punuar dyfishi i tokave në bujqësore.

Po të ishin të gjithë njësoj, sot nuk do ishim dot në gjendje t’i shikonim këto projekte dhe këto projekte të ishin të shoqëruara me emra investitorësh, me kompani të mëdha, të ishin të shoqëruar me grupe që janë gati të vazhdojnë apo të fillojnë punën. Po të ishim të gjithë njësoj, ne sot do ishim gjysma duke vjedhur dritat e gjysmës tjetër.

Po të ishin të gjithë njësoj, sot do i kishim akoma fëmijët viktima të atyre librave skandalozë, të shkruar nga kopjacët e Kryeministrisë, merr andej e merr këtej e përkthe mbrapsht. Po të ishin të gjithë njësoj, sot, fëmijët e Shqipërisë nuk do ishin në shkollë me librat e Oxford, Cambridge, Pearson, njësoj si të gjithë fëmijët e Europës. Po të ishin të gjithë njësoj, sot, mësuesit do ishin këtu në rresht të gjithë, pa i pyetur fare me kë je. Po të ishin të gjithë njësoj, kush nuk vinte, nesër do hiqej nga puna.

Sot, çdo mësues e mësuese është në vendin e vet dhe nuk e luan dot njeri. Për t’u bërë mësues e mësuese, nuk të ndihmon dot, sot, partia, as të njohurit apo të pasurit që ti mund të njohësh e mund të kesh  pranë. Të ndihmon vetëm dija jote.

Po të ishim të gjithë njësoj, fëmijët e atyre më të varfërve, fëmijët e atyre pa mbiemër të madh, fëmijët e atyre pa lekë nuk do shkonin sot në universitet dhe të ishin në listat që dalin kur bëhet hyrja në universitet përpara fëmijëve të atyre që babën e kanë të pasur apo që babën e xhajën e kanë politikan. Sot, në universitet futet çdo fëmijë që e meriton dhe kur fëmija e një çobani në mal apo i një mjelëseje në fund të botës e meriton më shumë sesa fëmija e një ministreje apo fëmija i një politikani, nuk ka zot që i parakalon, janë ata që hyjnë të parët.

Po të ishim ne të gjithë njësoj, policët do ishin akoma nëpër kryqëzime duke ngrënë fara kungulli e fara luledielli. Apo i keni harruar?

Po të ishim të gjithë njësoj, ju që shkoni në Tiranë e vini nga Tirana vazhdimisht, do vazhdonit të shikonit ato tezgat me mollë, me patate e qepë, gjatë gjithë rrugës. E jo vetëm kjo rrugë, por gjithë rrugët e Shqipërisë. Ku janë tezgat? Sot nuk dalin më mollët dhe qepët, domatet, kastravecët, perimet e frutat nëpër rrugë, sepse ka ndryshuar e gjithë struktura, i gjithë sistemi. Sot, ne kemi 140 pika grumbullimi të reja, të ndërtuara gjatë këtyre viteve, që e mbledhin prodhimin në kushte dhe standarde e pastaj e çojnë në eksport. Sot, fermerët nuk dalin me çantë rrugëve për të shitur, por grumbullojnë prodhimin.

Natyrisht që duhet bërë akoma më shumë e për këtë jemi këtu, për të bërë akoma më shumë, për të bërë pika të tjera grumbullimi.

Duke qenë se këtu në Lezhë janë krijuar nga njerëzit, nga talentet e këtij vendi, nga kurajozët dhe nga punëtorët e këtij vendi, disa shembuj fantastik të agroturizmit, çuna të kthyer nga emigracioni, nga Italia, kanë krijuar këtu bujtina që janë standardi më i lartë europian. Na duhet të kemi shumë më tepër prej tyre, sepse turistët do të vijnë për detin, për Shëngjin, Velipojën, Vlorën, Sarandën, por turistët duan të futen më thellë dhe në mrekullitë e natyrës shqiptare, në këtë parajsë e kudo të gjejnë sa më shumë mundësi për të qëndruar, sa më shumë mundësi për të shijuar.

Për këtë arsye, në planin tonë, ne kemi vënë 5000 euro për çdo emigrant që vendos të investojë kursimet e veta tek shtëpia e babës, e gjyshit në fshat, aty ku dera është mbyllur prej 30 vitesh, por aty ku ka një natyrë e traditë fantastike, aty ku ka rrënjët e veta, për të hapur ato dyer e për të fituar nga aktiviteti i mikpritjes në ato dyer, më shumë sesa fitojnë në emigracion duke punuar për të tjerët. Nuk kanë nevojë të kthehen nëse nuk duan të kthehen, mjafton të investojnë këtu, të punësojnë këtu kushërinjtë e tyre, t’i hapim ato dyer, t’i sjellim të huajt nga të katërt anët e t’i themi shiheni kush janë shqiptarët, kush është Shqipëria. Nuk është vetëm Durrësi, vetëm Shëngjini, vetëm deti e bregdeti, por është një thesar nga të gjitha anët i gjithi për t’u zbuluar. Është plotësisht e mundur!

Italia është shumë e famshme për brigjet e detit, por mrekullia e Italisë është kur hyn më thellë, kur shkon në fshat, kur shkon nëpër gjithë ato bujtina, shijon ushqimin, shijon respektin, shijon mikpritjen, historinë, traditën familjare, komunitare të atyre njerëzve. Ne i kemi të gjitha këto. Tani, ose me rrugët e sheqerit, ose me rrugën e punës. Ose me rrugët e dasmave që nuk ndodhin, ose me rrugën e punës që është e vetmja forcë që i bën gjërat të ndodhin.

Shumëkush mendon se politika është diçka e keqe. Politika është edhe shumë e keqe, edhe shumë e mirë, varet se në çfarë duarsh bie, varet çfarë vendimesh merr, varet çfarë punësh bën. Nëse sot Shqipëria ka nivelin më të lartë të vaksinimit në rajon,  një nga nivelet më të larta të vaksinimit në Europë, këtë e bëri politika, këtë nuk e bëri qielli. Politika ka bërë gjëra të tmerrshme në historinë e njerëzimit, por politika ka bërë mrekullia për njerëzit. Pa politikën shoqëria nuk do kishte arritur deri këtu, pa politikën as SHBA-ja, as BE-ja, as demokracia nuk do kishte lindur. As vota nuk do ishte shpikur pa politikën. As gratë nuk do ishin dot kurrë në synimin për të qenë të barabarta me burrat, pa politikën.

Politika ka shumë rëndësi, prandaj edhe vota ka shumë rëndësi. Kush thotë që vota nuk vlen, nuk di çfarë thotë dhe në ndërkohë, zgjedhja është shumë e qartë. Është një zgjedhje karakteri, është një zgjedhje lidershipi, është një zgjedhje çfarë rruge do ndjekim. Shqiptarët nuk munden dot, pa pritur e pa kujtuar, të rikthehen  mbrapa, të bëjnë gabimet që janë mjaft për të nxjerrë mësim e të votojnë për një konglomerat që nuk ka lidhje, por ka thjesht dhe vetëm një kukull që një natë e kurdis Saliu dhe në mëngjes e rikurdis Iliri.

Iliri, - ma thanë tani kur po vija, - kishte dalë në konferencë shtypi dhe thoshte, Luli po të dojë le ta bëjë tani atë marrëveshjen. Se çfarë marrëveshje duhet të bëjë.

Unë dje i thashë një gazetari jam i gatshëm, patjetër, të bashkëpunoj me opozitën, sepse ata janë opozitë e do jenë në opozitë, sepse PS-ja do t’i fitojë zgjedhjet, sepse ne do vazhdojmë të qeverisim. Por ama, nëse është e mundur të shkojmë përtej kësaj politike ndasish, sherresh e përçarjes dhe të bashkëpunojmë ngushtësisht, pse jo?

Por ama, - i thashë, - ka një kusht, Luli duhet të ndahet nga Saliu e nga Iliri. Domethënë, kukulla duhet të ndahet nga çelësi që e kurdis dhe janë dy çelësa. Luli vrapon me vrap, të thotë jo. Se nuk mundet. Si do thotë po? Po tha po, i hoqën baterinë e nuk e lënë më. Po tha po, mbaroi, iku. Është kukull me bateri. Vetëm një kukull me bateri mund të jetë një herë spiderman e një herë borëbardhë. Njëherë siperman që thotë do ngjitemi në muret e institucioneve dhe do kapim institucionet, do djegim e do përvëlojmë si batman dhe një herë tjetër, borëbardha me 7 xhuxhat që i vijnë nga mbrapa. I keni parë? I fsheh, nuk i nxjerr 7 xhuxhat. Njëri nga xhuxhat pi raki, tjetri shet dhe blen vezë, tjetri jep e merr borxhe. Por nuk i nxjerr ata.

Është shumë e rëndësishme të shkojmë përtej kësaj politike, të shkojmë përtej partive, të shkojmë përtej politikanëve. Është shumë e rëndësishme që politikanët të parët t’i japin njerëzve provën që politika është për ta, jo për politikanët, që me politikën mund të bëhen gjëra të jashtëzakonshme.

Megjithatë, duan apo nuk duan ata që nuk duan, ne do ta bëjmë këtë vend. Kësaj pune i va vdek nona! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm