Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › 30 VJET FRESSH - Ç'ËSHTË POLITIKA

Të reja

30 VJET FRESSH - Ç'ËSHTË POLITIKA

15 Jan 2022    

 

30 vjet FRESSH - Ç'ËSHTË POLITIKA

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, në 30 vjetorin e themelimit të FRESSH:

 

Duke menduar se për ju është një sforco e veçantë që ditën e shtunë me këtë diell, me ata që keni në krah, me të tjerë që mund t’i shikoni si anash dhe thoni kur mund ta bëjmë një takim, të dëgjoni fjalime është mbase e tepërt. Mua mu duk e udhës që të bëj sot një fjalë ndryshe nga ato që keni dëgjuar e të merrem me politikën si fjalë. Si fjalë e urryer për shumëkënd në kohën që jetojmë, si fjalë e shkarravitur sa në asnjë kohë tjetër, si asnjë fjalë tjetër mes fjalëve më të këqija. Falë edhe një mundësie krejt të panjohur deri ca kohë më parë për njerëzimin, që kjo kohë ua dha njerëzve për t’u futur nëpër rrjete sociale, tamam si nëpër korridore të pafundme metroje, ku ata lënë spontanisht shkarravina.

Falja “politikë” ka hyrë sot botërisht në grupin e fjalëve të pista dhe bashkë me politikën, edhe politikanët janë kthyer në një kategori që është e mallkuar gjerësisht në të gjitha bisedat apo në shkarravitjet spontane të njerëzve mbi muret e rrjetit të metrosë sociale, aty ku “friends” hynë e dalin pa ndërprerje, futur mes një mizërie që lëvrin si në jerm, lartë e poshtë labirinteve të panumërta, me imazhe kaotike e me tinguj kakofonik që shfaqen e zhduken në ekranin e “smartphone”, në një lëvizje pa asnjë busull e pa asnjë drejtim, ku politika është ajo që  shkelet me këmbë pa pushim ndërkohë që politika është mundësia e vetme për orientim kolektiv që ne njerëzit, trashëgojmë nga historia e njerëzimit.

Në një nga analizat më të hershme  të politikës, atë të republikës apo të politesa së Platonit, politika lidhet drejtpërdrejtë me kërkimin e të mirës. Platoni e përkufizonte politikën si art mbretëror dhe me këtë admirim epror për artin e politikës, ai shpjegon edhe një nga mitet më të famshme të antikitetit grek, mitin e Prometeut.

Zeusi, sipas Platonint, ngarkoi dy vëllezër, të cilët ishin gjysmë perëndi, Prometeun dhe Epimeteun, që të përhapnin mes krijesave të gjalla, fuqitë e mbijetesës. Për këtë, Epimeteu, i cili është ai që i shikon gjërat pasi ndodhin, ju shpërndau krijesave thonjtë, dhëmbët, shpejtësinë, forcën, por la pas dore njerëzit, të cilët mbetën në mëshirën e kafshëve. Aty hyri në lojë Prometeu, i cili është ai që i sheh gjërat pasi ato ndodhin. Për të shmangur zhdukjen e qenieve njerëzore, që do ta kishin të pamundur të mbijetonin karshi kafshëve, Prometeu i vodhi Efestit dhe Athinasë zjarrin dhe dijen dhe ua dha njerëzve, të cilët përmes këtyre dy dhuntive të reja, mund t’i rezistonin sulmeve të krijesave të tjera, por prapë se prapë njerëzit mbetën ende të hapërndarë, të pabashkueshëm me njëri-tjetrin e për këtë arsye edhe të dobët, përballë sulmeve vdekjeprurëse të tufave të krijesave të tjera. Kjo, thotë Platoni, vinte ngaqë ata zotëronin zjarrin dhe dijen, por nuk zotëronin ende artin e politikës e prandaj sipas tij, miti i lavdishëm përfundon me ndërhyrjen e vetë Zeusit, i cili u dhuroi njerëzve dy ndjenja.  Ndjenjën e turpit dhe ndjenjën e drejtësisë, e kështu u hap rruga e bashkimit të njerëzve dhe themelimit të qyteteve ku lindi arti i madhërueshëm i politikës.

Juve, e kam fjalën për më të rinjtë këtu, që keni ardhur sot, me siguri që e dëgjoni shumë shpesh në mjedisin tuaj fjalën politikë. E dëgjoni si refuzim për t’u marrë me politikë apo qoftë dhe për të folur për politikën. “Nuk dua të merrem me politikë, nuk dua të flas fare për politikën, politika është pisllëk, politikanët janë të gjithë pisa, nuk dua t’jua shikoj bojën, nuk dua t’jua dëgjoj zërin”.

Por a është e vërtetë që politika është sinonim i pisllëkut? Dhe në fund të fundit, çfarë është dreqi e mori politika? Vetë fjala politikë vjen nga “polis”, në greqishten e vjetër ishte qytet shtetit, në kuptimin e tërësisë së gjërave të qytetit, çështjeve publike e të artit të qeverisjes e të administrimit të tyre.

Politika konsiderohej në ato kohëra si themeltare për njerëzimin, si përmasa natyrale e njeriut. E vetmja që i garanton kushtet në të cilat mund të realizohet plotësia e jetës njerëzore, madje Platoni shkon deri aty sa i përkufizon themelet e mendimit politik përmes një analogjie shumë të habitshme, por që i ka rezistuar të gjitha kohërave, mes një bashkësie politike dhe shpirtit të njeriut. Si tek njëra, si tek tjetri, si tek bashkësia politike, si tek njeriu, tek shpirti i tij, ka elementë pozitivë, ka dhe elementë negative.

Të dyja kontrollohen si nga pasioni, ashtu dhe nga arsyeja, e që të dyja mbajnë në vetvete edhe idealet më të larta të qenies njerëzore dhe prirjet më të ulëta të saj. Me një fjalë, siç do të ishte njeriu pa shpirtin, ashtu do të ishin dhe njerëzit pa bashkësinë e tyre politike.

Politika ishte ajo që u dha njerëzve mundësinë që të japin e të marrin me njëri-tjetrin.

Para se politika të lindte, njerëzit nuk jepnin e nuk merrnin dot me njëri-tjetrin. U dha mundësinë për të trajtuar çështjet e bashkekzistencës së tyre e për t’u marrë me zgjidhjen e probleme të përbashkëta që të vetëm nuk i zgjidhnin dot. Politika i përmbledh të tëra diskutimet, vendimet, veprimet mbi problemet që duhen zgjidhur e që kanë të bëjnë me një komunitet njerëzish, në çdo nivel, në një klasë, në një lagje, në një komunitet, në një qytet, në një fshat, në një vend, në një shtet, në një rajon, në të gjithë botën.

Duke u kthyer këtu edhe një herët tek Platoni, harmonia e të menduarit politikisht të njerëzve dhe harmonia e brendshme e shpirtit të njeriut, janë në fakt pjesë e të njëjtit kërkim të pandërprerë të qenieve njerëzore për t’i gjetur kuptimin këtij udhëtimi në këtë që përcaktohet si jetë mbi tokë, një udhëtim që nis dhe që mbaron, që fillon kur lindim  e që përmbyllet kur ndryshojmë jetë.

E pra, ja pse politika konsiderohej që në lindje të saj si një përmasë natyrale e njeriut dhe jo më kot është thënë shpesh, por i pari e ka thënë Aristoteli, se politika është ajo që e dallon njeriun nga gjallesat e tjera, është qenia e tij një “zoon politikon”, e thënë shqip, një kafshë politike. Të gjitha kafshët e tjera janë thjesht kafshë. Ishte politika që ua dha njerëzve mundësinë të krijojnë bërthamën e parë të shoqërisë njerëzore e ta zhvillojnë atë hap pas hapi, deri kur krijuan shtetin. Politika ekziston përpara demokracisë, përpara formimit të shteteve, të cilat në transformimin e tyre demokratik, pikërisht falë dhe përmes politikës mundësuan që njerëzit e zakonshëm të përfshihen në hapësirën e debatit, në hapësirën e vendimmarrjes, në hapësirën e veprimit politik. Kush thotë “nuk merrem me politikë, nuk dua t’ia di për politikën, nuk dua t’i dëgjoj zërin, nuk dua t’i shikoj bojën”, gënjen veten sepse nuk kupton që politika merret gjithsesi me të, se vendimet e politikës e prekin gjithsesi atë, se veprimet e politikës e kushtëzojnë gjithsesi veprimtarinë e tij në çdo kontekst ku jeton njeriu. Politika të hyn pa të marrë autorizim në jetën tënde. Ajo është në jetën e gjithsecilit e sa më pak njerëzit të merren me politikën, aq më shumë ndërhyrjet e saj në jetën e tyre mund të kenë ndikime të padëshiruara.

Gabojmë kur e lidhim politikën sipërfaqësisht me shfaqen e saj në media apo në rrjetet sociale, me fushatat elektorale e me aktivitetin e kandidatëve nëpër fushata elektorale. Gabojmë kur mendojmë se të merresh me politikë do të thotë të jesh medoemos njëri prej atyre që ti sheh në televizor, që ti sheh në rrjetet sociale, që ti sheh në fushata, që ti sheh në foltore. Sigurisht, gabojmë kur ia kthejmë krahët politikës, për shkak të një këndvështrimi kaq të ngushtë. Ky këndvështrim, i cili ç’është e vërteta ka ardhur duke u ngushtuar e jo në Shqipëri, por botërisht, si rrjedhojë e një presioni negativ bombardimi me turlisoj informacionesh dhe imazhesh përmes të gjitha kanaleve, portaleve, ekraneve, smarphone-ve, ku vjen duke u zhbërë dallimi mes të vërtetave, gënjeshtrave, gjysmë të vërtetave, që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, e ka qëruar pamjen e politikës si urë bashkëjetese që i lidh qytetaret me demokracinë dhe e ka kthyer atë në një shënjestër përbuzjeje, neverie, njerëzimi, sidomos tek më të rinjtë.

Kjo rënie në pikiatë e interesit për politikën, përkon çuditërisht me një periudhë historike të njerëzimit kur më shumë se asnjëherë më parë janë zgjeruar mundësitë për t’u përfshirë, për t’u organizuar, për të ndikuar në vendimmarrje në të gjitha nivelet. Jo vetëm kaq, por kjo rënie dramatike e interesit për politikën, përkon me një rritje dramatike të nevojës së njerëzimit, të shoqërive, të komuniteteve për politikën.

Ndërkohë që bota përballet me sfida të reja dhe shpeshherë të frikshme që shfaqen para nesh si ato çarjet e frikshme të akullnajave, duke bërë shumë kërcënues për të gjithë njerëzit hendekun mes tyre, politikës dhe politikanëve që duhet të vendosin mbi zgjidhjet. 

 

Ne kemi hyrë në një kohë krizash zinxhir, që shtrihen nga krizat që mbulojnë gjithë faqet e globit tek krizat që shfaqen brenda rrethimit të kodrave të fshatit. Zgjerimi i hendekut mes njerëzve dhe politikës bëhet edhe më i frikshëm nga lehtësia me të cilën politikanët i kthehen kuajve të të shkuarës, pasi humbin busullën drejt të ardhmes.

 

Fjala vjen, kush mund ta parafytyronte dot përpara se të ndodhte, atë që na panë sytë 6 janarin e vitit të kaluar, kur si në harbimin magjinar të një filmi si ato që shfaqin fundin e botës, u sulmua tempulli i politikës amerikane nga njerëz si të ardhur prej kohësh shumë të vjetra. Apo ato që pamë pak vitë më parë, në 8 janar, as një kilometër larg nga këtu, tek oborri i një partie politike, që u kthye në sheshxhirimin e një reality shoë, me politikanë realë, por të arratisur mbrapa në kohë,diku andej nga Mesjeta dhe me godinën e partisë të kthyer në kështjellë, ku disa sulmonin për ta marrë dhe disa luftonin për të mos e lëshuar. Gjëra të paimagjinueshme, të cilat, në vende të ndryshme, në përmasa të ndryshme, po ndodhin gjithnjë e më shumë.

 

Sot, dua ta ndaj me ju bindjen time se pavarësisht problematikës, që është reale, që i fryn erërave kundër politikës nga të katërta anët dhe përtej breshërisë të klikimeve, të like-ve që çukisin papushim nëpër kokat e trullosura nga një bombardim non-stop me lajme, me komente, me prononcime e denoncime që hidhen njëra mbi tjetrën pa pushim si ato malet e rrobave të gabit, ku të zë koka dhe të bllokohen hundët nga rrëmuja dhe nga bërllogu, politika mbetet e patjetërsueshme dhe e pazëvëndësueshme për bashkejetesën mes njerëzve, për bashkëjetesën demokratike, për progresin ekonomik dhe shoqëror, për paqen dhe për sigurinë.

 

Natyrisht që të flasësh sot për anën e mirë të politikës në jetën e shoqërisë njerëzore, të thuash sot, që politika nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe, politika është një gjë e mirë që mund të jetë dhe e keqe, rrezikon të shikohesh si predikues në shkretëtirë, apo dhe më keq, si provokator ose thjesht si politikan, domethënë, i pacipë, që i thur lavde një kufome që kudërmon, e cila qelbet në mes të ditës, ditën për diell në mes të mexhlisit dhe njerëzit kalojnë, mbyllin hundët  ose i fusin ndonjë shqelm kalimthi, por nuk e heqin dot qafe. 

 

Nuk ka, dhe pikërisht se nuk ka asnjë shans që të hiqet qafe prej mexhelisit publik, ku merr jetë, ku merr frymë shoqëria, bashkësia njerëzore, se është njësoj si t’i heqësh shpirtin njeriut. Politika nuk duhet lënë në duart e të tjerëve si kopili në derën e dikujt tjetër sepse sado mos duash të merresh ti me të, ajo merret me ty, ajo flet për ty, ajo vendos për ty, ajo vepron pa ty, edhe për punë që janë edhe të tuat. 

 

Politikanët janë pjesë e politikës, por politika nuk është dhe nuk duhet lënë, në asnjë mënyrë, që të bëhet monopoli i politikanëve. 

 

Të ishte për politikanët e kohës, ndryshimi demokratik i Shqipërisë nuk do kishte ndodhur kurrë. Sikur të mos ishin ngatërruar me politikë, se kështu thuhej në atë kohë “Ngatërrim me politikë”, disa pedagogë dhe studentë, nuk do kishte pasur lëvizje demokratike dhe as pluralizëm politik në Shqipëri. 

 

Unë isha, në atë kohë, njëri nga ata. Jepja mësim në Akademinë e Arteve. Unë nuk kisha asnjë ambicie politike atëherë dhe kur u vendos pluralizmi, u krijua Partia Demokratike, u hapën rrugët e karrierave në politikë, mua më mjaftoi liria e fituar dhe vazhdova jetën time krijuese, si artist. Ndërkohë që me politikën vazhdova të merrem si qytetar i lirë. 

Po pse u ngatërrova unë me politikë në atë kohë, kur nuk kisha ambicie politike, kur të merreshe me politikë ishte dicka që mund të të pillte belara nga më të mëdhatë?

Sepse ishte politika shkaku i kufizime të tmerrshme të jetës sime si artist. Ato kufizime nuk ishin tmerr vetëm për mua, por për të gjithë bashkësinë tonë në Akademinë e Arteve. Çfarë mund të bëja unë, i vetëm, kundër atyre kufizimeve? Si mund t’i hapja unë lirisht librat e ndaluar të artit dhe letërsisë në atë kohë? Si mund ta shtyja unë kufirin, kur historia e Artit në Akademinë e Arteve, pra për profesionistët, ndalej, pa u mbyllur akoma vitet ‘800 dhe gjithçka kishte ndodhur më pas nuk na tregohej, por na thuhej, përmes atyre tallavave komuniste kundër modernizmave?

 

Si mund t’i zhvishja unë modelet e veshura me rroba banjo në atelietë tona të vizatimit dhe pikturës e si mund t’i bëja unë vetë, sipas qejfit, pemët blu, qiellin të verdhë e tokën të kuqe, kur të gjitha këto përbënin figura krimi edhe dënoheshin?

Unë nuk doja të merresha me politikë, doja të merresha me art, por ja që politika merrej me mua, duke u marrë me artin tim, duke i vënë artit tim kufij, duke më detyruar mua të rritesha i ndrydhur brenda atyre kufijve.

E pra, vetëm duke ndryshuar politikën, bashkë me të tjerë që e vuanin njësoj si unë paturpësinë brutale të saj, unë mund t’i hiqja qafe këto kufizime dhe vetëm duke luftuar për një të mirë të përbashkët, unë mund të fitoja një të mirë që ishte shumë e madhe për mua, lirinë krijuese. Këtu u bashkuan interesat e asaj bashkësie dhe ne i thyem ato kufinj. 

Më vonë, unë lexova nga Hannah Arendt se sensi i politikës është Liria. 

 

Politika, si profesion, institucionet, zgjedhjet demokratike, janë vetëm kurorëzimi i proceseve politike. Edhe unë që jam këtu, kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministër, edhe ata që dëgjuat që të flasin, edhe gjithë ata që sot janë në një karrierë politike, janë kurorëzim i një procesi, ndërsa politika vetë nuk është thjesht ai proces. Politika vetë e ka zanafillën tek ëndrrat, tek shpresat, tek nevojat dhe problemet e qytetarëve dhe procesi politik duhet të prodhojë zgjidhje për ta, për familjet, për komunitetet, për vendin, për botën. 

 

Afër mendsh që sa më shumë njerëzit e zakonshëm të merren me politikë, posaçërisht më të rinjtë, aq më e mirë, në favor të tyre, ka gjasë të bëhet politika dhe anasjelltas, sa më larg t’i rrini ju politikës, aq më shumë do hani dynjanë për shkak të politikës, edhe në gjërat më të vogla të jetës së përditshme, në ato gjëra të vogla të jetës së përditshme që fillojnë kur ju hapni derën e shtëpisë dhe dilni jashtë, në ato gjëra të vogla të jetës së përditshme, të cilat të vetëm ju nuk i ndryshoni dot, por i vuani, por po të bëheni bashkë mund t’i ndryshoni, sepse janë gjëra të vogla.

 

Politika bëhet shpesh, jo rrallë, shëmbëlltyra e abuzimit të pushtetit politik. Ndodh që pasioni për pushtet ta nëpërkëmbë dhe ta ndrydhë, deri në mpirje, arsyet e shtetit. Arbitrariteti t’i thyejë rregulllat dhe korrupsioni të bëjë ligjin mbi drejtësi, por edhe në këtë rast, kur të gjitha këto ndodhin, madje unë them sidomos në këtë rast, pikërisht pse të gjitha këto ndodhin, duhet angazhimi politik i jopolitikanëve, i qytetarëve, sepse ai e frymëzon mendimin kritik, ai e nxit veprimin e përbashkët, ai e stimulon edhe reagimin e institucioneve dhe politikanëve.

Dyshimi ndaj motiveve të politikanëve dhe mospëlqimi për ta janë ok, por nuk mund të shpien në qorrsokakun e humbjes së besimit ndaj vetë politikës dhe as në grackën e mendimit se “Të gjithë politikanët janë njësoj, të gjithë janë të shitur tek djalli prandaj dhe politika është gjithnjë njësoj, puna e djallit”. 

Jo, nuk është e vërtetë. Mjafton të imagjinojmë vetëm për një çast se sa e sa gjëra të mirëseardhura në rrugëtimin e gjatë të shoqërisë njerëzore nuk do kishin ndodhur kurrë pa politikën, që të kuptojmë se sa e mjerë në mendim dhe sa e gjymtuar në veprim do ishte njerëzia po të mos ishte politika si mjet për t’u kujdesur secili për të mirën e tij, duke u kujdesur të gjithë për të mirën e përbashkët sepse sa më shumë të zgjerohet e mira e përbashkët, aq më shumë ka për të mirën e secilit. 

 

Pa politikën nuk do ekzistonte paqja që i dha jetë Bashkimit Europian pas luftës më të egër botërore në historinë e njerëzimit. Pa politikën nuk do ekzistonte Kushtetuta, që i dha jetë Shteteve të Bashkuara. Pa politikën nuk do të ekzistonin as Shqipëria e mosvarme e vitit 1912, as Kosova e pavarurur e vitit 2008. Pa politikën, nuk do ekzistonte as vetë demokracia dhe nuk do njiheshin fare liritë dhe të drejtat universale të njeriut, nuk do kishin si të kishin lindur dot në mendjen e njeriut idetë e barazisë gjinore, idetë e mbështetjes sociale, idetë e shërbimeve publike dhe një pafundësi të mirash dhe zgjidhjesh, që e kanë përcaktuar progresin marramendës të shoqërisë njerëzore, qysh se Zeusi u dha njerëzve, të hapërdarë dhe të kërcënuar nga zhdukja, ndjenjën e turpit dhe ndjenjën e drejtësisë.

 

Nuk diskutohet që jo të gjitha zhvillimet e mirëseardhura vetëm, por edhe moria e mizorive, e luftrave, e konflikteve, e lumenjve të gjakut, e vargmaleve të barrës së vuajtjeve njerëzore, janë trashëgimi e politikës, në gjithë historinë e njerëzimit.

 

Duart e politikës i kanë cliruar dhe po njësoj duart e politikës i kanë shtypur popujt.

 

Duart e politikës e shembën, ama duart e politikës e kishin ngrritur murin e Berlinit. Pra kur e shajmë dhe e mallkojmë mos e harrojmë sidoqoftë se siç u ka dhënë disave, mjetet për të shypur të tjerët, politika u ka dhënë të tjerëve, mjetet për ta hequr qafe shtypjen.Varet se kush i përdor këto mjete, sepse dëgjoni sa e bukur është, siç e shkruan Hannah Arendt “Politika është përralla e një thesari shumë të lashtë, i cili zhduket, duke u mbuluar pas gjithfarë transformimesh të mistershme, por përsëri shfaqet befasisht në rrethana nga më të ndryshmet, si të ishtë një zanë shpëtimtare mali. Po pa shkuar kaq larg, në vite, në shekuj, në mijëvjeçarë e deri te zanat e malit, le ta sjellim këtu ndërmend për një moment atë që të gjithë ju e keni jetuar, madje shumëkush prej jush mund të ketë qenë protagonist: Protestën e studentëve në fund të vitit 2018.

 

Ndoshta, të paktën në memorjen time, e vetmja protestë politike, pa politikan në krye qysh prej asaj të fund vitit 90-të, e cila në atë kohë i hapi rrugë pluralizzmit politik në Shqipëri. Studentët në fund të vitit 2018-të, u derdhën lumë, lumenj nëpër rrugët e Tiranës për disa kërkesa që në të shumtën e tyre ishin jo vetëm legjitime, por ishin edhe të njohura prej kohësh edhe nga ne dhe të gjithë binim dakord që ishin kërkesa që duheshin zgjidhur. Por ajo që ata realizuan me atë protestë, ishte vendosja për zgjidhjen e atyre problemeve të njohura, aty, në atë moment mu në tyrezën e qeverisë. 

 

Problemet ishin të njohura. Qeveritë edhe më parë, edhe qeveria jonë i dinte, por mrekullia e demokracisë dhe e politikës, e të marrurit me politikë, jo si politikan, por si dikush i interesuar për të zgjidhur hallin tënd, është pikërisht kjo: se ndërkohë që qeveria e di, e konsideron që po, kjo është një kërkesë e drejtë dhe duhet zgjidhur, por ama kemi disa gjëra më të rëndësishme, sot, ti bashkohesh me të tjerët dhe i thua jo, STOP, nuk ka gjë tjetër më të rëndësishme. 

 

Unë dua të zgjidhet kjo! Si mundet një student ta zgjidhi vetë çështjen e ngrohjes në konvikt, çështjen e bibliotekës universitare, çështjen e tarifës së studimeve e me radhë, sado të drejtë të ketë, po nuk u mor me politikë, që do të thotë çfarë, nuk do të thotë të shkojë të anëtarësohet në parti, do të thotë që të flasim bashkë me të tjerët që i kanë po këto probleme dhe të bëhen bashkë dhe të krijojë një bashkësi politike të atij momenti, për atë çështje në mënyrë që të dëgjohet nga vendimmarrësit. 

Kjo do të thotë të merresh me politikë sipas meje. Jo për t’u bërë doemos politikan, por për t’iu kërkuar llogari politikanëve, për t’i nxitur politikanët, për t’i mbështetur pse jo, përkundër zgjidhjeve që ata duhet të japin duke u bërë bashkë, duke u bërë bashkë me të tjerë që mendojnë si ty, në kërkim të një të mire të përbashkët prej së cilës fiton dhe ti individualisht se përndryshe ti nuk bashkohesh aty. Organizimi dhe rezultati kuptimplotë i asaj proteste e ilustron më së miri edhe atë që thuhet në teori që në politikë ligjet mund të jenë përfaqësues vetëm nëse ata që i nënshtohen fuqisë së ligjeve ruajnë dhe fuqinë që të ndryshojnë ligjet. 

 

Kjo lidhje përbën thelbin e politikës demokratike, e cila nuk është pronë e politikanëve.

 

Politika demokratike është aty në hapësirën e bashkëjetesës e gatshme për këdo që kërkon ta përdorë. Jo për të braktisur karrierën e tij, edhe pse kjo mund të ndodhë, siç ndodhi me mua, por unë jam një rast i çuditshëm, por për të arritur diçka që është e rëndësishme për karrierën e tij dhe këtë mund ta arrijë vetëm në rast se dhe të tjerë që ndajnë të njëjtën nevojë, bashkohen për të gjetur të njëjtën zgjidhje.

 

Kur bindjet individuale udhëhiqen nga angazhimi politik, liria anonime e personit, e cila garantohet nga institucione të ndryshme, merr frymë pikërisht përmes atyre që e kërkojnë dhe e përdorin atë në jetën e përditshme.

Tani me frikën që kjo fjala mund të kthehet padashje në një leksion, se po shoh nja dy që po shkojnë për qofte, por edhe e shkuara për qofte është pjesë e kënaqësisë e të marrurit me politikë. Shkon ditën e shtunë të liqeni, ndan këtë hapësirë me njerëz nga më të ndryshmit, disa i njeh  shumë si njeh. Kthen kokën rrethe rrotull shikon vajza rëndom të bukura, por je që je dëgjon edhe ca fjalë për të ardhmen edhe ca idera për si mund të shkojmë përpara, dhe patjetër nuk je detyrimisht i detyruar që të rrish deri në fund sepse ndërkohë, si e tha ai djali: Dashuria mbaron, mbledhja mund të mos mbarojë, por oreksi ka ekzigjencat e veta.

 

Kështu që unë nuk dua tani, ti dal përballë me bindjen se sa e mirë është politika, urisë që ka filluar ndërkohë t’u mbajë fjalimin e vet, prandaj dua t’ju them se kini besim se për sa kohë njerzit mund të bashkëveprojnë, për aq kohë ata do të jenë në gjendje të realizojnë për bashkësinë e tyre dhe të përfitojnë nga realizimi i bashkësisë së tyre, gjithçka mund të duket deri atë ditë e pamundur. Gjithçka! Gjithçka! 

Çdo gjë që ti e ëndërron me sy hapur mund ta realizosh për sa kohë je në gjendje ta ëndërrosh, por patjetër që mes ëndrrës me sy hapur dhe teje, qëndron në mes një distancë për t’u përshkruar, e cila mund të jetë tmerrësisht e gjatë dhe në rastin e realizimit të qëllimeve të përbashkëta, kërkon jashtëzakonisht shumë angazhim, ndërveprim, bashkëpunim, durim, vullnet dhe patjetër që e realizon. Mbase, dhe kjo është e vërtetë, po ashtu në politikë ndodh shpesh që të devijohen qëllimet. 

 

Mbase ndodh shpesh që të jesh i suksesshëm, do të thotë të bësh kompromise që i largojnë qëllimet në kohë. Mbase koha ikën sot gjithnjë e më shpejt sesa politika arrin t’i afrohet të ardhmes. Mbase partitë politike i japin shumë më tepër arsye për t’u mos afruar drejt tyre sesa arsye për të shkuar e për t’u bashkuar me to, por të gjitha këto nuk e justifikojnë gabimin e rëndë të braktisjes së politikës vetëm në duart e një grushti politikanësh. Ky është gabim shumë i rëndë. Kush e bën këtë gabim, paguan dhe nëse një rini e tërë e ben kosensualisht këtë gabim, një rini e tërë do ta paguajë rëndë gabimin që bën.

 

Dhe mos harroni, ne njerzit mund të mos e dimë gjithnjë me siguri të plotë cilave projekte dhe cilave rrugë duhet t’ju përkushtohemi, sepse gjithmonë ka një koefiçent gabimi në parashikimin tonë, por ama, në njerzit jemi gjithnjë në gjendje ta kuptojmë çfarë rruge nuk duhet të marrim dhe çfarë duhet shmangur  në rrugën e bashkëjetesës sonë demokratike dhe këtu fuqia politike e jo politikanëve, fuqia e organizimit politik të vajzave dhe djemve që nuk duan të merren me politikë, por që janë të interesuar që të mos e lejojnë politikën ta çojë çështjen e tyre apo vendin e tyre në një rrjetë të gabuar, merr rëndësi themelore. Themelore! 

Dhe qoftë dhe për kaq angazhimi politik është, jo vetëm një zgjedhje e duhur, por është një zgjedhje e domosdoshme për të krijuar vetëdije kritike dhe masë kritike në të mirë të një bashkësie të cilës ti i përket dhe të shoqërisë tjetër, përtej zhgarravinave nëpër ato muret e metrosë sociale, përej përçarjes, përtej përçartjes vetëm dhe besojeni këtë, nuk ka asgjë tjetër përveç angazhimit politik që të jep një busull për të ecur përpara, jo thjesht si individ, por si individ që flet një gjuhë me ata të tjerët rreth e rrotull, si individ që trashëgon një histori me ata të tjerët rreth e rrotull, si individ që ndan shumë me ata të tjerët rreth e rrotull, por si individ që, po qe se të tjerët rreth e rrotull nuk bëhen në një mendje për të ecur më tutje, ti sado i zoti të jesh, je i destinuar të mbetesh në vend numëro.

 

Unë u jam vërtet mirënjohës që keni ardhur këtu dhe po vazhdoni të duroni dhe dua tju them këtë  në mbyllje, që unë dua që ju të shkoni përtej FRESH-it. FRESH-i bukur shumë 30 vjet. Tani u bë 30 vjeç. 30 vjeç nuk quhesh më i ri, apo jo?! 30 vjeç, 40 vjeç, 50 vjeç, 60, 70, 80, 90, 100 i ri mbetet vetëm Pandeli Majko, askush tjetër.

 

Kështu që, përpiqet Taulanti i shkretë, por nuk e arrin dot që të jetë I ri pavarësisht se po shkon 50 vjeç. FRESH-i u bë 30 vjeç. Kush do ta mbajë, le ta mbajë. Kush ka oreks, le ta hajë, por ju duhet të shkoni përtej FRESH-it. Duhet të shkoni përtej FRESH-it, sepse duhet të shkoni përtej traditës që të rinjtë i shikon si ushtarët e radhës në beteja që rrallë u përkasin drejtpërdrejt, që i shikon të rinjtë si figurantë nëpër sfondet ku dalin flasin kandidatët që i bëjnë zgjedhësve premtime e pastaj tjetër histori që shumica i harrojnë premtimet kur mbarojnë zgjedhjet, si masë njerëzore që mbush sheshet apo mbush sallën apo mbush amfiteatrin, por lë zbrazur hapësirën e të menduarit politik dhe ajo që tha Lavdërimi: 6 veta në atë kohë, mosha juaj ose më të rinj dhe se shumë ndër ju këtu, që mblidhen në kulmin e një ndryshimi historik ku të gjithë shikonin nga ana tjetër dhe që  i japin jetë një forumi që pastaj krijohej hapësirë për shumë vajza dhe djem që ishte FRESH-i. E pra, kjo është ajo që duhet marrë për të rikrijuar hapësirën që sot nuk mund të jetë një hapësirë e kufizuar nga kornizat e FRESH-it  sepse sot është një kohë komplet tjetër, ama origjina është ajo mbi të cilën mund të ngrihet hapësirë e re, duke pasur parasysh që nuk duhen 600, 6000, 60 000. 6 veta, edhe 6 veta këtu ndër ata që mezi po presin të shkojnë të hanë, ka disa që duan që fjalimi im të mos mbarojë. Pse? Sepse janë shumë të tërhequr nga kjo histori, jo nga fjalimi. Atyre u them besoni, ëndërroni e luftoni për ëndrrën tuaj sepse ju mund ta rivendosni në perspektivën e gjeneratës suaj, këtë mision të përbashkët, për ta rivënë politikën si urë mes nesh dhe jush dhe mes nesh dhe jush sëbashku dhe rinisë shqiptare në përballje me sfidat e shumta të së ardhmes, për të ndërtuar një qytetari aktive të kësaj kohe, përmes një force të pazëvendësueshme, të pamohueshme, të patjetërsueshme, që është politika.

Ju mund ta bëni këtë duke besuar tek ato bërthamat tuaja politike që keni nisur të krijoni në çdo komunitet, duke i zgjeruar ato në çdo shkollë, në çdo lagje, me një mozaik angazhimesh shoqërore, politike, kulturore, mjedisore, brenda asaj bashkësisë suaj dhe ne jemi këtu për të ndihmuar, për të mbështetur.

Akademia politike që tha Ditmiri do të ngrihet pikërisht për këtë, për të krijuar një hapësirë ku ne të përcjellim eksperiencën tonë dhe ju të kanalizoni energjinë tuaj. Le të jemi ambicioz, duhet të jemi ambicioz sepse kemi përballë një mur shumë të lartë të indiferencës së të rinjve ndaj politikës, por jo vetëm me ambicie të madhe, por dhe me bindje dhe këmbëngulje të madhe, nuk ka mur të lartë që nuk kapërcehet e le të punojmë sëbashku për të krijuar një fidanishte të re për politikën shqiptare, një fidanishte të re për vetë Partinë Socialiste, ku ne të transferojmë dijen, të transferojmë përvojën, ku të diskutohet dhe të thellohen tema të jetës bashkëkohore e të politikës me ndihmën edhe të shumë të tjerëve jashtë nesh, mendimtarë, politikanë të spektrit tonë politik nëpër botë, por po ashtu dhe ku të ushtrohet politika e territorit, politika e çështjeve të vogla që zgjidhen nëpër territore, me besimin e madh dhe me organizimin e vogël të bërthamave tuaja, që mund t’i japin një energji të re komuniteteve, duke i kapërcyer ato hendeqe që janë të hapura mes institucioneve në territor, institucione mediokre, të mbushura me njerëz mediokër, të cilave ju mund t’i jepni një shtytje shumë të fortë përpara, sepse tek çdo njeri ka një potencial të pazhvilluar, të pazbuluar, të pavënë në punë dhe unë jam i sigurt se sa është arti mbretëror i Platonit, ndër të gjitha veprimtaritë që mund të ushtrohen në rini, politika është ajo që stërvit vetëdijen qytetare, asnjë sport tjetër, asnjë art tjetër nuk stërvit vetëdijen qytetare. Politika e stërvit, politika stërvit shpirtin e solidaritetit shoqëror, politika stërvit shpirtin e mendimit strategjik, i cili të duhet edhe nesër, kur të mos jesh më i ri sa je sot dhe mos duash më të merresh me politikë. Politika stërvit aftësinë e organizimit në emër të një qëllimi vetjak. Të gjithë ne kemi nga një qëllim vetjak që jemi këtu. Natyrisht, po mos kishim një qëllim vetjak nuk do ishim këtu. Prandaj jemi ne këtu dhe ca të tjerë qëllimin vetjak e kanë që të bëjnë plazh tani. Ama, qëllim vetjak që përkon me interes të përbashkët. Kush prej jush dëshiron t’i largohet asaj vetmisë dhe asaj plogështisë që pason midis mbarimit të orëve të mësimit dhe mbarimit të orëve të punës dhe vajtjes në krevat për të fjeutr gjumë, kush prej jush dëshiron t’i shtrijë një pjesë të energjive individuale në rrjetin e energjie kolektive, të krijojë miqësi qëllimesh të përbashkëta  dhe të mbrohet si njeri, të mbrojë trutë e veta nga pasqyra çoroditëse e rrjeteve sociale, le t’i përkushtohet në kohën e lirë bërthamave rinore socialiste. 

Kush do ta mbushë kohën mes shkollës dhe gjumit apo punës dhe gjumit edhe me një veprimtari kaq të veçantë, kaq lartësuese në të vërtetë për shpirtin e njeriut, kaq zhvilluese për mendjen e njeriut, siç është angazhimi politik, për të mësuar në këtë fazë për politikën dhe mbi fuqinë e saj të jashtëzakonshme, qoftë duke hyrë në hapësirën e akademisë politike, qoftë duke realizuar nisma komunitare dhe gjetur zgjidhje të përbashkëta për probleme që e shqetësojnë, neve na ka me vete, mua më ka me vete. 

Duke iu uruar një vazhdim fantastik të kësaj dite të bukur dhe duke uruar që nëse disa kanë ardhur vetëm, nga kjo ditë të jenë çift, unë dua, pse jo, edhe këtë e bën politika, se nuk je në shtëpi duke bërë chat me profil fallco, që është aty si alamet pjeshke dhe pastaj të del kungull, por je ballë për ballë. E shikon në sy edhe pjeshkën edhe kungullin. 

 

Besojeni pra, duke jua uruar këtë që e vazhdoni vetë, politika është shumë e bukur për ta kaluar jetën pa u prezantuar me të. Besojeni këtë.

Shumë faleminderit!

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm