Të reja

30 - VJET FRESSH

15 Jan 2022    

30 - vjet FRESSH – Fjala e anëtares së Kryesisë së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali:


Përshëndetje të gjithëve!

Gëzuar ditëlindjen e FRESSH të gjithë FRESSH-istëve të rinj e të vjetër,

Progresistëve, socialistëve e të gjithëve ju që i keni dhënë kaq shumë këtij forumi dhe kësaj force politike.

Por, sot nuk jemi mbledhur për të folur me veten apo për veten.

Në 25 Prill Partia Socialiste mori fitoren më të bukur, më të madhe më të vështirë e saj politike.
Një rekord historik i një skuadre dhe një lideri me ambicien e jashtëzakonshme për Shqipërinë.

Një përgjegjësi e jashtëzakonshme që duhet ta meritojmë çdo ditë me punë të palodhur, me përkushtim të madh dhe me përulësi ndaj të gjithëve, edhe ndaj kritikëve më të mëdhenj tanët. 
Këtë detyrim ja kemi shqiptarëve dhe Shqipërisë e çdo qytetari të këtij vendi.
Partia Socialiste nuk është e keqja më e vogël. Partia Socialiste është sot e mira e vetme në skenën politike shqiptare.
Kundërshtarët tanë formalë si 'brava' dhe 'shuli', 'tokmaku' dhe 'blindi' i kanë mbyllur shoqërisë dhe Shqipërisë derën në fytyrë.

Ata vuajnë humbjet e tyre të përsëritura, braktisjen e institucioneve, frikën nga drejtësia dhe sfilitjen nga lufta e brendshme e kthyer në një skenë tallëse dhe telenovelë fare pa qëllim.

E pabesueshme por e vërtetë, Partia që lindi 31-vite më parë nga aspirata për lirinë, për Shqipërinë si gjithë Europa, Partia Demokratike ka sot Sali Berishën ofertë dhe kundër-ofertë nënproduktin e tij politik që çirret me fjalorin e padronit por nuk arrin ti nxjerrë asnjë thinjë vetes së tij. Le më punë që s'ka dashur, s'di dhe s'do bëjë kurrë.

Jemi shumë të keqardhur që mbërritëm deri këtu.
Edhe kur braktisën Parlamentin dhe zgjedhjet lokale, kur ishim ne targeti i sulmit të tyre, ne bëmë çmos që ti akomodojmë, ti trajtojmë, të gjejmë gjuhën si bij dhe bija të së njëjtës tokë. Mirëpo caqet etike, morale dhe njerëzore që kurrë nuk i ruajtën me ne sot po i shkelin dhunshëm edhe me njëri-tjetrin. 

Shpesh jemi dukur të dobët përpara tyre! Shpesh kemi dëgjuar nga shumëkush, edhe nga dashamirës, se po të ishin ata në vendin tonë do na bënin rrup-sup. Po të ishin ata në vendin tonë mediat s'do guxonin të shpifnin e të shanin si ua merr mendja. Kush do guxonte t'u fliste atyre me atë gjuhë? Frika e ruan vreshtin! Besoj i keni dëgjuar! 

Ne sot nga këtu ju themi se jemi krenarë që nuk jemi si ata. Dhe duhet të jeni krenarë që nuk jeni si ata!

Jemi krenarë se për ne kundërshtarët nuk janë armiq. Ne nuk i kalojmë caqet e njerzillëkut dhe kodit të komunikimit.

Për ne cilësia e debatit varet nga mënyra sesi nuk biem dakord. Ne nuk fyejmë, nuk linçojmë, nuk denigrojmë, nuk ulërasim, nuk urrejmë, nuk hakërrehemi, nuk godasim me ç'të na vijë për dorë. Ne armë armë kemi vetëm të vërtetën tonë dhe forcën e argumentit.  Ne nuk e vëmë Partinë mbi Shqipërinë dhe as veten mbi gjithçka.

Opozita jonë nuk janë ata mjeranë! Opozita jonë e vërtetë jeni ju! Janë kërkesat, ëndrrat, investimi në shpresë i qytetarëve shqiptarë dhe i të rinjve të këtij vendi. Ajo është opozita jonë më e fortë.

Partia Socialiste ka fituar garën me kundërshtarin politik por ka humbur garën me ambicien politike. Për shumë kohë kjo do të jetë humbja jonë e vetme. Ambiciet tona janë të pafundme dhe kanë përmasën e ëndrrës suaj dhe shpresës që shoqëria dhe Shqipëria ka tek ne.
Gara jonë është vetëm me ëndrrën tuaj. Opozita më e madhe e Partisë Socialiste sot dhe e qeverisë jeni ju dhe Edi Rama, kryeministri i vendit. 
E keni patur dhe do ta keni gjithmonë në krahun tuaj! Më i pushtetshmi por edhe më opozitari. Më krenari por edhe më kritiku. 

Nuk na mjafton kontrasti dhe krahasimi me ta. Nuk kënaqemi! Jemi vetë-kritikë, opozitë e vetes, kemi dyshime për gjithçka. Masim pulsin e shoqërisë, gabojmë, provojmë, përmirësohemi, vetëkorrktohemi. 

Është misioni ynë që të thërrasim të na bashkohen në përpjekjen për të ngritur Shqipërinë të gjithë ata qytetarë e qytetare që mbi çdo flamur vënë flamurin e Shqipërisë dhe jo flamurin e partisë. Ata burra dhe gra që më shumë se liderin e Partisë duan të ardhmen e fëmijëve të tyre. 

Ne duhet të ngjizim një bashkim të ri që shkon përtej ndasive të ushqyera nga politika përçarëse veri-jug, demokratë -socialistë, antikomunistë-komunistë. Ne do t'ja shtrijmë dorën të gjithë shqiptarëve pa dallim.

Këtu na duhet ndihma juaj! Asnjë qytetar, asnjë i ri apo e re, pavarësisht se për këtë voton familja e tij apo ai vetë,  nuk duhet ta ndjejë veten të përjashtuar nga proceset politike dhe ekonomike të këtij vendi. Duhet të ketë një shans për të ndërtuar jetën e tij këtu. Duhet ta ngremë meritokracinë dhe vlerën në kult kombëtar ku të falemi nga mëngjesi në darkë dhe të punojmë nga agimi në muzg. 

Ne duhet të punojmë për ëndrrën tuaj! Pushteti për ne nuk është qëllim por është mjet për të arritur qëllime më të larta. Njësoj si socialistët dhe demokratët duan që vajzat dhe djemtë e tyre të rrinë në Shqipëri. Sigurisht, kur të ikin të ikin për një mundësi më të mirë ose sepse duan të provojnë veten, jo të detyruar nga halli. 
Kur shohin sesi sherrosen të mëdhenjtë në shtëpinë e përbashkët, cili i ri dëshiron të rrijë në një shtëpi ku ka vetëm sherr?
Prandaj kërkojmë ndihmën tuaj që të dalim përtej ndasive sot që Shqipëria ka më shumë nevojë se kurrë. Sot  që nuk ka një opozitë politike që t'ja vlejë besimin dhe investimin tuaj.

Mjafton të shohësh sesi ka ndryshuar Tirana apo qytete të tjera të Shqipërisë apo sesa kohë u desh të ndërtohej një shesh në qendër të Tiranës, për të kuptuar se sa dëm ka bërë politika e ndarjes dhe ndasisë. 

E gjitha kjo është e mundur! është e mundur sepse kemi një kryeministër durimtar që kërkon ta bëjë Shqipërinë kampione në Ballkan për zhvillim urban, turizëm, agro-turizëm, energji, bujqësi, shërbime digjitale të shpejta dhe mbi të gjitha për një Shqipëri me standarde, me të drejta dhe detyrime, meritokraci dhe punë.  Një kryeministër që kërkon ti japë fund ndasive primitive të cilave shqiptarët u kanë parë vetëm sherrin. 

Sherret dhe akuzat e ndërsjellta kudërbuese i kanë larguar të rinjtë nga politika.  I kanë larguar sepse shohin te politika vetëm vonësen, vetëm të keqen, vetëm intrigën e vogël brenda dhe jashtë llojit. Politika nuk është e ndasive dhe intrigave, politika është arena e ëndrrave, vizionit, vullnetit të përbashkët për të ndryshuar jetët tona dhe vendin tonë. Politika që ka shkaktuar ndarjet mund të na bashkojë sërish dhe politika që na ka humbur kaq shumë kohë mundet sot të kthehet në një mjet të jashtëzakonshëm transformimi për t'i vazhduar punët e mira dhe për ta bërë Shqipërinë një kampione në rajon për të drejta dhe për punë. 

Kjo mund të ndodhë me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste me ndihmën tuaj dhe çdo të riu e të reje në çdo lagje, shkollë e universitet, nga të gjithë ata që besojnë që Shqipëria mund të bëhet dhe do të bëhet.

Faleminderit nga zemra!

Nuk dua që të citoj, por Napoleoni kishte një frazë shumë të bukur kur thoshte: në vezmen e çdo ushtari gjenden spaletat e gjeneralit.

Mundësia juaj është që të gjithë mund të bëheni gjenerale, të gjithë keni ambicie politike, të gjithë mund të bëheni ministra, deputetë e të kontribuoni për këtë vend.

 ******************                       ********************                    *************                                *****************                          *************


Unë kur shoh vajza të tilla këtu por edhe në qeveri, Parlament, këshilla bashkiakë marr një frymëzim të ri.  

Sot le ti japim një duartrokitje të gjitha vajzave që janë këtu, nga Vlora, Shkodra, Kukësi, Tirana dhe kudo ku ka të rinj e të reja, vajza dhe djem që duan një Shqipëri të fortë, duan një Shqipëri të zhvilluar dhe e shohin angazhimin si një mjet për të arritur këtë qëllim!

Faleminderit shumë!

Gëzuar ditëlindjen FRESSH!

 

30 - vjet FRESSH – Fjala e deputetit të Partisë Socialiste, Lavdrim Krrashi:

Në radhë të parë ju falenderoj fort që sot më dhatë mundësinë që pas shumë dekadash të shijoj liqenin artificial me të gjitha bukuritë e tij.

Përshëndetje Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar.

Më shumë emocione kam sot, edhe pse me më shumë eksperiencë, sesa kur përjetuam lindjen e Forumit Rinor Eurosocialist.

Para 30-vjetësh, në një kohë kur gjërat dukeshin të zymta, sidomos për të majtën shqiptare, kur euforia dhe prirja e përgjithshme ishte për t’ju bashkuar krahut tjetër të politikës shqiptare, afrimi i një grupi studentësh pranë Partisë Socialiste i dha energji dhe frymë të re asaj duke i bërë edhe një shërbim tepër të çmuar demokracisë shqiptare.

Kështu lindi Forumi Rinor Eurosocialist Shqipar, si një përpjekje mes gjashtë miqsh nga krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe nga Kosova. Miq që ishin të përkushtuar ndaj vendit dhe duke rrahur me njëri-tjetrin alternativa arritën që së bashku të mblidhnin ide, doktrina, ëndrra dhe pasione, e ta sjellin në formën e një projekti të konsoliduar që do të vijonte të merrte formë dhe të bëhej faktor politik në Shqipëri.

Forumi Rinor Eurosocialist i dha shumë Shqipërisë dhe shpejt ai u bë një model edhe për partitë e tjera politike.

Krijimi i FRESSH tregoi se mund të jesh edhe student i Dhjetorit, jashtë sheshe për rrëzimin e diktaturës dhe simboleve të saj,  dhe njëkohësisht të sjellësh një ndryshim për të majtën shqiptare.

Sa herë që situata politike në Shqipëri vihet në vështirësi sytë i drejtojnë nga ju, nga rinia. Te të gjithë ju që keni luksin të shihni gjërat në planin afatgjatë, të puoni fort dhe pa frikë dhe të gjeni kurajon për të ndryshuar gjërat që nuk u pëlqejnë e të ndërtoni të ardhmen ashtu siç e doni ju.

Sigurisht, tashmë Shqipëria është një vend i hapur dhe demokratik, ndryshe nga sa ishte në fillim të viteve 90’. Por kjo sjell edhe përgjegjësi të reja politike për ju.

Ne jemi një vend që udhëtojmë lirshëm nëEuropë, që mirëpresim dhjetëra-mijëra turistë vit për vit nga e gjithë bota dhe me shumë partnerë europianë negociojmë si të barabartë për integrimin tonë në BE.

Me shumë sfida në Ballkan, veçanërisht në ndihmën që duhet t’u japim bashkëkombasve tanë në Kosovë dhe më tej, si vend anëtar i NATO-s, anëtar i Këshillit të Sigurimit në OKB, pra një faktor i vërtetë i sigurisë rajonale dhe më gjerë. 

Do të jetë detyra juaj ta ngrini politikën e deritanishme në nivele të tjera duke sjellë ide për të zhvilluar më tej atë që është bërë deri tani.

Do të doja shumë që ato mijëra diskutime dhe ide që i shpalosni me njëri – tjetrin të mos mbeten në tavolina apo sirtarë por ti mblidhni, ti diskutoni dhe të krijoni një platformë të vërtetë për të arritur objektivat që keni. Ne duhet të bëjmë të pamundurën për t’ju mbështetur.

Ju siguroj se kur rinia është me ide të qarta askush nuk mund ta ndalë hapin e saj.

Historia jonë në Partinë Socialiste është një histori krenarie, suksesi dhe vizioni. E ardhmja është plot shpresë që vetëm një parti progresiste si Partia Socialiste dhe të rinjtë e saj mund të realizojnë qëllimet.

Vetëm qielli është limiti juaj.

Ju falenderoj fort!

Gëzuar 30-vjetorin e Forumit Eurosocialist Shqiptar!

Faleminderit!

 

30 - vjet FRESSH – Fjala e anëtarit të Kryesisë së Partisë Socialiste, Ditmir Bushati:

30 vite më parë kur po themelohej FRESSH, isha vetëm 14 vjeç dhe më kujtohet se në gjimnazin tonë “Petro Nini Luarasi”, u përhap lajmi se në Pallatin e Kongreseve do të zhvillohej një takim festiv ku do të këndonte grupi muzikor “Ritfolk”, krenari e PetroNinsave dhe simbol i kohës. Shqipëria sapo kishte hyrë në epokën e lirisë dhe çdo festë në zymtësinë e kohës ishte një mundësi për argëtim dhe përfshirje, më shumë sesa tregues i përkatësisë politike.

Në tre dekada, aktivizmi politik në Shqipëri ka kaluar në një trajektore komplekse mes idealizmit, dëshirës, pamundësisë, meritokracisë, katapultimit e pragmatizmit. Shpesh, angazhimi në politikë shihet si mundësi për një vend pune në shtet, dhe jo si mekanizëm për të pasuruar vlerat dhe veprimin politik e shoqëror.

Megjithëse që në rini të hershme kam qenë kurioz për politikën, po aq ngurrues kam qenë për t’u përfshirë në vijën e parë të saj.

Falë këmbënguljes dhe lidershipit të Edi Ramës; besimit tek vlerat demokratike të qendrës së majtë; mbështetjes së pakursyer të socialistëve, e konsideroj privilegj përfaqësimin e tyre në të gjitha nivelet, duke dhënë kontributin tim për një Shqipëri më të mirë, më të drejtë e më të zhvilluar; për një PS si alternativa më e mirë dhe jo si e keqja më e vogël.

Si gjeneratë e re e Partisë Socialiste, ju ftoj ta konsideroni politikën si mision fisnik, në funksion të shërbimit dhe ndryshimit për mirë të Shqipërisë. Të besoni tek demokracia, ajo mund t’iu zhgënjejë por nuk ju tradhëton. Të besoni tek forca dhe vlera e fjalës. Tek vërtetësia e mendimeve që çlirojnë energji pozitive. Tek rregullat e bashkëjetesës demokratike dhe gara e ndershme që rrit personalitete brenda radhëve tona.

Ne duhet të jemi progresistë në vlera, reformistë në metodë dhe radikal në sjellje, duke ndërtuar një parti që sheh tek shoqëria dhe jo kërthiza e saj. Përmirësimi i modelit të sjelljes politike dhe ai i zhvillimit të vendit duhet të shkojnë paralelisht.

Krizën e paprecedentë që po përjeton opozita duhet ta shohim me shqetësim dhe njëkohësisht si mundësi për të shtuar përpjekjet tona për një PS më të hapur, më demokratike dhe inspiruese të një kulture të re politike, që ofron mundësi për të gjithë.

Gjenerata jonë është rritur me ëndrrën e Europës në horizont. Të jesh pjesë e politikës në vitin 2022, është e vështirë t’ua shpjegosh gjeneratës tuaj, e cila lundron në të njejtën botë digjitale me atë të bashkëmoshatarëve europian, mospërmbushjen e kësaj ëndrre.

Ndaj, na duhet t’i përgjigjemi dilemës: A është më e thjeshtë të largohesh drejt Gjermanisë apo të bëhet Shqipëria një vend normal europian? Për këtë na duhet jo vetëm që të jemi partia e të rinjve, por mbi të gjitha partia që bën të rinjtë të flasin. Që i bën ato aksionerë të zhvillimit të vendit.

Përgjegjësia jonë për Shqipërinë është më e madhe se fuqia jonë.

Na duhet guxim për të ëndërruar dhe aftësi për të brendësuar ide të reja për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Për të ndërtuar një ekonomi të dijes që përqafon njohuritë tuaja, që zgjeron bazën e mirëqënies në shoqëri, duke e vendosur theksin tek vlera që prodhon shumica e jo përfitimi i pakicës.

Për t’i paraprirë sfidave të kohës, Partia Socialiste do të themelojë Akademinë Politike, si një institucion ndihmues për forminin politik, duke zhvilluar kapacitetet partiake, e njëkohësisht identifikuar talentet e reja që kanë dëshirë të kontribuojnë në politikë. Duke rritur kësisoj ndërveprimin me shoqërinë.

Por le të qëndrojmë më këmbë në tokë. Nuk ka Akademi që zëvendëson “lodhjen e përditshme” të politikës, e cila të imponon përgjegjësi përkundrejt njerëzve që përfaqëson. Talenti dhe profesionalizmi në politikë janë të rëndësishme. Por, siç thotë me të drejtë Adam Grant: “Nga larg, ne admirojmë talentin. Nga afër, ajo që ka më shumë rëndësi është karakteri. Ju mund t’i impresiononi njerëzit me aftësitë tuaja, por ju e fitoni besimin e tyre duke qëndruar për diçka më të madhe se vetja”.

Ndaj, apeli im për ju sot është se nëse besoni te “lodhja e përditshme” e politikës dhe jo tek indiferenca, mos ngurroni të bëheni pjesë aktive e saj, të luftoni, e të realizoni ëndrrat tuaja me këmbëngulje e vetbesim!

 

30 - vjet FRESSH – Fjala e anëtarit të Kryesisë së Partisë Socialiste, Erion Veliaj:

Faleminderit të gjithëve nga zemra!

Më kujtohet në fakt koha ime, kur unë u futa në Partinë Socialiste. Unë jam kthyer në Shqipëri në vitin 2003, atëherë Edi Rama ishte kryetar i bashkisë së Tiranës, po transformonte qytetin. Ishte hera e parë që flitej mirë për Tiranën, për ngjyrat, për energjinë, për rininë, për mënyrën sesi ishte rritur vlera e pronës, sesi qyteti më në fund ishte vendosur në hartë, atëherë unë protestoja sepse s’më pëlqenin disa gjëra. Edhe në një moment, Edi më tha “do bashkohemi dhe gjithë energjinë ta çojmë në drejtimin e duhur, apo secili do bëjë luftën e vet dhe të përçarë do të mundemi gjithmonë”. Vendosa t’i bashkohem PS-së si e vetmja forcë me të vetmin kapiten, me të vetmen skuadër, që i çon gjërat përpara. A e dini ku jeni ulur sot? Jeni ulur në atë që ishte një rrënojë përpara 5 vitesh. Kur ne morëm në administrim liqenin e Tiranës, ishte mbushur gjithë kjo hapësirë me gjarpërinj, me bretkosa, me minj. Ishte vjedhur shumica e vendeve ku jeni ulur sot. Pjesa tjetër që nuk ishte fare Bashki e Tiranës, ishte e gjitha një landfill ku digjej plastikë. Di t’ju them një gjë, jo vetëm këtu tek liqeni, por tek pazari, tek sheshi “Skënderbej”, tek Kalaja, tek Bulevardi i Ri, te Astiri, te Bregu i Lumit, ku vë dorë Edi Rama dhe Partia Socialiste rrënoja kthehet në një mrekulli urbane.

Sot pas kaq shumë punësh, me Edi Ramën si kryetar bashkie dhe më pas si kryeministër, më në fund kemi marrë çmimin e merituar, Tirana është kryeqyteti Europian i Rinisë për 2022. Dhe unë mezi pres që disa nga shembujt më të mirë jo vetëm të partisë sonë, por të çdo djali dhe vajze në Shqipëri apo në çdo vend që flitet shqip, të përdoret kjo Tiranë si një skenë për të promovuar atë që është Shqipëria e vërtetë, jo perfekte, por shumë më e mirë seç e gjetëm, kur 30 vite më përpara u krijua FRESSH-i. Ju mua më dëgjoni që flas përditë, por doja që të ftoj sot të na thonë vetëm nga një batutë, nga vijnë dhe çfarë bëjnë disa nga miqtë e mi që janë bashkuar sot në organizatën tonë.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm