Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › 25 Prilli është një ditë vendimtare për të vendosur si e duam ne Shqipërinë e së ardhmes

Të reja

25 Prilli është një ditë vendimtare për të vendosur si e duam ne Shqipërinë e së ardhmes

19 Apr 2021    

Takimi Pogradec – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Është një kënaqësi e veçantë në këtë agor të krijuar rishtas nga miku im i dashur, Ilir Xhakolli, të cilin realisht e dua dhe e respektoj sepse i flet puna, i flet zemra dhe i flet mendja gjithnjë për të parë anën pozitive të gjërave dhe për të kërkuar tek çdo moment i vështirë, një mundësi për të ecur përpara. Më vjen shumë mirë që Iliri sot është në krye të Bashkisë së Pogradecit, sepse tek ai kam një partner e një njeri me të cilin kuptohemi pa pasur nevojë të humbasim kohë. Më e rëndësishmja akoma, Ilirit nuk i duhen shtytjet me hosten nga mbrapa për t’u zgjuar më herët se të tjerët dhe për të qenë gjithmonë aty ku është puna, aty ku është nevoja për t’i çuar përpara projektet dhe pa humbur asnjëherë vëmendjen e njerëzve të zakonshëm, pavarësisht se si njëri prej tyre, ai ngjiti disa shkallë e mbërriti deri në Parlamentin e Shqipërisë. Iliri edhe si deputet, edhe si kryetar bashkie është krejtësisht njëri si ju dhe njëri si ju e njëri prej ju.

Lajmi i mirë në këtë muaj për gjithë komunitetin e Pogradecit është se pas 25 prillit, Pogradeci nuk do të ketë vetëm Ilir Xhakollin, por do të ketë edhe Blerina Gjylametin që ju e dini të gjithë që i ka rrënjët këtu dhe vjen këtu, jo sepse nuk kishte një vend tjetër për të qenë deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Blerina ka drejtuar për vite të tëra partinë e Tiranës, ka organizuar forumin e grave. Blerina ka qenë njëra prej atyre që realisht i ka qëndruar shumë pranë njerëzve të familjes sonë politike dhe komuniteteve ku ajo ka punuar si koordinatore dhe si deputete. Blerina nuk është sot më Blerina që ishte në hapat e para, por është një grua me shumë eksperiencë. E pavarësisht viteve që kanë kaluar, vendosmëria, këmbëngulja dhe kokëfortësia e saj nuk ka ndryshuar. Që do të thotë se për ju dhe për mua ky është vërtetë kombinimi më i mirë, kombinimi më i duhur, në mënyre që të kemi në Pogradec, një kryetar bashkie që i rri punës mbi kokë, mua më keni në Tiranë si më keni pasur më parë dhe midis kryetarit të bashkisë dhe meje është Blerina, e cila do të jetë në vazhdimësi njeriu që do t’ju mbështesë ju, që do të ma nxijë jetën mua për Pogradecin dhe që unë nuk do të kem rrugë tjetër, përveçse të bëj edhe më shumë sa kam bërë. Në këtë pikë unë besoj se kemi sjellë këtu në Pogradec, njeriun e  duhur në  kohën e duhur, për të bërë punët e duhura. 

Unë e kuptoj shumë mirë dhe me Nikon, shpeshherë bëjmë shaka, por jo dhe aq shaka në fakt, që Pogradeci e shikon vetën ndonjë hap mbrapa, mbase dhe më shumë se një hap mbrapa, në raport me Korçën që ka pësuar një zhvillim bombastik në këto vite dhe që është bërë shëmbëlltyra e transformimit për shumë të tjerë. Dëshiroj që këtë ju ta shikoni pozitivisht, në sensin që në Korçë kemi bërë shumë dhe do të vazhdojmë të bëjmë sepse ka akoma punë për të bërë, por ky mandat do të jetë detyrimisht mandati i Pogradecit. Tani jemi gati për të bërë disa ndërhyrje shumë të rëndësishme në Pogradec, qoftë në qytet, qoftë dhe në zonat e fshatrave. Një strategji të rëndësishme që lidhet me strategjinë e përgjithshme të zhvillimit të këtij Qarku dhe që lidhet edhe me strategjinë tonë kombëtare për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.

Gjatë këtyre ditëve, unë e kam përsëritur se ne jemi gati tani t’i hapim Shqipërisë katër porta nga qielli, katër porta nga deti, për të sjellë udhëtarë e turistë nga mbarë bota, në numra të shumëfishuar dhe për t’u kthyer jo vetëm në kampionë të Ballkanit në turizëm, por për t’u kthyer në një vend  që hyn në ligën e kampioneve të Europës në turizëm.

Kjo nuk është një fjalë e thënë, siç janë thënë shpesh fjalët në të shkuarën, nga dëshira e madhe. Kjo është ajo që kemi përpara, bazuar te projektet që kemi gati, tek çka kemi bërë, çka po bëjmë dhe çka do të bëjmë. Dje hapëm aeroportin ndërkombëtar të Kukësit, për të cilin thuajse askush nuk e besonte se do të ndodhte. Sot, Shqipëria ka dy aeroporte, por jemi ende në fillim të këtij procesi transformues sepse në ndërkohë kemi një investim të rëndësishëm për aeroportin e Tiranës, ku do të ndërtojmë terminalin e ri, do të zgjerojmë pistën, në mënyrë që të realizojmë edhe ambicien tjetër që shqiptarët të venë e vijnë nga Nju Yorku drejtpërdrejtë në Tiranë me “Fan Nolin”.

Nënshkruajmë për pak ditë kontratën për aeroportin e Vlorës dhe menjëherë pas nënshkrimit të kontratës me aeroportin e Vlorës do të hapim garën për aeroportin e Sarandës. Jemi në fazën e fundit të përgatitjeve dhe brenda qershorit besoj do të fillojmë punën për kantierin e madh të Portit Turistik të Durrësit, që do të jetë porti më i madh turistik i Mesdheut. Në Sarandë ka nisur puna për portin e ri turistik. Në Vlore nis puna, pasi projekti ka përfunduar dhe gjithë procedurat janë kryer. Brenda vitit 2023 do të nisim punën edhe në portin e ri të Shëngjinit.

Janë tetë porta. 

Shumëkush thotë “ç’na duhen gjithë këto aeroporte, ne një vend i vogël”. Kroacia ka katër milionë banorë dhe ka nëntë aeroporte. Kroacia është fuqia e 7-të e botës në turizëm, sepse ka mundësuar që në çdo anë të trupit të vet të mund të zbresin turistë dhe vizitorë.

Kështu e ka kthyer bukurinë e saj në një industri, që është industria më e madhe fitimprurëse e Kroacisë dhe popullit kroat. Kroacia është një vend i mrekullueshëm. Shqipëria është një vend i qëndisur nga Zoti, sikur e ka bërë ditën e diel që ka qenë pushim e nuk ka pasur asnjë punë tjetër dhe është ulur dhe e ka qëndisur nga maja e maleve lart në veri, deri tek fushat dhe bregdeti fantastik poshtë në jug, nga lindja deri në perëndim. Mjafton të shohësh Pogradecin dhe ke parë një nga ato pjesë të Shqipërisë që është krijuar për të qenë një vend ku njerëzit që kanë fatin të jetojnë aty të kenë gjithçka që i duhet një komuniteti për të qenë mirë, për t’u ndjerë mirë, për t’i rritur fëmijët mirë.

Nëse ne do vazhdojmë me durim, me vendosmëri, me vullnet të fortë dhe do vazhdojmë të ngjitemi, të jeni të bindur që vitet që kemi përpara do të jenë vitet e një transformimi epokal. Shqipëria nuk do të jetë më vendi nga ku njerëzit do duan me patjetër të ikin. Shqipëria do bëhet vendi ku njerëzit do kenë zgjedhje, ku vajzat dhe djemtë do kenë zgjedhjen e tyre, mund të rrinë ose mund të largohen, por në asnjë mënyrë të ikin sepse nuk kanë çfarë të bëjnë këtu.

Ne kemi mundësinë sot që të kalojmë në një fazë tjetër në sektorin e energjisë, të bëhemi eksportues neto të energjisë. Nga një vend që përpara disa vitesh rrezikonte kolapsin energjetik, i zhytur në një kaos dhe rreth vicioz ku gjysma paguanin e gjysma nuk paguanin dhe ku borxhi për shkak të atij kaosi vetëm rritej, ne sot kemi vendosur bazat për t’u bërë një vend që të mos importojë më asnjë euro energji elektrike. Po ndërtojmë dy parqe me energji diellore, i pari ka nisur në Karavasta dhe i dyti nis së shpejti në Spitallë dhe janë një vlerë e shtuar në burimet e prodhimet e energjisë sonë, e cila është energji e pastër, energji e gjelbër.

Njëkohësisht kemi nënshkruar marrëveshje me qeverinë amerikane për të ndërtuar me dy nga kompanitë më të mëdha amerikane, në veri Skavicën, pjesën e munguar prej shumë e shumë dekadash të projektit të madh të kaskadës së Drinit, e cila mundëson që asnjë pikë ujë të mos derdhet kur ka shumë shi, çdo pikë uji të grumbullohet aty e pastaj të mos mungojë energjia kur ka thatësirë, sepse uji është mbledhur aty. TEC- i Vlorës, një investim i çartur i bërë në të shkuarën, që nuk ka punuar asnjë ditë dhe që ka kushtuar paratë e dynjasë, ta kthejmë në një port të hyrjes së gazit të lëngshëm, përsëri me kompani amerikane.

Ne kemi bërë një transformim të rëndësishëm në bazën e bujqësisë sonë. E kemi nisur me afro 100 milionë eksporte, sot kemi shkuar në 400 milionë. Jam i bindur dhe jemi të bindur që çka kemi vendosur në planin tonë të veprimit, për të pasur mbi 1miliardë eksporte në vitin 2025, nuk është absolutisht një ambicie e parealizueshme, por është ajo që duhet dhe që do të bëjmë. Sot që flasim, ne jemi kampionë në Ballkan në prodhimin e një sërë produktesh bujqësore. Shqipëria është prodhuesi më i madh i domates në Ballkan, mbi të gjithë vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kroacinë. Kështu në disa zëra të tjera. Ne duhet dhe do bëhemi kampionë të Ballkanit në bujqësi, kjo është plotësisht e mundur.  

Kur ne morëm detyrën, Shqipëria punonte gjysmën e tokës bujqësore që punohet sot. Ne kemi dyfishuar tokën bujqësore që punohet në vendin tonë dhe njëkohësisht kemi ndryshuar raportin e eksporteve dhe importit. Eksportonim 1 dhe importonim 7, ndërkohë sot eksportojmë 1 dhe importojmë vetëm 3. Ju e keni kujtesën e rrugëve të Shqipërisë deri para disa vitesh. Ju kujtohet në çdo rrugë të Shqipërisë, majtas e djathtas, ato tezgat me tendat me fier që shisnin produkte në rrugë. Mbushur rrugët e Shqipërisë, sikur ishin rrugët e një merkatoje bujqësore, të shtrirë në të katërta anët. Ku janë ato tezga sot? Pse nuk i shohim më?

Është shumë e thjeshtë. Tani prodhimi i fshatit nuk del më rrugëve, në rrugët e dëshpërimit dhe mbijetesës, siç dilte deri para disa vitesh, por grumbullohet dhe eksportohet apo del në tregun e brendshëm, sepse në këtë periudhë kemi ngritur, sëbashku me sipërmarrjen e me mbështetjen tonë rreth 140 pika moderne grumbullimi.

Jo vetëm për Pogradecin që është qytet turistik, por edhe gjithë Qarkun e Shqipërinë, këto transformime do bëjnë që të rritet jashtëzakonisht nevoja për t’iu përgjigjur edhe fluksit eksponencialisht më të lartë të turistëve dhe udhëtarëve dhe agroturizmi është një bashkëshoqërues i industrisë së turizmit. Shqipëria këtu e ka magjinë dhe potencialin e saj më të madh, i ka të tëra. Mund të bëjë turizmin bregdetar, mund të bëjë turizmin malor por mund të zhvillojë agroturizmin në të gjitha ato që janë hapësira të ndërmjetme, duke i dhënë mundësi të jashtëzakonshme atyre që jetojnë jo në ato zona ku ka një zhvillim bujqësor intensiv, por në ato zona ku ka natyrë të mrekullueshme, ku ka traditë të mrekullueshme dhe ku ka po ashtu edhe duar të arta.

Nuk ka një vend tjetër më shumë sesa Mokra për të zhvilluar agroturizmin dhe për t’u kthyer e gjitha në një zonë të brendshme të territorit ku do të mjaftojë që të hapësh derën e shtëpisë së gjyshit e të bësh një bujtinë ku të shërbesh produktet e zonës, duke iu lënë njerëzve mundësinë që të shijojnë mrekullinë e asaj zone.  Për ta stimuluar agroturizmin, bashkë me Nikon kemi bërë një projekt qysh në momentin kur Niko mori drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë. Ai projekt ka filluar të japë frytet e para, por në planin tonë për vitet përpara, ne kemi vendosur të japim 5mijë euro për çdo emigrant, për çdo djalë apo vajzë që është në emigracion dhe që dëshiron të investojë kursimet e bëra nga emigracioni për të hapur derën e shtëpisë së gjyshit, babës, të prindërve dhe për ta kthyer në një bujtinë.

Njëkohësisht do t’i japim mundësi këtyre emigrantëve që të kenë një amnisti fiskale, që të gjitha ato para që kanë kursyer, pavarësisht se mund të mos i kenë në bankë, por poshtë jastëkut, të vijnë e t’i fusin këtu në bankë, pa i kërkuar kush llogari, vetëm me kushtin që të mos jenë para krimi. E kështu, një shumicë e rëndësishme të ardhurash nga kursimet të investohen këtu në këtë vend dhe që çdokush që do të marrë përsipër të bëjë këtë gjë, do të fitojë nga shtëpia e babës shumë më tepër seç fiton duke punuar për dikë tjetër kudo qoftë jashtë shtetit. 

Ne do të investohemi për ta çuar në një nivel tjetër punën dhe situatën e kushteve dhe të mundësive për vajzat e djemtë që shkojnë në shkollë dhe në universitet. Së pari, lidhur me ata që janë midis këtyre të dyjave, nee kemi nisur ndërtimin e një rrjeti të qendrave të inovacionit ku do t’i mësojmë, siç kemi filluar në Tiranë, javët e fundit në Korçë, vajzave e djemve të këtij vendi gjuhën e re, gjuhën e kompjuterit, gjuhën e kodimit për të hyrë në tregun e madh botëror pa lëvizur fare nga shtëpia, pa lëvizur nga kuzhina apo dhoma e gjumit, duke hyrë në telefonin tënd apo në kompjuterin më të afërt e duke u bërë aktor në atë treg.

Kjo është një ëndërr që ne e shohim se sy hapur e për këtë arsye është një ëndërr që ne me patjetër mund dhe do ta realizojmë pasi është një ëndërr që bazohet tek eksperiencat më të mira të të tjerëve, por edhe tek fakti që në Shqipëri, sot, ne kemi pak mijëra mbase, - por disa qindra i njohim vetë, - vajza e djem që punojnë në tregun global, pa lëvizur fare nga vendlindja e tyre. Janë në Korçë, në Pogradec, janë kudo nëpër Shqipëri. Janë njerëz, të cilët e kanë gjetur vetë rrugën e arrijnë të fitojnë në muaj 1-2-3-4 mijë euro, sipas punës që bëjnë e pastaj arrijnë të organizohen dhe në sipërmarrje të vogla, bashkë me shokët e tyre.

Ne kemi vendosur që universiteteve t’u vëmë në dispozicion një shumë të konsiderueshëm nga buxheti i shtetit e t’i shtyjë duke bashkëpunuar me ta, duke vënë në punë diplomacinë tonë, duke vënë në punë gjithë marrëdhëniet tona ndërkombëtare, që universitetet e Shqipërisë, universiteti i Korçës, i Shkodrës, i Gjirokastrës, i Elbasanit, i Vlorës, i Durrësit, të kthehen në universitete me programe universitetesh të huaja, të binjakëzohen, të integrohen me universitetet e huaja. Të mos jetë nevoja të shkosh në Janinë, në Itali në Athinë, në Gjermani apo kudo qoftë, por mjafton të shkosh në Universitetin e Korçës për të pasur të gjithë programet e për të fituar diplomën të barabartë me diplomën që fitojnë bashkëmoshatarët e tu jashtë shtetit në atë universitet. Kështu, më të mirët do të kenë alternativa edhe brenda vendit. Pastaj, nëse do dëshirojnë të shkojnë jashtë, patjetër dhe shyqyr që ne nuk jemi më në bunkerin e Enver Hoxhës. Secili bën zgjedhjen e vet, por ajo që kemi detyrim është që zgjedhja të mos jetë një zgjedhje e imponuar nga pamundësia.

 

Mu kujtua përgjigja që i dha Lasgushi dikujt që e pyeti, si të duken këta poetët e sistemit?

Ç’të të them, - i tha, - unë i këndoj luleve, këta i këndojnë plehut.

Këtu janë dy rrugë;

Është e besimit se Zoti, Shqipërinë e bëri që njerëzit e këtij vendi të jetojnë vërtetë mirë, por ama ia la robit që të realizojë atë që ne shqiptarët po e kërkojmë prej shumë e shumë kohësh.

Është edhe rruga e mundimit, rruga për ta dashur, për t’u kujdesur, për të mos e braktisur, për të bërë gjithçka që lulja të rritet dhe të marrë formën e saj të plotë.

Nga ana tjetër është rruga e këngës së plehut, e dorëzimit, e dëshpërimit, e mërzisë, e pakënaqësisë, që sot nuk ka si të ketë kënaqësi, nuk ka si të ketë një optimizëm të madh, nuk ka se si të ketë një çlirim të madh, sepse sapo jemi duke dalë nga një stres i jashtëzakonshëm, sapo jemi duke dalë nga një tunel sfilitës. Sapo jemi duke dalë nga një rrugë ku u gjendëm nën presionin e tmerrshëm të rrezikut për shëndetin e njerëzve tanë më të afërt. E pamë se si rreth e rrotull nesh, të njohur, miq, fqinjë, humbën prindërit, humbën njerëzit e zemrës së tyre.

Sigurisht që në këto momente testohet karakteri ynë, në këto momente nuk jemi në ditën më të mirë për të qeshur, për të kërcyer e për të kënduar, por ama jemi në atë momentin e ndërmjetëm ku qindra mijëra gjyshe e gjyshër kanë filluar të buzëqeshin sepse më në fund, ankthi i tmerrshëm për jetën i la vendin sigurisë se armiku i padukshëm nuk i prek dot më, falë vaksinimit masiv.

E pra, ky është momenti për të marrë një vendim, ky është momenti për të testuar karakterin tonë e për të vendosur nëse do të vazhdojmë të ngjitemi në majën ku është misioni ynë, ku është misioni i kësaj gjenerate ta çojmë këtë vend, apo nëse do të biem përsëri pre e sirenave joshëse, t’i biem shkurt se jemi të lodhur, të gjejmë një rrugë tjetër se jemi të mërzitur e do të gjendemi përsëri në fund, siç na ka ndodhur në të shkuarën.

Nuk ka qenë 700 vjet përpara. Ka qenë vetëm pak përpara. E kemi jetuar shumica jonë këtu. Nuk e kanë jetuar vajzat që janë votuese për herë të parë, por ne e kemi jetuar kohën kur doli Rrapush Xhaferri nëpër Shqipëri. E kemi jetuar kohën kur një autokolonë makinash shoqëronte gjeneral Rrapushin dhe kur gjenerali arrinte nëpër qendrat e qyteteve, ia shtronin rrugën me sheqer, i këndonin këngë e i kërcenin valle. E iu thoshte njerëzve, pse duhet të punoni, më keni mua. Më jepni mua 100 lekë, javën tjetër ju jap 200. Më jepni javën tjetër 200, ju jap 400. 400 bëhet 800 dhe çdo javë më jep një, të jap dy. Dhe shqiptari hyri në një qerthull marrëzie dhe shiti bagëtinë, la tokat pa punuar, shiti shtëpinë e vjetër për të bërë shtëpinë e re me paratë e Rrapushit, e dil kafeneve, restoranteve, kërce e këndo. Një ditë të bukur, erdhi radha e kishin vetëm ato dy gishtat në sy që qëruan gjithë dynjanë. U bënë shqiptarët si pula qorre që hidheshin përpjetë, rrethuar  nga zjarri që ndezën vetë. Sa vite u deshën më pas? E kush e solli gjeneralin?

E solli politika, e solli ai që sot na ka sjellë një dhëndër e na e ka nxjerrë nëpër Shqipëri prapë me makina e tollovi, me flamuj e me dy gishta. Madje kur kishte vajtur në Lezhë, edhe rrugën ia kishin shtruar me sheqer. Edhe ai nuk thotë sa shumë punë na duhet, nuk thotë sa shumë akoma duhet të rezistojmë, të durojmë, të besojmë e të punojmë pa pushim, por thotë të rinjve martohu, lekët t’i gjej unë, bëni fëmijë se edhe për fëmijën kemi lekë prapë. Ndërkohë të tjerëve paguani shumë sigurime shoqërore, vetëm më votën, unë do të ul sigurimet shoqërore, domethënë, më jep mua 1 se unë të jap 2. Më jep votën dhe do të rris pensionin. Domethënë, edhe të ulim sigurimet që paguhet pensioni i xhaxhait, edhe do rrisim pensionin xhaxhait.

Një llogari shumë e thjeshtë thotë që për të gjitha këto premtime duhen 3.4 miliardë. Nga do vijnë ato? Nuk do vijnë fare. Thjesht kush ta hajë ta hajë e pastaj shihemi në tramvajin e Tiranës. Sepse i bie të ulësh prodhimin e qumështit, të rrisësh prodhimin e djathit. E bëjnë sapunin për djathë.

Fatkeqësisht janë gjëra që kanë ndodhur, nuk janë gjëra që po i imagjinojmë. Janë po ata. Më thonë, pse i vë kusht këtij ndahu nga Saliu e Iliri. Është shumë e thjeshtë, sepse Saliu dhe Iliri janë mblesi, ky është dhëndri që u duhet deri në datë 25. Pas datës 25 janë ata pastaj, se janë ata që e kurdisin Lulin. Keni parë ndonjë të bëhet brenda një kohe kaq të shkurtër si Batman, do sulmojmë Kryeministrinë, do ta marrim, do ta djegim, regjimi, “Rama ik”. Nga ana tjetër del dhe ju bën nina-nana të gjithëve për t’i vënë në gjumë. Vetëm më jepni votën, por unë do ju vë në gjumë të gjithëve dhe kur të zgjoheni nga gjumi do i keni të gjitha gati.

Është një zgjedhje karakteri. Unë besoj që në Qarkun e Korçës është shumë e qartë, nga Maliqi në Devoll, në Kolonjë e padyshim në Pustec, por edhe këtu në Pogradec, në 25 prill do vendoset nëse do vazhdojmë të çojmë përpara projektin, bazuar tek ajo çka  Zoti pa kur ndërtoi Shqipërinë, apo nëse ne do të kthehemi përsëri në ato humnera ku shqiptarët kanë rënë, jo vetëm në kohën e Rrapushit, por edhe më përpara në të shkuarën, duke u përpjekur t’i bien shkurt. Prandaj populli shqiptar ka nxjerrë një shprehje që nuk e gjen në ndonjë gjuhë tjetër; “rruga e shkurtër të nxjerr gjatë”.

Ne na duhet rruga e gjatë, se nëse në këtë rrugë të gjatë do kishim hyrë prej kohësh, sot do ishim duke bërë biseda të tjera.

Nuk bëhen dot në 6-7 vjet ato që të tjerët i kanë bërë në dekada të tëra. Por ne nuk na duhen dekada të tëra, sepse sot jetojmë në një botë të zhvillimit të teknologjisë digjitale ku gjërat janë bërë shumë të afërta, informacioni merret në kohë reale, dija transferohet në kohë reale. Mjafton të jesh besimplotë, mjafton të kesh durim, të kesh vullnet, të kesh besim dhe ja del. Kur ne ja dolëm kundër tërmetit dhe po fusim çdo ditë në shtëpi familje që e humbën gjithçka brenda pak sekondash, ndërkohë që ka vende të tjera më të zhvilluara se ne, p.sh, në Itali kanë 10  - 12 vjet nëpër rulota e presin shtëpinë, ne ja dolëm t’i fusnim në shtëpi, duke bërë një program social që se ka asnjë vend. As Turqia nuk e ka për rindërtime pas tërmetit, ku shtëpia të jepet 100% falas! Pa asnjë kredi të butë, pa asnjë lloj detyrimi, 100% falas.

Ja dolëm të hyjmë në vaksinimin masiv, ndërkohë që gjithë të tjerët rreth e rrotull nesh akoma mezi po sigurojnë dozat e vaksinave, për ta shtyrë javë pas jave dhe nuk po hyjnë dot në vaksinimin masiv. Ne ja dolëm të jemi vendi që qëndron lart në fashën kryesore të tabelës të klasifikimit të vendeve të Europës. Jemi në kontinentin më të zhvilluar, jemi në kontinentin më të pasur. Ja dolëm! Ja dolëm që ta shikojmë fundin e tunelit të pandemisë shumë më parë se shumë të tjerë që janë më të fortë e më të zhvilluar se ne.

Kur ja dilkemi gjithë këtyre, nuk ja dilkemi ta ngremë Shqipërinë aty ku e ka misionin gjenerata jonë! Na pengon vetëm ndasia, sherri, përçarja. Na pengojnë ata që, siç thoshte Lasgushi, i këndojnë plehut. Na pengojnë këta njerëz që i kemi akoma nëpër këmbë. Na pengon Ilir Meta, Na pengon Sali Berisha.

Këta njerëz, në 25 prill, shqiptarët duhet t’i largojnë njëherë e mirë nga rruga e tyre, jo për mua, jo për PS-në, se PS-ja si me ta, si pa ta do të fitojë mandatin e tretë!

Këtu çështja nuk është a do fitojë a s’do fitojë PS-ja, këtu çështja është, boll më!

Boll më me këtë politikë!

Boll më me këtë sherrnajë!

Boll më me këtë teatër absurd!

Boll më duke ja nxirë jetën nënave nëpër shtëpi, grave e vajzave që rrinë në shtëpi e brenda një dite bëjnë 15 punë për të mbajtur familjen, hapin televizorin dhe duhet t’i ruajnë fëmijët nga ekrani se shikojë politikanët që zihen e sherrosen.

Boll më me gjithë këtë energji të harxhuar për sherr!

Ne na duhet që të gjithë energjinë tonë ta vëmë në dispozicion të atij plani që pati Perëndia kur pa këtë copë toke dhe e qëndisi si një pëlhurë magjike. Ne na duhet që ta thyejmë këtë traditë. Është traditë e tmerrshme, që çfarë i dha Zoti shqiptarëve, dora e mbrapshtë e robit, që shqiptarët vunë në krye, nuk i la ë ta marrin e ta shijojnë të tërën. Ne na duhet që ta marrim në dorë, jo unë, po të gjithë sëbashku, fatin e këtij vendi dhe fatin e këtij projekti. Ta marrim në dorë dhe të mos bëhemi qaramanë, mos të bëhemi njerëz që i duan të gjitha gjerat aty për aty, përnjëherë, sepse nuk ka ndodhur ndonjëherë. Gjërat aty për aty, përnjëherë janë më jep 1 të jap 2 dhe në fund, të dy gishtat mu në sy. Nuk ka konkluzion tjetër!

Ngjitja hap pas hapi është e vështirë, patjetër. Por a nuk është e vështirë puna e atyre që punojnë tokën në gjithë këtë zonë? Dalin në 4 të mëngjesit, i lënë fëmijët në gjumë dhe i gjejnë në gjumë. Dalin sërish të nesërmen, e prapë të nesërmen, pastaj ju bie breshëri e jua rrafshon të gjitha. Por prapë dalin, prapë mbjellin, prapë rrisin dhe prapë prodhojnë dhe prapë kthehen.

Është e lehtë puna e shtëpisë dhe puna e punës e gjithë nënave të këtij vendi? Asgjë nuk është  e lehtë! Ama nuk ka rrugë tjetër, përveçse t’i biesh drejt, jo t’i bësh dredharake e t’i biesh shkurt.

Është shumë e rëndësishme që ata që i japin këto receta çudibërëse, ata që propozojnë rrugët e lehta, ata që vijnë me makina e rrotullojnë gomat nëpër qytete, me bori sikur jemi akoma në vitin ‘91-një, nuk duhet të qasen në asnjë shtëpi! Nuk duhet të qasen sepse do na kthejnë prapë mbrapa. Është bërë Shqipëria si pëlhura e Penelopës, apo si Kalaja e Rozafës në gjithë historinë e saj për shkak të këtij lloj fenomeni, për shkak të këtij tipi shqiptari që merr forma të ndryshme. Njëherë është Haxhi Qamili, pastaj bëhet Rapush Xhaferi, pastaj bëhet Saliu, pastaj Iliri, pastaj bëhet Luli. Ta shohësh të merr në qafë, thua ore sikur ta kisha dhëndër këtë... E imagjino ta kishe dhëndër, të të rrinte dhëndri në shpi, në minder duke fjetur tërë ditën. Ai dhe kur flet, fle. Ka një teknikë, i mban sytë hapur, qesh dhe flet. Po ai në fakt është në gjumin e vet. I shikon në gjumë ato që flet.

Sot ku po vija këtu, më çuan mesazh të Ilir Metës. Kishte mbajt një konferencë tjetër atje, nga ato me prerje duarsh e me prerje kokash e... nuk la gjymtyrë pa na prerë. E ka kapur me këta, patronazhistët. Këtu ka patronazhistë besoj... ja eja pak këtu [i drejtohet një vajze] Kjo sipas Ilir Metës po survejon pogradecarët. Një patronazhiste! Tani, kjo është fukse. Bashkë me mua, kryefuksin.

Nuk kam dashur të hyj më thellë në punën e kësaj historie, se e kam ditur që do fillojë të shfaqet. Që ne kemi një rrjet të tërë patronazhistësh, kjo nuk diskutohet. Patronazhistët janë qelizat vitale të PS-së. Që ne kemi në të gjithë territorin këtë rrjet që komunikon me njerëzit, që i dëgjon njerëzit, që mban shënime për hallet dhe kjo as nuk diskutohet. E kemi për nder. Por që ne nuk e kemi atë që këta ekspozojnë, edhe kjo nuk diskutohet. Ilir Meta thotë që janë përhapur të dhënat dhe është vënë në rrezik siguria kombëtare. Kush i përhapi të dhënat? I përhapëm ne? Është pyetje shumë e thjeshtë. Së pari, të dhënat tona janë shumë më të ndryshme nga ato që kanë dalë, kanë tjetër strukturë, po le ta zëmë... I përhapëm ne këto?

E dyta, nuk e di Ilir Meta që qysh prej vitit të largët 2009, kur rreshter Bujar Nishani ishte ministër i Brendshëm, e gjithë databaza e gjendjes civile ka dalë dhe është në internet. Deri para tre ditësh blihej. Tani ja kishin mbyllur. Blihej me 15 dollarë. Carlo Bollino bëri një investigim, e bleu dhe ka atje të gjithë Gjendjen Civile të Republikës së Shqipërisë.

Patronazhistët tanë nuk i kanë këto të dhëna kështu siç i kanë këta. Pse i nxjerrin tani? Ku duan të dalin? Ku do të dali Ilir Meta që ju thotë njerëzve që këtu po survejoheni. Meqë ra fjala, e pashë sot, e kishin kapur në një foto me kapuç. Dielli shkëlqente, në cep atje, nja dy hije me kapuç, Presidenti i Republikës mbuluar me kapuç atje! Natyrisht se kur takon subjektet e OFL-së do vësh dhe kapuç, se tani, ai është i bindur që e kanë kapur patronazhistët. Jam i bindur, ai do thotë patronazhistët më ndjekin mua. Por patronazhistët nuk kanë asnjë punë, asnjë kohë për të humbur me Ilir Metën se ne ia dimë Ilir Metës mendimet një për një. Unë e di çfarë mendon Ilir Meta, edhe kur nuk flet, jo më çfarë do të thotë kur hap gojën. Mjafton ta shoh, mos të flasë, unë të them se çfarë po mendon. Çfarë do zbulojmë ne në atë kokën e madhe të Ilir Metës? Në kuptimin e kokës së madhe, siç e themi është kokë e madhe ai, jo në kuptimin që e ka kokën e madhe, se atë e kam vetë më të madhe.

Kjo është një tjetër tentativë për të krijuar konfuzion tek njerëzit, për të krijuar çorodi. Po jua them këtu sot, për të vazhduar të ngrenë alibinë e asaj që do t’u ndodhi në 25 prill. Mos shihni as sondazhe, mos dëgjoni as analistë, as mos e lodhni kokën fare me të gjithë ato që thuhen lartë e poshtë, thjesht dhe vetëm deri në datën 25, kur mbaron votimi, kush është dakord me mua për çka thashë e për çka po them këto ditë, të bëjë atë që mundet, patronazhist ose jo, të mos lërë njeri që njeh rreth e rrotull pa e marrë me vete, pa e çuar tek kutia e votimit e pasi të bëjmë këtë, do ta shikojmë mirë ne, do ta shikojnë mirë të gjithë se çfarë do dali nga kutitë e votimit.

E kam thënë, 74 deri në 78. Dhe po ishte më shumë nuk mbaj përgjegjësi se nuk e parashikova, por më pak, ta harrojnë të gjithë.

Një gjë do ju lutesha shumë të gjithë atyre që na dëgjojnë dhe më radhë të parë grave, sepse janë ato që e ndjejnë më fort peshën e gjithë kësaj kohe të vështirë, janë ato që e kanë mbajtur pjesën më të madhe të stresit në çdo familje, qysh se goditi tërmeti dhe shokoi psikologjikisht gjithë shqiptarët, pastaj edhe kjo flama tjetër dhe u gjendëm edhe ne pjesë e kësaj vorbulle të paharrueshme në jetën tonë, që vjen 1 herë në 100 vjet. Mos harroni që fëmijët nuk votojnë, por ne votojmë për ta dhe të gjithë grave që janë nëna ju them, fëmijët tuaj po i rrisni me shumë sakrificë, për fëmijët tuaj doni më të mirën, doni që të shkojnë në shkolla e të kenë libra të mirë, të kenë mësues të mirë. Mos harroni se deri dje lexonin librat e Fahri Balliut, aritmetika sipas Fahri Balliut. Sot. fëmijët në shkolla kanë librat e Oxford, të Cambridge, të Person si në Pogradec, si në Mokër, Pustec, si në Tiranë, Shkodër, Tropojë, në bankat e shkollës kanë të njëjta libra që kanë fëmijët në çdo klasë të Europës.

Kur shkojnë në universitet nuk duhet të kenë medoemos një mbiemër të njohur, as duhet të jenë fëmijë pasanikësh, as duhet të kenë lidhje me atë partinë që vjen vërdallë këtu për të kapur koran, mjafton që të kenë rezultatet e nuk i parakalon dot më as fëmija i një ministri, as fëmija i një deputeti, as fëmija i një biznesmeni. Sepse ne e kemi vendosur këtë sistem.

Fëmijët e të gjithë prindërve që i kanë vajzat e djemtë në universitet u ngritën dhe bënë një nga protestat më të mëdha e më të paharrueshme të gjithë periudhës së  demokracisë. Shikojeni sot, fituan nga ajo protestë sepse në qeveri kishte njerëz që i dëgjuan, sepse unë u dhashë të drejtë sepse kishin të drejtë. Falë asaj proteste e falë faktit që ne kemi një qeveri që dëgjon, sot ata që janë më të mirët, jo vetëm që nuk paguajnë tarifë, por i paguan shteti atyre një bursë. Të tjerët janë me tarifë të përgjysmuar. Konviktet po u bëhen dita-ditës si në çdo vend të Europës. Kampuset e reja po ndërtohen.

Më pas vjen dalja në jetë dhe për daljen në jetë është ajo Shqipëria për të cilën unë po flas, Shqipëria përtej pandemisë, Shqipëria e shqiptarëve. Është shumë e kollajshme të thuash unë jam i mërzitur me Nikon, mua nuk ma ka hapur derën një ditë Ilir Xhakolli, mua Bledi nuk më ka begenisur, u fut ai në punë, nuk u futa unë. Të gjitha këto janë absolutisht të kuptueshme e të mirëkuptueshme. Është normale që çdo njeri të shikojë tek pragu i shtëpisë së vet, por në 25 prill, nëse ne të gjithë nuk shikojmë përtej pragut dhe përtej pragut është ajo Shqipëri që unë e kam parë në ëndrrën time me sy hapur kur jam kthyer nga emigracioni për t’u marrë me këtë punë dhe nuk është më një Shqipëri që është e largët, si ajo pjesa matanë malit atje, që nuk duket, por është një Shqipëri që tanimë është afër, njësoj si ana tjetër e liqenit, na duhet vetëm kurajoja, durimi, besimi, vendosmëria e madhe për të vazhduar të arrijmë anën tjetër.

Ne do ta arrijmë, por duhet të jemi të gjithë bashkë dhe atë ditë duhet të jemi të gjithë shqiptarë që kur të votojmë, të mos votojë vetëm si person, unë dhe shqetësimet e problemet e mia, por të votojmë për të gjithë ato që na bëjnë krenarë, që i themi vetes shqiptar. Atë ditë ju duhet të votoni edhe për Laqsgush Poradecin. Atë ditë ju duhet të votoni edhe për Mitrush Kutelin.  A e imagjinoni ju Lasgush Poradecin votues të Ilir Metës? Çfarë pogradecarësh jeni ju, nëse jeni krenarë për Lasgushin dhe votoni Ilir Metën? A e imagjinoni ju Mitrushin votues të Monikës? Mos them pastaj, Lasgushi e Mitrushi të votonin për Saliun.

Atë ditë, më besoni, është një ditë vendimtare për të vendosur jo se kush do qeverisi për 4 vjet, as se çfarë do bëhet për 4 vjet, por si e duam ne Shqipërinë e atyre që sot nuk votojnë dot.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm