Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › 25 Prilli, dita e fitores shembullore për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë

Të reja

25 Prilli, dita e fitores shembullore për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë

19 Apr 2021    

Këndi i fjalës Peqin – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Besoj se Peqini në këto zgjedhje ka një mundësi që nuk e ka pasur ndonjëherë. Në këto zgjedhje, Peqini do çojë dy çuna të vetët në Parlamentin e Shqipërisë, jo një.

Jam shumë i vetëdijshëm që për Peqinin ka akoma shumë gjëra për të bërë e ndërkohë, të gjithë ata që në këtë bashki merren me tokën, e kanë ndjerë mbështetjen tonë dhe janë çliruar nga barra e shumë shpenzimeve. Të tjerët presin dhe me të drejtë, shumë.

Ju keni dëgjuar gjatë këtyre ditëve që unë kam folur për  planin e madh që ne kemi, për transformimin e Shqipërisë përmes ndërtimit të 4 portave nga deti dhe 4 portave nga qielli, me 4 aeroporte dhe 4 porte të reja turistike, që do sjellin këtu shumë më tepër turistë nga mbarë bota. Kjo është një mundësi që ta bëjmë Shqipërinë realisht kampione në Ballkan dhe patjetër ta fusim në ligën europianë të turizmit. Ne do bëjmë atë që duhet që edhe Peqini të përfshihet në hartën e udhëtimit të turistëve, që të përfitojë nga turistët dhe turizmi, sepse Peqini ka një kala fantastike, e cila duke ndërhyrë, duke u restauruar, duke u transformuar në një vend për t’u vizituar nga të gjithë, do sjellë jo vetëm shumë njerëz, por edhe shumë të ardhura për njerëzit këtu. Ata që do vijnë do duan të ndalojnë diku, të shkojnë në një restorant, në një kafe, në një bar apo të qëndrojnë këtu për deri të nesërmen, sepse ja Peqini, Elbasani e me radhë.

Në gjithë këtë hartë ka gjëra fantastike për të vizituar. Kjo do bëjë që ekonomia jonë të marrë një shtysë të re dhe do ju siguroj që kjo do jetë një vlerë e shtuar për ekonominë këtu në Peqin.

Ne do t’i mbështesim me gjithë forcën në këto vite që vijnë të rejat dhe të rinjtë, për tu’ dhënë mundësinë që të hyjnë në rrugën e mësimit të gjuhës së kompjuterit. Të gjithë vajzat dhe djemtë kanë një celular, të gjithë dinë të përdorin dhe janë familjarizuar me teknologjinë digjitale bazike, por duke i futur në rrjetin e kurseve të edukimit me gjuhën e kompjuterit, ne do t’i japim mundësinë që ata të mund të krijojnë punën e tyre tek telefoni apo kompjuteri, duke u futur në tregun e madh të shërbimeve online, që është një treg botëror dhe nuk ka rëndësi nëse je në Peqin, në Australi, në Tropojë apo Angli.

Tjetra që besoj se është shumë e rëndësishme, edhe brenda në qytet, me Saimirin e më pas me kryetarin e ri të bashkisë, do të transformojmë për bukuri edhe të gjithë sheshin qendror të Peqinit, duke e kthyer edhe atë në një pikë të rëndësishme referimi për ata që e vizitojnë.

Këtu ka shumë çuna e shumë familje që kanë shkuar në emigracion, por që këtu kanë pronën, shtëpinë e gjyshit e tokën. Ne do t’u japim të gjithë emigrantëve një mundësi për t’i investuar kursimet e tyre, për të hapur derën e shtëpisë së gjyshit a babës e për ta kthyer në një bujtinë, duke shfrytëzuar dhe prodhimet e zonës. Për çdo emigrant që do dojë të bëjë këtë, ne do japim 5mijë euro dhe do t’i amnistojmë paratë, pra, do t’i bëjmë amnisti fiskale pavarësisht se mund t’i ketë paratë poshtë krevatit apo i ka kursyer e ruajtur diku. Do i japim mundësinë t’i sjellë, t’i fusë në bankë dhe t’i investojë për të krijuar këtu një biznes të vogël me tokën, me shtëpinë e babës dhe për të pasur më shumë të ardhura, sesa mund të fitojnë duke punuar për dikë tjetër jashtë shtetit.

Miqtë e mi,

këtu në Peqin dhe në gjithë Elbasanin, ne kemi një sfidë të madhe. Kemi sfidën që të realizojmë një fitore shembullore, kuptimplotë, një fitore, e cila të jetë rezultat i gjithë këtij shiu paralajmërues të kthyer në breshër në kutitë e votimit.

Kutitë e votimit janë momenti më i rëndësishëm në 4 vite për një popull dhe janë momenti kur ne vendosim se çfarë duam të bëjmë nesër, si duam të ecim nesër, duam të shkojmë përpara, duam të vazhdojmë të ngjitemi edhe pse me vështirësi apo të kthehemi mbrapa.

Nuk mund të ndodhë që Peqini dhe Elbasani të kthehen prapë tek Dash Sula. Është e pamundur!

Por nuk mund të kthehesh prapa as tek Luli, as te Saliu, as te Likja e as tek Mona, sepse dallimi është shumë i qartë. Ata e duan Shqipërinë për vete, ne e duam njëri-tjetrin për Shqipërinë.

Kështu që, miqtë e mi, në 25 prill të marrim një vendim të qartë dhe të prerë; Ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë, me forcën e bashkimit tonë. Kështu të bashkuar, ne nuk ka asgjë që na ndal. Ne nuk na ndali dot tërmeti. Ne nuk na ndali dot virusi. Ne nuk na ndal asgjë në rrugën tonë. 

Fjala e Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan, Taulant Balla:

Shumë faleminderit të gjithëve,

Unë jam shumë krenar që ne kemi arritur në këto zgjedhje të bashkohemi më shumë se çdo herë tjetër në këto 30 vjet në Peqin për të kthyer vëmendjen shumë herë më të madhe sesa e kemi pasur ndonjëherë më parë në Peqin.

Unë dua të garantoj të gjithë banorët e Peqinit, nga qyteti dhe 5 njësive administrative se ne do të investojmë edhe më shumë.

Çfarë kemi arritur të bëjmë deri tani është shumë pak krahasuar me atë që ne do të realizojmë për popullin e nderuar të Peqinit.

Ne kemi arritur të bëjmë në këto katër vitet e fundit disa politika shumë mbështetëse për bujqësinë sikurse janë heqja e TVSH-së për inputet bujqësore, subvencionimi i naftës për të gjithë bujqësinë.

Kjo rrugë që kemi nisur duhet të vazhdojë dhe prandaj na duhet mbështetja juaj.

Motra e vëllezër të Peqinit mos harroni se në vitin 2013 këtu në Peqin ndihma ekonomike ndahej sipas teserave të partisë. Punësimi bëhej sipas teserave të partisë.

Ne kemi arritur që mësuesit dhe infermierët ti shpëtojmë nga laku i vjetër i politikës.

Që të mos kthehemi përsëri te politika e vjetër, te politika e pengmarrësve të këtyre 30 viteve, na duhet vota juaj. Na duhet vota e popullit të Peqinit për Edi Ramën kryeministër.

Motra dhe vëllezër të Peqinit ju jam shumë mirënjohës për këtë mbështetje sot. Asnjëherë më parë Peqini nuk ka qenë kaq i bashkuar.

Prandaj në 25 mars unë ju bëj thirrje që të votoni për Partinë Socialiste, për Saimir Hasallën dhe për Edi Ramën kryeministër.

Shumë faleminderit të gjithëve!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm