Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › PD partia e krimit. Pas deputetit me armë, anëtarët ndalohen për mina me sahat

Fjalime

PD partia e krimit. Pas deputetit me armë, anëtarët ndalohen për mina me sahat

31 Mar 2016    

Foltorja e Kuvendit është institucioni më i shenjtë në këtë vend dhe nuk ka askush të drejtë ta bllokojë atë. Sot Kuvendi i Shqipërisë ka një çështje shumë të rëndësishme për t’u ndalur dhe ju e tregoni fare mirë se ku e keni hallin që bllokoni foltoren. Ku e keni Indiana Xhonsin? Ku e keni Strazimirin e famshëm? Pse nuk e sillni Gent Strazimirin këtu?
Së pari, vetë deputeti i akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe mbajtje të armës me vete në tubime publike ka për detyrë të informojë Kuvendin e Shqipërisë për këtë çështje. Çfarë dorëzoi dje Strazimiri, pistoletën apo këllëfin e celularit? Pistoletën apo këllëfin e Ristanit? Si s’ju vjen turp që dolët të dielën në darkë dhe në emër të Partisë Demokratike, ajo që u themelua 25 vite më parë për të promovuar demokracinë në këtë vend, dilni e thoni nuk ishte armë por ishte këllëf celulari. Dhe ai që me pa të drejtë ka trashëguar nga babai Partinë Demokratike tha në televizion që kam folur me deputetin por nuk ishte armë ndërkohë që e gjithë Shqipëria e pa që ajo ishte armë.
Sot Kuvendi i Shqipërisë duhet të ndalet së pari në këtë çështje. Nuk mund të krahasohet kurrsesi qiraja e një ambienti me armëmbajtjen pa leje të një deputeti. Ne kemi vendosur standartin tonë për këtë çështje, në rastin më të parë që një deputet i yni u akuzua për armëmbajtje pa leje, Partia Socialiste e përjashtoi nga radhët e veta. Pse nuk e përjashtoni ju Gent Strazimirin? Pse nuk e keni sjellë sot këtu Indianën, Indiana Xhonsin që fliste për dekriminalizimin? Ku e keni Gentin? Vini pa pikë turpi dhe thoni jashtë kriminelët. Sillni Gentin? Sillni Strazimirin. Përjashtoni Gent Strazimirin dhe hajde të ulemi dhe të flasim për të gjitha çështjet e rëndësishme të këtij Parlamenti. Ju që na flisni ne për dekriminalizimin, shikoni këtu (tregon fotot), ky person këtu quhet Flamur Bega. Ky person këtu është arrestuar tre ditë më parë nga Policia e Shtetit shqiptar për të gjitha minat me sahat të vendosura në këtë vend në këto dy vitet e fundit. E keni këtu me Lulzim Bashën. Si duhet të them unë tani, që bombat i ka vendosur Lulzim Basha sipas standartit që keni krijuar ju? Shikoni Flamur Begën përsëri me Jozefina Topallin, a duhet të them unë që bombat dhe minat me sahat i ka vendosur Jozefina në këtë vend në këto dy vitet e fundit? E pra, dekriminalizimi është një proces, të cilin çdo njeri duhet ta kuptojë në radhë të parë në shpirtin e vet dhe në sjelljen e vet. Ju u treguat shqiptarëve në këto katër ditë se ju nuk keni fare lidhje me gjithçka keni thënë. Jeni një parti që është kthyer në një parti mashtruese për opinionin publik për gjithçka thoni. Kjo sepse ato që thoni vetë nuk i respektoni. Respektoni dekriminalizimin, përjashtoni Gent Strazimirin dhe të jeni ju të parët që t’i bëni kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme që të fillojë hetimin nëse ishte me armë, a ishte me këllëf? Të gjithë shqiptarët thonë që ishte me armë. Vetë deputeti tha që ishte me armë, ndërkohë partia e vet doli dhe tha që ishte me këllëf.
E dyta, që është më e rëndë në fakt. Unë, të gjithë kolegët e mi dhe të gjithë shqiptarët jemi ndjerë të fyer nga goditjet e atyre që zgjidhen me votë të popullit kundër punonjësve të policisë. Po mirë, turp nuk keni që shkoni dhe godisni edhe policet femra? Tre punonjëse femra policie janë sot në spital nga plagët e marra nga grushtat e deputetëve të Partisë Demokratike. Tre gra, tre nëna, tre motra janë sot në spital nga grushtat e deputetëve të Partisë Demokratike. Dhe ju sot vini dhe bllokoni foltoren e Kuvendit. Këtë strategji ne e dinim fare mirë, se mjafton që ikin kamerat dhe ju tregoni strategjitë. Nuk do e lejmë sot foltoren e Kuvendit se kemi hallin e Strazos. Ky ishte urdhëri që erdhi qoftë nga kulla “Aba”, qoftë nga SHQUP-i. Jeni zënë ngushtë, Strazimirin doni ta lëshoni por gjenerali ju thotë mos e lëshoni se po e lëshuam njërin, ikën të gjithë. Këtë sjellje tribale keni por kjo është çështja juaj. Ju po bëni një gabim shumë të madh, bllokimi i foltores së Kuvendit është fyerja më e madhe që i bëni këtij tempulli të demokracisë. Punimet e Kuvendit do vazhdojnë, në fund të fundit Kuvendi është me votë, por ju duhet të lëshoni Strazimirin.
Faleminderit.

*Fjala në seancën e sotme parlamentare e nënkryetarit të grupit parlamentar socialist Taulant Balla
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm