Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Partia Socialiste është sot organizata politike më progresive në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor

Fjalime

Partia Socialiste është sot organizata politike më progresive në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor

28 Feb 2020    

Fjala e ministres së Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini në Kongresin Zgjedhor 2020:

Unë sot udhëheq një sektor të madh që punëson mbi 33,000 persona, gati 80% e të cilëve janë gra. Gra që përfaqësojnë gjithë diversitetin e shoqërisë sonë.

Ato janë të reja dhe më në moshë, janë nga qytetet dhe fshatrat e thella, kanë studiuar në Shqipëri dhe jashtë, janë të majta apo të djathta, apo s’u intereson politika fare.​

Por një gjë që e kanë të përbashkët të gjitha është se si gra, ato perveç punës me pagesë, bëjnë edhe shumë orë pune pa pagesë në shtëpi.

Ato janë nëna, bashkëshorte apo kujdestare të prindërve të tyre dhe kanë obligime shtëpiake që nuk i ndajnë me burrat e familjes.

Sipas raportit të UN Women, gratë bëjnë 2.6 herë më shumë punë të papaguara se burrat apo për çdo 3 orë punë të papaguara që bëjnë burrat, gratë bëjnë 8.

Për këtë pabarazi të ngërthyer në kulturën tonë, jemi plotësisht të vetëdijshëm dhe perpiqemi që si Ministri, si punëdhënësi i tyre, të jemi mirëkuptues për nevojat e mësuesve që burojnë nga kjo pabarazi.

Ndërsa si Parti Socialiste kemi siguruar që vendi i tyre i punës të mos rrezikohet sa herë të ndërrojë pushteti.

Nepotizmi në punësim është murtajë për cilësinë e arsimit.

Nuk ka vuajtur vetëm Shqipëria nga kjo sëmundje por shumë vende të botës e kanë ende problem.

Vjen partia e re në pushtet, shkarkon mësueset më të mira për t’i zëvendësuar me bashkëpartiak, pa marrë parasysh kualifikimet.

Këtë e ka bërë Partia Demokratike ndër vite dhe e ka gjunjëzuar sistemin arsimor.

Por kjo nuk mund të ndodhë më!

Portali “Mësues për Shqiperinë” rankon mësuesit sipas rezultateve të tyre dhe i punëson me të mirët.

Portali sot është ligj dhe do jetë shumë vështirë të ndryshohet nga partitë nepotiste që mund të vijnë në pushtet një ditë.

Një mësuese e re u ankua vjet se Portali po favorizon mësueset e vjetra dhe se ato të rejat, përkundër rezultateve shumë të mira gjatë studimeve, nuk po arrijnë të punësohen.

E pamë me kujdes dhe po, ishte e vërtetë: një mësuese në sistem merrte pikë shumë më shumë se sa një mësuese e re.

Morëm masa, balancuam pikëzimin dhe sot mësueseve të reja, me rezultate të mira, u është mundësuar punësimi në shkollë.

Ne sot kërkojmë shumë nga studentët e mësuesisë, notë të lartë mesatare, arritje të lartë në licencë, arritje në portal para se të bëhen mësuese.

Sepse e dimë që njohuritë e tyre fuqizojnë ato si edukatore dhe fuqizojnë edhe nxëneset e tyre.

Kemi përfshirë mesuesin ndihmës në sistem. Meritë e Lindita Nikollës në fakt, e cila me vizionin e saj mundësoi që fëmijët me Aftësi të Kufizuara të kenë mundësinë për të arritur potencialin e vet maksimal brenda sistemit arsimor.

Sot kemi mbi 1,000 mësues ndihmës, të cilët u kanë hequr nënave barrën e përkujdesjes edhe për arsimimin e fëmijve te tyre që kanë nevojë për asistencë shtesë.

Librat falas për 2/3 e të gjithë nxënësve të arsimit parauniversitar lehtësojnë buxhetin familjar që gratë kanë në dispozicion.

Buxheti në dispozicion i mundëson atyre të shpenzojnë në fusha të tjera për zhvillimin e familjeve të tyre, rrjedhimisht duke i fuqizuar ato.

Gratë sot në Shqipëri pas lindjes mund të përfshihen më shpejt në tregun e punës se sa kudo në rajon, për shkak se sistemi i arsimit parashkollor ka pranuar mbi 80% të fëmijëve të moshave 3 deri në 6 vjeç.

Përqindja më e lartë në rajon dhe një arritje për të cilën duhet të krenohemi dhe të punojmë ta çojmë në 100%.

Një rezultat konkret i mësueseve tona është se Shqipëria del gjithmonë mirë e më mirë në teste ndërkombëtare.

Gjithashtu, vajzat dalin në mënyrë konsistente më mirë se djemtë në këto teste.

Në lexim, ato janë një vit para djemve. Këtu duhet të punojmë pak më shumë me djemtë që të balancojmë rezultatet.

Gjithçka që kemi bërë në përmirësimin e sistemit paraunversitar ka patur në mendje gruan dhe vajzën: mësuesen, nxënësen, nënën apo kujdestaren. Dhe sot gruaja shqiptare është më e respektuar, më e arritur dhe më e barabartë për shkak të këtij sistemi arsimor.

Por, duhet të pranojmë, ky sistem arsimor nuk është ende plotësisht emancipues.

Kultura patriarkale që mbizotëron në Shqipëri dhe në botë, është toksike për vajzat.

Kjo kulturë përforcohet nga media patriarkale që kryesisht e portretizon gruan dhe vajzën si një ornament, një objekt zbukurimi.

E portretizon imazhin e trupit që vajza duhet ta ketë, trup të cilin realisht asnjë vajzë nuk e ka.

Dhe ajo duke qenë e vetëdijshme që trupi i saj nuk duket si trupat në televizor apo rrjete sociale, bie në depresion.

Depresioni ndër vajza adoleshente është rrezikshëm i lartë dhe kjo më shqetëson.

Mizogjinia (urrejtja ndaj grave) e rrënjosur në kulturë dhe e promovuar nga media, është përbrendësuar nga vajzat dhe ka çuar ato tek urrejtja ndaj vetes.

Por kultura patriarkale nuk është toksike veç për vajzat, por edhe për djemtë.

Kërkon nga ata të jenë maskilist dhe media patriarkale promovon imazhin e burrit të fortë, të pasur e mospërfillës. Të gjithë burrat e tjerë portretizohen si të pa vlerë.

Duke ndërtuar kështu përmes imazheve një sistem të pabarabartë mes djalit dhe vajzës, mes burrit dhe gruas, sistem i cili mundëson që burri të jetë pushtetshëm mbi gruan dhe ta shpërdorojë atë pushtet.

Viktima të sistemit patriarkal janë si vajzat, ashtu edhe djemtë.

Në këtë kontekst kulturor që nuk është vetëm shqiptar, ndodh edhe ngacmimi në bazë gjinore që gruaja e has kudo, në rrugë, në punë, në universitet.

Gruaja dhe vajza sot ka filluar të fitojë kurajon për të denoncuar ngacmimet dhe abuzimet ndaj saj.

Kurajo, të cilën media patriarkale po e ngulfat duke marrë raste sporadike të këtyre denoncimeve.

Dhe në vend që t’i trajtojë me ndjeshmëri, shkon i nxjerr në emisione ku gra të reja dhe të zhveshura vallëzojnë para burrave gazetarë, të cilët spekulojnë me javë për detajet e abuzimeve, vetëm e vetëm për të tërhequr shikueshmëri për mediumin ku transmetojnë emisionin.

Dhe s’janë as të vetëdijshëm për hipokrizinë e tyre kur gjoja brengosen për ngacmime seksuale, ndërsa objektifikojnë, dhe ndoshta edhe ngacmojnë, trupat e grave të reja të cilat i detyrojnë të vallëzojnë në emision.

Hapësira ku denoncohet abuzimi duhet të jetë e sigurt për denoncuesin. Sepse në të kundërt, nuk do ketë më denoncuese.

Por ky nuk është problemi më i madh: gazetarët në Shqipëri raportojnë mbi vrasjet apo dhunimet e grave duke kërkuar fajin te gruaja.

“Krimi i pasionit” dhe “xhelozia” përdoren ende nga media si terma për të arsyetuar vrasjen.

Besoj se përdoren edhe nga ndonjë gjykatës patriarkal, apo e bëjnë policin të hezitojë në mbrojtjen e gruas që denoncon burrin e vet.

Pse të përzihem unë në punë familjare, mendon ai, kushedi çfarë ka bërë kjo.

Femicidi, apo vrasja e grave, ushqehet nga po kjo mendësi patriarkale, e cila përpiqet gjithmonë të gjejë arsyet e vrasjes apo dhunës së ushtruar.

Tani unë s’jam aktiviste e shoqërisë civile që të mbaj ligjërata këtu, por kjo ishte një hyrje e nevojshme për të shpalosur politikën tonë për një arsimim feminist, i cili është i domosdoshëm.

Na duhet një sistem arsimor që përmes edukimit emancipues të vajzave dhe djemve e lufton patriarkalizmin që i ka vendosur lakun në fyt si vajzave ashtu dhe djemve.

Leximet feministe do të jenë të detyrueshme në shkollën e mesme.

Psikologet dhe punonjësit social detyrimisht do të trajnohen nga studiuese të çështjeve gjinore, për gjuhën që duhet përdorur kur adoleshentët adresojnë çështjet gjinore, pasiguritë për dukjen e tyre, ngacmimin seksual, si dhe pushtetin e burrave mbi gratë dhe të pafuqishmit.

Unë mediave s’kam ç’u bëj. Por kam për detyrë të edukoj një brez feminist që do ketë mundësinë të bëjë dallimin mes mediave maskiliste/mizogjene dhe atyre që promovojnë zhvillimin e shëndetshëm të shoqërisë shqiptare të këtij shekulli.

Përfaqësimi gjinor në qeverinë shqiptare është i lartë dhe ky është një hap i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për kapërcimin e madh shoqeror.

Duhet të punojmë për gratë e papërfaqësuara, t’ua arsimojmë vajzat, dhe t’ua edukojmë djemtë në frymën e barazisë shoqërore.

Edukimi feminist nuk është edukim kundër burrave, por është edukim për të gjithë dhe kundër mendësisë patriarkale që shtyp gruan dhe të pafuqishmin.

Është nder për mua të jem e ftuar të flas para jush sot. Jam e lumtur që jeni bashkangjitur në gjirin tonë.

Me gjithë të metat që ka Partia Socialiste, është sot organizata politike më progresive në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja pse jam sot pjesë e saj.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm