Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Jam krenare të jem pjesë e Partisë Socialiste që vazhdimisht bën diferencën me mbështetjen dhe promovimin e grave dhe vajzave

Fjalime

Jam krenare të jem pjesë e Partisë Socialiste që vazhdimisht bën diferencën me mbështetjen dhe promovimin e grave dhe vajzave

28 Feb 2020    

Fjala e deputetes Eglantina Gjermeni në Kongresin Zgjedhor 2020:

Të dashura mikesha, Të dashur miq,

 

Kam kënaqësi të vecantë të flas sot në një sallë ku mirëpresim gra dhe vajza që i bashkohen familjes së madhe socialiste, por edhe gra dhe vajza që kanë kontribuar gjithë jetën e tyre për partinë socialiste,  njëherazi, profesioniste e nëna të shkëlqyera, kontribuese për të bërë më të mirë shoqërinë shqiptare, të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë.

Mbase salla është e vogël edhe nuk na nxë të gjithave. Di të them se jemi shumë më tëpër dhe dua më zemër ti falenderoj të gjitha një e nga një për gjithë kontributin, mundin e lodhjen, sakrificat që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë me angazhimin e tyre në jetën publike dhe në mënyrë të vecantë në politikë.

 Nëse grave dhe vajzave ju krijohen mundësitë të punojnë dhe të fitojnë si partnerë të plota dhe të barabartë në shoqëri, familjet e tyre do lulëzojnë. Dhe kur familjet lulëzojnë, komunitetet dhe kombet lulëzojnë gjithashtu. Kjo është arsyeja pse çdo vajzë apo grua, çdo djalë apo burrë, çdo familje e komunitet,  duhet të jenë të angazhuar për të kontribuar që gratë e burrat të kenë mundësi të barabarta në familje, në shoqëri, në jetën publike, në sipërmarrje e cdo fushë tjetër.

Unë vetë, kam vite që punoj për çështje që kanë të bëjnë me gratë, fëmijët dhe familjen. Gjatë këtyre viteve, kam pasur mundësi të mësoj më shumë se cdo të thotë të jesh grua në Shqipëri, cilat janë sfidat me të cilat përballen gratë e vajzat, të cilat shpesh janë shumë të ngjajshme me  sfidat që gratë e vajzat përballen në mbarë botën. Kam takuar nëna dhe gra të mrekullueshme, të cilat mblidheshin rregullisht në fshatin apo lagjen e tyre për të diskutuar për ushqimin, planifikimin familjar dhe kujdesin për fëmijët. Më kujtohet nënë Vjollca, që donte aq shumë që nipërit dhe mbesat e saj (por sidomos mbesat),të vazhdonin shkollën e lartë dhe ta mbaronin me rezultate të larta, për të pasur një jetë më të mirë. Kam takuar gra që kanë ndryshuar komunitetet e tyre falë nismave për edukimin e vajzave, grave, djemve dhe burrave, si dhe zhvillimit të modeleve për punësimin dhe fuqizimin e grave.

Dëgjojmë ndonjëherë atë shprehjen që “Gratë Bëjnë histori cdo ditë”. Më besoni që është e vërtetë. Mund t’ju sjell këtu qindra e mijëra shembuj të cdo gruaje nga qyteti apo fshati që ja del mbanë arrin të bëjë më të mirën duke kontribuar në familje, në shoqëri në art apo shkencë, në sipërmarrje apo shërbime, në arsim apo shëndetësi, në vendimmarrje a ne politike, në diplomaci apo teknologjite e informacionit, në polici apo në forcat e armatosura. Edhe ato gra që zgjedhin që të jenë të padukshme, duke punuar cdo ditë që bashkëshorti i tyre të bëjë karriere dhe duke mbajtur gjithë peshën e fëmijëve dhe familjes, kontribuojnë që familja e tyre të jetë e fortë dhe e shëndetshme. Ato janë nëna që marrin pa fund mirënjohje dhe kënaqësi për atë cfarë shkëlqen dhe ndricon fort në jetën e fëmijëve të tyre, ku cdo arritje e bashkëshortit, është padyshim dhe një arritje e saj dhe e gjithë familjes.

Dhe të gjitha ne e dime, që nuk është ASPAK E LEHTE!

 Vite më pare, nuk e mendoja që ne gratë e vajzat do të ishim kaq sa jemi SOT në politikë. Më shumë se gjysma e qeverisë, gati 30 për qind e parlamentit, mbi 40 përqind në këshillat bashkiake, mbi 60 për qind në administratën publike, shumë prej tyre në  pozicione drejtuese, që jo vetëm frymëzojnë gra e vajza të reja për tu bërë pjesë e politikës, por kemi krijuar modele që kanë frymëzuar qindra e pse jo mijëra gra që të besojnë në kapacitetet, aftësitë, profesionalizmin dhe vlerat që sjellin gratë në shoqëri.

Jam krenare që jam pjesë e Partisë Socialiste, e forcës më të madhe politike në vend, që vazhdimisht bën diferencën me mbështetjen dhe promovimin e grave dhe vajzave.

Shpresoj dhe besoj që t’ju kemi nxitur sadopak edhe juve të na bashkoheni, për tu bërë një forcë akoma më e madhe dhe për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, më të drejtë e më europiane.

Nuk paragjykoj asnjë prej jush këtu, apo dikë tjetër që nuk është këtu, që nguron apo kundërshton angazhimin publik, për shkak të politikës së ashpër e agresive, konfliktualitetit dhe personalizimit që hasim rëndom në politkë.

Të njëjtën ndjesi kam pasur edhe unë, edhe besoj shumë prej nesh që jemi këtu . Dhe deri diku me të drejtë… Jo rrallëherë dëgjoni në media sulme personale, denigruese e agresive ndaj grave në politikë.

Rasti i fundit është sulmi që i bëhet Ministres së Drejtësisë.

Besoj, të gjitha ndjehemi shumë keq...

Dhe duhet që të gjitha ne, madje duhet ta theksoj, të gjithë ne, gra dhe burra, të jemi kundër këtij modeli të të bërit politikë që sulmon personalisht një ministre apo deputete, për shkak të funksionit që ka, por për më tepër,  për faktin që është GRUA.

Gjuha agresive, konfliktuale e politikës, fatkeqësisht projektohet dhe përbën një model tepër negativ në jetën e përditshme. Në një mjedis kaq të politizuar të jetës në Shqipëri, agresiviteti i politikës përcohet në sjellje e qëndrime agresive në shoqërinë tonë.

Kemi nevojë për një qasje e gjuhë tjetër në poltikë, dhe secila prej nesh këtu, sërish edhe secili prej nesh këtu, Mund dhe Duhet të kontribuojë në këtë gjë.

Jam e sigurtë që qytetarët do të na besojnë më shumë, do të na dëgjojnë më shumë, do të na respektojnë më shumë, dhe sigurisht do të ndjehen më të PËRFAQËSUAR.

 Kur gratë  marrin pjesë në vendimmarrje   si ministre apo deputete, si kryetare bashkie apo këshilltare bashkiake, padyshim politika bëhet më e mirë, më pranë qytetarëve, duke ju përgjigjur nevojave të grave dhe burrave, fëmijëve e të moshuarve.

Dua ta theksoj disa nisma që janë ndërmarrë në dobi të grave, fëmijëve, komuniteteve me nismën dhe angazhimin e secilës prej nesh.  Mund të përmend këtu disa ligje që janë mirtuar vetëm këto vitet e fundit: ligji për ndihmën juridike falas, ligji për nxitjen e punësimit, ligji për strehimin social, për kripën e jodizuar, apo nisma të aleancës së grave këshilltare për mbështetjen e grave sipërmarrjes në Tiranë,  përshtatja e infrastukturës për të rritur aksesin e personave me aftësi të vecanta në Lezhë,  mbështetja e grave të zonave rurale për ndjekjen e formimit profesional në Vlorë, mbështetja për gratë kryefamiljare në bashkinë e Matit,  ulja me 50 për qind e kostove  të cerdheve e kopshteve për fëmijë për familjet më të varfëra në Durrës, e shume nisma signifikante, që kanë sjellë ndryshime pozitive në komunitete.

 Ndjesë që nuk mund t’i përmend të gjitha këtu.

Shumë faleminderit secilës, sinqerisht për gjithcka të mirë që keni bërë e vazhdoni të bëni cdo ditë.

Por, jemi të ndërgjegjshme që gjithcka që këmi bërë nuk mjafton.

Gratë dhe vajzat në Shqipëri kanë shumë nevojë për ne, për mbështetjen tonë, për tu bërë zëri i tyre, për t’i përfaqësuar më mirë e më shumë nevojat dhe interesat e tyre. 

Sfida jonë, është  të bëhemi zëri i atyre që nuk mund të flasin, të bëhëmi  zëri i atyre, fjalët apo zëri i të cilave, nuk dëgjohen.

Në këtë moment, ndërsa ne jemi këtu, gratë në mbarë vendin  lindin e rrisin fëmijë, gatuajnë , lajnë, pastrojnë shtëpinë, mbjellin tokën, punojnë në fabrika, dhe drejtojnë institucione, krijojnë apo studiojnë. Disa nga ato janë duke zhvilluar iniciativa të lira, si sipërmarrëse. Përpiqen e luftojnë fort  që të kenë zërin e tyre në shoqëri dhe të jenë një model i mirë për fëmijët, familjen dhe komunitetet në të cilat jetojnë.

Duhet të bëjmë më shumë që t”i fuqizojmë gratë ekonomikisht, të rrisim punësimin, t”i mbështesim në sipërmarrjet e tyre, të kenë të drejta të barabarta të zotërojnë e të trashëgojnë tokë dhe pronë,  ti b’ëjmë më të pavarura ekonomikisht, duke parandaluar kështu edhe dhunën ndaj grave e dhunën në familje, duke i cliruar një herë e përgjithmonë nga frika që “a do mundem t’ia dal dot vetëm?”

Ndaj, Duhet të rrisim aksesin e grave në shërbime sociale, sidomos gratë me nevoja të vecanta, gra kryefamiljare, gra të moshuara, gra nga komuniteti Rom apo grupe të tjera vulnerabël.

Ndërkohë, nuk mund të rrija sot pa folur për një problem që na prek të gjithëve, dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje.

Ashtu si edhe ju, Ndjehem e tronditur dhe e trishtuar nga historitë e ditëve të fundit ku jetët e grave shuhen dhe merren kaq lehtë. Raste tepër të dhimbshme, tragjedi me pasoja për fëmijët, familjet, shoqërinë tonë.

Dhuna ndaj grave mbetet një shenjë turpi për shoqërinë , është pengesë kryesore për zhvillimin gjithëpërfshirës, të barabartë dhe të qëndrueshëm. Në thelb të saj, dhuna ndaj grave dhe vajzave në të gjitha format është shfaqja e një mungesë të thellë respekti, është trajtimi i grave si pronë, pjesë e një mentaliteti thellësisht patriakal e i vjetëruar - një dështim nga burrat për të njohur barazinë dhe dinjitetin e qenësishëm të grave, burra që kanë frikë të përballen me problemet dhe sfidat e jetës së tyre, burra që marrin jetën e grave, djegin zemrat e prindërve që i kanë rritur, helmojnë shoqërinë dhe thyejnë shpresën dhe ëndërrat e fëmijëve të tyre.

Çfarë po bëjmë për të parandaluar dhunën ndaj grave? Cfarë po bëjmë për të mbështetur ato gra që e jetojnë dhe shuhen nga dhuna? Cfarë mund dhe duhet të bëjmë të gjithë sëbashku?

Kemi ligje të mira, të përmirësuara dhe të krahasueshme me vendet e zhvilluara, por jo gjithmonë ligjet zbatohen sa dhe si duhet. Duhet të bëjmë më shumë ne si politikbërës të monitorojmë zbatimin e ligjeve.

Besoj shumë, se reforma në drejtësi do të ndikojë ne rrijen e profesionalizmit të institucioneve të drejtësisë për të trajtuar viktimat apo të mbijetuarat e dhunës me respekt dhe duke i dhënë Drejtësi.

Janë ngritur shërbime sociale për të mbijetuarat e dhunës në familje, janë ngritur e funksionojnë mekanizmat të referimit ë kordinuar për të mbijetuarat e dhunës, të cilat duhen forcuar dhe bërë më efikasë nga të gjtiha bashkitë.

Besoj se edhe me nismën më të fundit ligjore të depozituar në parlament, për  largimin e dhunuesit nga banesa dhe përfshirjen e tij në programe rehabilitimi psikosociale dhe në programe të aftësimit prindëror, apo edhe rritjet e dënimit për dhunuesit, si dhe detyrimi I organeve të policisë për të referuar rastin e dhunës në prokurori, do të kontribuojnë më shumë në parandalimin apo adresimin më të mirë e kësaj dhune.

Por ndërkohë, Jemi të bindur se vetëm ligjet nuk e ndalojnë dot dhunën, Por po të bëhemi të gjithë bashkë Ne MUNDEMI.

Kemi nevojë për më shumë ndërgjegjësim, edukim, të punojmë shumë më fort të gjithë për të parandaluar dhunën. Nuk duhen mbyllur sytë kur shohim  një grua që dhunohet, me shpresën që dhunuesi do ndryshojë, se “ai e do gruan e tij”.

Duhet ti japim shpresën kësaj gruaje që e meriton të trajtohet me dinjitet, të gëzojë të drejtat si cdo qënie njerëzore dhe të marrë mbrojtje,  atëherë kur familja e saj nuk e mbron Dot më.

ZGJOJINI komunitete tuaja të ndërgjegjësohen e të denoncojnë cdo akt dhune dhe që për më tepër ta dinë Cdo formë dhune  Dënohet!

Dhuna shpesh gdhendet në fytyrat e shumë grave që nuk kanë zë ta thonë me zë lartë se i tremben edhe fjalës kur e shqiptojnë, por luten dhe shpresojnë që dikush do t’i  ndihmojë dhe që e keqja do marr fund njëherë e përgjithmonë.

Shikojini në sy ato gra dhe përpiquni që ju të jeni zëri dhe shpresa etyre, sepse të gjitha MERITOJNË një jetë më të mire dhe me dinjitet!

Kërkoj angazhimin tuaj qënë cdo bashki të krijohen dhe të funksionojnë me efikasitet mekanizmat e referimit të kordinuarpër vikatimat e dhunës. Të ngrihen më shumë strehëza në bashki, për t’i shpëtuar dhunës ekstreme.

Përfitoj nga rasti, zoti kryeministër t’ju kërkoj publikisht që Parandalimi dhe Minimizimi i dhunës ndaj grave të jetë një PRIORITEE PËR TË GJITHË NE, PËR TË FJITHA INSTITUCIONET!

Ne të gjitha këtu duhet të kemi një MISION të përbashkët, pikërisht ti themi JO dhunës ndaj grave!

Duhet të jemi BASHKE në këtë mision e sfidë të madhe, parlamenti, qeveria, shoqeria civile, akademia, media e  sektori privat!

Po nuk u bëmë bashkë, nuk ja dalim  do!.

Më vonë, do të na dënojë historia, fëmijët tanë, e gjithë shoqëria!

Në fund të fjalës time, dua të falenderoj të gjithë kolegët burra, jo vetëm se janë të pranishëm këtu, por dhe për mbështetjen e bashkepunimin e tyre. Padyshim Kryeministrin Edi Rama, për vullnetin politik dhe mbështetjen për gratë duke i besuar pozicione kyce në vendimmarrje, duke I dhënë pozicione të rëndëishme që të kenë mudnësi të shpalosin potencialin e tyre.

Gjithmonë  frymëzohem e padyshim emocionohem, kur marr pjesë në takime të tilla, dhe kur takoj gra të mrekullueshme si ju.

Unë frymëzohem nga gjithçka që ju keni arritur!.

Dhe mezi të pres që të shoh gjithçka që do të vazhdojmë të arrijmë të gjitha sëbashku në të ardhmen, duke mbështetur njëra- tjetrën  dhe duke mirëpritur cdo grua e vajzë që na bashkohet!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm