Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › FRESSH VOICE, rrugëtimi drejt liderëve të gjeneratës së re

Fjalime

FRESSH VOICE, rrugëtimi drejt liderëve të gjeneratës së re

20 Mar 2016    
FRESSH VOICE është konkursi më i ri kombëtar, i cili fton në garë të gjithë rinjtë e talentuar të Shqipërisë, që aspirojnë politikën dhe duan të japin kontributin e tyre në këtë fushë.

Pavarësisht nëse janë apo jo anëtarë të Partisë Socialiste, të rinjtë e moshës 16-28 vjeç në të gjitha bashkitë e vendit, do të kenë mundësinë të konkurrojnë dhe të vlerësohen nga juria e posaçme për potencialin e tyre për të qënë lider të gjeneratës së ardhshme.



Përshëndetje të gjithëve!

Është vërtet një risi shumë e bukur që sot, të nesërmen e Kongresit të më vjetërve, të çelim këtë rrugëtim fantastik për më të rinjtë.

Është një projekt i thjeshtë, por me katër protagonistë të komplikuar, – që nga Pandi, te Arlinda, Elisa e pastaj edhe Gazi, – të komplikuar në kuptimin që, vijnë nga disa rrugë të jetës, me një histori suksesi të padiskutueshme dhe me ekzigjenca të mëdha për të gjykuar në këtë konkurs të madh se kush mund të jenë liderët e rinj.

Është një konkurs i madh kombëtar për liderët e rinj, në çdo komunitet të vogël, liderët e rinj në çdo qytezë dhe qytet, liderët e rinj në çdo qark të Shqipërisë, liderët e rinj në rang kombëtar. Është një FRESSH Voice për ata, të cilët duan të shfrytëzojnë mjedisin e komunikimit publik për aktivizmin qytetar, në funksion të ideve të tyre politike, për aktivizmin qytetar në funksion të angazhimit të tyre për një komunitet më të mirë në shkollë, lagje, në fshatin e tyre, për një komunitet më të mirë në qytetet e tyre dhe për një bashkësi më të mirë në atdheun tonë të përbashkët.

Jemi të bindur që do të jetë një eksperiencë e paharrueshme për gjithë vajzat dhe djemtë që pa asnjë limit dhe pa asnjë diskriminim do të mund të regjistrohen në këtë konkurs për tu bërë pjesë e audicioneve, që sigurisht do të përcaktohen në rezultatin e tyre nga juria shumë ekzigjente, që jo rastësisht përfshin edhe një njeri me figurë të padiskutueshme në politikën shqiptare të këtyre 20 e kusur viteve dhe një politikane të re si Elisa, por edhe dy të tjerë që nuk janë në fushën e politikës, por janë qytetarë aktivë, Arlinda nga bota e letrave dhe Gazi nga bota e gallatës.

Jam shumë i intriguar nga kjo eksperiencë e re. REFRESSH ishte një eksperiencë e re, ishte një hapje e re që i dha goxha energji pozitive, jo thjesht FRESSH–it, por aktivizmit rinor në politikë. FRESSH Voice është një kapërcim, trend i ri që jam i sigurt që do të jetë një eksperiencë shumë e rëndësishme për të kuptuar, jo vetëm se kush mund të jenë sot liderët e rinj të gjeneratës tjetër dhe liderët e së nesërmes në PS dhe këtë vend, por për të kuptuar po ashtu se sa shumë potenciale mund të zhvillojë pjesëmarrja në debat, pjesëmarrja në këtë konkurs ku përball jurisë të gjithë ata që do të tentojnë do të duhet tu përgjigjen pyetjeve apo duhet të plotësojnë kërkesat e shpallura nga juria me transparencë. Një gjë ia u them që sot ju edhe të gjithë atyre që na ndjekin sepse ky konkurs nuk është vetëm për ata që janë sot në FRESSH. Ky konkurs është për çdo vajze dhe për çdo djalë që jeton sot këtu në Shqipëri. Është për çdo vajze dhe çdo djalë të kësaj gjenerate që ka nevojë të komunikojë shqetësimet e veta, ka nevojë të komunikoje historinë e vet, ka nevojë të komunikojë për tu bashkuar me të tjerët dhe për tu bashkuar me rrugën e historisë së vet. E pra ajo që desha të them është se gjithsecili do të hyjë në këtë konkurs me një siguri që kjo juri është e pakorruptueshme.

Kjo juri nuk korruptohet as nga tarafet, as nga kushërinjtë, as nga të njohurit dhe jo pastaj nga ato mënyrat e tjera se si korruptohen edhe juritë nganjëherë në këtë vend. Kjo është një juri që i ka të gjitha kapacitetet për të vënë gishtin tek më të mirët, tek më të mirët mes më të mirëve sepse s’ka diskutim që thjesht fakti që merr pjesë duke u regjistruar në këtë konkurs të madh kombëtar të rinisë eurosocialiste, të rinisë demokratike, jo në kuptimin e partisë tjetër, por në kuptimin e përpjekjes për të thelluar rrugët e komunikimit demokratik, përbën një mundësi të jashtëzakonshme.

Ju falënderoj nga zemra ju anëtarëve të jurisë! Është një eksperiencë fantastike dhe nëse më lejohet do të kisha shumë dëshira që në audicionin e parë të bëja dhe unë një provë nëse jam apo nuk jam mes liderëve të rinj.



*Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe kryeministrit Edi Rama në lançimin e konkursit kombëtar FRESSH Voice
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm