Postuar më: 11/02/2010
Edi Rama dhe deputetët që e shoqërojnë kanë patur një paradite intensive takimesh në Strasburg. Ata janë takuar me Grupin socialist e demokrat të Parlamentit Evropian. Pas takimeve Kryetari i PS Edi Rama dhe Nënkryetari i socialistëve europianë, Hanes Svoboda dhanë nga një prononcim:
Më poshtë prononcimi i Hanes Svoboda:
Pyetje A mund të na thoni se çfarë diskutuat këtë mëngjes në takimin me Z.Shultz dhe Z.Rama?
Hanes Svoboda: Ne patëm një takim shumë të mirë, një takim ku u përpoqëm të gjejmë një zgjidhje duke mos parë nga e shkuara por nga e ardhmja, sidomos nga e ardhmja e vendit. Mendoj se do të ishte mirë që opozita të kthehej në parlament, ky ka qenë gjithmonë opinioni ynë, por në të njëjtën kohë, do të ishte mirë që qeveria të vepronte. Qeveria duhet të veprojë dhe të thotë: “dakord, le të kemi transparencë të plotë. Ne si qeveri e pranojmë që opozita e njeh rezultatin e zgjedhjeve. Kjo është vendosur dhe këtë e ka thënë dhe gjykata.”
Por, në të njëjtën kohë qeveria duhet të jetë e gatshme të tregohet e hapur dhe transparente, duke përfshirë dhe transparencën e kutive, të kutive të votimit, sepse kjo do të tregonte realisht se kush ka të drejtë kur thotë që ka pasur hile apo nuk ka pasur fare hile. Duke qenë se na nevojitet paqja dhe stabiliteti në vend dhe vetëm nëse opozita kthehet në parlament dhe në të njëjtën kohë qeveria mbështet hapjen, sinqeritetin dhe transparencën, mund të vendosen themelet e një dialogu të frytshëm në të mirën e vendit.”
Më poshtë prononcimi i Kryetarit të PS, Edi Rama:
Pyetje : Zoti Rama, është hera e parë që nga Parlamenti Evropian vjen kërkesa për transparencë të plotë të zgjedhjeve dhe përmendet hapja e kutive, si pjesë e hetimit të zgjedhjeve. Sikurse nga ana tjetër kërkohet njohja e rezultatit dhe dhënia fund e bojkotit…
Edi Rama: “ Transparenca është vlerë e patjetërsueshme e demokracisë perëndimore. Sot ne jemi në pikën ku kemi gjetur një mirëkuptim të shkëlqyer me miqtë dhe partnerët tanë të PSE, për të vazhduar një proces hetimi dhe për të garantuar transparencën e plotë përfshirë edhe hapjen e kutive, në një proces ku do të angazhohet një Komision Hetimor Parlamentar, duke kthyer opozitën në Parlament, duke vazhduar së bashku në rrugën e reformave dhe të integrimit të Shqipërisë në Evropë.
Ne jemi gati të kthehemi në Parlament, sapo të garantohet vullneti për transparencë të plotë të zgjedhjeve të shkuara, për të garantuar zgjedhjet e ardhshme.
Sapo të garantohet se objekti i hetimit është i pakufizuar dhe përfshin dhe hapjen e kutive, duke bërë jo që të kemi një përmbysje të rezultatit në tavolinë, por që përmes nxjerrjes në dritën e diellit të të gjithë problemeve të zgjedhjeve, t’i japim fund një sistemi korrupsioni elektoral dhe të hapim një rrugë të re për Shqipërinë.”
Kryetari i Partisë Socialiste ka takuar eurodeputetin e grupit të djathtë të PE, (PPE) Eduard Kukan Kryetar i Delegacionit për Marrëdhëniet me Europën Juglindore. Eurodeputeti Kukan ka zëvendësuar Doris Pack në këtë delegacion. Edhe gjatë këtij takimi Rama u shpreh se PS kërkon transparencë dhe jo pushtet në tavolinë.






