Postuar më: 10/02/2010
Kryetari i Partisë Socialiste ka marrë mbështetje nga Zv/Presidenti i Parlamentit Europian, Libor Roucek për një prej kërkesave themelore të opozitës, hapjen e kutive. Kryetari i Partisë Socialiste ka nisur këtë vizitë në Strasburg i shoqëruar nga deputetët, Arta Dade, Taulant Balla e Arben Ahmetaj.
Edi Rama u shpreh për mediat: “Ishte një pasdite e ngjeshur në vijim të një komunikimi intensiv me miq dhe partnerë ndërkombëtarë, të gjithë dashamirës të vendit tonë, të gjithë të dëshiruar për një zgjidhje të krizës që ka mbërthyer vendin tonë. Ne padyshim, unë i ritheksova domosdoshmërinë e transparencës së plotë mbi procesin e shkuar zgjedhor për të mos lejuar më që procesi i ardhshëm zgjedhor të jetë i ngjashëm me të shkuarin për t’i dhënë fund korrupsionit elektoral. Transparenca e plotë, duke përfshirë edhe hapjen e kutive të votimit, materialeve zgjedhore, për të bërë të mundur që populli shqiptar të shikojë dritën e diellit, çfarë ka ndodhur para, gjatë dhe pas 28 qershorit dhe njëkohësisht për të krijuar kushtet që administrata zgjedhore në të ardhmen të garantojë vullnetin e popullit dhe çdo komisioner të mos jetë thjesht komisioneri i forcës që përfaqëson por qytetari që përgjigjet para ligjit për respektimin e tij në procesin më të rëndësishëm të demokracisë, siç është ai i zgjedhjeve.”
Më poshtë mund të lexoni intervistën e Zv/Presidentit të Parlamentit Europian Libor Roucek:
Pyetje: Brenda pak ditëve do të organizohet nga Presidenti i Republikës një takim mes kryetarit të opozitës dhe kryeministrit. Mendoni se do të arrihet në një kompromis, në mënyrë që nga njëra anë, opozita t'i japë fund bojkotit e nga ana tjetër, maxhoranca të bjerë dakord për një hetim të plotë të zgjedhjeve deri në hapjen e kutive, që është dhe kërkesa kryesore e opozitës?
Libor Roucek: “Mendoj se kjo zgjidhje do të ishte më e mira. Unë besoj te ndërmjetësimi i Presidentit, besoj se ai mund ta bëjë dhe besoj edhe se ai ka vullnetin e duhur për të ulur liderin e opozitës dhe kryeministrin në një tavolinë për të gjetur kështu kompromisin që i duhet vendit. Unë mendoj se nga ana tjetër është shumë e nevojshme të kryhet hetimi për këto zgjedhje, që kjo t'i shërbejë jo asaj që ka kaluar por sidomos së ardhmes dhe që në të ardhmen mos ketë as edhe një problem me zgjedhjet, ashtu siç nga ana tjetër është e rëndësishme për opozitën që pas këtij kompromisi të futet në parlament dhe të vazhdojë rrjedhën normale opozitare. Kjo do të ishte një rezultat shumë i mirë për të gjithë, veçanërisht për popullin shqiptar.”
Pyetje:Ajo që ka qenë e diskutueshme mes opozitës dhe maxhorancës është fakti që opozita kërkon hapjen e kutive si të vetmen mënyrë për ta çuar deri në fund hetimin, ndërkohë që maxhoranca e konsideron këtë si një tabu. Cili është komenti juaj për këtë çështje?
Libor Roucek: “Nuk më takon mua t'u them politikanëve shqiptarë se çfarë duhet të bëjnë. Ndoshta hapja e një pjese të kutive, në zona të ndryshme, pra hapja e disa kutive në çdo zonë edhe kjo mund të ishte një zgjidhje.”






