Postuar më: 31/08/2010
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama priti sot në një takim të vecantë delegacionin e lartë të Partisë Komuniste kineze të kryesuar nga zoti Liu Yunshan, ministër i Marrëdhënieve me Publikun pranë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze, njëkohësisht anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të PKK-së.
Në këtë takim u diskutua mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy partive, në funksion të zgjerimit shumëplanësh të marrëdhëneve shumë të mira dhe tradicionale ndërmjet dy vendeve tona.
Ministri i Marrëdhënieve me Publikun pranë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze zoti Liu Yunshan theksoi se marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet partive tona përbëjnë një bazë solide për miqësinë shqiptaro-kineze. Këto marrëdhënie mund të thellohen përmes shkëmbimit reciprok të delegacioneve, për këtë qëllim, ai ftoi zotin Rama për një vizitë zyrtare në nivel të lartë të PSSH në Kinë. Kjo ftesë u pranua me kënaqësi nga lideri socialist Edi Rama.
Më tej gjatë takimit, drejtuesi i lartë kinez, vlerësoi maksimalisht punën dhe rolin e Edi Ramës në krye ta Bashkisë së Tiranës. Zoti Liu Yunshan u shpreh se: “Ju zoti Edi Rama jeni shpallur në vitin 2004, Kryetari i Bashkisë më i mirë në botë. Gjatë tre mandateve tuaja, Tirana ka ndryshuar shumë dhe banorët e Tiranës kanë besim të plotë tek ju. Përvoja juaj është me mjaft interes”.
Kryetari i PSSH Edi Rama u ndal në mënyrë të vecantë në cështjen e njohjes së Kosovës, duke i kërkuar mikut kinez që “cështja e njohjes së Kosovës nga Republika Popullore Kinës të shikohet me përparësi në konteksin e ri të krijuar nga vendimi i GJND, por edhe në kontekstin e zhvillimeve shumë pozitive rajonale që ka sjellë pavarësia e Kosovës”.
Në këtë takim Krytari i PS Edi Rama shoqërohej nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PSSH Gramoz Ruci dhe deputetë të tjerë.






