Postuar më: 27/08/2010
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Gramoz Ruçi, deklaroi se që në datën 28 korrik PS ka formalizuar propozimet e veta duke i paraqitur mazhorancës përmes kryetarit të saj të grupit parlamentar dy dokumente. Së pari, projektmarrëveshje për zgjidhjen e krizës politike. Së dyti, projektvendim për ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009. Ruçi theksoi se si projektmarrëveshja ashtu dhe projektvendimi i paraqitur shprehin vullnetin politik të PS dhe konsistojnë kryesisht në tre drejtime. “Së pari, në miratimin e një Rezolute nga ana e parlamentit shqiptar për mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Së dyti, në angazhimin tonë për zgjidhjen e shpejtë të krizës politike lidhur me transparencën e zgjedhjeve të qershorit 2009 si dhe hapat konkretë që duhen hedhur në këtë drejtim. Së treti, angazhimin tonë politik për një reformë të plotë elektorale sipas rekomandimeve të Raportit të OSBE-ODHIR dhe sipas përfundimeve të Komisionit Hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009”, nënvizoi kryetari i grupit parlamentar socialist.
Lexoni më poshtë bashkëbisedimin e plotë të kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Gramoz Ruçi, me gazetarët:
Do të dëshiroja që në këtë komunikim me ju, të ndanim mendimet lidhur me situatën politike, që fillon me ngritjen e komisionit hetimor. Partia Socialiste e Shqipërisë duke vlerësuar faktin se shumë prej reformave kanë nevojë për një konsensus të gjerë të të gjithë forcave politike; duke vlerësuar rëndësinë e lëvizjes së lirë të shqiptarëve pa viza në vendet e BE; të bindur njëherësh për nevojën e bashkimit të përpjekjeve të përbashkëta për të kontribuuar në plotësimin e detyrimeve politike dhe teknike të vendosura nga BE; duke vlerësuar dhe duke u angazhuar në rëndësinë e transparencës të zgjedhjeve për zhvillimin e tyre sipas standardeve ndërkombëtare në të ardhmen; duke e konsideruara të detyrueshme për politikën dhe institucionet e shtetit shqiptar zbatimin e amendimit numër 6 të Parlamentit Europian, me qëllimin e mirë për t’i dhënë fund situatës së rënduar politike dhe krizës së institucioneve të shtetit shqiptar, në vazhdim të kontakteve të zhvilluara gjatë muajit korrik midis meje dhe kryetarit të Grupit parlamentar të mazhorancës z. Astrit Patozi, unë ju deklaroj se ne që në datën 28 korrik kemi formalizuar propozimet tona duke i paraqitur mazhorancës përmes kryetarit të saj të grupit parlamentar dy dokumente.
1- Projektmarrëveshje për zgjidhjen e krizës politike
2- Projektvendim për ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009.
Si projektmarrëveshja ashtu dhe projektvendimi të paraqitur nga ana jonë te z.Patozi shprehin vullnetin tonë politik dhe konsistojnë kryesisht në tre drejtime:
1- Në miratimin e një Rezolute nga ana e parlamentit shqiptar për mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
2- Në angazhimin tonë për zgjidhjen e shpejtë të krizës politike lidhur me transparencën e zgjedhjeve të qershorit 2009 si dhe hapat konkretë që duhen hedhur në këtë drejtim.
3- Angazhimin tonë politik për një reformë të plotë elektorale sipas rekomandimeve të Raportit të OSBE-ODHIR dhe sipas përfundimeve të Komisionit Hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009.
Nesër mbushet një muaj fiks, sepse si ju thashë i kemi paraqitur në datën 28 korrik dhe deri tani sipas asaj që ju keni përcjellë në mediat tuaja ka vetëm dy deklarime të kryeministrit, i cili pohon se do të ketë një zgjidhje me përfundimin e pushimeve. Ne gjykojmë se nuk ka kohë. Është humbur shumë kohë pra mbi një vit. Ne mendojmë se hapi i parë, vendimi i parë që duhet të marrë parlamenti shqiptar me fillimin e sesionit të ri parlamentar është zbatimi apo materializimi i amendamentit numër 6 të PE nëpërmjet ngritjes së menjëhershme të Komisionit Hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, ku si nisje të jetë hapja e kutive të materialeve zgjedhore. Për fletët e votimit opozita në draftet e paraqitura ka ofruar dhe kompromisin e saj. Si përfundim ne mendojmë dhe gjykojmë se nuk është koha më për fjalë, nuk është koha më për deklarata, është koha dhe momenti vetëm për zgjidhje, madje për zgjidhje të menjëhershme. Ne si opozitë jemi gati në çdo kohë nëse ky vullnet politik nuk do ti mungojë mazhorancës.
Pyetje
Ku do lëshoni për fletët e votimit?
Nuk bëhet fjalë për lëshime. Nëse do të mendohet që në materialet zgjedhore përjashtohen fletët e votimit gjë që ka lexime të ndryshme nga pozita dhe nga opozita sipas frymës së Kodit Elektoral dhe sipas konstitucionalistëve e juristëve të afirmuar të vendit. Kur bëhet fjalë për materialet zgjedhore nuk përjashtohet të niset me listat e zgjedhësve, vazhdohet me fletët e votimit, kartat e identitetit dhe me gjithë dokumentacionin deri te vula në fletët e votimit apo në kutitë e votimit. E megjithatë meqë ka lexime të ndryshme mes pozitës dhe opozitës ne vlerësojmë dhe gjykojmë që nuk ka hetim të zgjedhjeve me ekzekutim të fletëve të votimit. Parë në këtë këndvështrim kompromisi ynë konsiston në atë që duke pasur parasysh që ka lexime të ndryshme, atëherë le t’ia lëmë në dorë një arbitri asnjanës siç është Komisioni i Venecias, ku ne sugjerojmë që:
1- Me kërkesë të Komisionit Hetimor parlamentar Presidenti i Republikës t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të trajtuar çështjen e kutive të fletëve të votimit
2- Me kërkesë të Komisionit Hetimor parlamentar Kryetarja e Kuvendit mund t’i drejtohet Komisionit të Venecias për interpretim për çështjen e kutive të fletëve të votimit
3- Me kërkesë të institucioneve të shtetit shqiptar meqë Shqipëria është anëtare e Këshillit të Europës, Sekretari i Përgjithshëm i KiE, meqë ka dhe një Rezolutë të KiE dhe meqë Komisioni i Venecias është pjesë e KiE, mund t’i drejtohet për interpretim Komisionit të Venecias për kutitë e fletëve të votimit.
4- Gjykata Kushtetuese me kërkesë të parlamentit shqiptar t’i kërkojë Komisionit të Venecias interpretim për fletët e votimit. Nëse Gjykata nuk e bën dot këtë, pasi është institucion i pavarur në vendimmarrje, atëherë i rikthehemi Kryetares së Kuvendit që t’i drejtohet ajo, sigurisht nëse ekziston vullneti politik.
5- Për të mos bllokuar procesin le të ngrihet Komisioni Hetimor për materialet zgjedhore sipas leximit që i bën mazhoranca, dhe të vazhdojmë negociatat lidhur me kutitë e fletëve të votimit, duke përjashtuar në çdo rast asgjësimin e kutive të fletëve të votimit.
Besoj janë të mjaftueshme të gjitha këto që parashtrova për ti dhënë përgjigje pyetjes suaj
Do merrni pjesë në komisionin hetimor?
Ne jemi iniciatorë dhe kemi një vit që kërkojmë ngritjen e këtij komisioni hetimor parlamentar dhe që në nisje të këtij komunikimi me ju deklarova se ne kemi formalizuar propozimet tona në një projekt, ku përcaktojmë objektin e komisionit të hetimit, ku përcaktojmë numrin e pozitës dhe të opozitës në komisionin e hetimit, drejtimin e komisionit, kohën e komisionit të hetimit dhe kërkesa të tjera që kërkon ligji i komisionit hetimor.
Nëqoftëse një komision i ri hetimor parlamentar do të ngrihet në shtator, pra në hapjen e parlamentit dhe nëqoftëse koha e hetimit, që zakonisht është 3 mujore, i bie që ky komision ti nxjerri konkluzionet e tij në dhjetor. A mendoni se kjo kohë 3 mujore është mjaftueshme për hetim, qoftë edhe të materialeve zgjedhore dhe a mendoni se pastaj bëhet vonë që konkluzionet e këtij hetimi të futen për reformë në janar, duke pasur parasysh zërat që dëgjojmë që zgjedhjet vendore mund të jenë në pranverë?
Sigurisht pyetja juaj ka në thelbin e saj një shqetësim. Ne kemi humbur shumë kohë, unë atë që parashtrova qysh në fillim thashë që duhet të fitojmë kohën e humbur. Që të fitosh kohën e humbur, s’duhet të humbasim asnjë ditë më, asnjë orë, asnjë sekondë. Pra thashë që parlamenti shqiptar duhet ta fillojë me ngritjen e Komisionit Hetimor, gjë që do të thotë Komisioni Hetimor duhet të punojë në mënyrë intensive. Gjë që do të thotë duhet të ketë vullnet të përbashkët midis forcave politike për përfundimin sa më shpejt të veprimtarisë të këtij komisioni hetimor dhe mandej të ngritjes së një komisioni parlamentar lidhur me ndryshimet që duhet bërë në kodin zgjedhor. Pavarësisht se kemi humbur shumë kohë, pavarësisht se s’duhet të humbasim asnjë sekondë, nëqoftëse do të ketë vullnet të mirë politik, nga të gjithë krahët politikë, unë mendoj se asgjë nuk është e parealizueshme. Në të kundërt sigurisht përgjegjësinë do ta mbajë pala që i mungon vullneti politik.
Z. Ruçi, nëse në seancën e parë të kuvendit, nuk ndodh kjo që thoni ju, nuk nis hetimi zgjedhjeve, pra edhe nëse në shtator marrëveshja nuk arrihet, e jeni gati të rinisni bojkotin dhe sërish protestat?
Nuk do ta dëshironim këtë çështje, megjithatë pyetjes suaj i kemi dhënë përgjigje në disa dalje tonat. Nëse maxhorancës do ti mungojë ky vullnet, për të hedhur këtë hap, për të ngritur këtë komision, sigurisht që nuk do të ketë zgjidhje të krizës politike, do të ketë përkeqësim të saj. Opozita nuk do të ketë asnjë tërheqje, përkundrazi do të ketë një intensifikim të veprimtarisë së saj politike, gjithmonë demokratike, si në raport me funksionim e parlamentit, ashtu edhe në raport me lëvizjet demokratike, siç janë protestat popullore, në çdo shesh, në çdo qytetet, në çdo fshat, e deri në kryeqytet. Nuk do ta dëshironim, nuk është zgjedhja jonë lidhur me këtë çështje, prandaj ne kemi ofruar një zgjidhje. Megjithatë jemi në pritje që pyetja juaj, “nëse”, të kthehet në pohuese që maxhoranca do të ketë vullnetin politik për ta zgjidhur krizën.
Nëse do të marrim rastin më të mirë, që komisioni do të marrë edhe miratimin e maxhorancës. Ne kemi një histori komisione hetimore që janë ngritur dhe që nuk kanë nxjerrë asgjë në dritë. Në dhjetor do të jemi po në të njëjtën tavolinë duke diskutuar prapë për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. A do të keni një opsion tjetër?
Unë nuk mendoj kështu. Unë gjykoj që me ngritjen e komisionit hetimor, vetëm kur ka munguar vullneti politik, nuk ka dhënë atë rezultat që duhet të jepte. Problemi është konkret, materialet janë konkrete, defektet do të jenë konkrete dhe riparimet që duhet të bëhen në kodin elektoral, sigurisht që do të jenë konkrete. Pra është një kushtëzim, që veç atyre problemeve, veç atyre rekomandimeve që ka përshkruar raporti OSBE/ODHIR-it, është e domosdoshme të gjykojmë dhe të vlerësojmë ne, që të shikojmë që edhe ato probleme, që ka thënë ODHIR dhe OSBE-ja, të shikohet konkretisht, nëqoftëse thuhet për listat, nëqoftëse thuhet për dokumentet e identifikimit, nëqoftëse thuhet në raporte që 1/3 e ZAZ-ve, u numëruan keq apo shumë keq, por nuk ka prova, atëherë duke hapur provën, duke parë provën, do të materializohet se kush ishte arsyeja, kush ishte shkaku për të cilën ODHIR/OSBE vlerësoi këtë mangësi në numërim dhe çfarë duhet korrigjuar në infrastrukturën zgjedhore për numërimin. Të njëjtën gjë për listat e zgjedhësve, të njëjtën gjë për kartat e identitetit apo për probleme të tjera të funksionimit të komisioneve të gjitha niveleve. Kështu që do të vlerësoja që s’ka sepse të kemi të njëjtin diskutim në dhjetor, por përkundrazi në dhjetor duhet të kemi një debat parlamentar lidhur me përmirësimet dhe ndryshimet në kodin elektoral.
Në fakt po kërkohet prej mëse 1 viti hetimi zgjedhjeve të 28 qershorit, një hetim në fakt që po zgjat dhe po ha shumë kohë. Duke pasur parasysh që edhe zgjedhjet vendore janë shumë afër, PS kërkon pafund hetimin e zgjedhjeve çka është në fakt një kohë e reduktuar, afat i reduktuar, për tu përgatitur si seli rozë për zgjedhjet vendore. A do të kushtëzohen zgjedhjet vendore nga hetimi i zgjedhjeve, nëse do të vazhdohet pa fund të ketë një zgjidhje të krizës politike në vend?
Të dyja janë të lidhura njëra me tjetrën. Nëqoftëse flasim për një kërkesë permanente të opozitës shqiptare prej 1 viti dhe një kohe të humbur, këtu nuk është e vështirë të evidentosh se kush është shkaktari apo fajtori i humbjes së kësaj kohe, i zvarritjes së këtij problemi dhe i përgatitjes për fushatën e ardhshme elektorale vendore. Ne jemi opozitë dhe opozita e çdo vendi në radhë të parë lufton që të vijë në pushtet dhe që të vijë në pushtet duhet të vijë me zgjedhje të lira dhe demokratike. Nëqoftëse flasim për zgjedhje, ne disa herë kemi deklaruar që askush të mos mendojë se opozita shqiptare do të bojkotojë zgjedhjet. Një opozitë, është opozitë për të ardhur në pushtet. Kjo është sfida jonë, përballë do të na ketë kundërshtari jonë politik. Por njëkohësisht askush të mos mendojë se do të ketë zgjedhje për zgjedhje si deri tashti në Shqipëri. Pra edhe kjo duhet të jetë e qartë. Ne si forcë politike, nëse e ka fjalën sesi po përgatitemi ne, sigurisht ne po kryejmë detyrat tona të shtëpisë, që krahas ngritjes së komisionit hetimor, ne jemi të gatshëm në çdo kohë, për ndryshimet dhe korrigjimet që i duhen bërë infrastrukturës zgjedhore, kodit elektoral. Ashtu sikurse për të qenë e gatshme, makineria jonë elektorale, në të gjitha planet, në të gjitha drejtimet, për tu përballuar me kundërshtarin tonë politik, në fushatën e ardhshme elektorale.
Duke supozuar se kërkesa ai shkoi komisionit të Venecias, pavarësisht nga kush institucion. A jeni të gatshëm ju të prisni mendimin e komisionit të Venecias për të nisur hetimin?
Nuk ka pse pritet vendimi i Komisionit të Venecias. Komisioni hetimor sipas propozimit dhe gjykimit që ne kemi, mund të ngrihet qysh në ditët e para të shtatorit. Ai mund të fillojë menjëherë nga puna, me objekt hetimi, materialet zgjedhore dhe palët të angazhohen me vullnet politik, që cilado qoftë verdikti që do të japë Komisioni Venecias, ai të jetë i pranuar nga të dyja palët.
LSI ka dy ditë që po kërkon një bashkëpunim nga ana e PS, në lidhje me ndryshimin e kodit zgjedhor. Në rast se ju do ta kishit tani atë kod zgjedhor, për mendimin tuaj çfarë nuk shkon?
Që ti japim përgjigje pyetjes suaj, duhet pikërisht ky komision hetimor për të arritur në përfundimin e përgjigjes së pyetjes suaj, se cilat janë problemet që duhet të ndryshojnë në kodin elektoral, për të garantuar zgjedhje me standarde në Shqipëri. Pra është e domosdoshme hetimi parlamentar, investigimi parlamentar.
A mendoni se zgjidhja e duhur për kandidaturën e Tiranës është sërish kryetari i PS, z. Rama?
Ne po flasim për zgjedhje dhe jo për kandidatë. Besoj se këtë pyetje e keni për të hapur ndonjë telenovelë. Unë sëbashku me kryetarin e partisë z.Rama dhe me të gjithë institucionet e Partisë Socialiste, kemi detyra të mëdha, duhet të keni durimin dhe besimin që PS në kohën dhe momentin e duhur do të shpallë kandidaturat e saj duke filluar me kryeqytetin.
Ndërkohë që supozojmë që nis hetimi në shtator, gjatë këtij 3 mujori që do të funksionojë komisioni hetimor, PS në parlament do të japë konsensusin e saj për kode të cilat janë shtyrë prej dy legjislaturash dhe për reformat e rëndësishme?
Unë thashë që kemi paraqitur një draft dhe një projekt marrëveshje dhe ju thashë që konsiston në 3 shtylla. Shtylla e parë është një rezolutë e parlamentit shqiptar me disa detyra shtëpie të parlamentit shqiptar në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në BE dhe të liberalizmit të vizave. Aty do të ketë obligime konkrete, si për maxhorancën ashtu edhe për opozitën.
A është PS për një shtyrje të mundshme të datës së zgjedhjeve. Dhe a mendoni për ndryshimin e sistemit zgjedhor?
Kur e mbylla hapjen e këtij bashkëbisedimi me ju, thashë që kemi humbur shumë kohë dhe thashë që jemi të gatshëm në çdo moment për të filluar nga puna e komisionit hetimor. Nëqoftëse kundërshtari jonë politik do të fitojë kohë, duke e çuar problemin deri tek përmbajtja e të gjithë pyetjeve tuaja, që në esencë kishin një fjalë të përbashkët, kohë, kohë, kohë, sigurisht që nuk do të ketë zgjedhje fare në Shqipëri. Fjalën kohë që ju përzgjodhët në pyetjet tuaja me të drejtë, nuk jemi ne që e kemi çuar në këtë pikë, është kundërshtari jonë politik që e ka çuar në këtë pikë. Unë thashë që duhet të fitosh kohën e humbur. Që të fitosh kohën e humbur duhet vullneti politik i të dy palëve. Ne veç propozimeve tona në tavolinë, që kemi qenë tepër konstruktiv, i kemi formalizuar ato, edhe në dy dokumente që kemi paraqitur sot e 1 muaj dhe kemi qenë të gatshëm, biles pasi e kemi paraqitur këtë në prezencë tuaj, përfaqësues të lartë të PS, kanë komunikuar me ju, duke kërkuar që PS është e gatshme që edhe në pushim, gjatë gushtit, të thirret parlamenti shqiptar, me qëllim që të miratojë ngritjen e komisionit hetimor. Mirëpo kjo nuk u bë e mundur, do të duhet një muaj, që pas një muaji të thoshte kryeministri, që ne kemi një propozim dhe atë propozim e kemi në tavolinë dhe që ekziston vullneti për ti dhënë një zgjidhje. Le të presim, por jo gjatë.
Ju besoni se vetëm hetimi i materialeve zgjedhore, do të nxjerri atë që ju pretendoni vjedhjen e votës së 28 qershorit. Citoj se sipas ndërkombëtarëve 1/3 e fletëve të votimit është numëruar keq dhe shumë keq, pra është një çështje që të çon sërish tek fletët e votimit, mbi të cilën ju po toleroni.
Së pari njëherë, në ato që shpreha dhe në ato që kemi propozuar s’ka asnjë tolerim për fletët e votimit. Madje këtë kërkon maxhoranca, pikërisht që ne të tolerojmë ose të ekzekutojmë fletët e votimit, të pranojmë ekzekutimin e fletëve të votimit. Gjë që është e papranueshme nga ana jonë. Nëqoftëse bëhet fjalë për ekzekutim të fletëve të votimit, këtu mbyllet dialogu dhe s’ka zgjidhje të krizës politike dhe Partia Socialiste me të gjithë resurset e saj organizative kthehet në pikën e nisjes. Pra këtu duhet të jemi të qartë. Sesa arrihet, sesa përqind të mangësive verifikohen, përmirësohen, korrigjohen me materialet zgjedhore, le tja lemë hetimit parlamentar. Se cila do të jetë përgjigjja, interpretimi dhe verdikti që do të japë komisioni i Venecias le ta lemë këtë arbitër ndërkombëtar, asnjanës, as i PD dhe as i PS, të japë verdiktin e saj për fletët e votimit.
Maxhoranca ka qenë që para 1 viti e mendimit se ju duhet ti kërkoni Komisionit të Venecias, interpretim për fletët e votimit. Kjo do të thotë se ju keni lëshuar pe dhe keni ardhur në pozicionin e maxhorancës?
Sa mirë do të ishte që maxhoranca të thoshte pikërisht këtë që sapo deklaruat ju. Ne kemi qenë shumë të qartë qysh në fillim të herës, kur kemi kërkuar komision hetimor parlamentar. Që të bësh transparencën e një procesi është gjeja më normale në çdo vend demokratik. Pengesat e njëpasnjëshme, të cilat maxhoranca aktuale ka nxjerrë, qysh nga fillimi e deri më sot kanë qenë për të penguar procesin e hetimit parlamentar dhe bërjes së transparencës së zgjedhjeve. Ka pasur një moment, ku jo se ne e kemi kundërshtuar, por ne kemi qenë shumë të qartë në kërkesën tonë, duke përsëritur në mënyrë të herë pas hershme, që hetimi parlamentar nuk kërkohet për të riparë rezultatin e zgjedhjeve, por kërkohet për të mbyllur shtigjet e bërjes pis të zgjedhjeve politike apo vendore në këtë vend. Sigurisht që Komisioni Venecias, ka pasur një interpretim, kur ka interpretuar me kërkesën tonë çështjen e objektit të komisioneve hetimore. Sipas leximit që i kemi bërë ne, edhe në atë kohë, edhe në këtë kohë, është që verdiktin do të japë Komisioni Venecias, është që nuk mund të ndalojë transparencën e një dokumenti, aq më tepër të fletëve të votimit, pasi pavarësisht nga interpretimet që i bëhen të ndryshme, kushtetutës, apo kodit elektoral, e drejta e transparencës dhe e investigimit predominon, prevalon mbi çdo të drejtë tjetër. Këtë praktikë e ka çdo vend demokratik europian apo jo europian. Këtu nuk kemi të bëjmë me lëshime, por kur bëhen negociata, secili nga negociatorët duhet ti hedhë verës së tij ujë. Në rastin konkret, ne kemi pranuar që një arbitër i tretë, anëtar i së cilës neve jemi, i cili ka dhënë verdikte për interpretime të ndryshme në këtë vend, ka besueshmërinë e palëve, të bëjë interpretimin meqënese ka lexime të ndryshme. Ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë që cilido qoftë verdikti që ai do të jetë, për ne do të jetë i pranuar.
Mbi çfarë tagër Presidenti Republikës mund të dërgojë ankesën për fletët e votimit ose për interpretim në Komision e Venecias? Është e mbështetur në ligj kjo kërkesë e Presidentit në Komisionin e Venecias?
Absolutisht që po. Ne jemi interesuar me përfaqësues të Komisionit të Venecias, pasi atje ka pasur në vazhdim edhe përfaqësues nga shteti shqiptar. Edhe në komunikimin informal që kemi pasur me përfaqësues të Komisionit të Venecias, absolutisht është i përligjur si Presidenti Republikës, ashtu edhe kryetarja e parlamentit në emër të parlamentit, presidenti në emër të Kushtetutës. Kështu që s’ka asnjë pengesë, ashtu sikurse është Gjykata Kushtetuese e vendit, ashtu sikurse është Këshilli Europës, që është një institucion nga varet edhe Komisioni Venecias.






