Postuar më: 31/08/2010
Heshtja e Ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti lidhur me skandalin e manipulimit të të dhënave të QKR për interes të Ministres së Integrimit, por edhe heshtja për faktet e dala në dritë për pasurinë e tij kanë qenë në qendër të një prononcimi publik të deputetit Arta Gaçi. Deputeti socialist tha në prononcimin për mediat se në rastin e koncesioneve të denoncuara, njerëz të afërt të lidhur me pushtetin, u kanë rrëmbyer shqiptarëve në mënyrë të padrejtë pasuritë publike, duke shfrytëzuar lidhjet me pushtetin.
Më poshtë prononcimi i plotë i deputetit Artan Gaçi:
Dëgjuam Ministrin Prifti, i cili vazhdon të mos japë asnjë përgjigje ndaj asnjë prej akuzave që rëndojnë personalisht mbi të, por edhe mbi motrat Vokshi dhe kolegen e tij, Ministren e Integrimit Bregu.
Sot, Dritan Prifti duhet të ishte shprehur edhe mbi skandalin e manipulimit të të dhënave në qëndrën e rregjistrimit të bizneseve me urdhër të Majlinda Bregut.
Por edhe pse ka në varësi direkte këtë institucion, Dritan Prifti heshti dhe nuk guxoi të fliste.
I kujtojmë edhe njëherë Ministrit të Ekonomisë së problemi nuk qëndron te fakti që motrat, bashkëshortët, bashkëjetuesit, kunetërit e shpeshherë si në rastin e Dritan Priftit edhe vetë ministrat, përfshihen në biznes.
Problemi qëndron se në rastin e koncesioneve, pikërisht këta njerëz të afërt e të lidhur me pushtetin, u kanë rrëmbyer shqiptarëve në mënyrë të padrejtë pasuritë publike, duke shfrytëzuar lidhjet me pushtetin.
Ky është korrupsioni i vërtetë. Kjo është kapja e shtetit.






