Postuar më: 17/02/2010
Partia Socialiste e ka konsideruar të tmerrshme për familjet shqiptare, rritjen e re të energjisë, që nisi nga 1 janari i këtij viti. Tashmë të gjitha familjeve në vend u ka mbërritur fatura e re, e cila sigurisht është dyfish më e shtrenjtë se ajo e një muaji më parë. Sipas Deputetit socialist, Erion Brace, kjo qeveri ka dorëzuar tashmë pasuritë publike, por edhe monopolet shtetërore që materializojnë shërbimet publike.
Më poshtë, lexoni të plotë deklaratën për shtyp të Deputetit Erion Braçe:
Në mes të krizës më të rëndë ekonomike që po kalon çdo familje në Shqipëri, Sali Berisha vendosi rritjen e çmimit të energjisë elektrike që nga 1 janari.
Jemi në ditët kur rritja e çmimit të energjisë elektrike është materializuar për çdo familje në faturat e energjisë, tani të ndara shtëpi me shtëpi.
Ditën kur u morë vendimi për rritjen e çmimit mësuam se:
- ky çmim i ri i rritur ishte e paravendosur qysh me privatizimin e OSSH, madje për disa vite rresht.
- ky çmim i ri i rritur ishte produkti më i qënësishëm i një procesi privatizimi më së shumti politik por edhe klientelist.
- ky çmim i ri i rritur do të kishte një impakt të madh mbi mirqënien apo varfërinë e çdo familje.
Por edhe na u tha se:
- ky çmim i ri i rritur ishte pjesë e një reforme që do të na zgjidhë përfundimisht problemin e furnizimit me energji.
- ky çmim i ri i rritur do të krijojë mundësi për përmirësimin e shërbimit tërësor me energji, veçmas të cilësisë së këtij shërbimi.
- ky çmim i ri i rritur nuk është edhe aq i lartë, duke na shpërndarë dhimbjen nga kjo masë e tepërt në përqindje që secili nga zyrtarët e Sali Berishës e jepnin qëllimisht të ndryshme.
Tani që faturat për energjinë e konsumuar në muajin janar janë shtëpi me shtëpi, po provojmë se:
- faturat e energjisë janë për fat të keq nga 10-35 % më të larta, duke rënduar shumë buxhetet familjare në vështirësi ekstreme nga një rritje e madhe e gjithpërfshirë e çmimeve.
Por po provojmë gjithashtu se ne jemi populli më fatkeq, të cilin, mund ta vjedhë kushdo, nisur nga qeveria e ditëzezë e Sali Berishës deri tek klientët e saj, tek të cilët, kjo qeveri ka dorëzuar pasurinë publike, por edhe monopolet shtetërore që materializojnë shërbimet publike.
Përpara kam dy faturat e mia të energjisë, të muajit dhjetor dhe muajit janar.
Në to:
- faturimi për muajin janar i referohet periudhës 20 dhjetor 2009 - 21 janar 2010.
- çmimi i energjisë së faturuar është ai i riu, në fuqi që nga 1 janari; 7.70 lekë për fashën 300 kë, 13.5 lekë për sasinë mbi këtë limit.
- çmimi i energjisë së faturuar për ambientet e përbashkëta është i riu, i rritur në 8.00 leke për kë.
Nga fatura rezulton se:
- OSSH ka faturuar energji të konsumuar në dhjetor me çmimin e ri të rritur, hyrë në fuqi me 1 janar, pra në rastin konkret, për dhjetë ditë të dhjetorit energjia është faturuar me 7.70 dhe 13.50 lekë kur në fakt çmimet në dhjetor ishin 7.00 dhe 12.00 lekë për kë.
Vjedhje më të qartë se kjo nuk ka, vetëm në këtë rast është 3 dollarë për faturë!
Nuk di të them sot se sa e përhapur është kjo vjedhje, por në lagjen ku unë banoj e ku flenë 4 Ministra të Sali Berishës, vjedhja e materializuar në faturë është tamam kështu.
Natyrisht mua nuk më dhimbsen ministrat, vendimmarrja e të cilëve na ka sjellë në këtë derexhe;
për ta tre dollarë bën krehja. Por mendoni ato mijëra familje të varfëra që vidhen në këtë mënyrë;
3 dollare për ta janë 5 ditë bukë!
Ata janë thellësisht të vjedhur, por edhe të pa mbrojtur. Fatura e energjsë elektrike është titull ekzekutiv. Nëse nuk e paguan atëherë ndiqesh penalisht!
Po kur të vjedhin me titull ekzekutiv, atëherë çndodhë?
Pikërisht nga kjo, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të verifikojnë faturat e tyre para se të paguajnë! Ne kemi detyrimin të paguajmë energjinë që konsumojmë, jo vjedhjen që na detyroi Sali Berisha me privatizimin e tij klientelist!






