Postuar më: 30/08/2010
Pas deklaratës së Ministres së Integrimit, se bashkëshorti i saj është pjesë e kompanisë Mia International, por se kjo kompani është inaktive me status pezull në QKR, ka reaguar deputetja Xhaçka. Deputetja socialiste, duke treguar dokumentat, u shpreh se Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, ka manipuluar të dhënat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, duke i ndërruar pas akuzave të bëra nga PS-ja, statusin e kompanisë që zotërohet nga bashkëshorti i saj. Xhaçka tha se statusi aktiv i kompanisë që zotërohet nga bashkëshorti i saj është ndërruar me statusin i pezulluar vetëm në orët e fundit. “Në një dokument të marrë nga QKR-ja jo më larg se dy ditë më parë Namik Ajazi figuron ortak dhe me statusin aktiv. Me ndërhyrjen e Bregut sot QKR-ja ka zbatuar urdhrin e ministres. Vetëm 50 minuta më pas zbatohet urdhri i ministres duke e shpallur kompaninë me status të pezulluar”, ka nënvizuar Xhaçka.
Më poshtë lexoni të plotë reagimin e deputetes Olta Xhaçka:
Dje Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu doli e u tha shqiptareve JO, burri im nuk ka kompani të lidhur me energjinë. Por sot kur Partia Socialiste publikoi provat që vërtetonin faktin se Namik Beqir AJAZI kishte në pronësi 30% të kompanisë MIA International, kompani e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me fushën e energjetikës, ministrja Bregu urdhëroi QKR për te pezulluar aktivitetin e burrit si administrator i kësaj kompanie.
Kjo është prova më e qartë se shteti shqiptar është venë kryekëput në shërbim të familjes në pushtet. Dëshiroj t’ju tregoj dokumentin e parë, marrë nga QKR jo më larg se 2 ditë më parë, datë 27/8/2010 ku Namik Ajazi figuron administrator dhe ortak dhe kompania me status aktiv.
Sot pas urdhrit të Majlinda Bregut për të dorëhequr bashkëshortin e saj nga kompania, i njëjti institucion, pra QKR, ka zbatuar pjesërisht urdhrin e ministres. Sipas këtij dokumenti të printuar në 17.09,2010, vetë QKR njofton se në datë 30.8.2010, pra sot, janë depozituar njoftimet e datave 12.10.2009 dhe 12.7.2010 i administratorit të shoqërisë për dorëheqjen nga detyra i administratorit dhe largimin e tij si ortak i shoqërisë. Ndërkohë në këtë dokument, Namik Ajazi figuron ende si ortak, administrator, me afat emërimi deri në 20.6.2012 dhe kompania me status aktiv.
Vetëm 50 minuta më pas, urdhri i ministres zbatohet plotësisht nga QKR, e cila e shpall kompaninë me status të pezulluar.
Ky njoftim i QKR nuk shoqërohet me asnjë akt që të tregojë se vërtet kompania e ka pezulluar aktivitetin apo se asambleja e ortakëve ka pranuar dorëheqjen e administratorit Ajazi dhe largimin e tij si ortak. Dokumentet që pretendon ministrja e të shpallura në faqen e QKR tregojnë vetëm njoftimin e Namik Ajazit drejtuar ortakut tjetër për një mbledhje të asamblesë në datë 12.7.2010.
Pra e njëjta kompani, MIA Internacional që deri ditën e sotme figuronte me status aktiv me administrator e ortak, Namik Ajazin, bashkëshortin e ministres, pas urdhrit të zonjës Bregu në fillim u kthye në një kompani pa administrator dhe me një ortak mangut, e më pas në një kompani të pezulluar.
Kjo është e vërteta dhe ky është shteti i venë në funksion të korrupsionit.






