Postuar më: 04/03/2010
Partia Socialiste akuzoi sërish sot Ministrin e Financave dhe Kryeministrin Berisha, për papërgjegjshmërinë e tyre, për sa i takon përkeqësimit të situatës makroekonomike në vend. Deputetja Ermelinda Meksi u shpreh për mediat, se si rrjedhojë e “padëgjueshmërisë” së këmbanave të opozitës dhe institucioneve financiare, sot kemi rritje çmimesh, zhvlerësim të monedhës kombëtare, rritje të papunësisë, thellim të borxhit publik dhe rritjen e interesave të tij.
Më poshtë, lexoni të plotë deklaratën për të shtyp të Deputetes Ermelinda Meksi:
Prej kohësh Partia Socialiste e ka paralajmëruar qeverinë Berisha për të parandaluar dhe minimizuar, nëpërmjet politikave të matura financiare –buxhetore efektet e krizës financiare botërore në ekonominë tonë. Por “padëgjueshmëria” e qeverisë dhe veçanërisht papërgjegjshmëria e Ministrit të Financave përkeqësuan situatën makroekonomike që po kalon vendi duke dhënë efekte të forta në rritjen e çmimeve, zhvlerësimin e monedhës kombëtare, rritjen e papunësisë, thellimin e borxhit publik dhe rritjen e interesave të tij.
Apeli publik për të disatën herë i Partisë Socialiste për më shumë kujdes e maturi në trajtimin e ekonomisë, mori si përgjigje deklarata absurde dhe megalomane për imunitetin e Shqipërisë nga kriza, rritje “dyshifrore” dhe deri“lënie në bisht” të Francës e Gjermanisë.
Problemi i glorifikimit të ekonomisë dhe mos marrja parasysh e impaktit të krizës nuk mbeti vetëm para dhe gjatë fushatës zgjedhore por edhe në muaj në vijim duke e çuar ekonominë në buzë të greminës: me mosrealizim të ardhurash, fryrje shpenzimesh, thellim deri në kërcënim të borxhit, zhvlerësim të lekut dhe rritje të fortë të nivelit të përgjithshëm të çmimeve
Efektet e krizës ndonëse janë ndjerë që në fillimet e vitit 2009 nga shqiptarët dhe janë evidentuar nga opozita dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Ato u pranuan vetëm në muajin janar 2010 nga qeveria, kur iu desh të ngrinte 20% të shpenzimeve në javën e tretë të muajit të parë të vitit 2010.
Nëse ju referohemi shifrave zyrtare, deficiti buxhetor në 2009 ishte rreth 160% ose rreth 30 miliard lekë(rreth 300 milionë dollarë) më shumë kundrejt buxhetit fillestar të planifikuar nga qeveria ose shtesa e deficitit të krijuar në 2009,është afërsisht sa borxhi që kjo qeveri po përpiqet të marrë nëpërmjet eurobondit.
Kur një qeveri që rrit shpenzimet pa mundur të rrisë të ardhurat sipas programit të saj dhe ngrin shpenzimet e planifikuara që në muajin e parë të vitit, pra dy muaj pas aprovimit të buxhetit atëherë ajo nuk di të qeverisë. PS bën me përgjegjësi qeverinë dhe kryeministrin që nuk ka dhënë asnjë argument mbi shkaqet e mosrealizimit të të ardhurave buxhetore të 2009.
Shifrat e fryra të eksporteve modeste shqiptare për shkak të bujarisë së motit dhe eksportit të energjisë elektrike nuk mund të mbulojnë të vërtetën e thellimit të deficitit tregtar që reflektohet dhe preket çdo ditë nga qytetarët në kursin e këmbimit të euros ndaj lekut.
Rritja e çmimit të energjisë veç faturave të rritura për qytetarët do ketë efekt zinxhir në koston e shumë mallrave të tjera të konsumit të prodhuara në Shqipëri duke ulur konkurueshmërinë e tyre dhe të bizneseve shqiptare,ndërkaq do vazhdojë më tej rritja e çmimeve prej zhvlerësimi i monedhës që ka si shkak rritjen e borxheve.
Dhe këto procese zinxhir po ndodhin megjithë prodhimin e bollshëm të energjisë në vend,ndërkohë që nuk ka transparencë për përdorimin e fitimeve të kompanisë shtetërore monopol KESH, ndërsa kanë mbetur pa kompensuar realisht të përmbyturit e veriut në kurriz të të cilëve u arrit ky prodhim dhe eksport i energjisë.
Ndërkaq qytetarët po paguajnë përveç çmimeve të rritura edhe abuzimin e kompanisë tjetër monopol tashmë private OSSH,e cila në synimin për fitime monopol ka patur në krah qeverinë si bashkëpronare të 25% të aksioneve të saj që u kujtua nëpërmjet ministrisë së Energjetikës vetëm një muaj e gjysmë pasi kishte ndodhur faturimi i 10 ditëshit të fundit të dhjetorit me çmimet e kripura të janarit.
Kjo qeveri që nuk siguron të ardhura as për të mbajtur veten,sepse tejkalon shumë shpenzimet korrente ndaj të ardhurave tatimore, megjithë retorikat “qeveri në dietë” dhe merr borxh për të mbuluar deficitet e mëdha të buxhetit, na sinjalizon se kriza po i thellon efektet e saj.
Borxhet të shtrenjta, si borxhi i brendshëm ashtu dhe i jashtëm, do të sjellin së shpejti rritjen e taksave nga qeveria dhe uljen e investimeve publike që nënkupton rrudhje të ekonomisë, më pak vende pune dhe më shumë varfëri.
Statistikat flasin për një ulje të punësimit në një kohë që plani i famshëm i Ilir Metës dhe premtimet e bujshme të PD për mijëra e dhjetëra mijëra vende të reja pune janë bërë tashmë pluhur e hi. Rritja ekonomike u ngadalësua ndjeshëm dhe përgënjeshtroi kështu dukshëm parashikimet qeveritare. Ajo në rastin më të mirë rezulton në nivelet e parashikuara nga FMN në Prill në nivelet 0.4-1 %, kurse të dhënat e tremujorit të fundit të vitit flasin për rënie të ndjeshme të saj nën nivelin zero.
Skandali thellohet të fakti që shtesa e shpenzimeve buxhetore për vitin 2009 është realizuar në periudhën parazgjedhore duke zbuluar qëllimin se përse qeveria nuk pranoi krizën, por përkundrazi fryu shpenzimet për arsye elektorale për të fituar me çdo kusht zgjedhjet e radhës. Ky është modeli i qeverisë Berisha në 2009, i cili i ngjan si dy pika ujit sjelljes së Presidentit Berisha në 1996. Kjo, pra, është praktika ekonomike e ” kavalierit” tonë, që e ushqeu kalin vetëm në gjysmën e parë të vitit dhe po e lë atë pa ngrënë në gjysmën e dytë.






