Postuar më: 04/09/2010
Në deklaratën për shtyp Nënkryetarja e Grupit Parlamentar Socialist Vasilika Hysi ngriti pyetje të reja për një tjetër përfaqësues të pushtetit që mund te jetë përfshirë në skemën e koncesioneve. Bashkëshorti i deputetes së PD-së Raimonda Bulku është një tjetër anëtar familje që ka marrë koncesion për ndërtimin e një hidrocentrali. Deputetja Hysi shtroi disa pyetje për ti dhënë mundësi zonjës Bulku që të thotë të vërtetën e mos të vazhdojë lojën e kolegeve të saj që gënjyen opinionin publik për ditë të tëra dhe zhgënjyen dhe vetë votuesit e tyre.
Më poshtë deklarata e plotë e deputetes Vasilika Hysi:
Sot do të ngremë pyetje të reja për një tjetër përfaqësuese të pushtetit që mund të jetë përfshirë në skemën e koncesioneve skandaloze të hidrocentraleve.
Me vjen keq që është përsëri një grua deputete dhe fatkeqësisht, është përsëri përfshirja e burrit të saj objekt i transparencës sonë. Shpresoj që rrëfimi i saj publik të jetë i sinqertë dhe lehtësues për pozitën e dyshimtë ku e vendos prania në listën e familjarëve që kanë përfituar nga pushteti i popullit.
Zonja Raimonda Bulku!
1. A është e vërtetë se bashkëshorti juaj ka marrë koncesion për ndërtimin e një hidrocentrali? A jeni ju në dijeni?
2. A dini të na thoni, nëse ky fakt është i vërtetë, cilat janë arsyet që e kanë nxjerrë bashkëshortin tuaj fitues në garë?
3. A ka pasur garë në fakt në dhënien e këtij koncesioni, dhe çfarë lidhje ka burri juaj me sektorin e energjisë? Po burimet tuaja financiare për ndërtimin e hidrocentralit cilat janë?
Më lejoni e nderuara kolege, që t'ju uroj të mos ndiqni rrugën e kolegeve të tjera të denoncuara më parë, të cilat gënjyen për ditë me radhë opinionin publik duke zhgënjyer edhe vetë zgjedhësit e tyre.
Duke uruar gjithashtu që ju nuk do të ndiqni as rrugën e shpifjeve e të baltës, presim të mësojmë të vërtetën tuaj, ashtu siç presin të gjithë qytetarët.






