Postuar më: 31/08/2010
Drejtori i QKR pas publikimit të skandalit të manipulimit të të dhënave duhet të japë doreheqjen. Deputetja socialiste Olta Xhaçka duke kërkuar publikisht dorëheqjen e drejtuesit të këtij institucioni tha se fakti që Prokuroria ende ska vajtur në zyrën e tij, nuk tregon faktin se pozitat e këtij administratori publik janë të forta.
Më poshtë lexoni të plotë deklaratën e deputetes së PS, Olta Xhaçka:
Zoti Drejtor i QKR-së, së pari duhet të kuptoni mirë pozicionin e zyrtarit që mbartni mbi supe. Fakti që jeni emëruar Drejtor nga Ministri i Ekonomisë, njëherazi koleg i Ministres Bregu, nuk ju jep asnjë të drejtë as ju që të manipuloni dokumentacionet zyrtare, dhe aq më pak Ministres Bregu që t'ju japë urdhëra.
Zoti Drejtor, fakti që Prokuroria ende nuk ka mbërritur në zyrën tuaj, edhe pse duhet ta kishte ndërmarrë këtë veprim në momentin e parë kur opozita zbardhi të vërtetën e manipulimit tuaj, nuk duhet t'ju bëj të ndiheni të fortë në pozitat që keni.
Zoti Drejtor, institucioni që ju drejtoni është kapur kryekeput nga familja në pushtet. Kompania MIA International në datën 27 gusht 2010 figuronte me status aktiv, me ortak dhe administrator bashkëshortin e Majlinda Bregut.
Papritmas, dje, e njëjta kompani figuroi fillimisht me një ortak mangut dhe pa administrator, dhe vetëm 50 minuta më pas, statusi i saj u kthye nga aktive në të pezulluar.
Këto janë dokumentat që e provojnë këtë fakt. Bëni mirë të mos mbroni të pambrojtshmen, por të jepni dorëheqjen për të shpëtuar nderin tuaj personal, pasi morali i kësaj qeverie ka marrë fund me kohë.






