Postuar më: 18/02/2010
Partia Socialiste e ka quajtur të turpshme sjelljen e Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit, në lidhje me dëmshpërblimet që duhet të bënin në Qarkun e Shkodës, pas përmbytjeve të shkaktuara. Deputeti Taulant Balla, tha për mediat, se Berisha u soll me ata njerëz, njësoj si në rastin e Gërdecit.
Më poshtë, lexoni të plotë deklaratën për shtyp të Deputetit Taulant Balla:
“Historia nuk mund të mos përsëritej sërish përderisa kishte në qendër të vëmendjes të njëjtin njeri, Sali Berishën.
Ashtu siç ndodhi me familjet e dëmtuara në Gërdec,
ashtu siç ndodhi me zonat e përmbytura në Lezhë dhe Durrës,
ashtu siç ndodhi me fatkeqët e prekur nga tërmeti në Dibër,
me familjet e dëmtuara nga rrëshqitjet masive të tokës në shumë zona të Shqipërisë, ndodhi dhe me 4312 familjet e përmbytura në ditët e para të 2010 në qarkun e Shkodrës.
Sali Berisha premtoi dëmshpërblimin qindarkë më qindarkë të çdo dëmi të bërë në banesa, elektroshtëpiake, mobilje, toka bujqësore, të mbjella, gjë të gjallë.
Por, Sali Berisha gënjeu.
U deshën thuajse dy muaj investigim, grupe ekspertësh të ngritur nën një propagandë të ethshme qeveritare, për të arritur dje në një përfundim të thjeshtë:
4312 familjet e dëmtuara do të dëmshpërblehen me nga 1000 Euro secila.
Turp për Sali Berishën.
Turp për Jozefina Topallin që po kaq para sa shuma e dëmshpërblimeve i ka shpenzuar për udhëtime turistike jashtë Shqipërisë.
4312 familje të cilat humbën thuajse çdo gjë, shtëpi të shkatërruara, orendi dhe pajisje të dala jashtë përdorimi, prodhim bujqësor i çuar dëm dhe bagëti të ngordhura, do të dëmshpërblehen vetëm me 1000 Euro për familje.
Asgjë.
Nëse Jozefina Topalli dhe Sali Berisha kanë vendosur të tallen me shkodranët, atëherë përmes këtij dëmshpërblimi qesharak, mund t'ia dalin. Por të mendosh se me 1000 Euro një familje mund të riparojë dëmet e sjella nga një përmbytje e këtyre përmasave, kjo është e papërfytyrueshme.
Sali Berisha pasi e përmbyti njëherë Shkodrën me papërgjegjshmërinë e tij, po tenton përmbytjen e dytë, duke i lënë 4312 familjet e dëmtuara në mëshirë të fatit, duke shkelur premtimin se do i dëmshpërblente këto familje qindarkë më qindarkë, duke u tallur për herë të dytë me ata të cilët prej tij dhe Jozefinës besuan se të paktën një herë do tu vinte mbështetje reale dhe jo lëmosha tallëse e radhës, që nuk del për asgjë.”






