Postuar më: 31/08/2010
Deputetja Ermonela Felaj ka bërë publike kontratën e koncesionit në të cilën rezulton se kunati i Ministres së Integrimit ka marrë 10 Hidrocentrale dhe jo një sic pretendoi në dt 27 gusht 2010, vet ministrja Bregu në një komunikim publik. Faktet bëhen edhe më të rënda në momentin ku ky koncesion është dhënë vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 2009, pra më dt 11 qershor 2009. Deputetja socialiste tha se pak para zgjedhjeve kabineti Berisha ka qenë i ndarë në dy pjesë, një që vidhte vota dhe një pjesë tjetër që vidhtë pasurinë publike të vendit.
Më poshtë lexoni të plotë deklaratën e deputetes Felaj:
Siç kishim lajmëruar dje, sot po bëjmë publike kontratën e koncesionit të hidrocentraleve në lumin Zall i Okshtunit, dhënë kunatit të Ministres së Integrimit, Majlinda Bregut.
Ministrja Bregu ka gënjyer në lidhje me këtë koncesion, pasi siç mund të shohim tek kontrata, nuk është dhënë vetëm një hidrocentral.
Janë dhënë me koncesion për 35 vjet hidrocentralet - "Borovë", "Sebisht Nr. 2", ""Prodan Nr. 4", "Prodan Nr. 5", "Okshtun Nr. 6", "Okshtun Ekologjik", "Tërnova Nr. 7", "Lubalesh Nr. 9", "Lubalesh Ekologjik", dhe "Gjoricë Nr. 10", pra në total plot 10 hidrocentrale me prodhim vjetor prej 153 milion e 786 mijë e 127 Kilovat Orë.
Jo një hidrocentral, po dhjetë!
Vlera totale e këtij investimi kap 32 milionë Euro për ndërtimin dhe vënien në punë të hidrocentraleve.
Me kapacitetin që kanë, fitimi nga ky investim do të jetë 323 milion Euro.
Por, ka edhe më shumë. Vendimi për dhënien e këtij koncesioni 323 milion Eurosh është marrë, sic mund ta shikojmë këtu, në datën 11 Qershor të vitit 2009, pak ditë përpara zgjedhjeve të vjedhura të 28 Qershorit.
Në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, qeveria ishte e ndarë përgjysëm, ndërsa gjysma e qeverisë vidhte votat, gjysma tjetër vidhte pasuritë publike të shqiptarëve, duke shpejtuar të merrnin gjithcka që mundnin, në rast se vjedhja e votës nuk rezultonte e suksesshme.
Për ta përmbledhur, sic duket qartë nga vendimi për koncesionin e hidrocentraleve të kaskadës së Okshtunit, në ditët e fundit përpara zgjedhjeve, qeveria Berisha jepte me koncesion 323 milionë Euro pasuri publike të të gjithë shqiptarëve, dikujt pa asnjë eksperiencë në këtë sektor, me një atribut kryesor, që është kunati i Ministres së Integrimit.






