Postuar më: 02/09/2010
Universitetet publike po shkatërrohen për interesa korruptive të një grushti njerëzish në qeveri dhe pranë saj të cilët janë të lidhur ngushtë me universitetet private. Është shprehur kështu deputetja socialiste Ledi Shamku gjatë një prononcimi për mediat duke treguar me gisht Berishën si kryefajtor të rrëmbimit të autonomisë së universiteteve publike.
Më poshtë prononcimi i plotë i deputetes Shamku:
Sot ngremë një shqetësim jo vetëm të Partisë Socialiste, por të 120,000 familjeve shqiptare që po dërgojnë fëmijët e tyre në universitetet publike. Pas pak javësh nis viti i ri akademik. Një vit i mjerë për universitetet publike që paguhen nga taksat tona, të cilave Berisha sapo ju rrëmbeu autonominë. Kundër veprimeve grabitqare të këtij njeriu janë ngritur dhe vetë rektorët rekrutë të tij.
Sali Berisha i ka vënë vetes qëllim të shkatërrojë universitetet publike, në favor të një grusht universitetesh private ku aksionerë janë ministra, zëvendësministra e deputetë të Berishës.
Sot universiteti publik nuk është më as në gjendjen ku ishte njëzet vjet; është shumë më keq se para njëzet vjetësh. Këtë rrënim të pasurisë sonë kombëtare , Berisha e bën për të ushqyer babëzinë klienteliste të njerëzve të oborrit.






