img
Nėse nuk zgjidhet kriza nė tavolinė, rifillojmė protestat

Postuar më: 16/02/2010


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në vijim të takimeve me gazetarët, në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ka shpjeguar se sa e rëndësishme është hapja e kutive, për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Lideri socialist, vuri theksin te fakti, se në rast se tryeza e Presidentit të Republikës së Shqipërisë do të dështoj, atëhere sipas tij, populli shqiptar do ta gjej të drejtën e vet në rrugë duke protestuar.


Më poshtë mund të lexoni disa nga përgjigjet e pyetjeve të bëra prej gazetarëve të pranishëm në takim:


Së pari, dua ta theksoj që kjo përpjekje që ne bëjmë dhe që nuk kemi ndërmend ta ndërpresim për asnjë arsye, deri në përfundimin e saj me përmbushjen e objektivit tonë, është jo të përmbysim rezultatin e zgjedhjeve në tavolinë, por të ndajmë një herë e mirë Shqipërinë dhe njerëzit ngë këtë vend, nga praktika e korruptuar e zgjedhjeve, që prej shumë e shumë vitesh nuk arrijnë dot standardet normale ndërkombëtare, ku nuk arrijnë dot të plotësojnë atë minimum që duhet për t’u quajtur zgjedhje plotësisht të ndershme, ku secili të votoj pa frikë e presione, për bukën e gojës e për vendin e punës dhe ku vota të numërohet ndershmërisht, ku edhe në këto zgjedhje, ku edhe monitoruesit kanë shkruajtur se numërimi ka qenë i keq dhe shumë i keq në 1/3 e votave.

Kjo do të thotë, që ne nuk jemi këtu për interesin e një pale, në dëm të një pale tjetër, as në një betejë për pushtet, jemi këtu për një interes shumë madhor, si ai i vendit dhe çdo qytetari, interesi që vullneti i popullit të shprehet lirisht, i padeformuar dhe që rezultati të respektohet dhe duke i dhënë vendit qeverinë që i jep populli dhe të mos i jepet qeveria që del nga numërimi i keq dhe shumë i keq në 1/3 e votimit.

Sigurisht, që në këtë përpjekje ne jemi të detyruar që të ndjekim çdo rrugë, për arsyen e thjeshtë sepse në anën tjetër është një palë që nuk është ta dëgjoj zërin e së drejtës. Dua ta theksoj, se ne nuk kemi një kërkesë, por një të drejtë që duam ta vendosim në vend dhe kjo është një e drejtë e jona, por është edhe një e drejtë e çdo qytetari të këtij vendi, sepse vota, liria për të votuar sipas vullnetit individual, nuk hyn te kërkesat, por tek liritë themelore. kështu që nuk ka asnjë shans që ne të tërhiqemi nga kjo përpjekje dhe pa asnjë dyshim ne dëshirojmë që kjo e drejtë të vendoset përmes rrugës më të lehtë dhe më pak kosto për të gjithë, që është rruga e mirkuptimit në tavolinë.

Por nëse nuk do të gjendet mirkuptimi në tavolinë, të drejtën populli do ta kërkoj në rrugë përmes protestës, sepse nuk jemi të predispozuar të dorëzohemi përpara faktit të shëmtuar dhe të papranueshëm, se zgjedhjet në shqipëri, pavarësisht se si voton populli, i fiton ai që numëron.

Di të them vetëm kaq, se bojkoti i PS nuk ndërpritet deri në realizimin e objektivit që kemi, në mbrojtje të votës dhe së drejtës për të garantuar një herë e mirë zgjedhje të lira në Shqipëri, në mënyrë që askush të mos ketë frikë se mos e heqin nga puna, i presin ndihmën ekonomike, sepse mund të ketë fëmijë që do t’i çoj në shkollë dhe nuk i çon dot. Kjo është një e drejtë që ne kërkojmë ta vëmë në vend dhe ku askush të mos guxoj të prekë votën, të futë duart në kutitë e votimit.

Nëse edhe në Vlorë janë deformuar vota, do të ndodhë ajo që ka për të ndodhur në gjithë Shqipërinë. Për këtë arsye e duam hetimin parlamentar, sepse nuk ka asnjë lidhje me vendimin e gjykatës dhe nuk ka fuqi mbi vendimin e gjykatës, ku rezultati është vendosur në rrugë ligjore, pavarësisht se në pikëpamjen tonë gjykata ka vendosur në mënyrë skandaloze dhe në kundërshtim me ligjin që kemi miratuar vet. Por, ky është një vendim i formës së prerë dhe nuk ka më diskutim. Hetimi parlamentar ka për qëllim të nxjerri në dritën e diellit të gjithë deformimet që kanë ndodhur dhe kush ka futur duart në kutitë e votave të popullit të shkoj e të përgjigjet në dyert e drejtësisë, kushdo qoftë. Kjo është një prej arsyeve pse ne duam hetim dhe transparencë, në mënyrë që askush nesër të mos prekë asnjë votë dhe të mos e shoh kutinë si arkë për ta mbushur në favor të atij që e paguan. Dmth, që drejtësia të jetë për çdo njeri që përfshihet në administrim të zgjedhjeve një detyrim kontraktual, ku secili përfaqëson partinë e vet, por edhe ligjin.

 

Nëse nuk hapen kutitë, cili do të jetë qëndrimi i opozitës?


Ky është problemi themelor që duam të trajtojmë dhe kjo është arsyeja pse jemi në betejë. Prej 20 vjetësh kjo histori jo vetëm nuk është mbyllur, por përkundrazi është rënduar, duke marrë forma të papranueshme, mafioze të deformimit të votës dhe ne nuk mund të lejojmë që vota të kthehet në një mall për t’u shitur dhe për t’u blerë, që vota të kushtëzohet nga trysnia e pushtetit, nga abuzimet e pushtetit, nga privilegjet apo shantazhet e pushtetit dhe nuk mund të pranojmë më që të hyjmë në një tjetër betejë zgjedhore me kushtet që zhvilluam betejën e kaluar zgjedhore, ku ne i fituam zgjedhjet, por nuk u zgjodhëm, sepse vota u deformua. Kjo është arsyeja pse kjo betejë ka një rëndësi historike për PS dhe për gjithë shoqërinë dhe pse unë jam absolutisht i bindur, se në këtë betejë ne përfaqësojmë interesat e gjithë qytetarëve, edhe atyre demokrat, të cilët kanë sot forcën e tyre në pushtet dhe nesër do të kenë forcën e tyre në opozitë dhe duhet të jenë të garantuar në lirinë dhe të drejtën e tyre, për të zgjedhur atë që dëshirojnë dhe për ta parë votën e tyre të numëruar denjësisht. S’ka arsye pse Shqipëria të mos ketë zgjedhje të lira e të ndershme, si vendet e tjera të rajonit. Për të mos folur për tej rajonit, për gjithë Evropën. Tryeza e dialogut e organizuar nga Presidenti, ka synimin të eksplorojë mundësitë e një zgjidhje me një mirkuptim mes palëve, ne kemi qenë të gatshëm të ulemi në tryezë kohë më parë, por s’ka ndodhur për shkak të faktit se Sali Berisha e ka mohuar vijimësisht se vendi që është në krizë dhe vetëm kur komuniteti ndërkombëtar e përcaktoi si gjendje krize dhe parashtroi një sër aspektesh që lidhen me zgjedhjet, hetimin e tyre dhe adresoi tek Presidenti i Republikës mundësinë e hapjes së një dialogu dhe Sali Berisha pranoi të ulet në tryezë, për të dialoguar. Sigurisht, që pozicionet e palëve janë plotësisht divergjente, sepse nga njëra anë është opozita që kërkon vendosjen e një të drejte, nga ana tjetër është pushteti që është ngritur mbi mohimin e kësaj të drejte. Për këtë arsye këtu nuk ka rrugë të mesme, sepse ne nuk mund të heqim dorë vullnetarisht nga e drejta jonë dhe e një populli të tërë për të votuar lirisht. Në rast se tryeza nuk do të jap rezultat dhe në rast se e drejta jonë nuk do të vendoset përmes dialogut në tryezë, këtë të drejtë do ta vendos populli përmes protestës, ashtu si në çdo vend dhe kohë, kur populli ka kërkuar të drejtën e tij, e cila mund të ketë vonuar por s’ka harruar, sepse nuk ka pushtet që mund të përballet me popullin, duke kërkuar t’i mohoj atij një të drejtë themelore, nga e cila populli nuk mund të heq dorë. S’ka pikë dyshimi se ndërkohë që ne e kemi modifikuar axhendën tonë të protestës në funksion të tryezës, kjo tryezë nuk mund të shfrytëzohet për të zvarritur axhendën e protestës tonë. Ne jemi të gatshëm t’i eksplorojmë të gjitha mundësitë e zgjidhjes në tavolinë, por s’ka dyshim se jemi të gatshëm për ta kërkuar zgjidhjen përmes protestës popullore, në rast se në tavolinë kjo zgjedhje do të na mohohet. Dua ta theksoj me shumë forcë, se hapja e kutive të votimit nuk është në interes të PS dhe në dëm të tjerëve. Eshtë në interes të vendit dhe është një domosdoshmëri për të vendosur një standard evropian transparencë lidhur me zgjedhjet në Shqipëri. S’do të ringjall zgjedhjet e shkuara, por do të ndaloj që zgjedhjet e ardhshme të mos vdesin si zgjedhjet e shkuara.


Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy