Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Të përballemi me krimin në të gjitha format, për t’iu garantuar qytetarëve rendin dhe sigurinë që ata meritojnë

Të reja

Të përballemi me krimin në të gjitha format, për t’iu garantuar qytetarëve rendin dhe sigurinë që ata meritojnë

13 Sep 2017    

*Nga Fatmir Xhafaj/

 

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuara zonja e zotërinj deputetë,

RENDI DHE SIGURIA

Çështjet e rendit dhe sigurisë publike u përkasin të gjithëve. Ndaj, që në fillim të fjalës sime, dëshiroj të shpreh vullnetin e plotë si individ, si Ministër, por dhe të shumicës në këtë kuvend, për t’u përballur me krimin në të gjitha format e shfaqjes së tij, për t’iu garantuar qytetarëve të këtij vendi në të gjithë territorin ligjshmërinë, rendin dhe sigurinë që ata meritojnë.

Qeverisja e katër viteve të shkuara e bëri Shqipërinë një vend më të sigurt për qytetarët e saj. Përmirësimi i strukturave të Policisë së Shtetit fokusuar në reformën e personelit, në trajtimin dhe kualifikimin cilësor të tyre nëpërmjet Akademisë së Policisë së Shtetit, në rritjen e bashkëpunimit operacional dhe atij ndërkombëtar, në shkëmbimin e informacionit policor dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, në goditjet në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në shumë zona problematike të vendit, në lehtësimin e procedurave dhe dixhitalizimin e shërbimeve  të qytetarit, si dhe trajtimi financiar e logjistik duke u garantuar një status të ri janë disa nga arritjet e prekshme.

BESIMI TE POLICIA E SHTETIT

Të gjitha këto kanë ndikuar në rritjen e besimit tek Policia e Shtetit, duke e konsideruar atë si institucioni më i besuar nga publiku.

Edhe pse përparimi në fushën e  rendit dhe sigurisë publike është i dukshëm, sfida për konsolidimin dhe arritjen e këtij standardi mbetet parësore për këtë qeveri. Arritja e standardit të vende të BE-së për sa i përket rendit dhe sigurisë publike në shërbim të qytetarëve, është sfida e kësaj qeverie për katër vitet e ardhshme. Gjë që kërkon vazhdimin e reformave të nisura dhe ndërmarrjen e reformave të reja ligjore, organizative dhe institucionale.

SHPALLJA E 10 PRIORITETEVE KYÇE

Ne do bëjmë publik shumë shpejt një program shumë ambicioz me 10 prioritete kyçe të punës sonë, objektivat që synojmë të arrijmë, dhe (kryesorja) masat konkrete për zbatimin e tyre – përfshirë dhe indikatorët për treguesit konkretë të rezultateve në punë dhe përgjegjësitë përkatëse.

LEHTËSI NË SHËRBIME PËR QYTETARËT

Kemi fituar një mandat të qartë për të bashkëqeverisur me dhe për qytetarët. Prandaj Shërbimet për Qytetarët do jenë prioriteti ynë themelor. Ne do veprojmë shpejt dhe me masa energjike për të përmirësuar cilësisht marrëdhënien me qytetarët dhe shërbimet ndaj tyre, duke synuar edhe një marrëdhënie tëre, të qëndrueshme, ndërveprimi dhe besimi midis policisë dhe qytetarëve. Por dhe mes strukturave të policisë dhe atyre të komunitetit.

LUFTA KUNDËR DHUNËS NË FAMILJE

Ne synojmë të nxisim dhe inkurajojmë pjesëmarrjen e komunitetit në çështje të parandalimit dhe reagimit ndaj shkelësve të ligjit. Nëpërmjet bashkëpunimit me organet e qeverisjes vendore, organet e tjera ligjzbatuese, shoqërinë civile dhe komunitet fetare, synojmë uljen e ndjeshme të personave të përfshirë në veprimtari kriminale (përfshirë të miturit dhe të rinjtë kryesisht), si dhe ndëshkimin e rasteve të dhunës në familje.

RISHPËRNDARJA E POLICISË - MË PRANË KOMUNITETIT

Do ndryshojmë cilësisht sistemin e kontrollit të territorit  dhe policimit në komunitet në funksion të parandalimit të kriminalitetit dhe shkeljeve të ligjit. Një qasje e tillë e cila e vendos Policinë shumë më pranë qytetarëve, bën të mundur identifikimin e probleme në komunitet dje gjetjen e rrugëve për zgjidhjen e tyre, në të cilën besojmë se jo vetëm do ndikojë në uljen e kriminalitetit, por dhe në rritjen e mëtejshme të besimit të publikut te Policia.

ZERO TOLERANCË NDAJ KRIMIT DHE SEKUESTRO

Të gjithë atyre që me shumë të drejtë presin të dëgjojnë se ç’do bëhet me krimin apo me grupet kriminale, dëshiroj t’ju them se jemi të përgatitur për një luftë të ashpër me 'Tolerancë Zero' ndaj krimit në të gjitha format e shfaqjes së tij. Të fortët që i përballen Shtetit përmes pasurive të paligjshme që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, do të marrin goditje të ashpër. Edhe përmes sekuestrimit dhe konfiskimit të të ardhurave me origjinë kriminale, aseteve kriminale apo pasurive të pajustifikuara.

RRITJE E CILËSISË SË INFORMACIONIT

Ne do vijojmë me një reformë të thellë në strukturat policore të angazhuara në luftën ndaj krimit – si në cilësinë e burimeve njerëzore dhe teknike, ashtu dhe në rritjen e kapaciteteve të shërbimeve të Inteligjencës dhe Informacionit. Për të siguruar një qasje pro-aktive ndaj problematikave konkrete, dhe rrjedhimisht arritjen e rezultateve më efikase gjatë përmbushjes së detyrimeve ligjore. Kjo qeveri, mbështetur në eksperiencën por dhe në gabimet e të shkuarës, ka vullnetin e palëkundur për të ndryshuar rrënjësisht situatën në këtë drejtim.  

LUFTË KANABISIT - PRIORITET

Lufta kundër kultivimit të kanabisit dhe trafikut të drogës – këtij fenomeni sa të dëmshëm dhe të shëmtuar për shoqërinë tonë – do jetë një tjetër front i vështirë i punës së Policisë. Ne mbetemi të ndërgjegjshëm rreth shqetësimeve serioze të shkaktuara nga kultivimi i drogës, trafikimi por dhe konsumimi saj sidomos tek të rinjtë dhe të rejat. Kjo na bën më të vendosur  për të vazhduar betejën e nisur dhe pa kompromis kundër këtij fenomeni, për të konsoliduar më tek arritjen e këtij viti: heqjen e vendit tonë nga harta e vendeve kultivuese të kanabisit.

Kur rreth 7 muaj më parë mora detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe deklarova se ky do ishte viti që do shënonte fundin e kultivimit të kanabisit si vullnet i qeverisë duke e hequr Shqipërinë nga lista e zezë e vendeve kultivuese të drogave, pati shumë skepticizëm, madje edhe ironizime. Dikush gjeti rastin të rifillojë luftën e baltosjes për procesin, apo edhe ndaj meje personalisht. Ditët e muajt që pasuan dëshmuan seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e atij angazhimi publik. Koha ishte prova e madhe. Sot kemi një realitet krejt të ri në këtë fushë: kultivim minimal të kanabisit në shifrat më të ulëta në 15 vitet e fundit.

Fakte këto të konstatuara lehtësisht  nga vetë qytetarët dhe media, por (kryesorja) nga misionet partnere që po asistojnë dhe monitorojnë në mënyrë rigoroze procesin. Një fakt pozitiv që e ka deklaruar disa herë edhe vetë Ministri juaj i Brendshëm në detyrë.

Ky sukses nuk është vetëm rastësi dhe vetëm çështje vullneti. Por dhe rrjedhojë e një procesi të mirëorganizuar, me një sistem efiçent të kontrollit dhe monitorimit të territorit, me përcaktim të qartë të strukturave të territorit dhe sidomos atyre drejtuese duke u ndarë prerë nga policët dhe drejtuesit e korruptuar të përfshirë në këtë proces, pavarësisht çdo presioni dhe përpjekjeje për ta deformuar këtë vullnet.

Mbetem plotësisht i angazhuar që, së bashku me ekipin e ri të Policisë së Shtetit, ta konsolidoj këtë përvojë, për ta arkivuar përfundimisht shembullin e keq të kultivimit të kanabisit në territorin shqiptar. Për të hapur një tjetër luftë të re, objektivi shumë i vështirë i së cilës do jetë heqja e Shqipërisë si vend tranzit i trafikimit të drogave, përmes një beteje të ashpër me shumë sakrifica ndaj grupeve kriminale të mirëorganizuara që veprojnë aktualisht në këtë fushë.

GODITJE E ORGANIZATAVE KRIMINALE

Fuqia ekonomike që ata kanë sot e bën akoma më të vështirë këtë betejë.  Por lufta kundër tyre dhe dënimi penal i anëtarëve të këtyre organizatave kriminale është domosdoshmëri.  Me riorganizimin e strukturave të Policisë, motivimin e njerëzve të ndershëm e të përkushtuar në radhët e tyre, me një bashkëpunim shumë më efikas me partnerët ndërkombëtarë – por dhe me inkurajimin dhe mbështetjen tuaj – shpresoj të mund të përballemi  me sukses në këtë sfidë tejet të vështirë.

LUFTË TRAFIKUT TË QËNIEVE NJERËZORE

Lufta kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore do jetë një tjetër prioritet i yni në katër vitet e ardhshme. Ne jemi të vendosur ta adresojmë në themel dhe ta ndëshkojmë fort këtë formë të fshehtë të krimit në të gjitha format e veprimtarisë së saj. Gjithashtu, ndalimi i flukseve migratore dhe azilkërkuesve do kërkojë jo vetëm ndryshime strukturore, shfrytëzimin e ekspertizës së duhur në fushën e ligjit, policisë, psikologjisë, trafikimit dhe azilit, por dhe një fushatë agresive ndërgjegjësimi, në bashkëpunim me shoqërinë civile, median dhe aktorë të tjerë.

ANGAZHIMI I POLICISË PËR VETTING-un

Reforma në Drejtësi ka sjellë dhe do të sjellë ndryshime thelbësore edhe në drejtësinë penale. Tashmë është momenti për t’i dhënë jetë këtij procesi në praktikë, përmes  mbështetjes maksimale të ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë Speciale, si dhe ndërtimit të një bashkëpunimi shumë më efikas me to, për të pasur rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

Strukturat e Policisë së Shtetit për hetimin e krimit do të duhet të përgatiten për të dhënë të gjithë kontributin e tyre ligjor mbështetës në këtë aspekt, përfshirë edhe hapjen e disa çështjeve sensitive në vite për opinionin publik të lidhur me disa vrasje të bujshme ende të pa zbuluara.

VETTING-u BRENDA POLICISË SË SHTETIT

Implikimi i zyrtarëve të lartë në afera korruptive, cenimi i interesave të shtetit apo edhe implikimi e disa politikanëve me krimin e organizuar. Gjithë sa përmenda më sipër nuk do të bëhet e mundur pa institucione të forta dhe të qëndrueshme. Me njerëz me integritet moral dhe profesional dhe etik të cilët duhet të shërbejnë në Policinë e Shtetit.

Çdokush që është pjesë e Policisë së Shtetit do të marrë atë që meriton përmes një sistemi vlerësimi, karriere, objektiv dhe të qëndrueshëm. Vetëm me individë të tillë do të jemi në gjendje t’i ofrojmë qytetarëve shqiptarë një shtet më të sigurt, në të cilin sundon ligji dhe vetëm ligji.

Në këtë kontekst ndër aktet e para që do të firmosë sapo zyrtarisht të marrë detyrën e ministrit, do të jetë urdhri për fillimin e procesit të hartimit të një kuadri ligjor për procesin e Vetting-ut që ka të bëjë me kontrollin e pastërtisë dhe figurës së punonjësve të Policisë së Shtetit, pa përjashtim në të gjitha nivelet, nga drejtuesi më i lartë deri te specialisti më i thjeshtë.

Nuk mundet kurrë se si që Policia e Shtetit të ketë sukses në luftën me krimin dhe paligjshmërinë, sa kohë ka njerëz në radhët e sajë të lidhur me botën e krimit apo me interesa të dyshimta, të cilët minojnë punën dhe sakrificat e shumicës dërrmuese të punonjësve të Policisë së Shtetit. Një punonjës apo një drejtues policie i cili mbështet dhe ndihmon elementë kriminal është disa herë më i rrezikshëm se sa vetë keqbërësi.

Policia e Shtetit duhet të pastrohet me çdo kusht nga individë të tillë. Vetëm një punonjës policie i ndershëm dhe korrekt me detyrën dhe njëkohësisht i aftë profesionalisht është një garanci për jetën dhe pronën e qytetarit. Ndaj jam i vendosur që t’i shkojë këtij procesi deri në fund. Kjo është sfida jonë dhe nuk kemi rrugë tjetër veç se ta fitojmë atë.

Realizimi konkret i prioriteteve të mësipërme kërkojnë me domosdoshmëri konsolidimin e bashkëpunim ndërkombëtar me organizatat e specializuara kundër krimit, përfshirë edhe asistencën e tyre direkte në territorin tonë nga institucionet ndërkombëtare ose nga shërbimet policore partnere në luftën krimit.

BASHKËPUNIMI ME PARTNERËT

Për këtë ne jemi duke përgatitur një  program ambicioz bashkëveprimi institucional dhe bashkëveprimi operacional me agjencitë ndërkombëtarë në fushën e luftës kundër krimit. Do të fuqizojmë edhe më tej bashkëpunimin me vendet partnere. Do të kërkojmë rritjen e asistencës së tyre dhe realizimin e operacioneve të përbashkëta kundër grupeve kriminale që veprojnë në territore të përbashkëta.

Në këtë kontekst gjatë muajit gusht kemi kërkuar bashkëpunimin dhe jemi asistuar aktivisht nga partnerët tanë të BE, SHBA, Gjermanisë, Austrisë, Italisë etj, për hartimin e prioriteteve dhe objektivave tona për më tej, duke kërkuar prej tyre edhe një monitorim intensiv të programit tonë ambicioz në këtë fushë. Shpresoj që shumë shpejt me kërkesën time në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit të atashohen një grup ekspertësh të EUROPOL-it, FBI dhe Policisë gjermane, të cilët me ekspertizën e tyre të thelluar, do të jetë një kontribut i shtuar në funksion të realizimit të prioriteteve tona dhe ushtrimit të përgjegjësive të mia si Ministër i Brendshëm.

Nuk mund të humbasë këtë mundësi pa i shprehur të gjithë partnerëve që kanë bashkëpunuar gjatë gjithë këtyre viteve dhe çdo kujt prej tyre, falënderimet dhe mirënjohjen time për gjithçka kanë ofruar deri tani dhe gatishmërinë e plotë që kanë shprehur për të vazhduar programet e tyre të asistencës në mbështetje të luftës kundër krimit.

TË GATSHËM PËR BASHKËPUNIM POLITIK

Në nderuar kolegë,

çështjet e rendit dhe sigurisë publike në vendet veçanërisht në vendet me demokracinë në konsolidim e sipër debatohen fortë politikisht ndërmjet shumicës qeverisëse dhe pakicës, opozitare. Qeveria është e hapur dhe nuk ka asnjë kompleks për të bashkëpunuar me opozitën në çështjet që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë publike. Ne mirëpresim çdo vërejtje ose propozim për përmirësimin e rendit dhe sigurisë publike në vend.

Qëndrimi mbështetës i opozitës për Policinë e Shtetit do të ishte një dekurajim i madh për sjelljen kriminale të individëve, apo të organizatave kriminale. Nga ana tjetër kjo lloj qasje e opozitës nuk besoj se do ta kompromentonte apo do t’i hiqte asaj, aspak të drejtën në rastet kur puna e Policisë së Shtetit në veçanti,  e imja si ministër, apo edhe qeverisë në përgjithësi në lidhje me rendin dhe sigurinë publike nuk do të ishin sipas ligjit.

OPOZITA TË MONITOROJË POLICINË

Unë do t’i kërkoja sinqerisht opozitës të monitorojnë përmes mekanizmave parlamentar siç është Komisioni Parlamentar i Sigurisë realizimin e të gjithë angazhimeve që ne po marrim. Kjo jo vetëm në funksion të rritjes së transparencës, por edhe si një mekanizëm më tepër në mbajtjen e veprimtarisë së policisë brenda kuadrit të duhur ligjor.

Uroj që opozita të diskutojë dhe të debatojë dhe në fund të vlerësojë çfarë do të jetë rezultati i punës time dhe ministrisë që unë do të drejtojë. Jam plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë që kam marrë, i vendosur dhe i angazhuar që së bashku me ekipin që do të drejtojë të hapim një faqe tjetër në këtë fushë, duke ju përgjigjur kësisoj pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që na mbështesin.

Faleminderit!

* Fjala e ministrit të Brendshëm të dekretuar Fatmir Xhafaj, në seancën parlamentare

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm