(u39u)10 korrik Rama foto_web

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar kryetari socialist Edi Rama nënvizoi se imuniteti i deputetëve dhe i zyrtarëve të lartë duhet hequr, por sipas një zgjidhjeje të qartë kushtetuese dhe ligjore dhe jo me arnime qorrazi të Kushtetutës. Pra, ka vazhduar më tutje Kreu i PS, këto ndërhyrje në Kushtetutë duhet të realizohen nëpërmjet një procesi të hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës. Ndërsa duke ju referuar pengimit të deputetëve të opozitës për një kontroll parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes, Rama theksoi se kjo ministri është kthyer në një fole parash të pista, ku sundon korrupsioni.

 

Fjala e Kryetarit të PS Edi Rama sot në mbledhjen e Grupit parlamentar

Kryeministri sa po fliste për suksesin e madh në politikat e punësimit, por pa u zgjatur në gjithë të dhënat dhe arsyet e rritjes së papunësisë, vetëm një shifër e vetë INSTAT e hedh poshtë gjithë propagandën edhe të sotme të kryeministrit. Është e qartë që nëse në vitin 2005 të punësuarit ishin 932. 102 vetë, sipas INSTAT-it në vitin 2011 janë 928.052 vetë. Pra, vetë INSTAT-i pohon me shifra se nga 2005 në 2011 ka rritje të papunësisë dhe jo rritje të punësimit.

Ndërkohë që, jemi në një moment kur çështja e imunitetit është kthyer në pikën kryesore të debatit të ditës. Qëndrimi ynë është publik prej shumë kohësh;

Imuniteti i deputetëve dhe i zyrtarëve të lartë duhet hequr, apo kufizuar, sipas një zgjidhjeje të qartë kushtetuese dhe ligjore. Unë dua ta them dhe duhet ta themi të gjithë sëbashku shumë qartë:

As unë si Kryetar i Partisë Socialiste nuk kam imunitet dhe as edhe një nga deputetët e Partisë Socialiste nuk është fshehur kurrë pas imunitetit kur është kërkuar heqja e imunitetit të vet. Rasti më konkret është dorëheqja imediate nga imuniteti, publikisht, e deputetëve Besnik Baraj, Tom Doshi dhe Taulant Balla kur Prokuroria kërkoi vënien e tyre në dispozicion për hetimet e 21 janarit. Dhe menjëherë më pas i gjithë grupi ynë parlamentar votoi unanimisht Pro. Pra, për ne nuk ka dilemë nëse duhet hequr, kufizuar apo jo imuniteti. Pa diskutim, PO! Kështu që, propaganda e kryeministrit kundër opozitës sikur jemi ne pengesë për heqjen e imunitetit më vjen keq ta them, por është realisht e pështirë. Është e qartë që Saliu kërkon një alibi për të fajësuar opozitën për dështimin e paralajmëruar të provimit të vjeshtës lidhur me statusin e kandidatit. Është kapur pas kësaj historie si i mbyturi pas fijes së barit dhe flet e flet për imunitetin dhe për një gjoja “këshill miliarderësh” në Partinë Socialiste që e dashkan imunitetin për t’u mbrojtur nga ligji.

Në të vërtetë në Shqipëri ka vetëm një këshill miliarderësh dhe ky është Këshilli i Ministrave me në krye Sali Berishën. Ky është Këshilli i Miliarderëve në qeveri që ka kapur drejtësinë, e cila u jep pafajësi pas pafajësie ministrave edhe kur faji i tyre bën mu në sytë e tërë dynjasë.

Ky është Këshilli i Miliarderëve në qeveri që ka kapur ekonominë dhe së fundmi ka vendosur të organizojë edhe një bixhoz kombëtar për t’u marrë shqiptarëve edhe qindarkën e fundit duke i tërhequr në një lojë nën logon e Lotarisë Kombëtare për t’i çuar përfitimet jo mbrapsht te shqiptarët, por në xhepat e miliarderëve të këtij këshilli.

Ky është Këshilli i Miliarderëve në qeveri që ka kapur tregjet duke ndërtuar monopole të cilat i derdhin fitimet e tyre marramendëse mbi tavolinën e kryeministrit dhe të ministrave.

Ky është Këshilli i Miliarderëve në qeveri që ka kapur shtetin për hesap të pushtetit dhe ka korruptuar deri në palcë arsimin, shëndetësinë, ushtrinë, policinë, administratën.

Vetëm para një ore një anëtar i këtij këshilli, ministri për mbrojtjen Arben Imami, refuzoi kontrollin parlamentar në ministrinë që është kthyer në fole parash dhe punësh të pista. Çfarë synon të fshehë Arben Imami duke penguar deputetët e opozitës të ushtrojnë detyrën e tyre kushtetuese?!  Ne e dimë mirë se çfarë fsheh, sepse i kemi të gjitha informacionet e besueshme se në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë aktualisht sundon një korrupsion që është bërë shqetësues edhe për vetë aleatët e Shqipërisë në NATO.

Ashtu sikundër kemi informacione të besueshme nga brenda Ministrisë së Mbrojtjes se trafiku i sapozbuluar i armëve është vetëm maja e ajsbergut të një veprimtarie të paligjshme që shtrihet deri në përdorimin e mjeteve të ushtrisë për përgjime me natyrë politike. Pra, imuniteti, aktualisht, nuk e mbron dot opozitën as nga përgjimi i paligjshëm i përfaqësuesve të saj. Për të cilin unë i siguroj të gjithë përgjuesit e zellshëm ilegalë se do të përgjigjen për shkelje të rëndë të ligjit, pasi në zgjedhjet e ardhshme t’i kemi dhënë lamtumirën Këshillit të Miliarderëve në Qeveri. Po kjo është temë tjetër. Për temën e imunitetit unë do ta bëj shumë të qartë se kjo kërkon një ndërhyrje në Kushtetutë dhe se Partia Socialiste nuk do të ndërhyjë më asnjëherë në Kushtetutën e Republikës me nxitimin e 4 viteve më parë. Aq më tepër sot në kushtet kur jemi përpara faktit të kryer të kthimit të shtetit në një mishërim të pushtetit njëpartiak dhe kur një President i zgjedhur njëanshmërisht pritet të përzgjedhë një Prokuror dhe një Drejtor Shërbimi që s’kemi ende asnjë arsye të besojmë se do të përzgjidhen për t’i shërbyer shtetit dhe jo pushtetit njëpartiak.

Nga ana tjetër sot jemi në kushtet kur arbitrarisht spikerja e Kuvendit mban peng në sirtar prej kohësh propozimet e Presidentit në detyrë të Republikës për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. I mban peng sepse pret që Presidenti i zgjedhur të hyjë në zyrë dhe t’i bëjë propozime që i shkojnë për shtat Këshillit të Miliarderëve në Qeveri, për t’i emëruar pastaj me shumicën e thjeshtë të parlamentit duke asgjësuar më pas përfundimisht çdo lloj fryme autonomie, se pavarësia ka marrë fund me kohë, në këto dy gjykata që janë bërë gjykatat e pafajësimit të pushtetit për të gjitha krimet e rënda të zbuluara në dritën e diellit në sytë e të gjithë shqiptarëve dhe të amnistuara përmes këtyre trupave të kthyera në trupa të pushtetit njëpartiak. Kushtet e sotme, pra, imponojnë për këtë ndërhyrje në Kushtetutë një proces të hapur, transparent, gjithëpërfshirës që çështja e imunitetit të trajtohet në respekt të frymës së Kushtetutës dhe në funksion të heqjes apo kufizimit të tij padyshim, por jo duke nxjerrë sytë për të vënë vetulla. Duke hapur një debat më të gjerë se sa debati që mund të bëjnë palët në parlament, për një ndërhyrje kushtetuese në dobi të rritjes së pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe të forcimit të luftës kundër korrupsionit. Se nuk mund të na bindë dot askush që për të forcuar luftën kundër korrupsionit na u dashka një arnim shpejt e shpejt, qorrazi, i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Jo! Për të forcuar luftën kundër korrupsionit na duhen gjykata të pavarura. Na duhen gjykata të cilat sidomos në shkallët e tyre të larta, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, të përfaqësojnë vullnetin kushtetues të parlamentit si i tërë dhe jo thjesht vullnetin e një partie, e cila e ka kthyer Këshillin e Ministrave në Këshill Miliarderësh, ai është Këshilli i Miliarderëve.

Ajo çka na dallon ne vijimësisht me palën në pushtet është se Saliu di vetëm të arnojë dhe të saldojë kuturu, pasi kurrë s’ka pasur një vizion për shtetin modern, europian që u duhet shqiptarëve, por ka pasur qysh në krye të herës vetëm një mision, ta kthejë shtetin në vegël të pushtetit.

Ndërsa ne dimë të projektojmë dhe të ndërtojmë sepse e kemi këtë vizion dhe mbi këtë vizion kemi edhe këtë qëndrim lidhur me çështjen e imunitetit. Si një çështje, që në asnjë mënyrë nuk duhet parë krejt e shkëputur nga çështja e reformës kushtetuese në drejtësi. Sigurisht, që ky është qëndrimi ynë, i cili nuk diktohet nga asnjë konjukturë, por buron nga një qëndrim i kahershëm për atë çka duhet bërë bashkërisht që të kemi një reformë reale në sistemin e drejtësisë. Ky është një qëndrim i bazuar edhe tek çka kemi lexuar me shumë vëmendje dhe kemi analizuar me shumë përgjegjshmëri në raportet e progresit të Bashkimit Europian dhe në të gjitha ato çka thuhen apo rekomandohen lidhur me forcimin e sistemit të drejtësisë, rritjen e pavarësisë së gjyqësorit, efikasitetin në luftën kundër korrupsionit dhe padyshim çlirimin e sistemit të drejtësisë nga kthetrat që po ja marrim përfundimisht frymën, kthetrat e Këshillit të Miliarderëve në Qeveri.

Dua që të gjithë shqiptarët ta kuptojnë se ajo çka kryeministri propagandon përditë është vetëm një lojë. Në këtë grup parlamentar nuk ka asnjë deputet të vetëm, asnjë deputete të vetme, që ka ndonjë interes vetjak për të mbajtur imunitetin. Nuk kemi asnjë imunitet ne! Fare! Jemi krejtësisht pa asnjë imunitet. E kemi dëshmuar me fakte dhe me veprime konkrete siç përmenda rastin më të fundit.

Dua të them edhe diçka tjetër që e konsideroj shumë të rëndësishme. Në mënyrë të përsëritur kryeministri, si mishërim i kulturës që ka në fakt që nuk është kultura e këtij sistemi të lirë dhe demokratik ku ne përpiqemi të ndërtojmë një shtet të të gjithë shqiptarëve, sulmon, përgojon, pështyn mbi një pjesë të grupit të deputetëve të cilët vijnë nga sipërmarrja. Duke u munduar të krijojë një perceptim se këtu bëhet fjalë për një grup miliarderësh që paskan interesa të errëta që i mbrokan nëpërmjet imunitetit. E vërteta është se këta deputetë të cilët janë ofruar si përfaqësues të komuniteteve ku kanë marrë edhe votat vijnë nga sipërmarrja, por vijnë nga ajo pjesë e sipërmarrjes që nuk është bërë e suksesshme falë lidhjeve me Këshillin e Miliarderëve të Qeverisë. Në këto vite në opozitë ne të gjithë u detyrohemi respekt, sepse për faktin se janë përfaqësues të sipërmarrjes, kanë qenë të detyruar të përballen me arbitraritetin, presionin, shantazhin e Këshillit të Miliarderëve në Qeveri. Ky është një presion dhe një shantazh i shprehur jo vetëm në format e zakonshme, që presioni dhe shantazhi u bëhet të tjerëve në administratë apo gjetkë, por i shprehur dhe në kosto për sipërmarrjet e tyre. Kosto të rënda të cilat këta deputetët kanë marrë përsipër t’i paguajnë sepse janë besnik të mandatit të tyre dhe të bindjeve për të cilat janë sot përfaqësues bashkë me gjithë të tjerët të Partisë Socialiste. Nuk është absolutisht turp të jesh sipërmarrës në këtë sistem. Është turp të jesh politikan që politikën e bën sipërmarrje. Nuk është aspak turp, përkundrazi, është sukses që në këtë sistem të merresh me sipërmarrje dhe nga sipërmarrja të merresh edhe me politikë. Por, është turp ta përdorësh këtë sistem që nëpërmjet politikës të ndërtosh sipërmarrje dhe që vetë qeverinë e vendit ta bësh një kompani për biznes. Ky është turp!

E ky është ndryshimi i madh, mes atyre që paturpësisht në vend se t’i respektojë dhe t’i mbrojë në interesat e tyre si të gjithë sipërmarrësit e këtij vendi kryeministri i anatemon dhe i përgojon dhe atyre që sot janë miliarderë jo sepse e kanë ngritur suksesin e tyre mbi sipërmarrjen, por sepse e kanë kthyer Këshillimin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë në një sipërmarrje që fiton duke i faturuar Shqipërisë mossuksesin në të gjitha fushat. Nëse Shqipëria s’ka sukses në ekonomi, s’ka sukses në financa, s’ka sukses në reforma kjo vjen sepse është suksesi i Këshillit të Miliarderëve në Qeveri që e kushtëzon suksesin në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe individuale jashtë lidhjeve me atë klientelë dhe me atë këshill.

Dua ta mbyll me këtë fjali: Patjetër ta heqim apo ta kufizojmë imunitetin, por askush të mos presë dhe të mos mendojë se Partia Socialiste do ndërhyjë në Kushtetutë me nxitimin që ndërhyri katër vjet më parë. Në asnjë mënyrë jo! Ne jemi të bindur se gjithmonë do bëjmë gabime, por ama ajo që e dallon një forcë të pjekur nga një forcë aventurash, është se bën gjithmonë gabime të reja, nuk bën gabime të përsëritura.