Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Taulant Balla takim me delegacionin e Partisë Komuniste Kineze: Tepër i rëndësishëm forcimi i dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet

Të reja

Taulant Balla takim me delegacionin e Partisë Komuniste Kineze: Tepër i rëndësishëm forcimi i dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet

12 Jun 2018    

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla priti në një takim delegacionin e Partisë Komuniste Kineze, të kryesuar nga Zonja Shen Beili, Zëvendësministre në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës. 

Gjatë fjalës së tij në takim, Sekretari i Përgjithshëm theksoi se dy vendet gëzojnë marrëdhënie miqësore dypalëshe dhe tradicionale. Aktualisht ekziston një klimë shumë e mirë bashkëpunimi dypalësh, me një nivel të kënaqshëm të dialogut politik dhe të shkëmbimit të vizitave në nivele të lartë.

Për Partinë Socialiste është i rëndësishëm forcimi i dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet: në atë qeveritar, parlamentar, ekonomik, akademik, kulturor dhe në të gjitha fushat me interes reciprok. Po ashtu është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi edhe në nivel organizatash ndërkombëtare ku të dy vendet tona janë anëtare. 

Gjatë bisedës u diskutua për Kosovën. Duke qenë se ende RP e Kinës nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla i kërkoi gjithashtu përfaqësueses së lartë të PK kineze që Kina të mbështesë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si një proces që shkon në dobi edhe të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Palët u ndalën gjatë diskutimit të tyre në çështje konkrete të bashkëpunimit ekonomik, siç është edhe nisma 16+1. Për Partinë Socialiste kjo nismë është një instrument i rëndësishëm dhe një platformë e rëndësishme bashkëpunimi ekonomik, komunikimi dhe mirëkuptimi kulturor që do të përforcojë më tej marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Kinës, por edhe ato multilaterale mes vendeve të 16+1. Qendra për Rininë në kuadër të nismës 16+1 duhet të ketë bazat në Tiranë - theksoi zoti Balla.

Tregu kinez duhet të jetë i hapur për prodhimet bujqësore shqiptare dhe ne kërkojmë ndërhyrjen e partisë tuaj për eleminimin e barrierave dhe njohjen e çertifikatave fitosanitare. Zoti Balla gjeti mbështetjen e plotë të zëvendës Ministres së Jashtme, Znj. Shen Beili, Zv/ministre e Departamentit Ndërkombëtar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës në konkretizimin e kësaj nisme. 

Një tjetër projekt që u diskutua është edhe ai " Një Brez dhe Një Rrugë", ku zoti Balla theksoi se Shqipëria e ka konsideruar si një mekanizëm shtesë për të nxitur zhvillimin e koordinuar dhe progresin e përbashkët në planin shumëpalësh, por edhe bilateral në aspektet ekonomike, shoqërore, të mjedisit, si dhe për të inkurajuar dialogun dhe integrimin ndërmjet civilizimeve të ndryshme.  Kjo nisëm shikohet si një mundësi më shumë për të aplikuar dhe tërhequr investime për projektet tona në energji dhe infrastrukturën rrugore, detare dhe hekurudhore.

Në përfundim të takimit palët ranë dakort për fillimin e një komunikimi intensiv dypalësh, i cili të konkretizohet në një Memorandum Bashkëpunimi midis Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë Komuniste të Kinës. 

Në këtë takim Zoti Balla shoqërohej nga të gjithë anëtarët e Sekretariatit të Partisë Socialiste.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm