Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Sot interesat e Shqipërisë dhe SHBA përputhen me një qëllim të vetëm: që në këtë vend të vendoset drejtësia dhe shteti ligjor

Të reja

Sot interesat e Shqipërisë dhe SHBA përputhen me një qëllim të vetëm: që në këtë vend të vendoset drejtësia dhe shteti ligjor

08 Feb 2018    

Fjala në emër të Grupit Parlamentar të PS, e kryetarit, Taulant Balla, gjatë mocionit me debat për Projektrezolutën " Për ndryshimin e qëndrimit të mbajtur nga Qeveria Shqiptare mbi Rezolutën " Për statusin e Jerusalemit":

Ikni, ikni, se ky është një debat i fituar prej fillimit.

Miqësisht ju them: na ftoni sa më shpesh në debate të tilla. Jam shumë i sigurt që edhe Lulzimi, edhe pse ishte betuar që të mos hynte në këtë debat, e bëri mirë nga mesi, por nuk i rezistoi dot nga fillimi dhe fundi. Ministri i Jashtëm ishte ezaurues në të gjithë sqarimin e tij.

Në emër të Grupit Parlamentar nuk do doja aspak të ndalesha në këtë farsë të iniciuar nga Lulzimi e Saliu për hallet që kanë.

Lulzim, si në asnjë rast tjetër në historinë e Shqipërisë, sot interesat e shqiptarëve dhe interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përputhen me një qëllim të vetëm: që në këtë vend të vendoset drejtësia dhe shteti ligjor, i cili është garancia e vetme që ne në këtë vend të bëjmë drejtësi dhe të jemi një partner serioz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si në asnjë rast tjetër, Lulzim, edhe ti Sali, një pakicë udhëheqësish politikë të opozitës shqiptare janë edhe një pakicë gjithnjë edhe më e vogël brenda Shqipërisë dhe kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë qëllim madhor.

Jemi të gjithë të qartë se juve në këtë sallë ju duhet pak oksigjen, që të krijoni konfuzion për atë që do SHBA për Shqipërinë dhe atë që duan shqiptarët, por që ne nuk ju ndihmojmë dot ju. Vetëm kjo pakicë politikanësh shqiptarë mendon se mund të krijojë konfuzion duke mbrojtur SHBA-në në Jeruzalem dhe duke iu kundërvënë SHBA-së këtu në Tiranë. Vetëm ju mund ta bëni këtë. Jeni me SHBA në Jeruzalem dhe jeni kundër SHBA në Tiranë.

Kjo është ndoshta beteja më qesharake në botë e disa njerëzve të frikësuar, të cilët nuk gjejnë dot aleatë për frikën e tyre, që në fakt e kanë më shumë nga fakti se SHBA është në krahun e Reformës në Drejtësi sesa nga fakti që SHBA po kërkon të çojë ambasadën e tyre nga Tel Avivi në Jeruzalem.

E dimë gjithë agjendën tuaj, e dinë fare mirë edhe aleatët tanë. SHBA nuk ka nevojë të qëllohet me çizme në Parlamentin e Shqipërisë për të mbrojtur nderin e saj. Të gjithë e dimë shumë qartë që SHBA pret që hajdutët me çizme të shkojnë në kokërr të burgut.

SHBA nuk ka nevojë për të kuptuar nga deklaratat tuaja se çfarë po ndodh në raportet tona me Greqinë, pasi mund të lexoni dokumentat e deklasifikuar tashmë për të kuptuar se si e shikonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrëveshjen e detit të Sali Berishës në vitin 2009.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të qartë, duan që ne të mos kemi probleme me fqinjët, ata jugorë, dhe të bëjmë një marrëveshje të drejtë në respekt të së drejtës ndërkombëtare në frymën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e që në rrugën tonë të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian të mos importohet asnjë problem ndërmjet fqinjëve.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha, i pari më shumë se i dyti, që kanë futur kokën nën rërë si struci e që nuk dinë t’i ikin turpit të historisë për tradhëti, janë tashmë të tmerruar e më shumë të turpëruar që ne jo vetëm e hodhëm poshtë atë dokument jokushtetues, por rinisëm një proces që ju të dyve, Sali e Lul, me karriget bosh këtu, do t’ju mbulojë turpi për jetë e mot.

Ne jemi të qartë shumë se çfarë i duhet Shqipërisë, por duhet patjetër që në Shqipërinë tonë të marrë fund pandëshkueshmëria.

Në SHBA është duke u hetuar sot çështja e “Rapiskanit”, biznesi që mban firmën e Sali Berishës dhe që sot shkatërron xhepat e qytetarëve shqiptarë, por edhe të qytetarëve amerikanë. Ne duhet të hetojmë, këtu i bëj thirrje Prokurorisë, e të ndëshkojmë një biznes që deklarohet 250 milionë euro në burse; shitet gjysma e tij për 4.5 dollarë, e pastaj kjo gjysmë shkon e hipotekohet në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri dhe për kolateral merr 2 milionë euro. Si mund të shitet gjysma e një biznesi 250 milionë euro për 4.5 dollarë, e më pas të shkojë në bankë, të regjistrohet për kolateral dhe të marrë kredi 2 milionë euro? Pra është shumë e qartë që Sali Berisha ka hyrë në pazar për një biznes i cili ka dëmtuar ata që investojnë në bursat amerikane. Sot ky është një hetim në SHBA.

 

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Ne e kemi shumë të qartë se çfarë duhet të bëjmë dhe jemi duke ecur fjalë për fjalë e pikë për pikë agjendës tonë europiane, duke respektuar edhe atë marrëveshje që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jemi betuar që nuk do të ketë një financim të pastër të partive politike pa një transparencë të plotë, dhe jo të futen në politikë milionat e një personi të dyshimtë turk, që sot është person i kërkuar nga drejtësia amerikane, i cili, - Lulzim Basha e ka thënë me zë e me figurë, - është shok e mik i Lulzim Bashës. E jam duke folur këtu për Kamil Ekin Alpetikin e famshëm. Nëse Lulzim Basha e do vërtet SHBA, siç edhe u përbetua këtu sot për Jeruzalemin, le të shkojë e të dëshmojë se çfarë e lidh atë me biznesmenin turk Alpetekinin dhe miqtë e tij rusë; dhe si i pagoi 500 mijë dollarë nga një parajsë fiskale. Kjo është të jesh korrekt me SHBA. 

Ne jemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë dhe e kemi pritur me dinjitet hetimin e një ish-ministri socialist. Por kur e njëjta prokurore që heton ish-ministrin socialist lëshon një urdhër arresti për një përfaqësues të opozitës, menjëherë prokurorja qenka e kapur e menjëherë prokurorja qenka pjesë e një hetimi apo diskreditimi politik të një force të caktuar në opozitë. 

Saliu nuk e mban dot veten, pasi analogjia me të birin e lë dhe pa gjumë; e tillë ishte dhe rrëshqitja e përroit të tij ndaj disa gazetarëve netët e shkuara. Drejtësia ka në dorë dosjen “CEZ”, emailin zyrtar që premtonte takimeve babai; e pasi u kryen këto takime, u shpërblyen me miliona euro në kurriz të buxhetit tonë. Është koha që nën dritën e drejtësisë së re t’u mundësojmë shqiptarëve një transparencë të plotë se kush i shiti e kush i privatizoi si mall pa zot pasuritë kombëtare dhe çfarë u bë me paratë gjysmë për gjysmë të mara prej tyre. 
 

Këto janë vërtetë shqetësime të shqiptarëve, që në fakt janë dhe makthe të disa prej opozitarëve të cilët morën vrapin për të dalë nga salla. Por nëse shqiptarët mezi presin hetimet për to, në këtë sallë mezi ç’presin të shpikin ndonjë skandal që të shtyjnë ditën e gjykimit të madh.

Lulzim, ti që ike, je kryetar me korrespondencë e shqiptar me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri. Prandaj do doja t’i drejtohesha në fund të fjalës time vetëmbabait tënd politik. Ti Sali, unë e di fare mirë që e ke pikë të dobët Jeruzalemin, por ti ke turpin të jesh “juda” i demokracisë dhe i të ardhmes perëndimore të Shqipërisë. E kupton se sa në hak i ke hyrë historisë së këtij vendi me çështje të hapura: në det, energji, naftë, pronë, koncesione; e mbi të gjitha një kundërshtar i paepur i ëndrrës europiane të Shqipërisë. Nuk të ndihmojmë dot të harrosh të shkuarën tënde, pasi ajo është plaga e shqiptarëve. 

Sot u morët edhe me ekstradimin e Nezar Seitit, por një ekstradim tjetër po pritet të ndodhë ditët e ardhshme: është ekstradimi i Izetit, Sali. E do të kesh mundësi të ulesh me të e të kujtoni historitë tuaja të përbashkëta. Është mirë të shkosh para drejtësisë ti bashkë me Lulin tënd dhe shokët e shoqet e tua të reja, qoftë edhe duke veshur çizme. 

Sot votojmë KLGJ dhe KLP. Keni provën e madhe për t’i treguar SHBA dhe BE se sa i doni të dyja dhe se sa e vlerësoni marrëdhënien tonë të qëndrueshme me këta dy partnerë strategjikë. Ejani votoni KLGJ e KLP, ju dashnorë të SHBA e BE, për t’i treguar këtyre dy partnerëve strategjikë se ju jeni për marrëdhënie të qëndrueshme, të shkëlqyera bashkë me këto të dyja. 

Dhe të jeni të sigurt, kryeministri e tha, Kuvendi i Shqipërisë e përmbyll sot rolin që ka në ngritjen e këtyre dy institucioneve të rëndësishme. E shumë shpejt, jashtë Kuvendit të Shqipërisë, ashtu siç i kemi miratuar së bashku në ndryshimet dhe në miratimin e Kushtetutës, le t’i japim mundësi që të ngrihen këto institucione. 
 

Në fund, Partia Socialiste e Shqipërisë ka depozituar një rezolutë që i ka nder e hije edhe formatit, edhe mënyrës se si bëhet një rezolutë në emër të Shqipërisë. Ju ftoj që ta miratoni edhe ju, për t’i shpëtuar sadopak turpit të debatit të humbur të radhës në sallën e Kuvendit. 

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm