Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Sot është një ditë e rëndësishme për konfirmimin e vullnetit tonë, për të patur një parti, ku gratë dhe vajzat nga njëra anë dhe burrat e djemtë nga ana tjetër, janë tërësisht të barabartë në mundësitë për t’u zgjedhur

Të reja

Sot është një ditë e rëndësishme për konfirmimin e vullnetit tonë, për të patur një parti, ku gratë dhe vajzat nga njëra anë dhe burrat e djemtë nga ana tjetër, janë tërësisht të barabartë në mundësitë për t’u zgjedhur

16 Nov 2019    

Prononcim i Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë e njëkohësisht Kryeministrit Edi Rama, pas procesit të votimit, në zgjedhjet për delegatët e Kongresit të Partisë Socialiste:

Kryeministri Edi Rama: Siç e dini me siguri se për këtë keni ardhur, ne sot kemi zgjedhjet, pas një procesi tërësor në të gjitha zonat dhe në të gjitha qendrat e votimit ku ne kemi për çdo qendër një organizatë. Unë doja të fokusohesha tek fakti që është një ditë e rëndësishme për konfirmimin e vullnetit tonë, për të patur një parti, ku gratë dhe vajzat nga njëra anë dhe burrat e djemtë nga ana tjetër, janë tërësisht të barabartë në mundësitë për t’u zgjedhur, por edhe në hapësirën e zgjedhjes. Ashtu sikundër, më vjen shumë mirë që edhe vendimi më i fundit për të bashkëdrejtuar çdo organizatë me barazi të plotë gjinore, pra me dy drejtues kryetarin dhe kryetaren, është pritur pozitivisht dhe po jep rezultate. Natyrisht do të duhet dhe disa kohë që të kemi barazi në drejtim dhe si rezultat i barazisë në drejtim të kemi pastaj një proces ku gradualisht  të kemi barazi në pjesëmarrje.

Sot unë dua t’i falënderoj të gjitha gratë dhe vajzat që janë përfshirë në afirmimin e këtij vullneti. Dua t’i nxis që të bëjnë betejën e tyre në çdo organizatë për të mos lejuar asnjë dominim burrëror dhe për të shtuar radhët e organizatave tona me sa më shumë gra dhe vajza.

-Zoti Rama keni besim tek votimi elektronik? Mendoni se do të jetë i implementueshëm për zgjedhjet e ardhshme?

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi përgatitur një proces të tërë përpara zgjedhjeve që kaluan, pra zgjedhjeve vendore shumë kohë përpara, për të qenë të gatshëm t’i përgjigjemi pozitivisht një kërkese të shumëpërsëritur të shumëkënduar, por pastaj të harruar, njësoj siç u harrua dhe himni kombëtar, për votimin elektronik. Na ka rezultuar i mundshëm. Natyrisht për ta shtrirë në të gjithë Shqipërinë, do të duhej ta kishim pilotuar që në zgjedhjet që shkuan, por ju e dini historinë e zgjedhjeve që shkuan. Kështu që mbetet për t’u parë në të ardhmen. Por është absolutisht një votim i mundshëm. Nuk është online siç e dini, është offline, është mekanik dhe është i papenetrueshëm nga forcat e errëta.

-A keni ndonjë qëndrim përsa i përket reagimit të Gjykatës Kushtetuese pas rezolutës së votuar dje në parlament

Kryeministri Edi Rama: Do më lejoni t’ju rikonfirmoj atë që thashë dhe dje. Ky është një konflikt i radhës, i shkaktuar nga një i njëjti burim konflikti për të njëjtat arsye që dihen. Por unë nuk mendoj që ne duhet të përfshihemi më tej në këtë konflikt dhe nuk mendoj që ky është një konflikt që mund të zgjidhet me beteja dhe me polemika në fushën e komunikimit, pasi natyrisht njerëzit duan të tjera gjëra dhe unë dua që njerëzve t’u japim gjërat që ata duan, duke filluar nga data 25 nëntor kur do të prezantoj platformën kundër KÇK, e cila nuk do të jetë një program, por do të jetë një paketë e tërë ligjore, mbi bazën e një ligji special kundër krimit të organizuar dhe të gjithë atyre që kanë kryer vrasje, kanë kryer akte të rënda përfshirje në trafiqe, e kështu me radhë, për të cilët ka ardhur koha të japin disa llogari të pambyllura.

Për më tepër,  sigurisht do t’ju jepet mundësia të mësoni kur të publikohet edhe ligji special, që do të çelë siparin e një lufte të panjohur më parë në territorin e Republikës Shqipërisë kundër krimit të organizuar dhe atyre eksponentëve të krimit që deri më sot ia kanë dalë të përdorin dhe të kenë në dispozicion pasuri të paligjshme.

- Presidenti dje paralajmëroi një padi për Zotin Dvorani, për të cilin tha se nuk ka vepruar me kokën e tij përsa i përket mosdërgimit në të njëjtën ditë të emrave për Parlamentin dhe për Presidentin. Keni ndonjë koment për këtë? Dhe e dyta, përsa i përket Arta Vorpsit, e cila nuk figuroi dje në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri Rama: Mbase nuk më dëgjuat, ose mbase doni të dëgjoni atë që ju dëshironi, legjitime është edhe kjo, unë nuk dua që ne të përfshihemi në këtë konflikt si dy palë që japin e marrin bam e bum për çështje, të cilat nga njëra anë janë shumë të qarta dhe nga ana tjetër janë çështje që tanimë duhet t’i përkasin proceseve legjitime dhe ligjore. Sepse gjithçka që ne mund të bënim nga ana jonë, ne e bëmë dhe përsëris e kemi bërë të linjëzuar 100% me ata që janë mbështetësit dhe garantët e Reformës në Drejtësi, partnerët tanë, SHBA-ja dhe BE-ja. Është një tjetër rast kur ne jemi në anën e duhur të historisë, ndërsa, fatkeqësisht, Ilir Meta është edhe një herë tjetër në anën e gabuar të historisë.

- Zoti Meta deklaroi dje se me një dekret mund të shpërndajë parlamentin. Keni një koment?

Kryeministri Rama: Më kujton atë që ju kam thënë më parë, xhike Qamilin që thoshte sa të kem këtë e atë katund nuk pyes për Francën dhe Anglinë.

- Zoti Kryeministër, a keni marrë ditët e fundit ndonjë mesazh kërcënues në telefonin tuaj. Ka një person të arrestuar nga antiterrori.

Kryeministri Rama: Nuk janë tema që më shqetësojnë dhe as tema që më interesojnë. Çka më shqetëson dhe më intereson, më besoni, është dhënia e një shtyse të re procesit qeverisës për një përfundim me sukses të këtij mandati, e cila shtysë fillon me ligjin special kundër të gjithë atyre që janë shpërndarë nëpër territore të caktuara dhe kujtojnë se llogaritë i kanë mbyllur, por llogaritë janë të hapura dhe tani është koha për të bërë llogaritë. Llogaritë e çdo pasurie të vënë përmes veprimtarive kriminale. Kjo është ajo që më intereson.

- Teksa PS është në proces riorganizimi, keni menduar të vendosni filtra në mënyrë që kandidatët tuaj për bashki të mos i kapë më ligji i dekriminalizimit.

Kryeministri Rama: E kam thënë, e rithem, të gjitha virgjëreshat që thonë të kundërtën u ngjajnë atyre përgjegjëseve të shtëpive të qejfit që predikojnë moral, se kjo është një çështje që mund të zgjidhet vetëm përmes fuqizimit të ligjit në raport me individin, duke e kthyer vetëdeklarimin e rremë në një vepër që dënohet dhe dënohet qartë, ashpër, drejtpërdrejtë dhe nga ana tjetër, duke i çliruar të gjitha partitë politike nga kjo barrë për të lexuar mendjen e  individëve që në mënyrë të papërgjegjshme i shmangen të vërtetës kur vetëdeklarojnë, përmes një ndërhyrjeje në ligj që do t’i japë mundësi institucioneve ligjzbatuese të bëjnë verifikimin, pasi partitë të çojnë listat e kandidatëve për t’u zgjedhur në një kohë më përpara sesa fillimi i fushës, në mënyrë që kur të fillojë fushata, të gjitha listat të jetë të verifikuara nga agjencitë ligjzbatuese. Partitë nuk kanë kapacitete për të bërë punën e policisë apo të prokurorisë. Nga ana tjetër, policia dhe prokuroria duhet të futen në këtë proces më parë. Kjo është e thjeshtë dhe e qartë. Kush pastaj predikon moral, ua thashë, është një shëmbëlltyrë njësoj si ato përgjegjëset e shtëpive të qejfit që tek dera e shtëpisë predikonin virgjërinë e vashave që ofronin brenda shërbime.  

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm