Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Sfida e Forumit Rinor sot është kapërcimi i modelit tradicional

Të reja

Sfida e Forumit Rinor sot është kapërcimi i modelit tradicional

01 Mar 2020    

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë e njëkohësisht kryeministrit Edi Rama në ditën e tretë të kongresit të PS, dedikuar të rinjve:

Tani, me thënë të drejtën, nuk isha përgatitur për të folur sepse sot duhet të fliste Mamica, por duke qenë se Mamica nuk ndihet më pjesë e të rinjve, se tani bën fëmijë vetë, ma la mua këtë përgjegjësi.

Në radhë të parë, vajzës që foli këtu me emocion edhe që e ka mamin me PD-në, të fala mamit! Shumë të fala mamit dhe komplimente, sepse vërtetë mami sheh larg dhe kupton që ndërkohë që ajo ka mbetur te PD-ja, vajza duhet të vijë tek PS-ja, sepse e ardhmja është këtu. Atje është e shkuara!

Në bëmë këtë kongres dhe Taulanti me komisionin e organizimit patën idenë e mirë që kongresi të ndahej në tre pjesë, dita e parë e kongresit t’ju kushtohej grave dhe vajzave, dita e dytë, të gjithëve bashkë dhe dita e tetë, më të rinjve. Më vjen shumë mirë që kjo formulë funksionoi sepse i dha mundësinë shumë më tepër njerëzve që të merrnin pjesë dhe na dha mundësinë që të flasim drejtpërdrejtë për shumëçka që pavarësisht sa flasim ne gjatë ditëve të zakonshme, nuk gjen vend në ekrane, nuk gjen vend në kanalet e komunikimit, ku siç e keni parë, prioritetet janë të tjera dhe ku lajmet e rreme dhe kronika e zezë përbëjnë boshtin dhe është për të ardhur keq, sepse nuk ka vend tjetër, nuk ka, as në rajon, as në Europë, as në botë, që kronikën e zezë ta ketë në krye të lajmeve.

Nëse Shtetet e Bashkuara, mediat në shtetet e Bashkuara, do të kishin në krye të lajmeve kronikën e zezë, lajmet do duhet të vazhdonin me orë dhe raportimi i vrasjeve, plagosjeve, i vjedhjeve, do duhet të zinte as më shumë e as më pak, por gjithë ditën. Nëse në Itali, lajmet do të fillonin me kronikën e zezë dhe kronika e zezë do të ishte prioritet, njerëzve do t’u krijohej ideja që nuk duhet të dilni më nga shtëpia, për shkak se mund të vriteshin, mund të grabiteshin, e kështu me radhë. Jo se kronika e zezë nuk është e rëndësishme për të informuar, por se përgjegjësia e informimit publik, kërkon që publiku të marrë ndjesi reale të vendit ku jeton e të çështjeve që ka vendi në atë moment.

Këtu, përmes mediave, përmes portaleve, përmes rrjeteve sociale, po preket shumë rëndë modeli i protagonistit. Kjo nuk është vetëm këtu kjo po i ndodh gjithë botës, por këtu ka proporcione të frikshme sepse nëse në botë, modeli i protagonistit që konsumon shuma marramendëse është kërcënimi më i madh, këtu modeli i këtij protagonisti, i shtohet dhe protagonisti që vjen nga bota e krimit dhe protagonisti që vjen nga sherri i përditshëm i politikës e kështu krijohet një pamje aspak e ekuilibruar e realitetit të sotëm të vendit.

Sot Shqipëria ka numrin më të ulët historik të vrasjeve dhe kjo prej disa vitesh. E megjithatë, për shkak të bombardimit në media e për shkak të mos përmbajtjes për të transmetuar dhe për të përcjellë tek njerëzit, jo vetëm vrasjet, por edhe përplasjet me pemën, sjell për publikun një ndjesi jo inkurajuese. Pse e them këtë? E them këtë për nevojën e madhe që kemi ne dhe për përgjegjësinë e madhe që duhet të marrim ne si familje politike, ku në këtë aspekt, të rinjtë kanë një rol shumë të madh për të luajtur, për të shfrytëzuar teknologjinë, për të shfrytëzuar mjetet e reja të komunikimit, për të shfrytëzuar ato mrrokllat që i keni të gjithë nëpër xhepa, për të lehtësuar komunikimin lidhur me shumëçka që lidhet drejtpërdrejt me jetën tuaj, që lidhet drejtpërdrejtë me punën tuaj, që lidhet drejtpërdrejtë me arritjet tuaja dhe të njerëzve rreth jush dhe që askush nuk e di, askush nuk e dëgjon, askush nuk e merr vesh dhe ku secili jeton si në një ishull, duke parë për të përbashkëtën, atë çka është tejet e deformuar.

Në këtë aspekt, besoj që çuarja përpara e organizatës së të rinjve duhet të lidhet domosdoshmërisht me transformimin e modelit të organizatës në kushtet që jetojmë. FRESH-i nuk mund të jetë më ai që ishte kur u krijua. FRESH-i nuk mund të jetë më ai që ishte në këto 4 vite sepse ndryshimet janë kaq marramendëse në jetën e përditshme të të rinjve dhe teknologjia e ka transformuar kaq shumë raportin e personit e realitetin dhe e ka shpërbërë kaq shumë idenë e kufijve të vegjël të vendit ku jeton, duke të bërë që të jesh në të njëjtën kohë subjekt i të gjithë  bombardimit të informacionit nga e gjithë bota, saqë është e pamundur që të imagjinohet që FRESH-i duhet të vazhdojë po atë avaz, mblidhu, zgjidhu dhe vazhdo me të njëjtat rrugë, të kërkosh një rezultat të ndryshëm. Unë besoj që teknologjia, për ne, për Partinë Socialiste për vajzat e për djemtë që i përkasin kësaj familje politike, është një instrument përmes së cilit ne kemi shumë gjëra për të ndarë dhe kemi shumë gjëra për të thënë e kemi shumë gjëra për t’ia vënë përpara të tjerëve e për t’i ftuar të tjerët që t’i shikojnë e t’i ndajnë e mundësisht për t’i ftuar të tjerët në diskutimet e debate që kanë kuptim, që bëjnë sens. Nuk është debat, nuk mund të jetë debat që të marrim vendin peng, debat që artificialisht ka marrë peng mediat për gjithë këto kohë. Besëlidhja dhe BesëLikja, nuk është ky debati. Kush është me besëlidhjen, kush është me besëLiken, pa kuptim, humbje kohe, humbje energjish, degradim. Degradim i madh dhe goditje e shpresës se në këtë vend mund të jetohet normalisht dhe se ky vend nuk është peng i atyre që shfaqen në televizor sikur janë ata e pas atyre nuk ka asgjë tjetër.

Unë besoj që kapërcimi i modelit është sfida e FRESH-it sot. Transformimi i rrugëve tradicionale të komunikimit dhe i rrugëve tradicionale të të bashkëjetuarit në këtë organizatë, në rrugë që janë të thjeshta e janë të askesueshme për të gjithë. Për fat të keq, FRESH-i e ka pasur dhe vazhdon ta ketë një sëmundje që ne e kemi problem në organizatat e Partisë Socialiste, sëmundjen e mbylljes, sëmundjen e të drejtës së pronës mbi strukturën, të vogël apo të madhe dhe sëmundjen e kompeticionit për t’u zgjedhur të pa pasuar me kompeticionin që përmes zgjedhjes e pas zgjedhjes, organizata të shkojë më tutje. Besoj që risia që ne kemi futur në Partinë Socialiste e bashkëdrejtimit të organizatave me burra, djem dhe gra dhe vajza, pra me dy kryetarë, është gjëja e duhur për t’u bërë me FRESH-in.

FRESH-i nuk mund të drejtohet e nuk ka pse drejtohet vetëm nga një djalë, por duhet të drejtohet nga një djalë e nga një vajzë dhe hapja e rrugës për më shumë vajza është hapja e rrugës për më shumë mend, që ta themi deri në fund.

Në FRESH ka shumë djem me mend, patjetër, nuk diskutohet, por të gjithë djemtë me mend, krahasuar me vajzat me mend, janë shumë pak pa vajzat. Duhet t’i japim mundësi vajzave që kanë shumë më pak kohë për të humbur duke treguar kush jam unë e kush je ti, kanë shumë më pak prirje për të përçarë e për të krijuar klane, kanë shumë më pak dëshirë për t’u përfshirë në gjëra të kota ndërkohë  që djemtë, këto i kanë motive të forta kur futen në një organizim politik apo shoqëror.

Kështu që, marrë në konsideratë edhe faktin që, ta themi deri në fund, vajzat janë më të mira se djemtë në shkollë. Po të shikoni provimet e Pisës, ku Shqipëria merr pjesë dhe ku matet globalisht ecuria e rezultateve në arsim, vajzat me provimin e fundit janë një vit përpara në lexim, krahasuar me djemtë. A e kupton apo jo? Natyrisht që nëse Pisa do të ishte një provim për këto ikonat e për këto shkurtimet në ëhatsapp djemtë do ishin shumë përpara, por kur vjen fjala për lexim, vajzat janë një vit përpara. Pra, mes vajzave të një klase të vitit të parë gjimnaz dhe djemve, në lexim, djemtë janë një vit mbrapa. E kuptoni sa të lodhur jeni? E merrni vesh? Kështu që pranojeni këtë, hapuni dhe lërjani vajzave punët që nuk dini t’i bëni  dhe mësoni nga vajzat duke parë si i bëjnë punët.

Këtu dëgjova me vëmendje të gjithë ata që folën, sigurisht, kishin dhe emocione, sigurisht dikush u ka thënë që kur del të flasësh, duhet të jesh sa më i ngrirë dhe sa më i kornizuar. Këshilla ime është që kur dilni në foltore e kur të dilni në foltore për garën që do hapet për FRESH-in, mos merrni letër me vete dhe flisni njësoj sikur jeni në një rreth të vogël me të njëjtën lirshmëri dhe pa e vrarë mendjen si dukeni. Sa më shumë e vret mendjen si dukesh kur flet, aq më keq dukesh kur flet. 

Por duke i ndjekur ato që u thanë këtu, është e vërtetë që ne kemi bërë një punë jo të vogël me Paktin për Universitetin, por ajo që është më e rëndësishmja dhe që duhet mbajtur mend është që kur studentët dolën në protestë anëtarët e FRESH-it ishin në protestë. Elion me disa udhëheqës nuk i dëgjonte njeri. Nuk i mblidhnin dot. Elio ku i ke ata të FRESH-it? Janë në protestë. Kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar se sa e hapur dhe se sa e prirur për të pranuar qëndrime të ndryshme është PS. Imagjinojeni vetëm për një moment Saliun kryeministër dhe FRPD në protestë kundër Ministrisë së Arsimit. Imagjinojeni se çdo ndodhte. Nuk ndodhte dot njëherë e para e punës. Por, nga kjo duhet nxjerrë një mësim i rëndësishëm që duhet ndërtuar rruga që gjërat të thuhen dhe të dëgjohen, se nuk është puna vetëm të thuhen.

Ne kemi një situatë demokratike që besoj në nivelin e gjërave që thuhen nuk na e kalon njeri nga pikëpamja e lirisë. Këtu liria për të thënë deri dhe çmenduritë më të mëdha është e pakufishme. Imagjino, mjafton të dëgjosh këtë që keni mbrapa ju për të kuptuar se deri ku shkon në Shqipëri liria për t’ia futur kot dhe askush nuk të thotë gjë. Dhe kjo është në të gjitha nivelet. Mjafton të dëgjosh në TV dhe larg qoftë të shohësh ndonjë debat në TV, - them larg qoftë se unë vetë nuk shoh, - për të parë se deri ku shkon gjuha dhe se çfarë lirie për ta shthurur gjuhën kanë njerëzit këtu. Por kjo nuk është cilësi demokratike e jetës se cilësinë demokratike të jetës nuk e përcakton fakti se sa shumë dhe se sa pa kufi flet, por e përcakton fakti sa dëgjohesh dhe se sa ndërveprim ka mes atyre që flasin dhe atyre që dëgjojnë se këtu është bërë “fol, fol, po kush po të pyet” në të gjitha nivelet dhe në këtë aspekt FRESH ka mundësi të krijojë një model të ri. Ju keni mundësi të krijoni një hapësirë të re, duke kapërcyer modelin tradicional.

Nëse do të kemi dhe 4 vjet të tjera si këto 4 vjet që kishim në FRESH s’ka ç’na duhet FRESHI fare. Nuk iu duhet ju, nuk na duhet ne. Sinqerisht. Por kjo për organizmin, ndërsa patjetër që individualisht të gjithë ju dhe të gjithë ata që s’janë këtu, por që janë pjesë e kësaj organizate janë të vlefshëm dhe duhen dhe patjetër. Ju i duheni Partisë Socialiste dhe i duheni të ardhmes politike të këtij vendi, jo për t’u bërë të gjithë politikanë se shpresoj që nuk është kjo arsyeja pse janë këtu shumica ndër ju, por për ta përdorur politikën dhe mundësinë që përmes Partisë Socialiste, të jep politika që të ndikosh dhe nga ana tjetër që të jesh pjesë e një aktiviteti kaq të bukur saç është politika. Politika është e bukur, sepse është mundësia për të ndërvepruar me të tjerët për gjëra të cilat ti vetëm, nuk i bën dot. Është mundësia për të ndarë me të tjerët energji dhe ide në funksion të punëve që vetëm asnjeri nuk i bën dot.

Politika për këtë ka lindur që njerëzit bashkë, të bëjnë gjëra që vetëm nuk i bëjnë dot. Jashtë mureve të shtëpisë askush nuk ka mundësi të bëjë gjëra vetëm. Brenda shtëpisë është një çështje tjetër, por sa hap derën dhe del jashtë ke nevojë për të tjerët nëse do që të ndryshojë jeta jote gjatë hapave që t’i hedh nga shtëpia në shkollë, brenda shkollës, pas shkollës në mjediset ku ti kalon dhe do të kalosh një pjesë të ditës tënde.

Mendoj që nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që FRESH të marrë përsipër dhe të bëjë një debat të rëndësishëm lidhur me punën. Ne kemi një situate në të cilën janë shumë që ankohen që s’ka punë, por midis atyre që s’kanë punë një pjesë e madhe duan punë në shtet. Patjetër që ne kemi një problem me punën që nuk paguhet sa do duhej të paguhej dhe rritja e pagave në sektorin privat dhe pagesat e drejtpërdrejta të dhëna me drejtësi, jo ca nën dorë e ca mbi dorë janë një problem me të cilin ne duhet të përballemi, por fakti është që sot Shqipëria, jo se e them unë, jo se e themi ne, - ka nivelin më të ulët të papunësisë në 25 vjet.

Shumë njerëz thonë që “po, se kanë ikur”, por në fakt matja e papunësisë, përqindja nuk nxirret mbi bazën e njerëzve që janë këtu sot, por nxirret mbi bazën e shumës së përgjithshme të popullatës, që do të thotë që përqindja nëse do të mateshin vetëm ata që janë këtu do të ishte edhe më e ulët, por kjo nuk është vetëm çështje përqindjesh. Kjo është çështje të kuptuari që ne nuk mundet dot t’i kapërcejmë shkallët me shpejtësinë që do dëshironte secili sepse çdo shkallë ka mundimin e vet të jashtëzakonshëm. Rritja e rrogave nuk është diçka që lidhet me dëshirën tonë. Cili do të ishte ai kryeministër, kush do të ishte ajo tërësi deputetësh që do kishte mundësi të votonin për t’i rritur rrogat sipas dëshirës dhe nuk do ta bënte këtë gjë, nëse kjo do të ishte e mundur? Por kjo nuk është e mundur. Është njësoj si t’i kërkosh prindit kur ti vjen këtu në Tiranë apo kur ti duhet të studiosh të të japë pesëfishin e asaj që të jep. Si mund të ta japë? Nuk e ka të mundur, ose duhet të marrë borxh, por nëse do të marrë borxh për të të dhënë pesëfishin e asaj që të jep kur ti vjen në Tiranë apo kur ke kohën tënde të studimeve, më shpejt se vonë do duhet që të lërë shtëpinë sepse nuk ka mundësi ta lajë atë borxh me punën që bën dhe me mundësitë që ka.

Kështu që rritja e mbështetjes për pagat apo për bursat apo për pensione apo për gjithçka tjetër do vijë si rezultat i rritjes së mundësive ekonomike. Rritja e mbështetjes së prindërve për ju, do vijë si rezultat i rritjes së mundësive të tyre ekonomike dhe rritja e mundësisë ekonomike e mëtejshme dhe më shumë sesa c’kemi mundur, vjen si rezultat i gjërave që po bëjmë, por që kërkojnë durim. 

Reforma në drejtësi është një nga instrumentet që do të rrisë mundësitë ekonomike të vendit. Edhe kjo luftë që ne po bëjmë kundër pasurive të krimit është një nga rrugët që do të rrisin mundësitë ekonomike të vendit sepse drejtësia e kapur dhe aksesi i krimit në ekonomi janë dy bllokues të mëdhenj për rritjen e mundësive ekonomike për të gjithë. E po kështu edhe ndryshimet që ne kemi bërë dhe që po vazhdojmë të bëjmë në arsim, por nga ana tjetër kjo është arsyeja pse qeveritë kanë përgjegjësi të madhe historike për shumë vendime që marrin.

Është e thjeshtë të marrësh vendim të hapësh dyert e universitetit dhe të bësh në Shqipëri numrin më të madh të universiteteve private për frymë me idenë që të gjithë të shkojnë në shkollë, por pasojë e asaj vendimmarrje janë sot shumë të rinj që janë komplet të paaftë për punë dhe kanë një diplomë për jurist që nuk i duhet as dreqit.

Në Durrës po vizitonim një kantier të rindërtimit që kur po meremetoheshin në një godinë të lartë apartamentet e dëmtuara nga tërmeti, drejtuesi i kompanisë tha atë që thonë të gjithë sipërmarrjet sot në Shqipëri: Do ta bënim shumë më shpejt meremetimin nëse do kishim mjaftueshëm punëtorë. Nën atë pallat ishte një kafe dhe aty ishin një numër jo i vogël të rinjsh që po pinin kafe. Kafe, muhabet si turqit e lashë. Dhe i thashë pse po rrini këtu? Pa punë. Po punën e keni lart. Ne jemi juristë, -thanë. Natyrisht që, aty lart nuk ka nevojë për avokatë. Natyrisht që puna e paguar aty lart nuk është një punë që të jep pagën që ti pretendon të marrësh nga diploma jote e juristit, por është një punë dhe më mirë ato lekët që merr nga puna lart, sesa ato kafet dhe cigaret që pi poshtë me lekët që prindërit të japin. E më mirë ta kërkosh punën që ti mendon se të takon, duke punuar ndërkohë në një punë tjetër, sesa të rrish në kafe dhe të presësh që ajo punë të të vijë dhe për më tepër të kërkosh që ajo punë të jetë punë shteti. Shteti nuk mund të jetë punëdhënës i të gjithë atyre që duan punë. Nga ana tjetër, ajo që ne po bëjmë pas Paktit për Universitetin është një mesazh i qartë për të gjithë ju, për të gjithë bashkëmoshatarët tuaj, kush është shumë i mirë në mësime e ka një mundësi të hapë derën dhe të punojë në shërbim të shtetit. Thirrja tjetër për ekselentët bëhet së shpejti dhe sot janë qindra që pa paktin do e kishin të pamundur të hynin pas shkollës në administratë dhe të fillonin rrugën në shërbimin civil. Qindra të tjerë do të shtohen.

Po shikoni infermierët! Deri dje, ti mund të ishe shumë i mirë në shkollë për infermier dhe s’kishe shans të vishje bluzën e bardhë nëse nuk do lidheshe me një parti, nëse nuk do paguaje një ryshfet, e kështu me radhë. Sot, ty nuk të vlerëson më askush nga tesera, nga mbiemri apo nga xhepi. Konkurron në portalin “Infermier për Shqipërinë” dhe merr punën. Faktikisht, tani që flasim janë thuajse 4 mijë infermierë dhe mjekë të rinj në total që janë futur në punë kështu. Mjekët specializantë që deri dje mbaronin specializimin dhe pastaj duhet të gjenin të njëjtat rrugë të vjetra ose të iknin fare, sot kanë mundësi të hyjnë dhe të punojnë siç kanë hyrë dhe siç po hyjnë në shërbimin shëndetësor, falë investimit që kanë bërë në shkollë.

Mësuesit. Deri dje, gjëja më absurde ka qenë që, nxënësit më të dobët të maturës shtetërore shkonin për mësuesi. Pra, ata që nuk dinin as shkrim, as këndim shkonin për t’u bërë mësues dhe pastaj prej tyre dilnin mësuesit që edukojnë gjithë fëmijët e prindërve të këtij vendi.

Ne e kemi rritur pragun, sot duhet të kesh një prag shumë më të lartë mesatareje për të hyrë në shkollat për mësuesi. E nga ana tjetër, u kemi dhënë të gjithë atyre që kanë dalë nga shkolla e mësuesisë, mundësinë që të hyjnë në sistem jo përmes mikut, jo përmes xhepit jo përmes partisë, por përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”.

Është i gjithi një sistem që pjesë pas pjese, po vlerëson meritën dhe po vë në vend atë që është kërkesa themelore e çdo prindi që investon për fëmijën e vet kur e çon në shkollë, që fëmija mos diskriminohet për shkak se prindi është i varfër apo nuk ka lidhjet e duhura apo nuk është një militant partie. Por të gjitha këto kërkojnë kohën e tyre dhe rezultatet e gjithë këtyre ndryshimeve nuk janë rezultate që vijnë sot për nesër dhe sidomos rezultatet e ndryshimeve në arsim nuk janë rezultate që vijnë sot për nesër, se është njësoj si të mbjellësh sot një pemë dhe të presësh në verë që t’i marrësh fruta. Është e pamundur.

Në mbyllje dua t’ju them që eksperienca politike, eksperienca e pjesëmarrjes në një familje politike është një eksperiencë jete. Vajza që foli për sportin ka shumë të drejtë kur flet për sportin, por një element, ajo është një notare dhe faktikisht notarët, peshëngritësit nuk e kanë shumë sensin e skuadrës se janë në lojëra individuale, por është shumë e rëndësishme ajo pjesë e sportit që ka të bëjë me skuadrën.

Nëse unë nuk do kisha qenë pjesë e një skuadre kur isha në moshën tuaj, nuk do isha ky që jam sot në shumë aspekte, një skuadër që garon për të fituar dhe që është një tërësi individësh të ndryshëm që luftojnë, stërviten për të njëjtin qëllim, që ka shumë dinamika të brendshme, që ka shumë tensione të brendshme që ka shumë gëzime e ka shumë hidhërime.

Është një eksperiencë jete sociale dhe eksperienca politike në një organizatë si FRESH apo në një organizatë të madhe politike si PS, ku ti nuk je aty thjesht për të bërë karrierën tënde politike. Është një eksperiencë jete shumë e rëndësishme. Është një eksperiencë jete që nëse ju do ta krijoni bashkë me njëri-tjetrin si një eksperiencë të mirëfilltë jete do t’ju japë mundësi që nesër falë kësaj eksperience të jeni njerëz që të dini të përballoni me shumë më tepër aftësi ndërveprimet në jetën e përditshme, edhe në familje. Shiheni si një eksperiencë jete. Shiheni si hapësirë ku nuk mblidheni thjesht për të bërë takimet formale, apo për të bërë kalimet formale në këto pikat e ngurta që vijnë nga lart, “i riu dhe e ardhmja” e ku di unë këto historitë. Por shiheni si një hapësirë ku ju me njëri-tjetrin të mund të ndjeheni nesër më të pasur sesa c’jeni sot në mendje dhe në zemër dhe të mund të keni kapacitetin që të ndërtoni rrugë komunikimi që janë shumë herë më të shëndetshme dhe shumë herë më të dobishme sesa komunikimet nëpër pub-e e nëpër argëtime banale, që janë dhe ato pjesë e jetës nuk po them që t’i shmangni ato, por që janë toksike.

Nëse ka një mundësi për t’u dezintoksikuar nga jeta e përditshme eksperienca e sportit dhe eksperienca e politikës si aktivizëm në një hapësirë me të tjerë, është një mundësi. Shikojeni këtë si një mundësi dhe të jeni të bindur që do ndjeheni shumë më të fortë nesër edhe sikur të mos keni lidhje fare me asnjë aktivitet politik dhe të vazhdoni secili me jetën tuaj dhe në profesionin tuaj individualisht.

Shumë faleminderit për vëmendjen!

Shpresoj dhe uroj që do të keni nxitjen që në këtë fillim të ri të FRESH-it me konkursin për liderët e rinj të FRESH-it vajzë, djalë, jo djalë, vajzë, se dhe këtu kur dolët çift fliste djali para, vajza nga pas dhe i patë vetë fjalimet, një vit mbrapa djemtë në fjalim nga vajzat, pavarësisht se djemtë folën fjalët e duhura, por tjetër është t’i thuash para të gjithëve e tjetër është t’i flasësh me vete, - nxitjen për ta tejkaluar modelin që kemi deri sot të FRESH-it dhe ju mund ta tejkaloni modelin nëse realisht do të jeni të nxitur për ta bërë një gjë të tillë, pa stres, pa sherr pa filozofira të mëdha, por thjesht me dëshirën që të jeni bashkë.

 

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm