Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Reforma Zgjedhore është e vetmja zgjidhje!

Të reja

Reforma Zgjedhore është e vetmja zgjidhje!

21 May 2020    

Fjala e mbajtur në Kuvend nga deputeti Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore:

Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetar që na dëgjoni,

Marr shkas nga raportimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të folur mbi një temë e cila tashmë është kthyer në qendër të politikës së ditës, tema e Reformës Zgjedhore. Natyrshëm, sa herë flasim për Reformën Zgjedhore, ka qasje të ndryshme, i gjithë bagazhi politik negativ dhe pozitiv i këtij vendi fillon dhe shkarkohet tek Reforma Zgjedhore. Gjithçka e mirë apo e keqe shihet tek Reforma Zgjedhore. Shpesh, pse jo edhe qytetarët e shohin sikur çdo e keqe në këtë vend mund të vijë nga zgjedhjet apo qoftë edhe nga sistemi zgjedhor, siç shumë e thonë edhe këtu në këtë sallë. Në fakt, zgjedhjet dhe problemi për zgjedhjet, nuk ka qenë në vetvete as sistemi dhe as fakti nëse ka patur zgjedhje demokratike Shqipëria. Ka qenë gjithmonë mospranimi i humbjes nga humbësi dhe fillimi i vënies së sistemit nën stres duke kërkuar vazhdimisht mosnjohje zgjedhjesh dhe më vonë ndryshime të vazhdueshme të ligjit elektoral. Fatkeqësisht, ligji elektoral është kthyer si ajo pëlhura e penelopës që nuk mbaron kurrë. Fatkeqësisht, unë kam qenë herë protagonist e herë aktor, herë aktiv e herë pasiv, në një proces reformimi të ligjit, proces i cili po kthehet në pa mbarim. Kjo, jo për shkak se ligji ka qenë i keq, as për shkak se Shqipëria nuk ka ditur të bëjë zgjedhje, por më shumë për arsye sepse humbësi nuk pranonte fatin dhe verdiktin e popullit. Kjo është e vërteta e vazhdueshme. Humbësit zakonisht mallkojnë sistemin. Megjithatë, unë dua të bëj një njoftim dhe dijeni për të gjithë ata që na dëgjojnë se si kemi ecur deri më tani. Ka shumë spekulim dhe dëgjoj sëfundi edhe nga përfaqësues të opozitës që ngjarjet që ndodhën çojnë në braktisjen e reformës zgjedhore apo kur thonë të përgjigjen ata për propozimet tona.

Në fakt, ne bëmë një gjë atipike, dikush këtu edhe mund ta ketë kontestuar por ne përfshimë edhe opozitën jashtëparlamentare në procesin e reformës zgjedhore. Unë them se bëmë shumë mirë. Jo sepse këtë na e kërkuan ndërkombëtarët, se shpesh thonë e kërkuan ndërkombëtarët, por mendoj se për kushtet në të cilat ishim, Reforma Zgjedhore duhet të ketë një dakordësi edhe nga pala që është jashtë parlamentit pasi ata përfaqësojnë një realitet politik. Përfaqësojnë një elektorat të tyrin dhe nëse ky vend do të gjejë paqe mbi zgjedhjet, pasi e thashë se problem nuk është ligji por sjellja pas rezultatit zgjedhor, përfshirja e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj në tryezën e Reformës Zgjedhore ishte dhe është e domosdoshme. Natyrshëm, kjo brenda disa limiteve që përcakton koha dhe detyra që kemi por mbi të gjitha pamundësia dhe shpesh herë krizat politike që fatkeqësisht futen në mesin e një procesi që normalisht duhet të ishte teknik.

Pse duhet të ishte teknik? Çfarë kemi bërë deri më sot? Flitet sikur kanë sjellë pesë pamflete politike, pesë trakte dhe ne duhet ti hamë ato, duhet ti lexojmë apo tu kthejmë përgjigje. Në fakt, reforma nuk bëhet as me megafon dhe as me letërkëmbime. Ne kur u ulëm në atë tavolinë, zgjodhëm që të funksiononim me një grup teknik dhe me mbështetjen e ODIHR-it. Kjo ka qenë metoda e punës dhe kështu duhet të jetë. Palët hedhin mendimet e tyre, ulen e diskutojnë me draftet përpara, kanë opsionet e tyre dhe nëse nuk gjejnë dakordësi, ne e kemi një arbitër që na thotë kush është më e mira dhe si ne mund të gjejmë konsensus. Kërkesa e opozitës, e Partisë Demokratike në atë tekst marrëveshje që bëmë ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë dhe qartësisht që në rast se palët nuk arrijnë të gjejnë dakordësi për pikëpamje të ndryshme përsa i përket Reformës Zgjedhore duhet ti drejtohen ODIHR-it për të gjetur konsensus. Kështu kemi bërë.

Sot në tavolinë janë disa paketa, janë të gatshme. A ka diferenca aty? Po, ka diferenca për nivelin e shpenzimeve për fushatën zgjedhore, ka diferenca për rolin e kontrollit, ka diferenca për kuotën gjinore që e habitshme por partitë e opozitës kundërshtojnë një rekomandim të kahershëm të ODIHR—it që kuotat gjinore duhet të jetë e rendit 1 me 3 në çdo listë zgjedhore për të rritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar. Për këtë duhet ti kthehemi me një përgjigje me shkrim, ti themi që ne jemi 1 me 3 dhe ju jeni kundër kësaj? Pra, nuk duhet të katandiset debati në këtë pikë. A ka çështje të tjera për të cilat kemi gjetur dakordësi? Patjetër që ka. Kemi rënë dakord ta shkurtojmë periudhën zgjedhore për ti afruar zgjedhjet e për të shmangur sezonin turistik. Kemi rënë dakord për shumë çështje të tjera, ka akoma ndarje përsa i përket administrimit zgjedhor.

Si do zgjidhen këto? Me letërkëmbime? Apo duke u ulur në tavolinë e duke punuar sëbashku? Ramë dakord që në grupin teknik ekspertët e PD, LSI dhe të tjerëve janë aty me ekspertët e komisionit dhe ekspertët e ODIHR, për të gjetur produkte të përbashkëta. Vetëm kështu do të mund të ecim përpara të dashur qytetar. Prandaj, nuk është mënyrë të largohesh nga tavolina. Tavolina është dinjitet dhe forcë. Aty ke forcën e argumentit, aty ke mundësinë të realizosh diçka. Mbaj aty qëndrimin tënd por ulu, puno, dialogo! Si do të vijë ndryshimi po nuk patëm kulturën e bashkëpunimit, po nuk u ulëm e po nuk folëm me njëri-tjetrin. Po pse, gjithmonë me megafon diplomacie do të bëhet kjo punë? Njëri del në rrugë e bërtet dhe tjetri duhet të pranojë kërkesat e atij që nga rruga? Jo, unë nuk jam dakord as me deklaratat e forta që ne nuk e pranojmë këtë pozicion, o kjo o ska. Ne nuk jemi që o kjo o rash e vdiqa. Ama ka mundësi për kompromis? Ka por duhet të ulesh, të flasësh me tjetrin. Duhet të vish aty me propozime por duke mbajtur parimin.

Cilat kanë qenë disa parime të rëndësishme në këtë Reformë Zgjedhore? Hajde të heqim një problem të kahershëm të zgjedhjeve, administrimin zgjedhor. Problemet më të mëdha dhe tensionet politike që lidhen me zgjedhjet janë politizimi i komisioneve. Edhe aty, po jua them shumë qartë dhe ta dëgjojnë të gjithë, edhe aty kemi mundësi të adresojmë shqetësimet që mund të ketë opozita. Pra, duke patur komisionerë zyrtar publik të shkëputur nga partitë politike por mund të ketë hapësirë për partitë për të patur disa të drejta të garantuara. Unë nuk jam këtu për ti thënë ato. Po i thashë unë publikisht këtu digjen ato. Pra, do të thotë se kur njeriu e vret mendjen dhe vjen për kompromis e gjen zgjidhjen edhe duke ruajtur parimet. Ne çfarë arrijmë? Ne arrijmë të bëjmë për herë të parë një proces zgjedhor të depolitizuar. A ka mundësi që ne të gjejmë zgjidhje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve? Po, patjetër! Skema që kemi në tavolinë ishte shumë e mirë. A ka kundërshti Partia Demokratike? Ja kemi thënë haptazi le të vijë me skemën e saj. Nuk kanë ardhur me asnjë skemë dhe procesi rri mbetet atje si kënete dhe ne bëhemi pjesë e retorikës dhe luftës politike. Kështu nuk mund të ecet përpara!

Në fund të fundit, qeveria mun të bëjë shumë gabime, opozita gjithashtu mund të bëjë gabime. Ne mund të mos jemi më të mirët e mundshëm, madje edhe brenda nesh mund të ketë edhe njerëz që jo çdo gjë mund të duket e bukur. Ama si do vish në pushtet ti, nga rruga? E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet! Për të ardhur, bëj ligjin zgjedhor, mobilizo elektoratin, shfrytëzo dobësitë e qeverisë nëse ka të tilla dhe ti ke avantazhe. Kjo është e vetmja mënyrë për të ardhur në pushtet. Mënyrë tjetër nuk ka. Prandaj, zgjidhja vjen vetëm nga kryerja e Reformës Zgjedhore. Nuk është reforma as e Partisë Socialiste dhe as e Partisë demokratike. Është e gjithë shqiptarëve, e këtyre këtu në sallë por edhe e gjithkujt jashtë saj.

Po ndalem edhe tek një temë tjetër që ka ndezur debat ditët e fundit, sistemi zgjedhor. Duhet të kuptohet se sistemi nuk është një listë dëshirash. Nuk jemi këtu për të bërë themelet e para të Republikës së re, se kështu thoshte dhe ai “Republika e re”. Si do ta bëjmë Republikën e re? Myslymi ka një ide të caktuar për Republikën e re. Lulzim Basha hodhi një ide tjetër dje në bulevard, tha do ti kthehem variantit që se ka sjellë ndonjëherë. Pra, ka shumë sisteme, problem është se si do të arrijmë ne rezultat? Po të hapim ne lojën e sistemit në ato mënyra që themi, ne do të shpërbëjmë Kushtetutën e Shqipërisë. Sepse kur ndryshohet sistemi zgjedhor, nuk ndryshohet vetëm mënyra se si përkthehen votat në mandate por ndryshohen edhe raportet që ka qeveria me parlamentin, ndryshohet edhe raporti që ka Presidenti me Parlamentin, ndryshohen edhe raportet që mund të kenë organet e drejtësisë me Parlamentin sepse kemi të bëjmë me një kompozim krejt të ndryshëm.

Do të thotë që nëse e hapim lojën e sistemit, nuk po them që nuk ka ardhur momenti, por ne nuk mund ta zgjidhim tani. Nuk zgjidhet kjo kur gjysma e eelektoratit është në rrugë, një pjesë tjetër këtu thotë dua unë se kam votat dhe të bllokoj. Mbi të gjitha ajo do një klimë të qetë. Bëhet fjalë për themelet e Republikës së Shqipërisë. Dikush mund të thotë po si e bëtë ju në vitin 2008. Po, atëherë pati një konsensus të gjërë nga forcat kryesore politike. Nëse sot ka konsensus të gjërë jam dakord, hajde ta eksplorojmë edhe atë por gjithë ata që na dëgjojnë duhet ta marrin parasysh që po u prek sistemi do të preket dhe do hapet loja me gjithë këto tema për të cilat unë fola. Pra, të gjitha raportet e gjitha institucioneve tjera karshi Parlamentit dhe elektoratit. Kështu që ju lutem, mos e ktheni sistemin në një listë dëshirash. Nuk është një listë dëshirash, sistemi janë themelet e Republikës sonë e cila nuk bëhet me koka të nxehta por do paqe dhe mirëkuptim.

Nëse ka një zgjidhje unë po e them. Mendoj se mund të ishte zgjidhje kompromisi, një propozim që jo detyrimisht duhet të merret parasysh. Le të bëjmë reformën zgjedhore, Kodin Zgjedhor, për ti dhënë shqiptarëve zgjedhje të ndershme tani. Çështja e sistemit pse jo le të hapet menjëherë, pasi Shqipëria ka detyrime të mëdha karshi Bashkimit Evropian dhe mund të hapet për themelet e reja të demokracisë shqiptare por në fillim të kemi kulturën e pranimit të rezultatit, të shtrëngimit të dorës dhe bashkëpunimit nesër për qeverisjen dhe reformimin e këtij vendi.

 

Faleminderit,

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi    Artikulli i mëparshëm