Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Prokuroria kërkon “të varrosë” aferën CEZ duke dërguar dosjen në Gjykatë me qëllim mbylljen e saj

Të reja

Prokuroria kërkon “të varrosë” aferën CEZ duke dërguar dosjen në Gjykatë me qëllim mbylljen e saj

10 Nov 2017    

Deklarata për media e deputetes së Partisë Socialiste, Evis Kushi:

 

Jam këtu si anëtare e Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e privatizimit të kompanisë “CEZ”,

për të kërkuar edhe njëherë tjetër që kjo aferë, si një prej aferave më të qarta e më të mëdha të korrupsionit në këto 27 vite, të mos mbyllet.

Komisioni ynë Hetimor, ndryshe nga të gjitha komisionet e tjera i çoi hetimet deri në fund, dhe me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, në respekt të plotë të ligjit për Komisionet Hetimore i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit penal, duke i vënë në dispozicion edhe të gjitha gjetjet dhe provat e nevojshme. 

Pse Prokuroria e mbylli çështjen pa bërë asnjë hetim?

Pse Prokuroria e mbylli çështjen pa vlerësuar provat dhe kërkesën e paraqitur nga Kuvendi i Shqipërisë?

Pse Prokuroria e mbylli çështjen pa dëgjuar asnjë të dyshuar dhe asnjë dëshmitar?

Thënë ndryshe, Prokuroria kërkon “të varrosë” aferën CEZ duke dërguar dosjen në Gjykatë dhe duke kërkuar mbylljen e saj.

Në këtë rast është e qartë që ky institucion ka vepruar haptazi në kundërshtim me ligjin.

Si ka mundësi që Raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë është marrë zyrtarisht nga organet e drejtësisë në Çeki? Atje prokuroria po heton imtësisht kompaninë CEZ, përfshirë edhe transferimin në Shqipëri të 6.8 milionë eurove; ndërsa  në Shqipëri, organi i prokurorisë as nuk e merr fare në konsideratë dhe e çon dosjen për ta mbyllur në gjykatë.

Sot që flasim për Reformën në Drejtësi,

Sot që flasim për Vettingun e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar,

Sot që flasim për dënimin e politikanëve të korruptuar,

ka akoma prokurorë që guxojnë të falin krimin pa e hetuar atë.

Por ne nuk do të ndalemi për asnjë moment.

Ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund,

me të njëjtin vullnet dhe përkushtim,

për të pastruar sistemin e kalbur dhe për t'i dhënë shqiptarëve drejtësinë e munguar dhe të kërkuar prej vitesh.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm