Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Pas dhunës në Parlament fshihen gjyqtarët dhe politikanët e korruptuar

Të reja

Pas dhunës në Parlament fshihen gjyqtarët dhe politikanët e korruptuar

12 Apr 2018    

Kryeatri i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla pas seancës së Kuvendit, në një prononcim për mediat deklaroi se është e turpshme që një pjesë e madhe e dhunës në sallën e Kuvendit ka ardhur nga deputete vajza dhe gra. 

Sipas Ballës, gjithë kjo dhunë sot në parlament është shprehja më e qartë e një solidariteti mes gjyqtarëve të korruptuar e politikanëve të korruptuar ende në parlament, sikurse Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Sali Berisha.

Më poshtë fjala e plotë për media i kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla:

Sot ka pasur dhunë në parlament, por akti më i rëndë dhe më i turpshëm është se një pjesë e madhe e dhunës ka ardhur nga deputete, vajza dhe gra.

Ashtu siç e nisa ta them edhe në seancë plenare, sot është seanca e fundit plenare përpara se në datën 17 prill Shqipëria dhe gjithë shqiptarët të marrin një lajm të mirë e pozitiv, rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë në procesin e integrimit Europian.

Ky do të jetë një lajm shumë i mirë dhe shumë i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët.

Po ashtu, sikurse jo më larg se dje, procesi i Vettingut po ecën përpara, Reforma në Drejtësi po ecën përpara. E gjithë kjo dhunë sot në parlament është shprehja më e qartë e një solidariteti mes gjyqtarëve të korruptuar dhe politikanëve të korruptuar ende në Parlament sikurse Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Sali Berisha, etj, të cilët në solidaritet me gjyqtarë të korruptuar sot u munduan që të bllokojnë vijimin normal të seancës.

Megjithatë, Kuvendi i Shqipërisë vijoi punën e vet! Sot miratuam një marrëveshje shumë të rëndësishme me Kosovën, po të kemi parasysh njohjen e dyfishtë të pensioneve qoftë në atë anë apo në këtë anë të kufirit. Një proces i vazhdueshëm i bashkëpunimit me Kosovën, i cili është dhe mbetet prioritet i qeverisjes sonë.

Është e turpshme që qoftë Partia Demokratike, qoftë LSI nuk votuan një marrëveshje kaq të rëndësishme me Kosovën.

Së dyti, kishim edhe një marrëveshje tjetër, kësaj radhe me Italinë dhe Komisionin Europian në kuadër të projekteve Interreg. Edhe kjo ishte një marrëveshje shumë e rëndësishme në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë, Italisë dhe Bashkimit Europian.

Kuvendi i Shqipërisë sot me gjithë pamjet e turpshme të servirura me buton nga koordinatori i dhunës Sali Berisha, i cili sapo hyri në sallë urdhëroi Monikën dhe Lulin që të bënin dhunën e rastit; dhe sigurisht Monika, vajzat e veta dhe Luli djemtë e vet për të bërë dhunën e radhës.

Megjithatë, dua t’u them sot të gjithë shqiptarëve se ne jemi shumë të vendosur për të çuar përpara Reformën në Drejtësi; jemi shumë të vendosur që procesi i Vettingut të vijojë me paanshmëri e pavarësi të plotë, ashtu sikurse është parashikuar në Kushtetutë dhe në Reformën në Drejtësi.

Jemi plotësisht të bindur se edhe pas pamjeve, edhe pas përpjekjes së sotme të aleancës kundër Reformës në Drejtësi, aleancës kundër hapjes së negociatave PD-LSI, ne në datë 17 do kemi lajm të mirë për shqiptarët.

Meqenëse vajza dhe gra në Kuvendin e Shqipërisë bënë akte të turpshme, do të kërkoja edhe ty (gazetares) si një vajzë dhe grua e nderuar që ta kishte fjalën kolegia Spiropali.

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm