Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Modeli ynë për të frenuar korrupsionin në dogana dhe tatime

Të reja

Modeli ynë për të frenuar korrupsionin në dogana dhe tatime

10 Apr 2013    
Ky është libri i katërt i Programit, që është një nga dy librat e Ekonomisë. Zgjodhëm Elbasanin, sepse ne besojmë që ky qark i goditur jashtëzakonisht rëndë nga papunësia ka një potencial shumë të madh qoftë natyror, qoftë njerëzor, për t’ju kthyer punës për të prodhuar përmes punës dhe për të krijuar mirëqenie nga puna. Ne duam që në qeverisjen tonë t’i japim një pamje të re modelit të zhvillimit.

Dua të them diçka lidhur me punësimin duke qenë se në fund të ditës, e gjithë skema e Programit në aspektin ekonomik, dhe këtu jo vetëm në fushat që janë të lidhura drejtpërdrejtë me ekonominë, por dhe në arsim si një pjesë shumë e rëndësishme për ne për të nxitur punësimin, lidhet me punësimin.

Ne kemi folur shpesh për një shifër zyrtare të rënies së punësimit në këto 4 vite, dhe i jemi referuara INSTAT sipas të cilit nga viti 2009 në vitin 2012, pra në 3 vjet kanë humbur 51 mijë vende pune. Kundërpërgjigja nga ana e qeverisë ka qenë shumë e dobët madje jo etike në raport me publikun, mbështetur në gënjeshtrash pas gënjeshtrash lidhur me ato 10 mijë e 400 km rrugë të ndërtuara një përrallë që pastaj i hap rrugë përrallës së hapjes së vendeve të punës në rrugë. E çfarë ka ndodhur mbas një shkëmbimi relativisht të gjatë replikash lidhur me punësimin. Pak ditë më parë faqja zyrtare e INSTAT është mbyllur. Ka pasur një black out prej rreth 4 ditësh. Madje me shakanë që është gjysma e të vërtetës kemi vënë dhe një bast me Ilir Beqen, Sekretarin e Programit, që kjo nuk ishte një fikje teknike po pas këtij black out-i do të kishim ndryshime të konsiderueshme në të dhëna.

Megjithatë edhe mbasi e kanë manipuluar në mënyrën më brutale shifrën e rënies të punësimit prapë së prapë nuk kanë mundur të shkojnë më shumë sesa -9mijë vende pune. Pra, nuk kanë mundur dot ta çojnë shifrën zero ose ta çojnë pozitive. Ndërkohë që sot ne kemi në dispozicion një tjetër burim zyrtar që është Banka e Shqipërisë, do u sillja në vëmendjen tuaj dhe të publikut disa të dhëna që vërtetojnë atë çka ne kemi thënë në mënyrë të përsëritur. Kemi folur në mënyrë të përsëritur për faktin se rritja nominale e pagave që qeveria e propagandon si sukses të madh ekonomik dhe ju kërkon qytetarëve të jenë të lumtur me këtë zhvillim, në fakt nuk është shoqëruar me rritje të fuqisë blerëse, por me rënie të fuqisë blerëse, themi ne. Për ne llogaria e thjeshtë është ajo që bëhet në xhepin e qytetarëve dhe në buxhetin e familjes. Të thuash që e rritëm pagën me kaq e me aq ke thënë vetëm gjysmën e të vërtetës, sepse gjysma tjetër është sa kjo rritje e pagës ka sjellë rritje të konsumit dhe sa ka sjellë rritje të fuqisë blerëse të familjeve. Pra, a blejnë më shumë sot familjet apo blejnë më pak. Dhe si çdo gjysmë e vërtetë që mund të jetë një gënjeshtër më e madhe se gënjeshtra kjo gënjeshtër del lakuriq kur në raportin e Bankës së Shqipërisë thuhet ‘mbështetur mbi të dhënat e statistikave afatshkurtra treguesi i pagës mesatare në ekonomi shënoi një rënie vjetore mesatare me rreth 7.7% gjatë tremujorëve të parë të vitit. E deflatuar me indeksin e çmimit të konsumit, paga reale e shqiptarëve ra me 9.4% në krahasim me vitin e kaluar. Pra, paga reale e shqiptarëve është rreth 10% më e ulët konsideruar fuqinë e tyre blerëse.

E dyta, që përsëri nënvizon atë që ne kemi thënë në mënyrë të përsëritur. Aktiviteti i investimeve private vlerësohet të ketë qenë më i ulët gjatë vitit 2012. Kjo ecuri reflektohet nga rënia e importit të makinerive dhe pajisjeve me -16.7%.

Së treti, forca e punës. Vijmë përsëri tek debati nëse është rritur apo ka rënë punësimi. Janë dhënë ca shifra fantastike që “janë krijuar 200 mijë vende pune, nga këto 130 mijë janë krijuar në bujqësi e me radhë”. Ja çfarë thotë BSH forca e punës jo në vite, po nga 3 mujori i dytë në 3 mujorin e 3-të të vitit 2012 ka rënë me 12 mijë. Ndërkohë që në sektorin privat bujqësor aty ku bëhet gjithë manipulimi me shifrën e punësimit, aty ku mundohet të fshihet qeveria për të thënë se nuk janë 1 milionë të papunë siç kemi thënë ne, dhe aty ku qeveria pretendohet se ka hapur 130 mijë vende pune, vetëm nga 3 mujori i 2-të në 3 mujorin e 3-të të 2012 kemi 21 mijë vende pune më pak. Këto janë shifrat.

E fundit, vendi i uljes së taksave në mënyrë të vazhdueshme, vendi ku është shfaqur kërcënimi ynë sipas tyre se me fitoren tonë do rriten taksat. Ja çfarë thotë Banka e Shqipërisë për vitin e kaluar. “Në kategorinë e të ardhurave tatimore, zëri i vetëm me kontribut pozitiv në ndryshimin e të ardhurave ka qenë ai i taksave kombëtare me rreth 2.2 pikë përqindje nën ndikimin e masave fiskale që kanë sjellë rritjen e disa taksave krahasuar me një vit më parë”. Pra, vetë Banka e Shqipërisë nxjerr në pah atë që ne e kemi thënë taksat nuk janë ulur, taksat janë rritur. Të gjitha këto të dhëna të mbledhura së bashku nxjerrin qartësisht në pah dallimin shumë të madh mes atyre që do të qeverisin Shqipërinë dhe për 74 ditë dhe nesh që do qeverisim Shqipërinë mbas 23 qershorit dhe ky dallim është edhe këtu në qasjen ndaj ekonomisë reale, ndaj shifrave reale, ndaj problemit real të ekonomisë familjare. Ekonomisë familjare që sot është krejt e kundër me qasjen e tyre. Qasja e tyre ndaj ekonomisë reale është një qasje manipuluese për shkak se ekonomia reale nuk mund të zhvillohet më tutje me këtë model që ka shteruar. Qasja jonë është që të ndryshojmë modelin ekonomik. Të nxjerrim në dritë shifrat reale, për të ndërtuar me shqiptarët një marrëdhënie etike, nuk mundet që qeveria të gënjejë përditë dhe ta çojë përditë në drejtim të gabuar një popull të tërë duke i nxjerrë përpara shifra të manipuluara dhe duke falsifikuar realitetin. Sigurisht qasja e tyre është “ne ju kemi rritur rrogat dhe ju duhet të jeni të lumtur”. Qasja jonë është rritja e rrogave matet në rritjen e fuqisë blerëse të familjeve. Nëse rroga rritet kaq dhe çmimet rriten shumë më tepër atëherë nuk është rritur po ka rënë ekonomia familjare.

Pjesa e programit që ka të bëjë me bashkëpunimin me Kosovën.

Ne besojmë se kemi një potencial shumë të madh të pashfrytëzuar për ekonominë tonë kombëtare që është situata e re gjeopolitike e shqiptarëve në rajon dhe prania e dy shteteve shqiptare që deri më sot nuk kanë arritur dot të ndërtojnë dhe ne mendojmë për përgjegjësitë të qeverisë shqiptare, urat e bashkëpunimit ekonomik, në mënyrë të atillë që kjo situatë e re dhe paqja e bashkuar me Shqipërinë dhe me Kosovën, si faktor stabiliteti, të prodhojë mirëqenie ekonomike. Të mos jetë thjesht një statu quo në vetvete, por të jetë një platformë zhvillimi ekonomik.

Shumë shkurtimisht, do thosha që, ne duam të ndërtojmë një hartë të prodhimit bujqësor dhe blegtoral së bashku me një plan kombëtar për agropërpunimin që dëshirojmë ta ndërtojmë bashkërisht me qeverinë e Kosovës. Duke e konceptuar gjithë hapësirën shqiptare, që nuk ka pse të pengohet nga një kufi që, praktikisht, nuk na pengon për të bërë asnjë lloj aktiviteti të ndërsjellët në mënyrë që prodhimi shqiptar bujqësor dhe blegtoral, të jetë një prodhim që të zhvillohet në një hapësirë tregtare më të gjerë dhe njëkohësisht të përfitojnë nga variacionet klimaterike në një territor më të madh.

Së dyti, ne do ta vëmë menjëherë në lëvizje projektin e bllokuar të interkonjeksionit. Pasi besojmë që në aspektin e sigurisë energjetike dhe në aspektin e prodhimit të energjisë me tendencë uljen edhe të çmimit të energjisë ka një potencial të pashfrytëzuar pikërisht në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Paralelisht me vënien në lëvizje menjëherë të projektit për interkonjeksionin ne duam të ndërtojmë bashkërisht një plan strategjik për sigurinë energjetike të kësaj hapësire shqiptare dhe për furnizimin me energji në një treg që është më i gjerë se sa tregu më vete i Shqipërisë dhe i Kosovës duke e parafytyruar edhe falë konsultave që kemi bërë me ekspertë të huaj, mundësinë që potenciali i këtij tregu mund të shtrihet dhe përtej dy shteteve tona.

Së treti, Shqipëria ka pasur në vitet ‘30 një ofertë turistike të unifikuar bashkë me Kosovën. Duke shfrytëzuar faktin që një ofertë e tillë është shumë më e shtrirë përgjatë vitit, pasi pjesa bregdetare është e shfrytëzueshme në një periudhë të vitit dhe pjesa malore në një periudhë tjetër të vitit, duke shfrytëzuar faktin se në këtë hapësirë të përbashkët ka më shumë atraksione turistike, qoftë natyrore, qoftë të trashëgimisë kulturore, dhe duke shfrytëzuar faktin që nga pikëpamja e kuriozitetit për të zbuluar gjithë këtë territor një ofertë turistike e përbashkët është më atraktive. Ne besojmë që është koha për ta rimarr këtë traditë dhe për të ndërtuar një ofertë të përbashkët turistike me Kosovën.

Së katërti, ne besojmë që ka një potencial tjetër krejtësisht të pashfrytëzuar që është potenciali i projekteve të përbashkëta infrastrukturore në nivel rajonal, ku bashkërisht me Kosovën, por edhe me shtete të tjera, ne mund të ndërtojmë një qasje të re ndaj bashkësisë europiane, duke pasur parasysh se deri më sot gjithë rajoni ynë ka mbetur thjesht në nivelin e një hapësire politike, me probleme politike, me çështje politike mes vedi, me zgjedhje politike, por nuk ka kaluar në nivelin e një hapësire zhvillimi rajonal ekonomik. Projekti i infrastrukturës hekurudhore, është një projekt që ka mbetur vetëm në nivelin e një ideje dhe që të gjitha shtetet e rajonit janë të interesuara ta rimarrin për të përfituar nga bashkëveprimi me Bashkimin Europian. Po ashtu ne sot kemi kujtesën e një deklarate që është bërë për zhvillimin e portit të Shëngjinit dhe kthimin e tij në port i Kosovës. Një deklaratë e mbetur si shumë deklarata të tjera thjeshtë propagandistike. Por, zhvillimi infrastrukturës portuale në Shqipëri është një potencial i pashfrytëzuar dhe është dhe një potencial për një qasje rajonale dhe për të ndërtuar edhe këtu projekte të përbashkëta infrastrukturore që do t’i interesonin padyshim edhe Bashkimit Europian.

Së fundi, është e domosdoshme që ne të ndërtojmë procesin për të bashkuar doganat. Jemi dëshmitarë të konflikteve që përsëriten në doganë për çimenton, për pataten, së fundmi për miellin dhe vështirësisë që kanë produktet për të qarkulluar në një treg të papenguar nga ky kufi dhe nga kushtëzimet doganore. E kemi verifikuar imtësisht që bashkimi doganor është një hap plotësisht i mundshëm që nuk pengohet nga marrëveshja e stabilizim asociimit dhe që nuk pengon rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Europian. Përkundrazi, krijon lehtësira për ta perceptuar dhe për ta përdorur kufirin si një vijë që nuk ekziston, më mënyrë që të gjitha prodhimet të kalojnë nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas njësoj siç kalojnë nga Shkodra në Vlorë. Ashtu sikundër besojmë se nuk është e paarsyeshme po kjo është një ide që do duhet të konsultohet edhe me palën tjetër, pra me qeverinë e Kosovës, për të ndërtuar një Komitet Ndërshtetëror për përafrimin e legjislacionit. Përafrimi i legjislacionit tregtar që krijoi mundësinë që mosmarrëveshjet tregtare të shkojnë duke u eliminuar është i domosdoshëm dhe plotësisht i mundshëm. Të gjitha këto në fakt do na japin mundësinë të shikojmë atë që ende nuk arrijmë dot ta shikojmë. Bashkimi Kombëtar, për të cilin flasim, dhe fatkeqësisht, përflasim në momente kur nevojat politike e mprehin gjuhën në drejtimin e gabuar të nacionalizmit ka ndodhur si një fakt që na jep mundësinë të bashkëpunojmë lirisht në të gjitha fushat. Që na jep mundësinë që ta konceptojmë hapësirën që ndajmë mes dy shtetesh si një hapësirë të përbashkët për të krijuar një mirëqenie, nga e cila të përfitojnë shqiptarët dhe këtej dhe andej kufirit. Nëse, ne e arrijmë ta shikojmë që bashkimi kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është një fakt që quhet i kryer kur kemi një qeveri të përbashkët dhe një mbret për të dyja anët në një territor të përbashkët, por është një vizion i të ardhmes që quhet i kryer kur arrijmë që hapësirën ku jetojmë ta shfrytëzojmë maksimalisht për të gjithë aktivitetin ekonomik, tregtar, kulturor dhe shpirtëror të këtij kombi të ndarë në dy shtete. Kjo është në fund të fundit edhe fryma e Bashkimit Europian, ky është në fund të fundit dhe rrugëtimi ynë i përbashkët drejt BE dhe kjo është në fund të fundit dhe e ardhmja e vetë Europës mes kombesh që janë të ndryshme dhe jo i njëjti komb. Nëse ne arrijmë jemi të zotë që ta çojmë përpara këtë vizion, pa as më të voglin dyshim fakti që jetojmë në dy shtete kthehet në një avantazh dhe jo në një pengesë, për të administruar në mënyrë shumë më efikase potencialet që i konsiderojmë të përbashkëta dhe që i zhvillojmë bashkërisht.

Në vitin 2007 u vendos taksa e sheshtë. U vendos, që pavarësisht se ti merr një rrogë që është për të mbijetuar, ti do taksohesh më shumë sesa ata që kanë rroga më të larta. Po ashtu kjo u shtri edhe tek sipërmarrja.

Sot, ne kemi rreth 400 mijë shqiptarë, të moshuar, në moshë pune apo fëmijë, që përfitojnë drejtpërdrejtë nga biznesi vogël, sepse prindërit kanë hapur një dyqan, kanë hapur një aktivitet, janë vetëpunësuar apo kanë punësuar dhe ndonjë tjetër. Quhen biznesmenë të vegjël, por në fakt janë thjesht shqiptarë të vetëpunësuar. Me këtë sistem të taksës së sheshtë një ushqimore në Elbasan, që ka edhe barrën e tmerrshme të librit të veresies, paguan më shumë taksa se “Sheratoni” në Tiranë. Një furrë buke aty në lagje, që ka siklete të mëdha për shkak se është rritur çmimi i miellit, për shkak se është rritur çmimi i energjisë, për shkak se njerëzit siç na tregoi kur ishim me Qazimin një zonjë në një furrë buke, vijnë dhe tanimë nuk e blejnë më bukën të plotë, por blejnë riska buke, megjithatë paguan më shumë taksa sesa ç’paguan “15 katëshi”. Kjo duket absurde, por është e vërtetë. Ne jemi në krahun tjetër. Ne themi JO! Ata që fitojnë më shumë do paguajnë më shumë.

Ajo çka ne zotohemi është që mbas 23 qershorit të ndërtojmë një sistem taksimi të ndershëm dhe të ulim barrën e taksave për 95% të shqiptarëve. Vetëm nga sistemi i taksimit të ndershëm një mësues apo mësuese do të fitojë direkt një rrogë më shumë. Qysh në vitin e ardhshëm të gjithë rrogëtarët deri në atë nivel që ne e kemi përcaktuar si shtresa e mesme në Shqipëri do të fitojë direkt mesatarisht një rrogë më shumë. Nga ana tjetër, kjo do të sjellë që deputetët, ministrat, kryeministri, presidenti dhe të gjithë ata që kanë rroga të këtij niveli të paguajnë më shumë taksa. Kjo është logjike, sepse praktikisht, jetojnë më mirë, nuk janë në kufijtë e mbijetesës dhe përfitojnë më shumë nga ky vend.

E njëjta gjë në fshat. Duket sikur në pamje të parë fshati nuk paguan taksa. E vërteta është ndryshe. Fshati paguan taksat e fshehta. Paguan taksat e fshehta, që janë ato që përmblidhen me atë emrin TVSH, që është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, por që në fakt është një taksë e fshehtë. Është një taksë e fshehtë që e paguajnë të gjithë. Çdo njeri duhet ta dijë që kur i vjen fatura e energjisë aty brenda ka një taksë, nuk është vetëm çmimi i energjisë, është edhe 20% taksë. Kur i vjen fatura e ujit edhe brenda saj ka një taksë. Kur pi një kokërr, nga ato të voglat për tensionin pensionisti edhe aty brenda ka një taksë 10%, e merr shteti. Edhe aty, në atë kokrrën e vogël. Dhe kështu ka taksë për plehrat, për farërat, për naftën, madje nafta ka një taksë të fshehtë të dyfishtë, që është akciza, është edhe taksa e qarkullimit.  Ne dëgjojmë shifra që shkojnë duke u shtuar për trajtimin e familjeve në fshat. Në fillim fare Ministri i Bujqësisë thoshte kemi ndihmuar 12 mijë familje. Pastaj e bëri 25 mijë. Saliu e çoi në 46 mijë. Ndërkohë që ne me sistemin tonë të taksimit të ndershëm do ndihmojmë direkt 312 mijë familje që jetojnë në fshat, duke ulur kostot e prodhimit. Ashtu sikundër do ta heqim taksën e sëmundjes 10% në çdo aspirinë, 10% në çdo ilaç tensioni, 10% në çdo lloj ilaçi apo në çdo lloj shërbimi shëndetësor. Kjo, sigurisht, do sjellë një lehtësim të ndjeshëm.

Po ashtu ne do të ndryshojmë edhe sistemin e taksimit për biznesin e vogël duke hequr tërësisht taksën e biznesit të vogël, pra duke i dhënë mundësinë edhe biznesi i vogël sot të marrë frymë. Sot biznesi i vogël nuk ka vetëm taksën e sheshtë. Taksa e sheshtë, është një gjë e habitshme që këta janë kaq indiferentë dhe kaq brutalë me pjesën më të dobët të shoqërisë dhe me pjesën më pak të mbrojtur, saqë sot biznesi i vogël është futur në një sistem taksimi të dyfishtë, çka është antikushtetuese. Paguan një taksë që quhet taksa e biznesit të vogël, që nuk është taksa e sheshtë, është tjetër kjo, është shtesë dhe paguan edhe taksën e sheshtë. Ne do ta heqim fare taksën e biznesit të vogël, ndërkohë që tek taksa tjetër, që është taksa mbi fitimin, e cila sot është 10% do ta ulim dhe do t’u krijojmë mundësi të vetëpunësuarve që të fillojnë të marrin frymë lirisht.  Do t’u krijojmë mundësi të rinjve që ta imagjinojnë veten sipërmarrës të vegjël, por duke pasur nxitjen se do fitojnë lekë, jo të shkojnë të hapin një dyqan dhe të falimentojnë brenda 3 muajsh apo të shkojnë të hapin një ushqimore dhe pastaj të gjenden të zhytur në borxhe, për shkak se nga një anë ju japin njerëzve ushqime borxh pa lekë dhe nga ana tjetër marrin borxhe për të paguar taksat, sepse janë në borxh me ata të shumicës. Gjithë ky cikël kërkon një zhvillim të ri. Ne do ta fillojmë këtë zhvillim të ri duke e prishur këtë cikël dhe duke ndërtuar sistemin e taksimit të ndershëm.

 

Historia e të gjithë sipërmarrësve që nuk janë klientë të oborrit të pushtetit, apo edhe historia e shprehur me deklarata shumë të forta nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, nga Biznes Albania, nga Dhoma Gjermane e Sipërmarrësve dhe nga vetë institucionet ndërkombëtare, tregon se jetojmë në një kohë gjuetie shtrigash ndaj biznesit. Kjo bën që ajo taksa 10% me të cilën krenohet qeveria, të jetë siç e tha para dy ditësh një sipërmarrës gjerman, një fantazi politike. Sepse realiteti i sipërmarrjes është realiteti i gjobave, që e çojnë kontributin në buxhet deri në 300% nga xhepi i një sipërmarrësi. Ndërkohë që mesatarja e taksës, sepse pavarësisht se shkruhet 10% taksë, rëndësi ka sa nxjerrë nga xhepi sipërmarrja në fund të vitit. Pra mesatarja e parave që sipërmarrja nxjerr nga xhepi për ti çuar jashtë ose në xhep të shtetit ose në xhepin e pushtetit të korrupsionit, është 22%.  Pa llogaritur këtu taksën e kohës dhe pa llogaritur këtu ryshfetet. Flasim këtu vetëm mbi llogarinë e parave të arkëtuara nga shteti në formë takse apo në formë gjobash.

Ka një problem themelor në këtë marrëdhënie që është problemi i administrimit. Pra përtej taksimit të ndershëm qëndron sfida e administrimit, që do të thotë e krijimit të një marrëdhënieje etike mes sipërmarrjes dhe qeverisë dhe e vendosjes së sipërmarrësit në piedestal, përkundër kontributeve që ai jep rregullisht sipas ligjeve të shtetit.

Janë dy masat që ne duam të marrim. Njëra është masë që e kemi lajmëruar në tryezën e dytë që bëmë me sipërmarrjen, unifikimi i administratës. Sot sipërmarrja ka një administratë tatimore bashkiake, një administratë tatimore kombëtare, pa llogaritur pastaj edhe pjesën e gjuetisë së shtrigave që është shtesë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë më shumë shpenzime nga paratë e publikut për të mbajtur në këmbë një administratë. Kjo do të thotë më shumë zvarritje dhe më shumë trokitje në derën e sipërmarrjes, kjo do të thotë më shumë korrupsion. Ne duam të ndërtojmë një administratë tatimore të unifikuar në vetëm një institucion. Që do të thotë, në rast se bashkitë ose komunat nuk do e bëjnë vetë mbledhjen e  parave, do të marrin ekzaktësisht paratë që mblidhen nga kontributet e njësisë vendore dhe që u takojnë me ligj bashkive dhe komunave. Por duke ulur ndjeshëm këtë arbitraritet dhe duke ulur ndjeshëm gjithë këtë volum të madh zvarritje por dhe volum të konsiderueshëm parash që harxhohen për ta mbajtur këtë administratë shumë të fryrë.

E dyta, ne do t’i japim doganat në menaxhim të huaj. Kjo është një gjë e re që nuk e kemi thënë më përpara, por është pjekur si ide. Domethënë do të administrojmë gjithë marrëdhënien e sipërmarrjes me doganën përmes një kontrate me një agjenci ndërkombëtare të specializuar duke ulur në mënyrë drastike të gjithë atë korrupsion dhe atë arbitraritet që sot po i merr frymën sipërmarrjes në doganë. Historitë e menaxhimit të doganave nga agjencitë ndërkombëtare të specializuara në shumë vende si vendi ynë, vende në zhvillim me probleme të mëdha korrupsioni në doganë, janë histori që flasin për sukses dhe flasin për rritje shumë të ndjeshme të të ardhurave në buxhet dhe njëkohësisht për një ulje shumë të ndjeshme të arbitraritetit dhe krijimin e kushteve të trajtimit të barabartë në doganë.

Duke shkuar pak më tutje, tek pjesa e marrëdhënies me biznesin, dua të them se përveç këtyre dy sistemeve të reja, që ne duam të ndërtojmë me besimin, që janë sistemet që e garantojnë transparencën dhe efektshmërinë dhe nuk janë personat, ne duam po ashtu të ndërtojmë një Këshill Kombëtar të sipërmarrjes, i cili  të jetë një institucion i njohur nga qeveria dhe që funksionon në mënyrë sistematike. Jo një Këshill Konsultativ Biznesi si ky që figuron në letër, por që nuk mbahet mend kur është mbledhur herën e fundit, por një Këshill Kombëtar i sipërmarrjes, ku të dyja palët, qeveria me ekspertë dhe sipërmarrja me përfaqësuesit e vet të ulen njëherë në muaj për të diskutuar. Dhe po ashtu një zyrë e këtij këshilli që do të garantojë funksionimin e përditshëm të marrëdhënies mes sipërmarrjes dhe qeverisë të jetë në Këshillin e Ministrave. Kjo do të rrisë jashtëzakonisht shumë shkallën e informacionit të brendshëm nga sipërmarrja, do të rrisë jashtëzakonisht shumë vetëdijen e gjithë administratës tatimore për ekzistencën e një kanali informacioni që bën që gjitha shfaqet e arbitraritetit të mos mbeten rrugës dhe për këtë shkak qeveria jetë e painformuar.

Së fundi, ndërkohë që flasim për taksim të ndershëm, ndërkohë që flasim për rritje të kontributit të sipërmarrjes, ndërkohë që flasim për domosdoshmëri, se është një domosdoshmëri ndryshimi i sistemit dhe të vendosjes së sipërmarrjes brenda kornizës së vlerës së progresivitetit, ne duhet të sigurojmë që këtu nuk bëhet fjalë për të ruajtur këtë sistem, për t’i lënë gjërat të rrjedhin në të njëjtën formë, për të pasur këto xhepa të errët, ku paraja e sipërmarrjes shkon jashtë buxhetit të sipërmarrjes por jo në buxhetin e shtetit. Por bëhet fjalë për të ndërtuar një sistem tjetër duke bërë që ai 22% që del në fund të vitit nga xhepi të jetë më i ulët dhe nëse 10% është më i lartë, është një taksë që shkon për të mirën publike nëpërmjet shtetit. Nuk është një barrë mbi gjithë këtë barrë që marrin këta sot. Për këtë arsye ne i kemi thënë sipërmarrësve dy gjëra:

A-   Në funksion të taksimit të ndershëm, ne do të bëjmë një politikë taksash me dy nivele. Ne biznesin e vogël nuk e konsiderojmë sipërmarrje si të gjitha të tjerat, por e konsiderojmë një hapësirë vetëpunësimi dhe për këtë arsye do ta ulim ndjeshëm edhe taksën 10% mbi fitim që ka sot.

B-   Ne do të flasim për rritjen e taksës 10% për sipërmarrjen vetëm pas 100 ditëve të para, kur ne do t’i japim sipërmarrjes të gjitha arsyet për të parë me fakte dhe jo me llafe, se sistemi i administrimit dhe se marrëdhënia mes sipërmarrjes dhe qeverisë tanimë e garanton rritjen e taksës prej 10% në një nivel që do ta dakordësojmë bashkërisht. Kjo është e ndershme dhe kjo është e drejtpërdrejtë. Nuk është aspak për arsye elektorale, por është për të krijuar me prova bazën e argumentit që kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë dhe sipërmarrja, pra biznesi i madh fiton më shumë dhe duhet të paguajë më shumë. Por duhet të paguajë me patjetër më pak se ç’paguan sot deri në fund të vitit, sepse nga një anë do t’i rritet detyrimi prej 10%, por nga ana tjetër do t’i ulet në mënyrë të konsiderueshme gjithë ai volum lekësh që shkon për korrupsion apo për arbitraritet.

Do të vazhdojmë edhe me pesë librat e tjerë. Besoj e vutë re që materiali është shumë më i dendur, sepse ky është programi më i detajuar që një parti politike ka pasur në 22 vjet dhe praktikisht nuk është një program mirëfilli elektoral, por është një program qeverisës. Është një instrument, që ne e shikojmë jo vetëm si një kontratë për ta vënë përpara shqiptarëve dhe për të marrë votën në 23 qershor, por edhe si udhërrëfyesin e procesit qeverisës pas 23 qershorit. Ju falënderojmë shumë për gjithë kontributin që kemi marrë edhe këtu në Elbasan, si në të gjithë Shqipërinë në rrugëtimin e programit, qysh nga drafti i 5 nëntorit 2011 dhe ju siguroj se sot ne jemi në kushtet kur ne mund të themi që edhe për arsye të zgjerimit të koalicionit ky program është më i sigurt sepse është më e sigurt fakti që nuk rrezikon të mbetet një ëndërr në letër, por do të jetë një ambicie e përbashkët shqiptare që do ta realizojmë në realitet.

 

Fjala e kryetarit të PS, Edi Rama, në prezantimin e kapitullit të Programit “ Për një Rilindje Shqiptare”, Ekonomia 1, në Elbasan

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm