Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Letër e hapur e deputetit të PS Arben Ndoka, drejtuar Grupit Parlamentar të PS

Të reja

Letër e hapur e deputetit të PS Arben Ndoka, drejtuar Grupit Parlamentar të PS

07 Sep 2015    
Drejtuar: Deputeteve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste

Për dijeni: Te gjithë votuesve të Partisë Socialiste

Të dashur miq te Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste!

E ndjej për detyre ndaj jush t'ju jap një shpjegim që dua ta bej edhe publik. Unë jam një njeri që jeta nuk me ka ardhur asnjëherë e lehtë. Ajo ka nisur në Skuraj, një fshat i Kurbinit, ku bëra katër vitet e para të shkollës, Isha nxënësi më i mirë në shkollë dhe fotografia ime ishte në tabelën e të dalluarve. Por, si fëmijë i një familjeje kulakësh në fund të vitit nuk më jepnin flete-lavdërimi.

Ishim të varfër po asgjë nuk më bënte përshtypje më shumë se sa ky diskriminim. Pastaj zbritem në Lezhë, ku bashkë me prindërit dhe vëllezërit ndërtuam një shtëpi të vogël me gurë. Në Lezhë nuk isha më i dalluar në mësime sikur në Skuraj sepse u dhashë krejt mbas sportit.

Më 6 mars të vitit '91 plasi eksodi dhe unë ika me anije nga Shëngjini për në Itali. Isha 16 vjeç e gjysmë. Pas 23 orë udhëtim mbërritëm në Itali. Qëndrimi im atje zgjati vetëm 6 muaj dhe bashkë me rreth 50 minorenë na rikthyen nëpër shtëpia. Ne vitin 1993 iku vëllai, Pak më vonë e mora prapë rrugën me skaf dhe u bashkova me tim vëlla që punonte në një fabrikë hekuri. Pas pak kohësh që ishim bashkë vëllai u rikthye në Shqipëri, ndërsa unë vazhdova të rri atje. Një ditë vëllai vjen prapë në Itali dhe i telefonon një djali nga Lezha, i cili kishte makinë. I thotë që të shkonte ta merrte në Lege, sepse kishte djegur këmben gjate udhëtimit me skaf dhe as në këmbë nuk rrinte dot. Erdhi tek unë me një vajzë me të cilën kishte një lidhje. Ata qëndruan tek shtëpia, ku unë jetoja përafërsisht një javë dhe pastaj shkuan në Romë tek një shok i vëllait. Nga ai moment humba dhe kontaktet me ta. Në atë kohë s'kishte telefona si sot dhe në shqiptarët mblidheshim në një klub të dielave për t'i telefonuar familjeve.

Më vonë mësova që vajza ishte lidhur me një punonjës policie. Ai mbi bazën e një denoncimi të saj kishte sajuar një kontroll në shtëpinë e vëllait dhe në procesverbalin e kontrollit ishte shkruar që në shtëpinë e tij u gjeten 1000 dollarë false dhe një peshore droge. Në fakt ishte e sajuar kjo gjë. Nga lidhja e vajzës me policin që u nda edhe nga gruaja për të bashkëjetuar me të, taksirati ynë s'pati fund. Më ndalojnë edhe mua sepse sipas policisë duhet të jepja sqarime pse i kisha mbajtur ata të dy një javë në shtëpi. Kur doli vëllai në gjyq gjykatësi kërkoi provat materiale që në fakt nuk dolën askund, as peshore droge as dollarë false. Akuzat mbeten pezull dhe im vëlla doli në hetim të lirë. Kohë më vone, krejt rastësisht, bashkë me një shokun e tij i cili sot punon në Kolsh të Lezhës, vëllai ndeshet në rrugë me policin italian dhe me këtë vajzën.

Që të dy (vëllai dhe shoku i tij) i kërkojnë vajzës që të bisedojnë. Im vëlla ishte shumë i dashuruar me vajzën dhe ajo dite mbyllet me sherr me italianin. Por vajza e kishte bërë zgjedhjen e vet me policin italian; ai sherr ka nxitur sulmin fatal mbi tim vëlla që solli pasojën fatale për mua. Çfarë e ka sajuar polici, vajza e ka firmosur dhe çështja ka shkuar e rënduar sa s'ka në kanalet gjyqësore. Nga e gjithë kjo histori që u mundova ta përmbledh sa më qartë, mua më kanë mbetur peshqesh në mungesë dhe ne padijeni totale, 3 vjet e 6 muaj për favorizim prostitucioni (për faktin që ata të dy kanë qëndruar në shtëpinë time një javë, e cila për të mos krijuar keqkuptime sqaroj se ishte e një djali që punonte me mua në furrë buke me të cilin ndanim qiranë) dhe 4 vite për rrëmbim personi.

E di edhe vete se çfarë filmi i pabesueshëm për jetën reale mund t'ju duket kjo që po tregoj. Po kjo është thjesht e vërteta dhe vetëm e vërteta ime që betohem në jetën e të dyja vajzave të mia, s'kam pasur as gisht në ndonjë favorizim prostitucioni apo rrëmbim personi, as dijeni për një gjyq të tërë të bërë pa praninë time. Kaq e vërtete është kjo sa mjafton te pyeten familjaret e vajzës, me të cilët ruaj sot e gjithë ditën një marrëdhënie familjare. Unë pas 7 muaj qëndrim gjithsej atë kohë në Itali kam marrë kursimet e punës dhe kam blerë një makine me të cilën jam kthyer në Shqipëri. Kam vazhduar shkollën e mesme në Lezhe pasi e kisha lënë në vit të parë kur ika në '91-shin në Itali e s'isha marrë më. Bëra dy shkolla të mesme, gjimnazin dhe një agronomi me korrespondence. Isha i fejuar dhe pas dy vitesh u martova. E kam filluar punën në Shqipëri si menaxher i një biznesi të vogël dhe me vonë kam filluar punë në Gardën e Republikës. Pastaj me morën në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Ndërtimore.

Në kurthin e ngritur nga italiani për tim vëlla, i cili theksoj nuk u dënua asnjëherë, unë rashe befasisht shumë më vonë. Gjithçka ndodhi kur me disa miq vendosem të ikim në Itali për të festuar ditëlindjen e Ramadan Hasanajt, ish-deputet i Partisë Socialiste. Unë dhe djali i tij që jetonte në Padova, jemi shokë që të vegjël dhe kjo më shtyu më shumë për të shkuar. Sqaroj se në Itali kisha shkuar shpesh dhe krejt normalisht. Qëndruam 7 ditë me shokun tim dhe në kthim, në momentin e kalimit doganor në aeroportin e Milanos, emri im del në kompjuter si person me precedent! Polici qesh dhe thotë: "Prit pak ta verifikojmë se nuk besoj të jesh ti!" (me siguri ka pasur parasysh faktin se një shqiptar i dënuar me akuzat e mia, nuk mund të jetë aq budalla sa të kalojë serbes në aeroport ku çdo pasaporte verifikohet ne kompjuter. Unë pa diskutim mendova se ishte një ngatërresë që do zgjidhej, po pritja ime zgjati tre dite në aeroport. Pas tre ditësh me komunikojnë 7 vjet e 6 muaj dënim gjithsej! Dy dënime të bëra bashkë! Vdekja do kishte qenë shumë më e lehtë! Nusja e vajza që i kisha në Tiranë u kthyen menjëherë tek baba në Lezhë.

Bëra transferimin e dosjes me idenë që do të mbaroja shpejt, por ajo zgjati gati tre vjet. E kote t’ju lodh me përshkrimin e ferrit shpirtëror brenda mureve të një burgu, ku me kishte ndërprerë jetën një padrejtësi ekstreme. Mbijetova me stërvitje të fortë fizike dhe libra që lexova sa në gjithë jetën time bashkë.

Kur dola i lirë nuk kisha lekë të jetoja. Askush në botë nuk e kuptonte hallin që më hante gjallë nga brenda. Doja të vazhdoja shkollën e lartë me çdo kusht, të cilën me pas e mbarova me shumë sakrifica. Nisa me biznes të vogël derisa krijova një rrjet modest lokalesh, ku luhej bilardo, me fitimet e të cilave erdha me vonë në Tiranë, ku hapëm firmën e duraluminit që më krijoi punë në të gjithë vendin. Kam punuar edhe si drejtor i Drejtorisë së Ekzekutimit dhe më pas si drejtor i Drejtorisë së Inspektimit Teknik në INUK.

Kjo është jeta ime reale. Me falni shume për gjithë këto rreshta, po sidomos për sikletet që ju kanë ardhur nga unë. Ju rrëfeva jetën time ashtu si munda, sepse nuk dua që të iki, duke ju lënë të mendoni se unë jam ai krimineli që ka merituar atë dënimin e rëndë. E vërteta ime mua nuk me vlen, unë jam nja njeri i dënuar nga fati po dhe i dënuar që të mos besohem si i tillë. Kam shumë shpresë që t'ju vlejë juve për të mos u ndjerë keq që më keni pranuar mes jush dhe nuk më keni lënë të ndjehem i vetmuar, kur më kanë sulmuar egërsisht. Por, ju të gjithë miq deputetë, qeveria jonë dhe Partia Socialiste nuk keni pse të viheni në siklet asnjë ditë më shumë nga prania ime.

Unë ju kam borxh ju në radhë të parë, po dhe gjithë atyre që janë me këtë parti, ndjekjen deri në fund të betejës ligjore në Itali apo në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut po që nevoja për të gjetur drejtësi për emrin tim. Lus Zotin të më ndihmojë që t'ia dal t'ju sjell si provë të vërtetësisë së kësaj letre, vendimin e një gjykate të po atij vendi ku jeta ime u nxi sa nuk thuhet. Sepse e di që një vendim gjykatë këtu në Shqipëri nuk do ta besonte askush! Do të mbetem nga larg sallës se Parlamentit një mbështetës besnik i përpjekjeve që ju bëni në atë sallë me disa kriminelë të vërtetë të këtij vendi dhe ma bëni hall all çdo siklet që kaluat për hatërin tim në këto dy vjet betejash për të nxjerrë Shqipërinë nga llumi ku zhyten kriminelet e vërtetë.

Me respekt,


Arben NDOKA

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm