Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Fondacioni “Qemal Stafa”, një start i ri për një stad të ri

Të reja

Fondacioni “Qemal Stafa”, një start i ri për një stad të ri

29 Jan 2018    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, në takimin me Fondacionin “Qemal Stafa”:  

Më vjen mirë që sot jemi në momentin e ristartimit të Fondacionit “Qemal Stafa” me një lidership të ri. Qysh në fillim dua të falënderoj Oltën për të gjithë punën e bërë në drejtimin e Fondacionit dhe t’i uroj punë të mbarë e sukses Teutës, që nga sot do të vazhdojë drejtimin e këtij Fondacioni kaq të rëndësishëm dhe me kaq shumë potencial në funksion të politikëbërjes së Partisë Socialiste në qeveri.  

Nga ana tjetër, faleminderit që në këtë moment ristartimi keni zgjedhur të flasim për Reformën në Drejtësi, e cila, për hirin e të vërtetës, duhet nënvizuar se nuk do të ishte një realitet i prekshëm, një proces në zhvillim në ditët e sotme, nëse Partia Socialiste e Shqipërisë nuk do ta kishte marrë atë përsipër, me përgjegjësi e vetëdije kombëtare.

Më lejoni t’ju them sot, diçka që e kam përsëritur dhe nuk do të lodhem së përsërituri. Kur ne vendosëm që reformën në drejtësi ta përfshijmë në programin për një rilindje shqiptare, përpara sesa të hynim në fushatën fituese të vitit 2013, pati midis nesh zëra të arsyeshëm që e kundërshtuan përfshirjen në program, me argumentin se reforma në drejtësi kërkon ndryshime kushtetuese.

Ndryshimet kushtetuese kërkojnë një shumicë që, edhe në rastin më optimal, një parti e vetme, e Partia Socialiste në atë kohë, nuk do të mund ta garantonte përmes zgjedhjeve. Pra, ishin zëra të arsyeshëm përgjegjshmërie në raport me një objektiv strategjik për vendin, por që mund të rezultonte një angazhim i parealizuar i Partisë Socialiste, duke u përfshirë në programin tonë qeverisës. Unë dhe të tjerë insistuam për të kundërtën dhe e përfshimë Reformën në Drejtësi në programin tonë qeverisës, me bindjen se koha e kishte vendosur këtë reformë në rendin e ditës dhe se duke marrë përsipër përgjegjësinë të qeverisim vendin në një proces kyç të vetë vendit në raport me Bashkimin Europian, do të ishte e pamundur që të shkonim drejt hapjes së negociatave pa Reformën në Drejtësi.

Faktikisht, ne ia dolëm aty ku shumëkush mendonte dhe propagandonte se nuk do ia dilnim dot. Ia dolëm që në mandatin e parë të bëjmë një përmbysje historike të raporteve të klasës politike me këtë reformë, e cila në 25 vjet, në çerekshekulli nuk u ndërmor dot asnjëherë me të njëjtën fuqi dhe me të njëjtën ambicie, por gjithmonë u tha dhe u përkthye në një arnë në xhaketën e vjetër të sistemit të drejtësisë. Ia dolëm që Reformën në Drejtësi ta kthejmë në një proces real dhe ia kemi dalë që ta bëjmë atë sot të pakthyeshme, sepse sot, reforma në drejtësi është e pabllokueshme.

Pavarësisht se të gjithë shqiptarët janë dëshmitarë, jo vetëm shqiptarët, por edhe ata që e ndjekin Shqipërinë, që një frikë e prekshme, e ndjeshme, e dukshme në çdo hap nga kjo reformë e një pjese të klasës së klasës politike është e kudondodhur në çdo hap, reforma vetë është e paprekshme.

Nëse sot Shqipëria është më afër se asnjëherë, vetëm pak muaj larg, momentit historik të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, kjo - e them e krenari dhe pa modesti për Partinë Socialiste, - i dedikohet Partisë Socialiste. I dedikohet kësaj force politike që e mori në sy sfidën, e mori në sy edhe rrezikun dhe që në një moment të caktuar rrezikoi edhe të humbiste mundësinë për të qeverisur, për shkak të një përpjekjeje që mund të përfundonte deri në rrëzimin e qeverisë, me synim bllokimin e Reformës në Drejtësi.

Reforma në drejtësi, ndryshimet kushtetuese dhe gjithçka erdhi më pas nuk do të kishin qenë të mundura, me të gjithë vullnetin tonë të palëkundur, nëse nga njëra anë nuk do të ishte shumica dërrmuese, shumë më tepër sesa shumica jonë politike, e shqiptarëve, që do ta donte dhe do ta mbështeste këtë reformë dhe nga ana tjetër, mbështetja e madhe, e vendosur e partnerëve tanë, e aleatëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

E pra, sot, sfida për ta bërë Shqipërinë më të mirë është një sfidë, e cila është qartësisht në dorën tonë, sepse është një sfidë që kalon pikërisht përmes realizimit në terrenin e jetës së përditshme të kësaj reforme të pandalshme. E nëse çfarë ka ardhur më pas, ka provuar pandalshmërinë e saj, çfarë do vijë më tutje, do të provojë sesa me vend është ambicia jonë dhe sesa me vend është mbështeta e thuajse 90% të shqiptarëve për këtë reformë, zbatimi i të cilës do të fillojë të ndajë në vitet në vijim, politikanët që i shërbejnë vendit nga politikanët që vendin e duan si një mjet për t’i shërbyer vetes; do të ndajë politikanët që e luftojnë krimin e korrupsionin me gjithëmend, nga politikanët që krimin e korrupsionin i kanë materie bazë për baltën e përditshme ndaj kundërshtarit; do të ndajë Shqipërinë e të paprekshmëve dhe e të gjithëpushtetshmëve nga Shqipëria e të gjithëve si të barabartë përpara ligjit; do të ndajë Shqipërinë e derisotme, ku e drejta është një mall që mund të rrëmbehet, sepse je i fortë, apo mund të blihet, sepse je i pasur, nga Shqipëria ku e drejta jepet sipas asaj që të takon, jo sipas asaj që je, apo asaj që ke në xhep.

Dua ta mbyll këtë pjesë, duke nënvizuar qartësisht se integrimi ynë në Bashkimin Europian nuk është qëllim në vetvete, por është materializim i aspiratës për ta bërë Shqipërinë europiane.

Procesi i integrimit nuk është një proces ku ne kemi hyrë për t’i bërë qejfin dikujt, apo sepse na e kërkojnë të tjerët, por është një proces ku ne kemi hyrë për të përmbushur një detyrim ndaj fëmijëve tanë. Shqipëria në Bashkimin Europian nuk është një projekt i huaj, por është projekti i gjeneratës tjetër, që ne kemi detyrë ta çojmë përpara drejt materializimit. E nëse luftojmë për të çelur negociatat për anëtarësim, nuk luftojmë për t’u dukur më mirë karshi të huajve, por luftojmë për të bërë një vend më të mirë për fëmijët tanë, për fëmijët e të gjithë shqiptarëve, pa dallim.

Fondacioni “Qemal Stafa” ka pasur kontributin e vet edhe në këtë proces dhe ka shumë për të dhënë në vijim, si një tryezë e hapur e dialogut, si një urë lidhëse me pjesët e tjera të shoqërisë, sepse është një hapësirë jo ekskluzive e Partisë Socialiste, por është një hapësirë ku është synuar dhe duhet të synohet në vijim, gjithëpërfshirja e të gjithë atyre që ndajnë me ne idealet, idetë, parimet, vlerat e të gjithë atyre që direkt, ose indirekt ndjehen pjesë e kësaj familjeje të madhe socialistësh e progresistësh.

Nga ana tjetër, Fondacioni është një urë lidhëse mes gjeneratave, mes atyre që e themeluan Partinë Socialiste, mes atyre që bënë sa mundën për të çuar përpara projektin e një partie europiane të parimeve e të vlerave të së majtës socialiste e progresiste dhe nesh sot e atyre që do të vijnë pas nesh. Është një urë lidhëse eksperiencash që duhet të sigurojë në vijim, thithjen e opinioneve të atyre që sot nuk janë më në politikën aktive të ditës, por që Partia Socialiste nuk e ka luksin, jo t’i harrojë në kuptimin e figurave, por t’i lërë pa i pyetur, t’i lërë pa i dëgjuar, sepse eksperienca në kohë është një vlerë që krijohet për ata që vijnë më pas dhe janë ata që vijnë me pas, siç jemi ne sot, që kanë nevojën më të madhe për këtë eksperiencë.

Në këtë aspekt, besoj që Fondacioni duhet të shohë me vëmendje të gjitha mundësitë, për të krijuar kushtet që zërat e atyre që e themeluan, e atyre që e udhëhoqën Partinë Socialiste në një proces të vështirë, në një kohë jo të lehtë, të dëgjohen dhe në ndërkohë të sigurohet krijimi i një tradite vazhdimësie, ku ne jemi socialistë, jo pse jemi në politikën aktive të ditës, por sepse ndjehemi të tillë, sepse mendojmë si të tillë dhe sepse kemi gatishmërinë të kontribuojmë si të tillë, pavarësisht pozicionit ku ndodhemi, të tërhequr nga politika aktive e ditës, në politikën aktive të ditës, apo jashtë saj dhe si aktivistë në debatin e sotëm, apo aktual publik.

Unë do doja ta shikoja Fondacionin që të krijonte mundësi të reja për të bashkuar eksperiencat dhe për t’ju dhënë mundësinë atyre që janë më të rinj, - këtu ka vajza e djem që i përkasin gjeneratës tjetër të socialistëve dhe progresistëve në politikën aktive, në opozitë apo në qeverisje, që nuk e njohin mjaftueshmërisht historinë tonë, që nuk kanë pasur mundësi t’i dëgjojnë protagonistët e të djeshmes dhe për të cilët është e rëndësishme që opinioni i protagonistëve të djeshëm e të sotëm të jetë i qartë dhe të jetë në funksion të formimit të tyre si anëtarë të kësaj familjeje të madhe.

Fondacioni sigurisht që duhet të garantojë këtë urë lidhëse, duhet të bëjë bashkë Fatos Nanon, Servet Pëllumbin, Et’hem Rukën, Luan Hajdaragën, Ylli Bufin e me radhë, njerëz që kanë pasur përgjegjësira të mëdha në momente të caktuara shumë delikate për vendin, njerëz që kanë pasur pesha të rënda në vendimmarrjet e Partisë Socialiste, me ne që sot i kemi këto përgjegjësi dhe pesha dhe me të tjerë që i përkasin botës akademike, shoqërisë civile, i përkasin një pjese të shoqërisë ku përkatësia nuk është kaq e drejtpërdrejtë, sa e atyre që janë të lidhur në një mënyrë, ose në një tjetër me këtë familje politike, por që indirekt na vlen si një përkatësi në një hapësirë vlerash, në një hapësirë parimesh, në një hapësirë idesh.

Fondacioni mund të përpiqet për të krijuar edhe momente udhëkryqesh, ku këto ide dhe këto vlera e parime ballafaqohen me ato të të tjerëve, me ato të atyre që janë në anën e kundërt, apo në një pozicion të ndryshëm në hapësirën ku zhvillohet jeta politike. Janë udhëkryqe që u vlejnë veçanërisht më të rinjve, për të kuptuar të majtën, për të kuptuar të djathtën, për të kuptuar qendrën, për të kuptuar evolucionin e këtyre pozicioneve, për të kuptuar ndryshimet e mëdha rrënjësore që kanë ndodhur në raport me këto koncepte, për të kuptuar çfarë është sot të jesh i majtë, çfarë është sot të jesh i djathtë, çfarë është sot të jesh në qendër, cilat janë pikat që priten dhe cilat janë pikat ku nuk ka prerëse.

Patjetër që Fondacioni duhet të vazhdojë në traditën e krijuar të bashkëpunimit me fondacione të rrjetit të së majtës progresiste në Europën e sotme. Kemi disa shembuj të mirë bashkëpunimi, që janë më shumë sesa një arsye për të qenë të kënaqur me çfarë kemi bërë, një arsye për të parë potenciale ende të pashfrytëzuara sa duhet, në funksion të ndërveprimit me këto fondacione dhe me këtë rrjet të gjerë europian të fondacioneve të kësaj natyre.

Fondacioni ka bërë një punë të mirë me Akademinë Politike, e cila tanimë është një institucion i traditës së Fondacionit dhe që është bërë pjesë e traditës së re të Partisë Socialiste. Këtu janë disa nga ata që kanë kaluar përmes Akademisë Politike. Por Fondacioni duhet të shkojë pak më tutje, duhet të shohë pak më larg, duhet të kërkojë më shumë nga vetja dhe duhet të tejkalojë kufijtë e Shqipërisë zyrtare, për të parë potencialet në hapësirën shqiptare, për të parë sesi është sot kjo familje idealesh, idesh, vlerash e parimesh në hapësirën shqiptare, ku gjendet sot e majta socialiste e progresiste në hapësirën shqiptare dhe ku përputhet e majta jonë, e majta e re e kësaj kohe, me atdhetarizmin dhe ku ndahet me nacionalizmin.

Shumëkush në hapësirën shqiptare jashtë Shqipërisë e sheh të majtën si një forcë jo mjaftueshmërisht të puthitur me flamurin, me kombin, me identitetin kombëtar, si pasojë e një të shkuare internacionaliste të së majtës, por, në fakt, e kundërta është e vërtetë dhe Partia Socialiste është një provë. Nëse ka një parti politike në hapësirën tonë, në hapësirën e Shqipërisë, që kurrë nuk ka lëvizur nga vija e interesit kombëtar është Partia Socialiste e Shqipërisë, sepse është Partia Socialiste e Shqipërisë që nuk ka negociuar në asnjë rast për interesa pushteti, apo për interesa të paqarta, - për të thënë më të voglën, -politike, interesin kombëtar.

Nuk ka qenë Partia Socialiste që i hapi rrugë kontrabandës së naftës me diktaturën e Slobodan Milošević në kohën e embargos ndërkombëtare ndaj satrapit të Beogradit. Nuk ka qenë Partia Socialiste që vuri në pozitë presioni delegacionin shqiptar në Rambuje. Nuk ishte Partia Socialiste që doli haptas kundër marrëveshjes së Rambujes, e cila solli më pas çlirimin e Kosovës, për të thënë më të paktat. Ashtu sikundër nuk ishte Partia Socialiste që çeli një kapitulli shumë të vështirë marrëdhëniesh me fqinjët tanë në jug, duke nënshkruar një marrëveshje të papranueshme për kufirin detar. Nuk ka qenë Partia Socialiste që ka toleruar prekjen e interesit kombëtar në momente të caktuara për interesa pushteti, në tërësi. Këto janë më të mëdhatë, por, nëse do futeshim më thellë, do të gjenim dhe të tjera.

Partia Socialiste kurrë nuk ka shfrytëzuar pushtetin, nuk ka shfrytëzuar mjetet e veta të komunikimit publik për të hedhur baltë mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. E kundërta është e vërtetë në të gjitha këto raste. E nëse sot, ne jemi në kushtet e përgatitjes së një nënshkrimi historik për një dokument të ri partneriteti strategjik me Greqinë, të bazuar mbi respektin reciprok, përtej stereotipit se fqinji i pasur i imponohet fqinjit më të varfër, kjo është sigurisht meritë e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Pa dashur të tregohem më shumë modest, sesa ç’do të duhej, dua ta them se kjo është përtej meje, kjo është përtej disa personave që sot janë në këtë pozicion dhe që kanë avancuar një politikë të jashtme me një dinamikë krejtësisht tjetër, në funksion të mbrojtjes së dinjitetit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kjo është në ADN-në e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Sigurisht që propaganda - në anglisht quhet “Fake News”, unë i them “kazan” - ka bërë të vetën në vite dhe siç ndodh rëndom, fajtorët ua kanë hedhur fajin atyre që në fakt, jo nuk kanë pasur faj, por kanë qenë në anën e duhur të historisë në momente të caktuara dhe e kanë pikturuar Partinë Socialiste si qenie që ka pasur pak të bëjë me interesin kombëtar, ka pasur pak të bëjë me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në të gjithë hapësirën tonë.

Në fakt, historia tregon krejt ndryshe. Në këtë aspekt, Fondacioni ka punë për të bërë, për të çuar përpara idenë e qartë se patriotizmi, atdhetarizmi, politika e lidhur me identitetin kombëtar, në funksion të qenies europiane nuk kanë lidhje me nacionalizmin, me turbofolkun dhe me përdorim-shpërdorimin e flamujve dhe të simboleve kombëtare, si gjethja e fikut që mbulonte ato që nuk duhet të dukeshin në trupin e Evës.

Për të qenë konkret, në hapësirën shqiptare ka shumë për të bërë. Unë do ta shikoja me shumë interes edhe një Akademi Shqiptare të Lidershipit, ku ne të konvergonim me të tjera forca politike jashtë kufijve të Shqipërisë, në Kosovë dhe gjetkë, për të çuar përpara një program akademik dhe politik të lidershipit. Besoj që partnerët në hapësirën shqiptare nuk mungojnë, por duhet t’i kërkojmë dhe duhet të gjejmë mënyrën për të bashkëpunuar me ta.

Fondacioni “Qemal Stafa” ka bërë disa publike modeste. Duhet të bëjmë më shumë, sepse, nëse kthejmë kokën pas, vitet e jetës së Fondacionit janë më shumë, sesa numri i publikimeve të Fondacionit.

Fondacioni ka shumë mundësi për të gjetur gjërat e duhura, për të përcjellë, përmes publikimeve, pikërisht botën tonë, botën e të majtës socialiste dhe progresiste të së djeshmes, të së sotmes dhe të së nesërmes. Ndërkohë që dua t’jua kujtoj të gjithëve, atë që Qemal Stafa, emrin e të cilit ky Fondacion mban, në moshën 15-vjeçare shkruante: “Edhe na shqiptarët do ta rrënojmë të vjetrën. Mbi të do ngremë madhnisht flamurin e kuq të vllaznimit, të kulturës e të pasunisë. Kemi besim në vetvete, prandaj guxojmë”.

Koha, këtë flamur që Qemali e cilësonte të kuq e ka bërë qartësisht kuq e zi për Partinë Socialiste të Shqipërisë. Ne jemi një forcë kuq e zi, e si të tillë, pa mohuar, por duke evidentuar identitetin tonë si një e majtë që nuk i ikën detyrimeve ndaj kombit të vet në emër të internacionalizmit, por nuk e përdor kombin e vet në emër të nacionalizmit, patjetër që mund të bëjmë dhe do të bëjmë ende shumë më tepër.

Shumë faleminderit!  

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm